UNIVERSI I PËRGJITHSHËM I KULTURËS SË MENDIMEVE NËPËR VARGJE

UNIVERSI I PËRGJITHSHËM

I KULTURËS SË MENDIMEVE NËPËR VARGJE

Recension për krijimtarinë letrare e poetike të Martin Çunit-Antonit,

sidomos për veprat e fundit: “Universi i jetës”, Radio Kosova e Lirë, Prishtinë 2018; dhe, “Lulet e jetës (Letra nga burgu, Teutës dhe Agronit), Radio Kosova e Lirë”, Prishtinë 2018.

Autor: Brahim Ibish AVDYLI

Martin Çunin-Antonin e njoh shumë heret, nga veprimtaria e atëhershme prej vendlindjes e atdheut tonë, apo nga përpjekjet për realizimin e Radios “Kosova e Lirë”, ndonëse mërgata për mua e bëri të veten.

Përkundër të gjitha përpjekjeve në mërgatë e para Kombeve të Bashkuara në Gjenevë (OKB) apo gjetiu, qoftë edhe nëpër shkresat e mija, përsëri e kam bindjen se dikur do të gjendet e vërteta ose një pjesë e të së vërtetës. Pjesa më e madhe e tyre do të mbetet më tutje “e panjohur”.

Në të vërtetë, duhet të gjurmohet e vërteta. Na bashkon ideali, dhe jo organizatat. Një dëshmi për Radion “Kosova e lirë”[1], e kam dhënë kaherë në opinionin lexues. Disa do të dalin nëpër vepra të ndryshme, të cilat janë në procedurë. Mua dhe Martin Çunit, kryesisht, na mungojnë sponzorimet.

Nga mërgata e këtushme po e marrim për nevojat tona tubimin e Reinach-ut të Zvicrës, ku poeti, mësuesi, gazetari e veprimtari Martin Çuni i ka bërë provat e tij me disa miq e shokë, për t`a dhënë çështjen e Radios (së Kosovës së Lirë) dhe të luftës çlirimtare. Mua, më është shkaktuar dhunë që të mos mund të mirrja pjesë në këtë tubim, e në qoftë se arrija që të shkoj, të mos mundja aspak të flas; e në qoftë se arrij të flas dhe bëj ndonjë fotografi, do të më zhdukeshin edhe këto fotografi. Pas tubimit, më është marrur me forcë aparati fotografik. Reinach-u mbahet në mend me këtë tubim. Por, kjo nuk ka të bëjë me këtë vend, se sa me armiqtë e tmerrshëm të politikës jugosllave dhe të politikës zyrtare serbe. Dihet, se një ndër armiqtë më rrebtë serbo-sllavë isha unë. Pra, nuk kisha si të jem pranë tre pjesëmarrësve, e njëri ndër ta ishte Martin Çuni. Dy veta qenë pranë meje, me armë në shokë, dhe nuk më lanë që t`a bëja timen për “Kosovën e Lirë”, në atë tubim.

Për mendimin tim, po e them se po t`a kishte ditur të vërtetën e hidhur që atëherë, në revistën e bukur që do të ma ipte, revistës“Muza shqiptare”,[2] Nr. 1, Wuppertal 2008, me nënshkrimin e tij, të cilën e ruaj edhe sot e kësaj dite, do ta kishte mbaruar romanin ende të pabotuar, të cilin e quan “Bisedë me ndërgjegjen”. Mendoj se kjo bisedë, e cila do të ishte edhe bisedë e jona, do të kishte mundësi që t`a vinte në një vijë të mirë romanin e ndërgjegjes dhe do t`i ravijëzonte këto më tutje në universin e jetës, me plisin e bardhë në kokë, siç e mbanë në këtë fotografi të librit “Universi i jetës”,[3] sepse jeta e jonë ishte dhe është ende e gjymtë për ne, e nuk do të kishin lozur lojëra të kobshme me fatin tonë armiqtë tanë, si sot, dje e padje.

