Tiranët, këta sundimtarë të këqij nëpër histori

Jakup_krasniqi

Shkruan  Dr. Jakup Krasniqi

(Sipas frymës filozofike të Étienne de La Boétie)

Nuk ka asnjë dyshim se tiranët (këta qeveritarë të këqij) janë shfaqur që nga kohërat më të errëta të historisë njerëzore, qëkur njerëzit zhvilluan qeverisjen në mënyrë të organizuar, pra që nga ndarja e shoqërisë njerëzore në klasa.

Që atëherë të fortët filluan t’i mbronin të “drejtat” e tyre! Tiranët, ose qeveritarët e këqij, i kemi hasur si në Lindjen e Lashtë, në Egjiptin e Vjetër, në Greqinë Antike, në Perandorinë Romake, në Perandorinë Osmane, në Mesjetën e errësirës së Shën Bartolomeut, kur Evropa, Amerika e bota përgjakeshin në “emër të Zotit” e të lirisë, në Evropën e Iluminizmit e deri në ditët tona.

Edhe sot, në botën tonë, toka përgjaket në “emër të Zotit, në emër te paqes, të lirisë e te humanizimit”! “Humanizëm” paradoksesh, para së gjithash! Sot, siç thoshte Platoni para njëzet e tre shekujve (parafrazim): nuk është e rëndësishme të jesh i drejtë, e rëndësishme është të “dukesh si i drejtë”. Në fjalorin e sotshëm politik i rëndësishëm është “imixhi”, por jo edhe përmbajtja.

Nëpër kohë të ndryshme, që nga periudha skllavopronare që njeh historia, tiranët (duhet theksuar edhe një herë: qeveritarët e këqij!), pa dyshim që kanë ndryshuar në formë e përmbajtje, u janë përshtatur rrethanave të kohërave, ku dhe kur ata kanë sunduar, por në esencë, egërsia dhe babëzia e tyre ka mbetur e pandryshuar.

E them me bindje, se me fare pak mund, Tiranët e Étienne de La Boétie, të kohërave të ndryshme deri në shekullin e XVI, mund t’i veshësh si me petkun ashtu edhe me veset e tiranëve të modernitetit. Këtyre që po e mbajnë të ndezur flakën e luftës në planetin tonë. Pa dyshim se në të gjitha kohërat, tiranët shkëlqejnë me pasurinë përrallore të grumbulluar e të zhvatur me ndihmën e të vetënënshtruarve, vartësve, në një anë dhe mjerimin e qytetarëve ngulfatur nga varfëria, në anën tjetër. Sigurisht që edhe dëshira e një soji njerëzish për t’u rrethuar një ditë edhe ata me shkëlqimin e pasurisë përrallore të tiranëve të vjetër e të rinj, i ka veshur me iluzionin e shkëlqimit përrallor të qeveritarëve tiranë, gjë që është e pamundur të ndodhë diçka e tillë, madje as në vendet që edhe sot mund të konsiderohen me pasuri përrallore!

 La Boétie ligjëratën e hap me rrëfimin e Homerit për Odiseun, i cili i ishte drejtuar publikut me një kërkesë: “Asnjë të mirë nuk shoh nga pasja e shumë sundimtarëve, një i vetmi le të jetë mbreti” (f. 21) Ndoshta qëllimi i Odiseut kishte qenë i mirë, por gjithë historia e mëpastajme deri në ditët tona tregon se asnjë sundimtar tiran, në asnjë kohë dhe në asnjë vend nuk sundon i vetëm, pa pasur rreth tij, ata që “mendojnë, flasin e sillen sipas vullnetit te sundimtarit” (f. 56-57).

Por, bota në të cilën jetojmë, a thua ka më shumë apo më pak sundimtarë? Një gjë është më se e vërtetë: Bota kurrë nuk është sunduar nga më pak njerëz sesa sot. Në botë asnjëherë në historinë e njerëzimit, pasuria e njerëzimit, nuk ka qenë e koncentruar në kaq pak duar sesa është sot. Kësaj gjendjeje askush s’i ka kontribuar më shumë sesa, siç thotë La Boétie, “robërimi i vullnetshëm” i shumësisë njerëzore!

