Letersi Kombetare: SHQIPE NË FLUTURIM

SHQIPE NË FLUTURIM
(Dëshmores Antigona Fazliu)

1.
Ti, moj vashë-
Shqipe n’flatrim
Lulëkuqe Kosove
Yll i qiellit tim

U bëre dashuri
Varg në poezi
Lot në syrin tim
Kaltërsi n’agim
Emri yt përmendet
Sot e përgjithmonë
Jeton e s’harrohet
Bukuroshja Gonë

Si shqipe n’hapësirë
Flatrat i ke shtrirë
Për atdheun pa terr
Për një jetë pa tmerr
2.
Përballë kohës
E tufanit
Dhe furtunës
E murlanit

Me gjak tëndin
N’ histori
Vetë firmose
Pavdekësi

Emri yt
Më i bukuri n’ botë
Porsi gjeraqinë
Në suferinë e shqotë

Sytë e tu-
Shkrepëtimë lirie
Zemra jote-
Flakë atdhesie

Në shqiponjë
Shëmbëlleve
Dhe tiranin
E urreve

Porsi shqipe
Heroinë
Shumë e deshe
Shqipërinë

Në llogore
Si yll drite
Për liri
U dogje, u fike

Ndaj furtunash
E stuhish
Zemrën zjarr
E syrin pishë

E patrembur
Ishe ti
N’flakë u hudhe
Për liri

Midis shokëve
Sokolesha
Kur gjëmonte bjeshka
Digjej porsi eshka

Këto vatra
Kur na i përgjakën
Zemrat tona
Ç’na u përflakën

Lulëkuqja
Heroinë
Shqiptarisht
Ra për lirinë
3.
Uturonte moti
Shqotë e suferinë
Gona në llogore
Fliste me lirinë

Me zogj t’shqipes
Gona n’pritë
Natë e ditë
Po bënin dritë

Kishin zemrat
Si vullkan
Zjarr lirie
Flakadan

Lavdi trime
Antigonë
E Flamurit
Je Shqiponjë

Shperndaje ne
Updated: 20 Nëntor, 2018 — 20:53

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.