Kleptomanët e të padijshmit shkatërruan ardhmërinë e vendit

Shkruan: SHEFIK SHKODRA

Njeriu kujtohet çka mund të veprohet dhe të sugjerohet për këtë vend që e kemi kaq të rrudhur në të gjithë lëmenjtë e jetës. Çka mund të bëjmë lidhur me një liri dhe demokraci praktike. Me kënaqësi të të gjithë qytetarëve. Me një punësim dhe rehati të pjesës më të madhe të qytetarëve tanë. Pastaj, për ta parë gjendjen e tyre më të qeshur, më solidar dhe më të aftë në zhvillimet tjera në regjion. Pra, si do të gjenden mënyrat dhe mjetet për një zhvillim sa më të hovshëm e me perspektivë, etj.  Po kjo, në një mënyrë apo tjetër, mundet të shpërndaj mendjen në shumë fusha të gjera, të cilat nuk janë pa një përgjigje. Por, veprimet janë vonuar shumë. Kjo përgjigje shumë e dëshirueshme për  qytetarët dhe shumë e hidhur nga ata që udhëheqin institucionet; njërën palë e vë kureshtja si në ëndërr e që ishte qe 15 vite, ndërsa palën tjetër do ta tërboje sikur u merr diçka shpirtërore. Sikur ata duhet t’i hynin një mundimi e nuk dinë kah t’ia mbajnë. E po. Shumë prej zyrtarëve institucional nuk kanë pasë e as që kanë ide e një dashuri për këtë punë madhore. Shpirtërorja për ta ishte si e lindur e në rininë e i jetës. Si qëllim e parim për atdheun. Por doli se zanati i tyre, cili jo vetëm që u është bërë pasion, por edhe sëmundje ishte tjetër. Dhe kjo sëmundje është shpërndarë dhe është bërë ngjitëse – epidemi. Pra, është bërë pjesë e jetës edhe te ata që nuk ishin profesionist për plaçkitje. Këtë e përvetësuan edhe njerëz që ishin shumë laik për këtë çështje. Duke i parë ata të grupit që para printe, u desh që edhe këta të “urtit e solidarët” ta provonin. Njëherë dhe e dyta herë e tutje ka kaluar në rutinë. Bëhet fjalë për ata që prej një cerge që mezi kanë mbuluar trupin e tyre, u sharruan në kulluqe të një mikroborgjezie dhe kapitalizmi në tokën e rrënuar.

Pati filluar mbrapshtë  

kleptomaniaGjendjen shoqërore e morën udhëheqësit tanë, si të ishte pas Luftës Dytë Botërore. “Ne kemi të drejtë dhe vetëm ne ta qeverisim këtë vend”. Si të ishin partizanët e asaj kohe. Krejt i dimë, e në realitet asgjë nuk kanë ditur dhe s’kanë bërë. Gjysmë analfabetët, kursistët u shndërruan si me grada të mëdha shkencore. Një pjesë e spiunëve të Serbisë iu ofruan dhe bashkëpunuan me UNMIK-un. Edhe ata që nuk e njihnin gjuhën angleze mirë, por u bënë shërbëtorë të mirë. Këta ishin shpesh edhe ekzekutues në rrjedhat e kohës. Në institucione me të huajt, një pjesë e tyre, kaherë ishin të përgatitur edhe për keqpërdorime. Ata u ndodhën në vende kyçe, edhe pse te “mileti” shihej si diçka e dyshimtë, prapë u lejua të vazhdohet si krejt në rregull. U përzien, atdhetarë e tradhtarë. Hajdut e humanitar. “Po bëjmë reforma…” thoshin.  Ecën me ato reforma për kushtetutë e ligj, në arsim, në shëndetësi, në kulturë, të gjitha huazuara e kuturu. Një pjesë të mjeteve të informimit i paguan dhe ata çonin “ujë në mulli të huaj”. Shumë gjëra i morën klishe të vjetruara nga të tjerët, pra, të papërshtatshme për këtë ambient. Doli ndonjë zë i rrallë për disa çështje, por pa dobi, veç sa për ta izoluar akëcilin. Të gjitha vlerat tradicionale e kulturore të popullit të vet i braktisën me vetë dëshirë, sipas porosive dhe e rekrutuan një pjesë të masës popullore. Nëpër shumë institucione i futën njerëz të pa dinjitetshëm e pa kurrfarë kulture, vetëm e vetëm që ta blejnë masën popullore, ta shantazhojnë e ta mashtrojnë për të siguruar vota për zgjedhje. Me një fjalë, nuk e menduan fundin. Për një rrugaç që do të ishte në lidhje me pushtetarët, rrotullonin edhe plane e programe shkollore. Pesë para! “Çka po duamë po bëjmë!” Le që nuk bën asgjë për punësim e zhvillim ekonomik, por këta ishin edhe uzurpues të pasurisë dhe të drejtës elementare qytetarëve tjerë. Korrupsioni e kriminaliteti zgjerohej nëpër fusha të ndryshme shoqërore.