Me të drejtë autori i librit: “Ligjërim mbi robërinë e vullnetshme ose Kundër’njëshi”, botuar nga “Emal”, Tiranë, 2012 (në origjinalin frëngjisht: “Le discours de la servitude volontaire ou le Cont’un”, hamendësohet të jetë shkruar më 1576, ndërsa pati botimin e parë klandestin më 1576 me titull “Kundër’njëshi”), konstaton se “të kesh shumë sundimtarë është një fatkeqësi edhe më e madhe, po aq më e madhe sa të shumtë në numër që të jenë sundimtarët”(f. 22). Ndoshta jo të gjithë sundimtarët (sido që kanë ardhur në pushtet, me zgjedhje, me luftë dhe me trashëgim) dhe në të gjitha kohërat, kanë qenë tiranë, ka pasur e ka edhe përjashtime.

Megjithatë, para qytetarëve të të gjitha vendeve, shtrohet si domosdoshmëri që të kenë kujdes, të jenë shumë të vëmendshëm se te kush po e delegojnë vullnetin e tyre, delegimi i vullnetit pa ndonjë kujdes e përgjegjësi, pa u mbështetur në përgjegjësinë, në ndershmërinë e përvojën e dëshmuar të njerëzve që i vesh me përgjegjësi, por në forma të ndryshme mashtrimi, kurdo e kudo ka prodhuar tiranë e despotë të egër. Të mos gënjehet askush se delegimi i përgjegjësisë në mënyrë të pakujdesshme e të papërgjegjshme do të prodhojë qeveritarë të përgjegjshëm, qeveritarë që dinë dhe duan të qeverisin në shërbim të publikut.

Përgjegjësi kjo e deleguar vullnetshëm nga vetë populli, te individi apo individët e papërgjegjshëm, të paverifikueshëm me përgjegjësi, me përkushtim apo me ndonjë traditë të verifikueshme familjare e kombëtare. La Boétie thotë se: “Është vetë populli ai që i nënshtrohet dhe ia vë thikën në fyt vetvetes, pasi duke pasur mundësinë që të zgjedhë mes robërisë dhe lirisë, ai (populli, nënvizimi im, – J. K.) e flak tej lirinë dhe pranon zgjedhën” (f. 26). Ashtu si populli apo popujt që duhet të zgjedhin mes lirisë e robërisë, sa herë t’u jepet rasti ata duhet ta zgjedhin lirinë. Ata edhe në mes të mirës dhe së keqes, duhet pa u hamendësuar ta zgjedhin të mirën. Çdo zgjedhje tjetër, veç lirisë dhe të mirës në shembujt e cekur, është e gabueshme dhe tepër e kushtueshme për vetë ata që bëjnë zgjedhjen.

 diktaturaGjatë gjithë historisë sonë mijëravjeçare, kemi qenë të nënshtruar nga tiranë e perandorë, nga mbretër e krajla, nga tiranë totalitarë deri në çlirimin e vendit në vitin 1999. Po për fenomenin e tiranëve apo të qeveritarëve të këqij, shkruan edhe La Boétie në gjysmën e shekullit XVI. Ai thotë: “… kjo është edhe prirja natyrale e pjesës më të paditur të popullit, e cila zakonisht është më e shumtë në numër në qytet.

Ajo është gjithë dyshim ndaj atij që ia do të mirën, ndërkohë që është syleshe dhe e përkushtuar ndaj atij që e mashtron” (f. 46-47). Fatkeqësisht edhe në rastin tonë, mashtruesit janë duke e shfrytëzuar padijen, mjerimin, papunësinë, paranë e korrupsionit dhe format e tjera të mashtrimit e të shantazhit për t’ua marrë votat qytetarëve, që pastaj t’i zhveshin nga vlerat kombëtare e njerëzore.

Prandaj është detyrë e përgjegjësi e secilit njeri që karshi kombit e atdheut të bëjë zgjedhjen që i duhet qytetarëve, zhvillimit e progresit të vendit. Por, secili nga ne duhet ta matim, saktësisht, si me peshoren e farmacisë, përgjegjësinë tonë para shoqërisë sonë te re! 

Shperndaje ne
Updated: 6 Shkurt, 2015 — 12:41

The Author

JAKUP KRASNIQI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.