Deklarata e Enver Hoxhës për grekët

foto_udheheqesit_te_madhpopullor

Si mund të tingëllonte termi Vorio-Epir mes zyrtarëve komunistë dhe si përpiqej Greqia të shënonte një precedent më 1983 përmes një letre dërguar qeverisë shqiptare të kohës?

Ky dokument është shkëputur nga procesverbali i mbledhjes se sekretariatit të Komitetit Qendror i datës 16 dhjetor 1983.

Ndër shumë çështje, kryesisht të ekonomisë së Shqipërisë por edhe të politikës ndërkombëtare, të pranishmit në këtë mbledhje, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Lenka Çuko dhe Vangjel Çërrava, kanë diskutuar edhe për një varg çështjesh diplomatike e historike. Duke u nisur nga një letër dërguar nga Athina për verifikimin e një personi në Himarë, duke e cilësuar me termin Vorio-Epir, nisin diskutimet rreth marrëdhënieve të vështira me grekët.

Enver Hoxha kalon deri në cilësime si “të paturpshëm” dhe ngre akuza se pas kësaj teze fshihej kleri i kishës ortodokse greke.

Sekretarët e komitetit qendror, diskutojnë më tej për qëndrimin e drejtë që mbajti shteti i drejtuar prej tyre, me luftën që bëri ndaj fesë, dhe se si trajtohen në shtrin socialit ish myslimanët dhe ish-katolikët.

SHOKU RAMIZ ALIA: Sot apo dje, shoku Enver, ambasada greke i kishte dërguar Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme një letër nga Athina me anën e së cilës kërkonte disa të dhëna, njëfarë notifikimi për një person nga Himara, nga “krahina e Vorio-Epirit”.

SHOKU ENVER HOXHA: U!?

SHOKU RAMIZ ALIA: Shokët e Ministrisë ia kishin bërë mirë. Një t’ia kthyer notën mbrapsht pa i bërë asnjë përgjigje vetëm duke u vënë në dukje se një emërtim i tillë nuk ekziston në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Në rregull. Janë të paturpshëm fare këta grekët.

SHOKU RAMIZ ALIA: Duket ata duan të krijojnë precedentë, duke menduar se po na kaloi njëherë miu nën mjekër dhe pastaj bëhet rrugë.

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe pastaj “festojmë çlirimin e Korçës nëpër kisha”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Del qartë, shoku Enver, se pjesa më reaksionare e përkrahësve të çështjes së Vorio-Epirit, është kleri i kishës. Zaten kleri grek gjithnjë i tillë ka qenë. Ai gjithnjë ka pasur në Greqi një pozitë sui generis. Atje edhe presidenti i republikës betimin përpara dhespotit e bën. Shteti grek nuk është laik dhe kisha në këtë vend ka pushtet shtetëror.

Ose të marrim një fakt tjetër, atë të artikullit që bëmë ne kundër vizitës së peshkopit Serafin në Serbi. Kjo do të thotë që ai ka pushtet në Greqi.

Ja sikur të na shanin ne Dom Ernest Çobën në kohën tonë, punë e madhe, as që do t’ia vinim veshin një ngjarje të tillë.

SHOKU ENVER HOXHA: More, ma kujtove Dom Ernest Çobën që edhe agjent u bë, po nuk mbaj mend vdiq apo si përfundoi çështja e tij?

SHOKU RAMIZ ALIA: Kur u zhdukën institucionet fetare, ai u bë bahçevan në komunale, ku punoi deri sa doli në pension. Pastaj vdiq.

Feja, shoku Enver, ka rrënjë të thella. Ja, ajo që fola unë në Shkodër për çështjen e fesë, menjëherë pati jehonë. Deri tani më kanë ardhur dy letra. Njërën ma dërgonin një djalë dhe një vajzë, ai katolik, tjetra myslimane, të cilët unë nuk i njoh fare. Më shkruanin për shtëpi. Ka tri vjet që po na sjellin rrotull, – më shkruajnë ata.

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo s’bëhet fare. Po jep urdhër, Ramiz, për këtë rast t’u japin shtëpi.

SHOKU RAMIZ ALIA: U dhashë urdhër, shoku Enver, po dua të them se këtu është fjala për një koncept. Kurse letra tjetër është anonime dhe ai që e dërgonte duhet të jetë njeri i poshtër, pse më shkruan: mirë, çështja e martesave është një problem, po nuk është kjo kryesorja. Kryesorja, – shkruante ai, – është një politikë e drejtë kuadri, politikë që nuk është ndjekur nga Sul Bushati, i cili ka vënë në vende të ndryshme Hasana, Sulejmana, duke harruar se në Shkodër ka edhe Leca e Kola që janë po aq patriotë, po aq luftëtarë, sa myslimanët e të tjerë e të tjerë.

Sidoqoftë ajo që thashë unë atje pati menjëherë jehonë, shkoi llafi ku duhej.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu është, pati jehonë dhe llafi u shpërnda menjëherë.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Se me siguri ata që ishin atje do ta kenë shtruar në organizatat e Partisë e në kolektivat e punës.

SHOKU ENVER HOXHA: Partia shokë, këto gjëra duhet t’i gjykojë mirë e drejt. Nuk duhet të vihet në një punë Kola për Kolë, po në qoftë se ka një Kolë që është më i mirë nga Hasani, le të vihet Kola.

SHOKU RAMIZ ALIA: Është e qartë kjo për ne, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Po do të thuash ti, si mund ta mendojmë ne që një politikë të tillë të shtrembër kuadri mund ta bëjë sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit? Dakord, nuk e bën sekretari i parë, po në qoftë se ai nuk e drejton si duhet një politikë të tillë, e bën ai më poshtë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, shoku Enver, e bën tjetri më poshtë.

SHOKU ENVER HOXHA: Edhe ai që ngre zërin nuk e shikon këtë çështje në Komitetin e Partisë, ku ka plot Kola, por e shikon nëpër ndërmarrjet, nëpër kryesitë e kooperativave etj.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, edhe nëpër kooperativat bujqësore. Ja, për shembull, po marr kooperativën bujqësore të tipit të lartë të Bushatit, të cilën e njoh. Shumë fshatra të kësaj ekonomie janë myslimane, po ka dhe disa fshatra me popullsi ish-katolike, siç janë Kozmaçi dhe ndonjë tjetër. Tani, në qoftë se në kryesi të kësaj kooperative do të zgjidhen vetëm myslimanë, kjo patjetër do të bjerë në sy. Por Partia nuk ka vepruar kurrë kështu, se që në fillim kryetar i kooperativës ishte një katolik, Mark Ndou. Sidoqoftë ndonjëherë mund të ndodhë që edhe të veprohet gabim.

SHOKU ENVER HOXHA: More, ka pasur edhe një Mark Ndou tjetër, shkrimtar, ç’u bë ai?

SHOKU RAMIZ ALIA: Mos e keni fjalën për Mark Ndojën, shoku Enver. Më duket se ai ka vdekur. O ç’ishte një ai… /Shqiptarja/

Shperndaje ne
Updated: 27 Janar, 2015 — 18:18

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.