Letërsi Kombëtare: Zymer Mehani -ALFABETI SHQIP (Poezi:)

ALFABETI SHQIP

Prof. Zymer Mehani

Jam dashnor i 36 dashnoreve
7 zanoreve,
29 bashkëtingëlloreve
Jam i lindur në Manastir
Në një kohë shumë të vështirë
Kur shqiptarët dot s’më gjenin
Në greqishte u rrëfenin
Dashuronin dhe urrenin
Madje dhe me çirilica
Me çka jo si me kapica
Më lënduan si me spica

Veqilharxhi imi bir
Që të shkruante kish dëshirë
U përpoq për kombin mbarë
Gjersa bëri ËVETAR-
N’ballë të kombit margaritar

Seç e ndoqën dhe e mallkuan
Dhe së fundi e helmuan
Se pas shpine ia punuan

Dhe Dhanili fliste shqip
Sa u mundua ky ashik
Që për ne arbërisht të shkruante
Ditë dhe natë sprija e ruante
Me n’jat’ helm të zi ta gjuante

Edhe Kristo NEGOVANË
seç e ndoqën, kudo e shanë
Deshi kombin dhe vatanë
Të pabesët ia bënë hatanë
Me sopata kur i ranë
Ç’e copëtuan dhe e çanë

Petro NINI Luarasi
Seç pëlciti nga marazi
Ua tha troç Grekomanisë
“Rumani gjakun e Ilirisë
T’ia përcillni vajzës e djalit
Shqip të shkruajnë shqipet e malit”

Brez pas brezi që nga MESHARI
Kurrë s’pushoi hasmi e barbari
Që gjuhë shqipe t’mos ketë shqiptari
Shumë ndihmoi dhe hyzmeqari
Shpirt-qyqar zemër-tradhtari

Por një ditë n’tokën arbërore
Jua solla 36 dashnore
7 të kuqe, 29 të zeza
Që me to prore ndër breza
T’ lidhni fjalët vegza-vegza
Mua më quajnë pra ALFABET
N’ballë të kombit jam si mbret
Vëlla e motër, paç shëndet!

Shperndaje ne
Updated: 8 Korrik, 2018 — 03:55

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.