Nepotizmi gjithnjë në flagrancë

Çdo kund në botë ka keqpërdorime. Disa fshihen më lehtë, disa të tjera janë të pa rëndësishme aq. Te ne ka çdo gjë ka qenë e ndjeshme. Edhe vend i vogël, edhe i shkatërruar. Pra nepotizmi ishte përmbi kulm. Kudo shihej qartë. Në disa vende konkursi ka qenë formalitet. Qytetarët e rëndomtë të ndarë në taborre filluan të grinden e madje edhe të stërkeqen në mes veti, vetëm e vetëm që ta ruajnë grupin partiak të tyre. Kjo luftë ishte e re për këta qytetarë që po futeshin në pluralizëm. Të gjithë mendonin se grupet partiake të tyre janë mbulesa për ta e për të mirën e tyre në të ardhmen. Por, vetëm për ata që janë pjesëtarë të atyre partive në pushtet dhe kjo u shty për aq kohë sa u shterën të gjitha gënjeshtrat e madje edhe kërcënimet e tyre…kësaj valleje të kobshme për këtë vend u ndihmuan edhe “ekspertët” nga KB-ra. S’ishin ata të gjithë të zgjedhur e ekspertë për ndihmuar këtë vend. Por, si duket ishin edhe për të prishur, madje si është pa, një pjesë e tyre ishin edhe kleptomanë. Kjo u shkoi për shtati të dy palëve. Lidhje familjare e partiake ishin të gjata për kohën. Kuadri i kualifikuar sillej rrugëve, derisa partizanët pa kualifikime e pa përgatitje, uleshin rehat në vende pune. Mos ka pasë edhe ndonjëri/re që ka ndenjur në shtëpi dhe është paguar?! Populli priti mjaft qetë e gjatë. Bota thoshin, “sa popull optimistë”, sepse ata i shihnin krejt veprimet tona. Dhe vërtet, qytetarët tanë përpiqeshin të jetonin me shpresë e me ëndrra, duke mos dashur t’i shkaktojnë dëm këtij vendi… Këta zyrtarët tanë u desh të bënin diçka ndryshe, po nuk e bënë. Gjuaja fajin këtij e herë te ai tjetri, erdhi puna e papranueshme.

E drejta në anën e demonstruesve

Për çdo ditë duhet të ketë protesta. Jo për inati të individëve, veç për gjendjen e krijuar në tërësi. Vështirë është të mbulohen të gjitha shpërthimet, cilado parti e cilido lider që do të vinte në qeverisje. Për këtë shpesh është shfaqur ndonjë zë, se, çështja sociale do të jetë problemi kryesor. S’ka dëgjuar askush si duket. Tash po shihet haptas. Dhe nuk ka më turp dhe më dhimbje e madhe se këta autobusë që po i përcjellin njerëzit tanë në anë të botës, askund. Ikin njerëzia nga një sjellje me gënjeshtra, korrupsion, kriminalitet të vetë institucioneve. Kulmi irritues e frustues është, koalicioni PDK – LDK. Partitë, individët që janë provuar dhe u ka dalë fjalë nga akuzat dhe detyrimet ndaj ligjit, nuk është dashur të jenë shfaqur sërish në institucione. Prandaj, ikin njerëzit. Zbrazet Kosova prej shqiptarëve.

