NDËRGJEGJËSIM DHE PËRKUJDESJE NDAJ TË VËRTETAVE

NDËRGJEGJËSIM DHE
PËRKUJDESJE NDAJ TË VËRTETAVE

Shpesh na ndodh që të sjellim ndër mend të shkuarën, e cila lidhet me familjarët që i kishe dhe nuk i ke, me miqtë dhe shokët që i kishe dhe nuk i ke. Kur them që nuk i ke, çdo njeri mendon se: ose janë larg dhe jetojnë në vende të ndryshme; ose nuk jetojnë më. Këtu bëhet fjalë për ata që nuk jetojnë. 

E shkuara krahas jetës së përbashkët njerëzore, brenda saj ka ngjarje të shumta dhe të ndryshme, përsëri fjala është për ato ngjarje të rënda të ndodhura, por që janë tjetërsuar si në përmbajtje edhe në dukje nga palët fituese, të cilët i kanë manipuluar dhe fshehur faktet, ose fakte të ndërthurura me keqdashje ndaj të padëshiruarve.
Të padëshiruarit, në kontekstin tonë, janë pakicë etnike, fetare ose ideologjike, që “të fortët” i kanë mposhtur me pa të drejtë, si efekt i përfitimeve prej atyre që vlerësojnë historitë e intrigave dhe të mashtrimeve, por që u vjen për shtat gjoja se mbrojnë hemisferën e tyre nga kultura e hemisferit që preket e para nga drita diellore. Sunduesit e të dy hemisfereve, gjoja në ruajtjen e kulturave përkatse, historikisht ndër mijëra vjeçarë, kanë shkatërruar gjithshka nga mundi dhe dijet njerëzore, në tentativë deri në fundin e botës (doomsday).  
Të gjendur në këto labirinthe të jetës, arrin një kohë dhe dalin individë të veçantë, të cilët me mundim zbulojnë akte ngjashmërie të cilat ndihmojnë për vërtetësi të ngjarjeve historike, duke i “shpëtuar” nga errësirat e krijuara prej mashtrimeve, shpifjeve, manipulimeve, atmosferës mbytëse, për shfarosjen e grupnjerëzve të “padëshiruar”, nga pjesa e cilësuar numerikisht shumicë.
Këta individë, qofshin edhe nga të “padëshiruarit”, kur arrijnë të nxjerrin në dritë të vërtetat e tjetërsuara, të fshehura e të kamufluara, ndjejnë në vetvete gëzimarritjet dhe shpresën se gjetjet do çlirojnë nga “balta” e zezë dhe e pistë “të padëshiruarit”. Me këtë mendim, ata fillojnë të veprojnë duke e hedhur në tregun mediatik “zbulimin” e të vërtetës, e asaj të vërtete, të cilën pala tjetër me manipulime të vazhdueshme tjetërsonte realen për përdorim mjetgoditës, vrasës dhe shfarosës për palën e “padëshiruar”. 
Por e veçanta dhe e habitshmja e këtyre rasteve, qendron tek reagimet, sidomos në rrethin e grupnjerëzve që, për dekada janë diskriminuar dhe sulmuar me pa të drejtë, pikërisht nga efekti “fake news”. Në reagimet e tyre nuk vlerësohen, apo nuk u mëshojnë akteve që janë përdorur për fshehjen, kamuflimin dhe tjetërsimin e së vërtetës dhe bërjes sa më popullore (publike) të atyre fakteve për të sqaruar dhe mposhtur “të keqen” dhe përhapjen e së drejtës; por mjaftohen duke u përqendruar vetëm tek qefbërjet e autorëve, duke përdorur super relativa si: ” Analiza është e plotë, e saktë dhe me fakte bindëse”. Ose: “Një shkrim i trajtuar me zemër, i qartë, bindës”,  “Trajtesa është e një niveli të lartë historik”; etj. 
