Histori në nëntokë, politikë në mbitokë

Ylli_PolovinaShkruan: YLLI POLOVINA

Në historinë e shqiptarëve, fillimi i thellimës mes opinioneve të ndryshme nuk nis aspak në tema tre mijë e më tepër vite shkuar, siç janë çështje të origjinës ilire apo pellazge. As kur njëra pas tjetrës u përjetuan pushtimet prej perandorive romane, bizantine dhe osmane.

Nuk ka mospërputhje në gjykimet për dekadat apo vitet e pranisë, në fillimet e shekullit të kaluar, të austrohungarezëve, italianëve, grekëve, serbëve, malazezëve apo francezëve. E çara mes për mes nesh është ngushtuar disi në periudhën kur qeverisi Ahmet Zogu, duke mbetur tashmë në një pikë ngopjeje dhe moslëshimi më prej asnjërës palë.

Thellima e opinioneve fillon e bëhet humnerë kur nis rezistenca antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo mospërputhje deri në ndarje të thiktë, zgjat vetëm tre-katër vite.

Me shpalosjen e fletëve kalendarike të 1945-s e më pas, në një progresion përherë e më shumë rënieje dakord, distanca moskuptuese ngushtohet dhe afrimi, pas 28 nëntorit 1912, mbërrin në dhjetor 1990 në pikën më të lartë të historisë tonë si shtet i pavarur.

Periudha e qëndresës skënderbejane, ajo e aktit të shpalljes së Pavarësisë, Lëvizja Studentore dhe çlirimi i Kosovës në 1999, përbëjnë katër maja mirëkuptimi kombëtar. Një vijë quhet e drejtë në rast se kalon nëpër dy pika. Kjo e jona kalon nëpër katër. Mjafton kaq për të besuar se jo vetëm nuk jemi një popull i përçarë, por edhe mjaft i drejtpeshuar e gjykimsaktë.

Po si i bëhet pikës sonë më të ulët të mirëkuptimit dhe më të lartës së kundërshtimit të njëri-tjetrit: Luftës Nacionalçlirimtare?

Ajo, më së pari, nuk ka asnjë autoritet të na shtrembërojë imazhin si popull që në çdo çast të historisë së vet ka vepruar me drejtpeshim dhe përgjegjësi. Nuk na bën pis as në rastin kur e pranojmë si vlerë të rëndësishme kombëtare, po ashtu edhe kur e vlerësojmë në të kundërtën. Ajo ka aq shumë dokumente nëpër arkivat e kontinentit e më tej, ka aq shumë studiues të huaj dhe autorë librash të dëshmitarëve realë të kësaj kohe, sa gjithçka këtu te ne ngjan me një furtunë në gotë. Brenda për brenda jemi ende të nxehtë, sepse mes pak protagonistëve ende të gjallë të kësaj lufte, janë në këmbë bijtë dhe nipërit. Historishkruesit e vetëpërmbajtur i kanë këta të gjithë nëpër këmbë, sepse ata tejmbushin faqe gazetash dhe ngulen nëpër ekrane televizive. Pothuaj nuk lënë asnjë hapësirë për arsye. Pastaj janë “ciklopët”, partitë politike, të cilat nuk lënë të bjerë përtokë një fat i tillë ndarjeje, mosmarrëveshjeje, sepse “parti” do të thotë “një pjesë” dhe që ajo të mbijetojë e shtohet, duhet të tkurrë e mundësisht të shfarosë pjesën tjetër, e cila ka edhe ajo një parti.

vullnetar_1912Kështu, lufta antifashiste, sidomos ajo e cilësuar si LANÇ, pra atë të cilën PKSH dhe më pas PPSH e quajti dhe e monopolizoi tërësisht si të vetën, është e mbështjellë nga tymi i betejës së fjalëve.

Ndoshta në një përpjekje për të ndihmuar në qetësimin sadopak të kësaj mosmarrëveshjeje kombëtare, qeveria Rama njoftoi se në çështjen e hartimit të teksteve shkollore, për këtë periudhë tepër të nxehtë, është zgjedhur një historian i huaj. Ky në disa intervista menjëherë shpjegoi se cili qe misioni i tij dhe si do të vepronte që të sillte ekuilibër. Në të vërtetë nuk u duk se e arriti, sepse nuk erdhi i propozuar prej ndonjë akademie, instituti të specializuar apo rrethi të lirë intelektualësh. Mbërriti prej kabinetit qeveritar, pra nga një “pjesë”.

Historiani i huaj, sikur të mos e kishte kuptuar që nuk po vinte për të na vënë mendimin në rresht, por as të na pështjellonte në një kaos të ri, që në fillim hodhi shashkën e parë: sipas dëshmisë së një ushtaraku gjerman (të mbetur shumë pas autokolonës së tij, patjetër) Shqipëria nuk qe çliruar as në 28 nëntor 1944, siç mbron pikëpamjen partia masive PD dhe as 29 nëntori, siç e ka mendjen të ndarë partia më e madhe shqiptare, PS.

Ishte “partia” e atij ushtarit vetmitar dhe e historianit të huaj: 4 dhjetor.

Kështu në vend të rrallohej, u shtua tymi.

Paanësia në historishkrim, në mos të jetë virtyt, detyrim shkencor dhe moral, duhet të jetë edhe dhunti. Përvojë të paktën, ndjenjë profesioni.

