Gjithmonë duhet të kemi dashuri, dhembshuri, durim dhe respekt ndaj njëri-tjetrit.

NIPI DHE GJYSHJA (*) 

Lindi një jetë, lindi një fëmijë. Gëzim në familje dhe më gjërë. Fryt i një dashurie dhe njëherazi i një përsosmërie të përkryer. Një krijesë e vogël, por e kompletuar dhe e veçantë me krijesat pambarim të këtij planeti. 

 Synimi i përsosmërisë!   

Njohje e nderim për ‘të, dhe dëshira për ndryshime periodike dhe në vazhdimësi,  pengesa për të keqen, përkundrejt horizonteve pa kufi për të mirën. Kështu qoftë dhe u realizoftë!  

Gëzim i vërtetë dallon dukshëm në fytyrat e të gjithëve, në shprehjet e shumta të urimit, edhe shtëpia, gjithshka të duken të hareshme, të gëzuara. Të gjithë të gëzuar, moral i lartë, kush e kush pa rezerva dhe individualisht, natyrshëm shfaqin gëzimin. 

Gjyshja! Sa lindje të tilla ka pritur! Por, gëzimi tek ajo nuk është shteruar, ndonse mbart  në jetën e saj edhe vuajtje, hidhërime, përcjellje të më të afërmve, dhembje të forta, shkëputje copash të shpirtit të saj. E, ajo, gjyshja sot është e gëzuar, shumë e gëzuar. Shpirti, zemra i gufon, thua se edhe ajo është në fillim të jetës!  

Sa burim i pashtershëm qenka gëzimi! Ditët dhe netët i lënë vend njëra-tjetrës. Nis një fillim i ri, e aty ku mbaron një fillim, nis përsëri një fillim tjetër i ri, e kështu pambarim dhe për gjithshka. Mendoj se kjo  është ajo që “shpirtërat nuk vdesin”.     

Nipi rritet, të qarat foshnjore, këta tinguj të ëmbël çajnë ajrin dhe shkojnë edhe tek veshët e gjyshes, e ajo me buzë në gaz që edhe rrudhat e viteve duket sikur i humbin për një çast, vrapon tek nipi për ta qetësuar. Mjafton vetëm përkëdhelja  e gjyshes dhe nipi fillon të sjellë buzët pak në gaz, por që gjyshes i sjellin shumë lumturi. Ajo i flet me fjalë të tilla, që edhe vetë gjyshja nuk e di nga i burojnë dhe as se ç’farë i thotë! Në anën tjetër edhe nipi bëlbëzon dhe gjyshja lumturohet shumë, shumë! 

Nipi-fëmijë nuk artikulon dot fjalë me kuptim, por gjithsesi gjyshja e kupton, e don dhe e ndihmon me përkëdheli  e me pamasë dashuri. Kështu nipi rritet, gjyshja madhohet, vjetërohet dhe të dy, nip e gjyshe e duan shumë njëri-tjetrin. 

Sa shpejt ikin ditët e netët për gjyshen. Nipi u rrit, u madhua, gjyshja gjithnjë e më shumë plaket, fuqitë kufizohen, pamja zvogëlohet, dëgjimi rëndohet..! 

Sa keq për gjyshen! Ajo ndjen fundin e fillimit të aj, shikimi, fuqia dhe dëgjimi janë afruar shumë tek kufiri i “zeros”, por dashuria për nipin mbetet e lartë, e pa tronditur. Përsëri gëzimi mbetet i lartë, burimi i tij – i pashmangshëm tek gjyshja! 

Ndryshe ndodhi me nipin. Ai e don gjyshen, e respekton, por seç filluan të shfaqen mërzitja dhe durimi tek nipi, ato kanë filluar të zënë vend pak e nga pak, për atë, gjyshen e dashur – gëzim pashterurën!.  

Gjyshja vdiq!        

●●●

Nipi rri e mendon i penduar: “Pse vallë mërzitja për gjyshen dhe mos durimi , erdhën dhe  u shtuan tek mua ndaj gjyshes?. Ajo nuk u mërzit asnjëherë, as nuk u bezdis me mua kur unë isha si “ajo”! Si është e mundshme që unë nuk arrita t’i ktheja asaj ato që ajo më fali mua?!”  

Mos vallë ky është fenomen, që “natyra” e ka pjesë të përsosmërisë, për të lehtësuar dhembjen e madhe që shkakton “humbja e njerëzve të dashur” për ata që mbeten të gjallë,  ndaj atyre që  përfundojnë fillimin e tyre?!. Apo, mos ndoshta njeriu duhet të shlyej “detyrimin” e tij vetëm një herë, duke i dhuruar gëzimin e përkujdesjen e tij vetëm për rastet e fillimeve të reja?! Ndofta, nuk e di! 

Por di se, sidoqoftë, dashuria, respekti, përkujdesja, ndihma e ndërsjelltë mes njerëzve, nuk duhet të ketë kufizime kohore. Gjithmonë duhet të kemi dashuri, dhembshuri, durim dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. 

* Shënim: Pjesë nga libri: “Princesha e Ballkanit, botim i vitit 2009 – autor: F.Dahri 

            

Itali, m* 22 tetor 2018.-                                                   Fahri Dahri 

Shperndaje ne
Updated: 22 Tetor, 2018 — 21:00

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.