Pse shqiptarët e Luginës së Preshevës të mos i gëzojnë të njëjtat të drejta si serbët në Kosovë?

Letër publike protestuese Bashkësisë Ndërkombëtare dhe Qeverisë së Serbisë për punë me dy standarde! (2)

 Nuk mund të ketë paqe mbi bazën e diskriminimit dhe të privilegjeve

Shkruajn: HALIM HYSENI & ISMAIL MUHARREMI

Nga kjo, rrjedhimisht del përfundimi se këtë që e fitojnë serbët në Kosovë duhet ta gëzojnë  edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës. Të gjitha  zgjidhjet tjera  nuk do të jenë të qëndrueshme, sepse  faktori  shqiptar më nuk është ai që ka qenë gjatë marrëveshjeve të arritura në të kaluarën. Derisa Vuçiqi vjen në Kosovë duke e mbrojtur dhe ruajtur Policia  e luginaKosovës dhe  gënjen se Kosova është  “djep  i Serbisë”, duke  harruar se tërë territori i Serbisë së tashme dhe i Bosnjës (Mbretëria e Batonit)  ka qenë  dhe do të mbetet tokë  e shenjtë iliro – shqiptare, në Medvegjë hordhitë e Partisë Përparimtare Serbe,  partisë së Vuçiqit, sulmojnë dhe  kërcënojnë fizikisht zëvendëskryetarin Florim Sahitin, vetëm e vetëm pse është shqiptar. Askush, as në Kosovë, e as në Serbi nuk bëri as “gëk” e as “mëk”, për këtë veprim makabër.  Sikur kjo t’i kishte ndodhur një kryetari  serb, Vuçiqi dhe Çurkini do ta tronditnin Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sigurisht  ky rast do të përfshihej edhe në raportin e Ban Kin Munit. Për çudi, për këtë rast asnjë fjalë nuk e shkruan as  gazetat dhe burimet e tjera të  informacionit në Kosovë, sepse për to, ky nuk është  lajm që rrit tirazhin e shitjes, sepse të rrihet  një shqiptar nga serbët nuk është lajm, po të rrihet  një serb nga shqiptarët është  lajm (lexo analogjinë kibernetike: qeni e ka  kafshuar njeriun  nuk është lajm; lajm është njeriu e ka kafshuar qenin). Lidhur me këtë ngjarje  ka reaguar  kryetari i Kryesisë  klubit të vendlindjes “Trojet”,   Ismail Muharremi, por reagimin nuk e kanë botuar  ato media  në të cilat reagimi është adresuar.

  • Zoti Jablanoviq, ndihmo të gjenden varret e 34  të rinjve shqiptarë, të ekzekutuar nga UNÇ-ja!

Ministri i  Qeverisë së Republikës së Kosovës,  Jablanoviq, i cili nuk e njeh  Republikën e Kosovës (siç!?) në “kërkim falje” nënave  gjakovare deklaroi se  nuk ka ditur për masakrat, të cilat i ka bërë ushtria , policia dhe paramilitarët serbë, sepse  ka qenë i ri, demek adoleshent. Meqë  Jablanoviq nuk e paska ditur së çfarë ka ndodhur në Kosovë,  me popullin shqiptar, gjatë luftës  së vitit 1998-99 duam  ta njoftojmë për veprimet e policisë, ushtrisë dhe të paramilitarëve serbë mbi  popullatën shqiptare të Medvegjës vetëm gjatë dy luftërave. Para kësaj, do e lusim të interesohet për shkakun pse u sulmua dhe u kërcënua  fizikisht zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës, Florim Sahitaj, nga anëtarësia e  Partisë Përparimtare (siç!) Serbe. Jablanoviq  do t’u jemi  shumë mirënjohës, nëse na ndihmoni të gjejmë eshtrat e qytetarëve të komunës së Medvegjës, të fshatrave Svircë dhe Gërbac të cilët, shtabi ushtarak i UNÇ-së (Ushtrisë Nacionale Çlirimtare ) në nëntor të vitit 1944, në shtëpitë e tyre i arrestuan dhe i ekzekutuan mbi 30 veta, të gjithë djem të ri. Këta të rinj të lidhur me pranga dhe në përcjellje me rrahje u vendosën në  qendrat e  “hetuesisë” në odën e Baftijajve dhe Shaqirajve në Svircë dhe të Avdijajve në Gërbac . Arsyeja e arrestimeve dhe  ekzekutimeve thuhej se ishte pjesëmarrja e tyre në shpartallimin e brigadave partizane që synonin të depërtonin në drejtim të Kosovës dhe për plaçkitjen e spitalit partizan në Svircë. Pas maltretimeve  disaditëshe, të gjithë të arrestuarit, të lidhur dy nga dy me pranga, ishin drejtuar  në drejtim të Banjës së Sijarinës dhe të Lebanës nga rrethina e të cilës në  dhjetor dhe janar të vitit 1878&79 ishin  vrarë, masakruar dhe  dëbuar nga trojet  autoktone   të gjithë shqiptarët   familjet e të cilave edhe sot në Kosovë  mbajnë  mbiemrat: Bojniku, Konjuhi, Shillova, Rukoci, Byqmeti, Gajtani, Krivaça, Rafuna, Stublla, Radevci, Retkoceri, Maqedonci, etj. Që nga ajo kohë  ishin të zhdukur dhe dëbuar    rreth 150.000 shqiptarë pa gjurmë, si edhe sot që janë  rreth 1,400 persona të zhdukur dhe pagjetur dhe pa gjurmë, nënat e të cilave ti i quajte “egërsira”, pse protestuan, sepse mendonin  se në mesin e tyre ishin edhe ata që kanë vrarë, masakruar dhe që  janë shkaktarë që ato edhe sot e kësaj dite nuk kanë asnjë gjurmë për fëmijët e tyre. 