Autori i këtyre radhëve shpreson të mirëkuptohet, ndërsa do t’i sjellë lexuesit të “Shqip” një shembull kur kjo mund të arrihet. Madje edhe prej një personi, i cili prej kohësh është përfshirë në qëndrime të caktuara politike dhe për pasojë ka tërhequr natyrshëm armiqësinë e palës së kundërvënë.

Ky është gazetari italian Karlo Bolino. Duke qenë në Shqipëri edhe pronar medie, pra, përveç disa politikanëve, edhe me rivalë të tjerë në këtë fushë, bëhet më e koklavitur paraqitja pozitive e punës së tij në një shkrim, sidomos në një historishkrim të shqiptarëve nga viti 1939 deri në 1991, mes tyre edhe të luftës antifashiste.

Fjala bëhet për projektin dhe njëkohësisht propozimin e tij të qeverisë Rama, e cila e bëri realitet: BUNK’ART, bunkerin e madh nëntokësor (sa një pallat pesëkatësh), që ndodhet në një nga kodrat në periferi të Tiranës.

Gjatë regjimit të shkuar atje ishte vendkomanda në kohë agresioni të huaj e Shtabit të Përgjithshëm.

Janë 106 dhoma, shumica të mbushura me pamje, tekst, orendi dhe mjete shpjeguese. Atje janë të ekspozuara shumë dokumente të mbajtura fshehur nga diktatura. Nëpër dhoma ndeshesh me dëshmi të luftës vetëmohuese për t’u çliruar dhe pastaj ndërtuar vendin dhe po aq të dhembshme të dhunës ndaj mospajtuesve me regjimin (mes të tjerash është shumë tronditëse një foto e një të persekutuari politik që nxirret nga qelia për t’u pushkatuar). I ndërtuar me përgjegjësi shkencore, por edhe me frymëzim artistik, plot mesazhe të qarta, në BUNK’ART gjen një stendë ku rrinë bashkë, të shoqëruara me dokumente, fati i Nexhmije Hoxhës dhe i Ramize Gjebresë, duke të ta bërë të kuptueshme çfarë fshihej në vrasjen kriminale të kësaj të fundit.

Në katin e parë (në të pestin është apartamenti i Enver Hoxhës, në të katërtin ai i Mehmet Shehut), ndodhet edhe salla e madhe, ku do të mblidhej në kohë lufte Kuvendi Popullor. Në restaurimin e saj (gjatë vitit 1997, i tërë bunkeri u plaçkit), në lozhat nga e majta, janë pamje të mëdha fotografike të mbledhjeve të tij propagandistike në sallën mbi tokë, kurse në të djathtën, me foto po aq të mëdha pamje prej radhës së bukës apo të vajgurit, po ashtu protestat me futje në ambasadat e Perëndimit ose ikjen e refugjatëve nëpër det. Ndërkohë në skenë, ku do të rrinte tribuna e njerëzve të pushtetit, si të jenë imazhe të së ardhmes, flluskojnë rruzuj plot dritë e ngjyra ëndrrash.

Mes shumë kontribuuesve në realizimin korrekt të projektit të gazetarit Bolino, ku përfshihen disa ministri e sidomos ajo e Mbrojtjes, janë edhe një historiane profesioniste, njohëse e luftës dhe autore libri, Sonila Boçi. Po ashtu, edhe gazetarja e kulturës dhe e historishkrimit, Admirina Peçi. Të dyja janë të reja, pa kapërcyer shumë të tridhjetat. E theksojmë këtë detaj, jo përherë të nevojshëm dhe të cituar me vend, sepse ato, përfaqësuese e një brezi të ri, kanë dhënë një dëshmi të jashtëzakonshme baraspeshimi.

Ne që në mbitokë për periudhën e luftës shkëmbejmë aq shumë mosdakordësi nëse këtë punë duhet ta bëjë vetëm e djathta apo patjetër e majta, për ta drejtkuptuar mjafton të futemi në nëntokë, në superbunkerin ndër më të mëdhenjtë në kontinent, për ta parë të vërtetën me foto, me tekst shpjegues dhe dokumentarë në TV apo të projektuar prej aparatesh të shumta, me objekte nga më origjinalet dhe më të paparat.

Në fundjavë, e sidomos të dielave, aty vijnë nga tetë deri në dhjetë mijë vetë.

Kur del prej andej dhe më në fund hyn në qendër të Tiranës, ende i përmbytur nga mbresat, te sheshi i bukur “Skënderbej” mëson se lufta politike në mbitokë nuk ka ndërmend të lëshojë pe edhe në një rast kur pikërisht një qeveri afër së majtës kryen një shërbim shumë të dobishëm për të denoncuar diktaturën dhe jep një provë se është përtej historishkrimit të bujshëm dhe jo realist me gjermanin e vetëharruar të 4 dhjetorit 1944.

E trishtueshme: te njëri prej stacioneve urbane në brinjë të Muzeut Historik Kombëtar, tabelat orientuese për të vizituar BUNK’ART që prej dy javësh janë hequr dhe po ashtu ndaluar, nëpërmjet gjobave të përditshme nga bashkia, dy autobusët që transportonin gratis vizitorët.  

Shperndaje ne
Updated: 30 Janar, 2015 — 13:29

The Author

Ylli Popovina

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.