Poezi: DASHURI DHE URREJTJE BALLKANASE


DASHURI DHE URREJTJE BALLKANASE

Ballkanas, komshinjtë e mi të dashur!
Sa gjëra kam në mend për t’i gjetur…
Toka jonë pjellore si portokalli e kaltër
Kur ne vështrojmë në sy njëri-tjetrin

Në këtë gadishull me brigje të ujshme!
I njëjti diell na zgjon herët në mëngjes
E njëjta erë na zbulon pjesët e turpshme
Këmbët na lagen nga po e njëjta vesë.

Të njëjtat male, i njëjti det, dallga e njëjtë
I njëjti peshk, e njëjta bukë, e njëta kripë
Të shënjtë e kemi vdekjen, lindjen të shënjtë
Dhe vajzat i përcjellim po ashtu me prikë.

Në të njëjtin krua lajmë e shplajmë teshat
Në të njejtin tel i ndejmë për t’u tharë,
Në të njëjtën kapse i mbërthejmë shpresat
Inatet, dashuritë dhe urrejtjet për t’na i parë…

E njëjta zënkë dëgjohet në shtëpitë tona
Të njëjtat të bërtitura, të njëjtat të qara
Me të njëjtat fjalë i përkëdhelim fëmijët
Të njëjtën kafe i vëmë mikut përpara.

I njëjti tingull na ngre, hop, të kërcejmë
Me të njëjtat meze i mbushim tryezat në dasmë
Ekzaltohemi, kapardisemi dhe dehemi
Patjetër, të njëjtat gjëra vjellim dhe më pas…

Të njëjtët zogj na vijnë në pranverë
Me të njëjtin kënd vjeshtës shtegëtojnë
E njëjta fishkëllimë dëgjohet sa herë
Kur vashat e bukura para na kalojnë…

E njëta kukuvajkë na lajmëron për mort
E njëjta kukuvajkë mbi të njëjtën çati
Në të njëjtën kohë flemë…i njëjti murë na ndanë
I njëjti rënkim dëgjohet kur bëjmë dashuri…

I shajmë me mllef perënditë njëri-tjetrit…
Themelet e shtëpive… Dreqin dhe shejtanin…
Të parët i zgjasim dorën njëri-tjetrit në skamje…
I zgjasim kripën, hirin, kafen e duhanin…

BABAI
Babai im ish i thellë si pusi,
Babai im ish i heshtur si prita,
Babai im ish punëtor si lumi,
Babai im ish i ndershëm si drita;
Babai im kish fytyrën e dhimbjes,
Babai im kish vështrimin e ditës,
Babai im kish gjithë huqet e motit,
Babai im kish gjithë virtytet e vitit;
Ai stinët i donte të gjitha njëlloj,
Ish i thjeshtë si vjeshta, si bari te jazi,
Vetë e grinte duhanin e përditshëm
Dhe kafen e donte të pjekur taze;
E njihte shijen e mjelmët të erës,
Ia ndjente aromën diellit dhe shiut
Dhe i falej tokës e i lutej qiellit,
Folenë kur u prishte një urithi a miut;
Një mbrëmje vjeshte na thirri pranë:
“Tani, -tha- po iki dhe s’ligem që ju lë,
Ç’kisha në jetë i mora me vete,
Veç ndershmërisë s’ju lashë më asgjë.
Nga jeta iki i ngopur, helm e gas,
Mallë e kujtime plot arkivoli,
Plot shpresë e kurajo, ju lë juve pas
Dhe vreshtin e gjelbër te lumi, te gjoli…”
Dhe mbylli sytë i kthjellët, i qetë,
Siç mbyll poeti një stilograf
Dhe ne i bëmë si fëmijë të mbarë
Një varr mermeri me epitaf.

ME FAL
Më fal! Udhën s’ta shtrova dot me lule.
S’u bëra dot as lider as VIP as ofiqar.
Unë di vetëm të lëroj atje ku dielli ulet
Mëngjesin të rrënjos në sytë e tu të larë.
Më fal! S’të shëtita dot ty nëpër botë.
Bile unë s’di as ku bie Polinezia.
Lidhjen tonë të pandarë di ta mbroj fort
Dhe humbas plot besim në ëndrrat e mia.
Më fal! Fatin Zoti na e bën dhuratë.
Horoskopin e yjeve asnjë herë s’e kam lexuar.
Kujtoj mbrëmjet kur ti ngre kokën lartë
Trupin ma lërojnë duart e tua shtrënguar.
Më fal! S’të çova dot në Tokën e Premtuar.
Si Magelani s’i erdha rrotull botës.
Nën hijen e agimit vargjet i kam shkruar
Zbathur kam ecur në zemër të tokës.
Më fal! Për ditët tona rutinë e pa jetë.
Për netët plot trishtim e brenga shumë.
Të lutem, mos kujto furtunat, lotët e shkretë,
Mos i kujto më fjalët që të thoja unë.
Kujto ti ditët e pakta plot me dashuri!
Gëzimet që na mbushnin shpirtin i kujto!
Rrugën tonë ku ecëm plot guxim e gjallëri
Bekoje, e dashur, kurrë mos e harro!

NENA IME
Nëna ime me çitjane te gjera,
Nëna ime me shami të bardhë,
Si jugë e butë drejt visesh tjera
Nëna ime me jelek ngjyrë allë;
Nëna ime e mpakur, e lodhur
Në lumin e jetës si avullore
Me pesë djem, pesë universe
Si pesë gishtat e një dore;
Nëna ime me një mijë halle
E urta, e mira gjer në dhimbje,
Çfarë të na vishte në ditë feste,
Çfarë të na bënte për ditëlindje;
Pak sheqer e kafe lidhur komb
Në cep të qeskës së lerosur
Në pritje të mikut aq të bujshëm
Ruante nëna e qederosur;
I besonte punës dhe lojës së fatit,
I besonte rrënjës së thellë të fisit,
Kurorë na donte rreth babait
Si degët e forta të një lisi;
Po babai im kish gjak të nxehtë
Dhe ne i ngjamë atij, për dreq,
Tabut i theu një Takë rebel
Biografinë na nxiu, na e prishi keq;
Dhe nënëshkreta qante në gjumë
Për atë plangprishë, atë shpresprerë
Dhe fatin tonë të zi për lumë
Pa vajza, miq e shokë në derë;

Hamit Taka, Tiranë

Shperndaje ne
Updated: 29 Janar, 2019 — 10:18

The Author

Hamit TAKA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.