Dekada të tëra kanë kaluar me përdhosje, baltosje, përbuzje,  diferencime pjesa e mbetur gjallë nga gjenocidi i një komuniteti, dhe të gjitha këto pikërisht nga tjetërsimet dhe kamuflimet e bëra kundër tyre. Sot që arrihet të zbulohen, të faktohen dhe të argumentohen me dokumenta zyrtare mashtrimet ogurzeza, ndodhin fenomene të çuditshme, të papranuara dhe as të justifikuara, të dyshimta (në kontekstin e frikës ndaj më të fuqishmit, më të pasurit, apo shpresës që lind nga synimet për në BE, por jo nga më të diturit), po ashtu dhe nga intelektualët, në fakt të angazhuar shpirtërisht për të hedhur poshtë mashtrimet, shpifjet, manipulimet, nuk përqendrohen tek faktet e reja të nxjerrjes së të vërtetave, por mjaftohen duke përdorur fjalë të mira në të shumtat e rasteve për ata që kanë hulumtuar dhe faktuar të vërtetat e fshehura për dhjetëra dekada.
Sigurisht janë të nevojshme dhe të pranueshme këto qendrime, por koha ka sjellë para nesh, nevojën e krijimit të strukturave të veçanta shtetërore, të domosdoshme për trajtimin e çështjeve kombëtare, që historia fatkeqësisht na i ka diktuar.
Të nxirren në dritë të vërtetat historike, nëpërmjet studimeve, lëvrimeve kërkimore shkencore, me përparësinë e duhur edhe të arkeologjisë së munguar, jo vetëm brenda 28 mijë/km², por dhe në trojet etnike, përfshirë edhe rajonin e “dridhëruar” të Thesproti/Çamërisë, sigurisht nuk bëhen as me patriotizëm, apo nacionalizëm, por duhen mbështetur me mjete financiare, materiale dhe me aktorë të kualifikuar, me dinjitet, të pavarur dhe autoritarë për fushat përkatëse. Të mirëkuptohemi, çdo hap i hedhur, të arsyetohet dhe të realizohet brenda kërkesave gjeopolitike dhe të jetë në reciprocitet, në rastin tonë edhe me fqinjët.
Kur përmendim termat “patriotizëm”, “nacionalizëm” etj. pavarësisht sulmeve agresive që na “vërviren” nga të gjitha krahët, duhet të jemi të qartë dhe të bindur në ndërgjegje, se nuk kapërcejmë asnjë “gardh” të huaj, por veprojmë brenda gjykimeve dhe llogjikave, sikundër kërkojnë dhe veprojnë ndaj nesh fqinjët tanë shtetërore dhe miqtë e mëdhenj me të cilët kemi marrëdhënie të njëjta. Besoj se gjithkush tashmë i ka të qarta qendrimet e sinqerta të shtetit Shqiptar në marrëdhënijet e ndryshme me shtetet fqinjë, po ashtu besoj se janë të qarta edhe qendrimet e shteteve fqinje ndaj Shqipërisë, të cilët në vazhdimësi, me incidente të ndryshme, kanë sjellë përkeqësime marrëdhëniesh dhe me mentalitetet mesjetare, kur vjen puna, me pa asnjë argument, për gjoja nacionalizmat e tyre, çirren e ngërdheshen me të madhe, si në Bruksel, Washington dhe OKB .
Ky është shqetësim personal dhe mendova ta ndaj me dashamirësit e të vërtetave, duke gjykuar gjithashtu se do vlerësohet si “trokitje” në dyert e mëdha të institucioneve shtetërore dhe jo vetëm, që mendjet, sytë dhe zemrat, krahas shumë halleve, të drejtohen edhe në investimet që koha kërkon për të drejtat e shqiptarëve!
Urimet e mia të sinqerta dhe të përzemërta:

“Gëzuar festat e lavdishme të Nëntorit”.
Itali, më 28 Nëntor 2018. Fahri Dahri

Shperndaje ne
Updated: 30 Nëntor, 2018 — 21:38

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.