Shqiptarët e prisnin fatin e tyre si kotheren e thatë që Kosova të ishte e lirë. Mezi pritën që ta shpallin “të lirë”, largë nga gëzimi i pritur. Çdo gjë vjen sipas kohës, sipas marradhënieve ndërkombëtare, sipas forcave të botës, ku i kemi dy hise e gjysmë armiq të përbetuar e një gjymë hise miq. Nuk mund të ecim me kohën, por të shkruajmë po. Gjithnjë e më tepër po i jep Martin Çuni nëpër shkrimet dhe veprat e tija. Biografinë e veprave të botuara, nuk po e shfletojmë, por po e cekim se cilat janë veprat e tij të botuara deri më tani, edhe pse ka vepra të tjera shumë më të mira, të letërsisë, gazetarisë e të fotografive. Deri më tani, ai, i ka botuar këto vepra:

“Jetë e furtunë”, poezi për të ritur, Prishtinë 2002;

“Reportazhe lufte”, prozë dokumentare, Prishtinë 2002;

“Jetë për jetën”, poezi për fëmijë, Prishtinë 2004;

“Asht e gjak Arbërie”, me bashkautor, antologji e 12 krijuesve shqiptarë në Gjermani, Shtëpia Botuese “Doruntina”, Hanover dhe Prishtinë 2007;

“Themele jete”, rrëfime për fëmijë, Prishtinë 2008;

“Ëndërra shëtit pa mua”, poezi për të rritur, Tiranë 2012;

“Feniks në kalvar”, prozë dokumentare, Prishtinë 2018;

“Lulet e jetës/Letra nga burgu, Teutës dhe Agronit”, Radio Kosova e Lirë, Prishtinë 2018;

“Universi i jetës”, poezi për të rritur, Radio Kosova e Lirë, Prishtinë 2018.

“Radio <Kosova e Lirë>, Zëri i lirisë 4.1.1999-4.1.2019)”, Radio Kosova e Lirë, Prishtinë 2018; etj.

Martin Çuni është pjesëmarrës i disa antologjive, të cilat, nuk po i zë në gojë, vetën njëren nga këto libra, ku me Pal Sokolin është bashkautor.

Siç e thashë: mungojnë sponzorët. Martini i ka mjaft vepra të pabotuara. Ato vepra duhet të presin një ditë më të mirë, sikurse 10 veprat e mia.

Veprën antologjike “Asht e gjak arbërie”, e kam lexuar ndër të parat. Edhe poezinë e Martin Çunit. Poezinë e veçantë kushtuar shqiptarëve, me titullin “Shqiptarët”, nuk do ta analizojmë, edhe pse është e mirë. Ajo që na bie në sy është “Qielli i Atlantikut”, ku ndër të tjera autori thotë:

 

“I madhi Atlantik

Ku është Atlantida

Pse fsheh oqean

Kush iku atëherë

Kush po ikën tash

Sot e mot mbi Atlantik

Vragë e plagë mbi Atlantidë”,

 

e shkruar në prill të vitit 2004. Në poezitë e përkushtuara Azem Shkrelit “Krenari e trishtë” e Zejnullah Halitit “Mik e vëlla” janë poezi përkushtuese mjaft të dhembshme, por ne po ndalemi te poezia “Liria”, ku me tërë pezm autori thotë:

 

“Të shoh në fytyrën e fëmijve

Të shoh në mirësinë e nënës

Të shoh në rrudhat e babës

Të shoh në dashurinë e vashës

Kudo të shoh

Pos në vendin tim,

e cila është e mbaruar me 24 qershor 1993, por është thënë thuktë e më qartë. Të thënat e poezisë e këtushme janë thënie antologjike.

Poezitë e fundit: “Ec e ec shqiptarët”, në të cilën flet, shkruan e përcëllon autori “Mallkimi i djeshëm/Na përcjell dhe sot”, të shkruar me 19 maj 2005, në Breckerfeld/D; pas saj, poezia e shkruar me 12 janar 1997, me titullin e saj “Acar”, shkruan me plot të drejtë, sikur edhe krijuesit i mbulon akulli, e robëria bëhet si kurorë. Vargje të tilla janë vargje plotësisht të sakta.