  • Jablanoviq,  ke pak empati. Nëse nuk e di kuptimin fjalës empati, po ta shpjegojmë. Empati do të thotë të biesh në pozitën e tyre

Por, z, Jablanoviq, t’i kthehemi temës, të arrestuarit,  gjurmët e të cilëve nuk dihen edhe sot, e të cilat  pasardhësit e tyre i kërkojnë janë: 1. Ajet Veseli, 2. Rexhep Veseli, Hafiz Vrapca, 4. Avdil Vrapca, 5. Halim Duli, 6. Halit Duli, 7. Hamit Qerkini,8. Sylë Xheladini. 9. Arif  Emini.10. Fazli Emini, 11. Ahmet Bajrami, 12. Dul Abazi, 13. Arif Abazi, 14. Hajdin Abazi, 15.Behram Zejnullahu, 16. Jashar Zejnullahu,  17. Jahir Gërba, 18. Shaban Salihu, 19. Ajet Jashari. 20. Avdil Veseli, 21. Tahir Zymberi, 22. Rexhë Salihu  dhe 23.Asllan Gisha, të gjithë nga fshati Svircë. Të arrestuarit dhe  të zhdukurit nga  Gërbaci ishin:  Salih Dul Haziri, Ali Dul Haziri, Hafiz Ali Kurti, Sherif Zejnulla Murati, Asllan Ibish Hajdari, Alil Ajeti Arifi, Shaban Behë Hajvazi,  Hazir  Shaban  Hajdari, Rexhep Ibrahimi dhe Fetah Ibrahimi.

Z. Ministër i Republikës së Kosovës që i mbron interesat e Republikës së Serbisë  çfarë mendon lidhur me këto ekzekutime të bëra pa gjyq, djem të rinj të masakruar dhe të zhdukur. Lidhur me këto ekzekutime  eprorët partizanë të rangut lartë dhe  disa historianë kishin deklaruar se:”… për dështimin e tentim depërtimit të brigadës partizane në drejtim të Kosovës dhe  shkatërrimin e spitalit asnjëherë nuk janë kërkuar fajtorët. Si kompensim të këtij “dështimi” janë masakruar të rinjtë shqiptarë  vetëm pse ishin shqiptarë. Njëri nga komandantët e shtabit ndëshkimor në një ndejë, gjysmë i dehur, me ndërgjegje të vrarë kishte deklaruar: “Me urdhrin nga lartë i pushkatuam njerëzit e pafajshëm“. Ai kishte deklaruar se vrasja e tyre ishte bërë në vendin e quajtur “Beli Kamen” ( shqip:Guri i Bardhë”) që ndodhet ndërmjet Lebanës dhe Bojnikut.

Familje e këtyre të vrarëve të pa faj do t’u jenë shumë mirënjohës nëse  ndihmoni  që pas 70 vitesh të gjejnë eshtrat e të afërmeve të  tyre dhe t’i varrosin me dinjitet.

  •  Z. Jablanoviq, na trego pse  u vra  dhe u dogj  familja e heroit  Zenel Hajdini!?