Tash kemi luftën në mes opozitës (Vetëvendosja) dhe koalicionit në pushtet. Në shikim të parë, pamjet e demonstrimit të opozitës janë vrazhdët. Mirëpo, këto provokime e vrazhdësi i kanë sjellë deri këtu, pozita me pushtetin që ka udhëheq. Nuk ka vëllime libri që mund të zë të gjitha të këqijat…Dy kërkesat që i janë bërë, nuk është përpjekur Qeveria që t’u jepet përgjigje. Mirëpo, këto dy kërkesa nga opozita nuk janë të vetmet. Këto janë kulmi i një godine të ndërtuar nga dy partitë (LDK, PDK) qe 15 vjet. Prandaj, nuk ka mbetur hapësirë për ndonjë qetësi relative. Që të dy këto parti janë kriminalizuar dhe kanë hyrë në një qorrsokak. Atyre nuk mund t’i besoj populli më, pos atyre servilëve, biznesmenëve dhe anëtarëve të “oborrit” të tyre. PDK, edhe marrëveshjet që ka bërë në Bruksel nuk janë të qarta për opinionin e gjerë. Prandaj, duke mos pasur besim më në ta, druhet se do të kemi pasoja të pa llogaritshme, po qe se nuk kanë kujdes që të gjithë. Këta të PDK-së, në pamundësi që të vijojnë më tej me të pa vërteta, ia lanë LDK-së (Isa Mustafës, një person shumë i dyshimtë për veprimtarinë e tij) e tash nuk është në gjendje të veproj në asnjë çast. Këtij ia “la këmbët e arushës në dorë” H. Thaçi, dhe mirë ia bëri, meqë ky vetë ka menduar se populli edhe më tutje duhet të pres derisa t’i rregulloj punët e veta. Këta janë duke dëmtuar krejt Kosovën. Dhe kjo nuk do të shkoj aq qetë. Këta do ta fusin popullin në kriza të paparashikueshme, duke u përpjekur të gjejnë arsyetime të ndryshme. Bashkë me këta, një pjesë e mirë e atyre evropianëve që u inauguruan me emrin EULEX, e që kemi menduar se do të vënë rregull në këtë vend, e bën shkrumb dhe e sollën gjendjen në zgrip të humnerës. Është folur e është shkruar kot për këta. Nuk kanë dashur të dëgjojnë fare. Këta e kanë menduar Kosovën si pronë private e tyre. Vrapin e kanë bërë kush mund të përfitoj sa më shumë prej grupit tjetër. Ata nuk kanë dashur t’i shohin prioritetet e këtij vendi. Ata nuk kanë pasur planifikim të duhur. Paraja për ta ka qenë si “zalli”. Madje, kjo është shprehur edhe legalisht, në kuvendin e tyre (si të mos ishte kuvend i të gjithëve): kanë marrë qëndrime e vendime që deputetët të gëzojnë benificionet maksimale e të pa merituara edhe në kohën kur shkojnë në pension. E merr me mend këtë cilido prej nesh. Sikur ne tjerët hamë bari. Sikur të ekzistonte baza ekonomike e e kapitalit në një vend me shkallë më të madhen në zhvillimin ekonomik e në punësimin e qytetarëve, me një standard që s’e ka askush botë, e shumë kapërcime të tjera edhe në paga. Prandaj, LV, si e vetmja opozitë me gjithë qytetarët politik e apolitik, janë të detyruar që të protestojnë dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre deri në fund.

Shperndaje ne
Updated: 1 Shkurt, 2015 — 20:56

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.