Letërsi Kombëtare: SHPIRTI YT MË FLET

SHPIRTI YT MË FLET
(Poemë për SANDOKANIN)

1
Seç i mëkove
Të kombit plagë
Kur yni atdhe
Përcëllohej në flakë

Ti o trim vigan
I sonës epokë
Me zë të lartë the:
-Na ke hak, Evropë

Si lis degashumë
Qëndrove kryelartë
Në kohën flakëruese
Në kohën e zjarrtë
2
Me puthje n’flamur
U betove
Për komb e atdhe
U zotove

Ia drejtuve shigjetat
Lubisë me shtatë kokë
Ti, stërnip i Kastriotit
O trim me shumë shokë

Dhe dhembjet i sfidove
Dhe plagët i mëkove
Vëlla Sandokan
O hero vigan

Bardhësitë e atdheut
I bëre më të bardha
Sikur plis shqiptari
Dëborë maje Sharri

Mbi korba e shtërpinj
-Bini kuqezinj
3
Sandokan, vëlla
Zgjohu……
Nga prehri i dhembjes sonë
Zgjohu…
Nga shtrati i pacak
Zgjohu…..
He burrë i fjalës
Dhe i besës
Se Kosova
Me shtat të plagosur
Me zë të lartë
Të thërret
-Zgjohu, biri im
Ti, o trim me fletë
Zgjohu, Shqipe mali
Shpirti yt m’jep jetë

Kosova kreshnike
Me zë të lartë
Të thotë
-Zgjohu, Sandokan
Se veç ti m’del zot
Dje, sot, jetë dhe mot
Të pastë nëna, bir
Lule xhevahir
4
Ç’kanë horrat
Që shtangen
Ç’kanë ujqit
Që tranden
U stepën, vërtet
Preras, kur u the
-Kjo tokë
Është e shtrenjtë
Kjo tokë
Është e shenjtë
Dhe lumenjtë bilurë
Kanë të vetmen gurrë
Kapilarët tanë-
Kuqezi flamurë
5
Qentë-ujqërit
Dhëmbëprehtë
Kafshuan atdheun
E shanë dhe e vranë
E mohuan, vërtet
Por ti i dole zot
Trimi ynë me fletë

Dhe shtigjeve
Rreth kësaj bote
Sandokan, shtegtove
Në jug e veri
Lindje e perëndim
Por ti, o zog i shqipes
N’atdhe u riktheve
Iu ktheve kësaj toke
Qiellit t’atdheut tim

Ndrite-meteor
Ngadhënjyes –madhështor
6
Ti, o yll
I qiellit arbëror
Nderi i Alpeve Shqiptare-
Bardhësi dëborë

Ti o yll
Dritësove n’errësirë
Për t’sjellë rreze drite
N’skëterrë e mugëtirë
Ti, me gjak arbëror
Me shpirt engjëllor
7
I besove Zotit
Në drejtësi
Uragan n’beteja
U bëre Ti

Përballove sfida
Lemeri e tmerr
S’u stepe para djajve
Qëndrove përherë
Rende shtigjeve të dritës
Me ashkun e zemrës
Me gjakun e shqipes
8
Ti, o Promethe
Shtegtove më tutje
N’stuhi e rrebeshe
Me guxim, pa druajtje

Në fushën me lulëkuqe
Askush si ti s’ishte
Me ngjyrat kuq e zi
Aromë ilirishte
9
O dëshmor lirie
O perlë parajsore
Kosovës së përflakur
I solle fitore

Kur ti re, o trim
Vesa n’lulëkuqe s’ra
As dielli buzëqeshi
Lumë e krua u tha’
Në fusha dhe male
Në qiellin kaltëror
Me qëndresën tënde
Ndrite, o meteor
10
Për këtë truall t’bekuar
Nën suferinë etjesh
Jetën e dhurove
Mes vuajtjesh, përpjekjesh

Si diell rrezear
Po ndrit, dritëson
Lavdi, o trim lirie
O Shpirt-galaksion
11
Për këtë tokë
U bëre diell
Dhe ylber
U bëre n’ qiell

Për liri t’atdheut
Vuajtje e Prometheut
Për token arbërore
Plagë që lëngon prore
12
Me zemrën si det
Me vrull si tërmet
Për atdhe t’copëtuar
Valë e dallgëzuar
13
Për ta kuptuar
Vlerën e atdheut
Ndalem për një çast
Tek yti portret
Nga dhembja e krenia
Më përloten sytë
Shpirti më buçet

Për ta kuptuar
Peshën e lirisë
Ndalem e sodis
Para tëndit portret
Sandokan. vëlla
Shpirti yt më flet

SANDOKANI RRON
LAVDIA I TAKON

Shperndaje ne
Updated: 6 Korrik, 2018 — 19:38

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.