Zoti ministër, ju keni thënë se nuk dini së çfarë ka ndodhur. Po Ju informojmë se vetëm nga komuna e Medvegjës nga shtypja politike, presioni, diskriminimi mbi baza etnike janë dëbuar afër 10.000 shqiptarë, pjesa dërmuese e të cilëve janë vendosur në Fushë-Kosovë, Matiçan, Hajvali, Prishtinë etj. Në Fushë- Kosovë,  ku  edhe u ndez fitili i luftës më gjakësore dhe brutale në fund të shekullit XX shqiptarët e Medvegjës së bashku me shqiptarët vendor përsëri pësuan sepse  nga  një thertore erdhën një thertore edhe më të tmerrshme. Edhe këtu ushtria , policia, paramilitarët e shtetit, nderin e të cilit  jeni duke e mbrojtur, masakruan, fëmijë, gra, pleq, plaka, të rinj dhe të reja të cilit shteti i Serbisë i kishte ndjekur nga Medvegja. Meqenëse ke deklaruar se nuk  dinë për masakrat e bëra nga   Republika e Serbisë, të lusim lexoj emrat dhe mbiemrat e të vrarëve vetëm të shqiptarëve nga Medvegja, në mesin e të cilëve është edhe vëllai dhe nipi i Zenel  Hajdinit, heroit të  LNÇJ, i cili është vrarë në Gazdar afër Medvegjes: 1.  Ajet Muharrem nga Tupalla, u vra dhe u dogj në shtëpinë tij më 26.03.1999; 2.Hajvaz Hajdini ( vëllai i heroit  Zenel Hajdini) i paralizuar 7 vjet u dogj në shtëpi të vet, më 27. 03.1999  nga Tupalla; 3.  Gjyle Hajdini , u vra në prag të shtëpisë më 25.03.1999;  4. Hashim Hajdini u vra në shtëpinë e vetë me  më 26.03.1999; 5. Veli Hyseni nga Tupalla  u vra  me 27.03.1999; 7. Nazmije  Muharrem Hyseni nga Tupalla  u vra dhe u dogj në shtëpinë e vet në mars 1999; 8.Bahtie  Fazliu Luta nga Tupalla u vra  në mars 1999; 9. Emin Kadolli, nga Gërbaci u vra në mars 1999; 10. Gjyle Kadolli nga Gërbaci u plagos në mars 1999; 11. Sylë Haziri, nga Gërbaci  mars 1999; 12. Miftar Ibrahimi, nga Gërbaci u vra  dhe u dogj në mars 1999; 13. Nazmie  Syla, nga Gërbaci  u vra në mars 1999; 14. Zymber Syla u vra në mars 1999; 15. Naim Syla , Gërbac, u vra në mars 1999; 16. Valbona  Syla , Gërbac 1999; 17. Halil Azemi, Gërbac , mars ‘99; 18. Sokol Fazliu, Gërbac 1999; 18. Qamil Syla , Gëbrac  mars ‘99; 19. Jakup Arifi , Gërbac , mars ‘99; 20.Ahmet  Abazi , nga Svirca , u gjet pa kokë në Miradi; 21. Beqir Uka , Svircë u vra dhe u masakrua; 22. Mihane  Uka nga Svirca u vra; 23. Rrahman Xheladini, Svircë u vra; 24. Hamide  Xheladini, Svircë u vra; 25. Ramiz Veseli, Svircë , u vra; 26. Fatmir Shaqiri nga  Svirca u vra; 27.Hetem Rama,  Svircë, u gjet pa kokë; 28.Selvije  Mehmeti, nga Svirca  u vra në Matiçan; 29.  Zenel Halimi nga Svirca  u vra në Fushë Kosovë; 30.  Arif Syla, nga Ramabaja, u mor  natën, u gjet pas 4 vjetësh i masakruar; 31. Aziz Jashari nga Dediqi, u vra në Prishtinë.

As sot, pas 15 viteve,  familjarët e tyre nuk  dinë gjë pse Hasan Muharremi i lindur në Tupallë me vendbanim ne Fushë Kosovës u mbytë “aksidentalisht” në punktin policor në Bujanoc. Murat Kurti, i lindur në Gërbac me banim në Hajvali, u zhduk në  kufi me Malin e  Zi. Familjaret e Fehmi Hysenit, nga  Gërbaci,  i cili u  zhduk, ndoshta më mirë të thuhet  u kidnapua  nga forcat e Serbisë të cilat   ti i mbron si  ministër i Republikës së Kosovës, as sot pas mbi 15  vite nuk dinë gjë për anëtarin e  humbur.

  •  Pse u dëbuan  rreth 10,000 shqiptarë nga Medvegja, për të cilët askush nuk flet?

Z. Jablanoviq,  ne autorët e këtij shkrimi informues,  jemi duke bërë gabim që  trajtojmë fatin dhe pësimet makabre të bëra nga shteti, interesat e të cilit ti i mbron, sepse  pjesa  tjetër e popullit   shqiptar në Kosovë ka pësuar shumë më  keq dhe  shumë më shume se sa rastet të cilat ne i trajtuam e që lidhen me  Medvegjën, ku sot jetojnë me pak se 500 veta në frikë dhe panik, ndërsa   të tjerët të dëbuar nga  Medvegja, nuk   e gëzojnë as drejtën  të kthehen në tokën e tyre mijëvjeçare  me arsyetim  se janë shpërngulur nga Medvegja para vitit 2.000.

Me këtë  letër të hapur i drejtohemi edhe  e Bashkësisë ndërkombëtare që të mos veprojë me dy kute, sepse parimi i veprimit me dy standarde të ndryshme  në  hapësirën e përbashkët  evropiane nuk do të sigurojë paqe. Ju duhet ta dini se  shqiptarët nuk do të pranojnë më vendimet me të cilat ata përçmohen, gjunjëzohen dhe  bëhen qytetarë  të rendit të dytë në tokat e tyre mijëvjeçare. Vrasësit e  luftës se fundit të shqiptarëve të Medvegjës dhe të atyre që sot e 15 vjet janë të zhdukur   shëtisin të lirë në Kosove dhe në Serbi. Ata  janë të pandëshkuar. Emrat  dhe mbiemrat e tyre janë të njohur për pushtetin e tashëm serbë. Ata të cilët i kanë djegur mbi 100.000 shtëpi të shqiptarëve, që kanë djegur mbi 300 shkolla dhe institucione  arsimore, 250  xhami, 5 kisha katolike, kanë vrarë  mbi 13.000  shqiptarë, në mesin e të cilëve janë edhe mbi 1300  fëmijë, që kanë dhunuar  mbi 20 000 vajza dhe gra shqiptare, që shëtisin  të lirë dhe të pa ndëshkuar do të ndjehen  shumë krenarë kur të dëgjojnë se do të formohet në Kosovë një gjykatë speciale, e jo edhe për Serbinë.

 Pse vetëm për serbët  formohet Asociacioni i Komunave serbe e kjo të mos formohet edhe për  shqiptarët e Luginës së Preshevës! Pse shqiptarët në Serbi, të ndjekur, të persekutuar, të  diskriminuar të mos i gëzojnë të njëjtat  të drejta të cilat  i kanë dhe gëzojnë edhe serbët në Kosovë.

  • Pa drejtësi dhe barazi etnike çfarëdo nënshkrimi vlerën e ka nul/Zero!

Ne ju  bëjmë me dije se nënshkrimet kapitulluese të njerëzve që nuk mbrojnë të drejtat dhe barazitë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga prejardhja  etnike, racore,fetare, gjuhësore, gjinore  praktikisht  do kenë vlerë nul(zero). Këto nënshkrime nuk do të kenë vlerë praktike, nëse ajo që u jepet  serbëve nuk e gëzojnë edhe shqiptarët   e luginës së Preshevës. Përpjekja për të siguruar paqe pozitive mbi bazën e diskriminimit dhe të privilegjeve do të jetë ogur i zi për paqen në hapësirën evropiane.  Këtë e kanë vërtetuar të gjitha luftërat e përgjakshme të ndodhura gjatë shekullit XX, në të cilat kanë pësuar me qindra miliona  njerëz të pafajshëm.

  • Ne nuk jemi nacionalistë dhe nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi!

Nga përmbajtja e kësaj letre, ata që nuk  çmojnë vlerat  njerëzore mund të na  etiketojnë ashtu  siç fare nuk jemi. Në  fund të na fusin në kategorinë e  nacionalistëve dhe të pseudopatriotëve. Ne  fare nuk kemi urrejtje  ndaj popullit serb e as ndaj asnjë kombi dhe etnie në botë, bile – bile  shprehim publikisht  revoltën tonë për pozitën diskriminuese të ashkalive, egjiptianëve, të romëve  në Kosovë. Ne nuk  kërkojmë hakmarrje, ne angazhohemi vetëm e vetëm për drejtësi. Motoja me të cilin  jemi udhëhequr në këtë letër publike  është   strofa e një humanisti, shkrimtari dhe intelektuali shqiptar,  Xhevdet Bajrajt, ligjërues për Letërsi  Ballkanike  në Mexico University,  me të cilën dhe e përfundojmë këtë  Letër- protestuese publike:

Liria e tmerri

S’dua t’ua harroj; Për hatër të ditës së nesërme; S’dua t’ua fal; Se nuk i falin as të vdekurit e mi; S’ dua t’ua kthej; Që të mos bëhem si ata. (Fund)

Shperndaje ne
Updated: 1 Shkurt, 2015 — 20:36

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.