Nga dy poezi janë të futura në tri ciklat e para të përmbledhjes “Universi i jetës”[4], ndërsa në ciklin e katërt, nuk ka poezi të tjera për t`i vënë aty.

Libri ndahet në 4 cikle: “Shqipatëve”; “Respekt i përjetshëm”, “Universi i mendimit”, dhe “Kumti”. Poeti ka universin e mendimeve dhe të vargjeve të poezisë, në pikat kryesore të librit. Ajo që e mbështjellë tërë librin, në kopertinë, është rapi i madh me degë të gjata dhe me rrënjë po aq të thella, të cilat janë rrënjët e para të kombit shqiptar, e bota sikur nuk e di.

Redaktori i kësaj vepre është vetë Ahmet Qeriqi, bashkëveprimtar i Radio “Kosova e Lirë” dhe “Kosova Pres”, babai i gazetares dhe recensueses Arbana Ahmet Qeriqi, miq të autorit dhe të mitë, të cilët e njohin edhe autorin, por edhe poezinë e tij, të shkruara nëpër valët e persekutuara të jetës.

I burgosuri e i persekutuari i shumëfishtë i Serbo-Jugosllavisë kishte arritur me shumë sakrifica të mëdha të punësohet në Radio Prishtinë. Librat e Martin Çunit: “Universi i jetës” dhe “Lulet e jetës”, [5] deri më tani ishin dy veprat poetike më të fundit, të botuara në vitin 2018. Mua, më gëzoi fakti se do të shkruaja një recension për veprat e tij. Nga ana ime, më së miri është të dimë se çka është universi. Disa bashkatdhetarë mendojnë se autori ynë “nuk ka filozofi”. Secili autor e ka filozofinë e tij. Ajo është linja e gjallë mendore, e cila i udhëheqë tërë jetën autorët, dikend më pak e dikend më tepër. Librat e tij, që nga titulli, lidhen me filozofinë. Titujt e veprave “Lulet e jetës” dhe “Universi i jetës”, na tregojnë shumë çka.

Universi është gjithësia; është çdo gjë e gjallë dhe e vdekur; në tjetrën jetë apo i pa gjallë, si bimët, të pa gjalla për vetëdijen tonë, por që ekzistojnë, mbi tokë; bakteriet, insektet, shtazët, bimët, instancat që ne i themi se janë të pa lëvishme, të ngurta, e deri te ngjyrat e hijet, etj. Asgjë nuk humbet, e tëra është nëpër gjithësi, e pjesë të saja nuk shihen e nuk duken, prandaj ne themi se nuk ekzistojnë, por gjithsesi i mbanë ajo në vehte. Gjithësia është e pamatur, e pa anë, pa fund, infinite. Universi ka të bëjë me gjithëçka, që dihet apo nuk dihet; që duket apo nuk duket. Poeti i kap disa detaje, të cilat nuk i sheh dikush tjetër apo masa e gjërë rreth tij. Ai është i aftë për të zënë diçka, sepse jo rastësisht e ka krijuar bota si qenie të vetëdijshme, si krijues. Ai është i aftë për të kuptuar diçka dhe janë me mjaft rëndësi, si sa i përket gjërave që shkruan rreth tyre, por edhe opinionit kombëtar e botëror.

Universin e jetës e ka zënë Martin Çuni, pa poezi të ngarkuar; pa poezi të bëra vetëm prej metaforave e simbolike; pa poezi abstrakte e të tjetërsuara, nga të gjitha ciklet e këtij libri, për ta ruajtur shqiptarinë të paprishur, por të lirë e të pavarur, krahas popujve të tjerë, me plis të bardhë mbi kokë.

Nga filozofia po e marrim Imanuel Kantin (1724-1804), i cili ka qenë si një nga filozofët e kohëve të vjetra e kohës së tij dhe më pak ishte për natyrën e sendeve apo natyrën e tyre në vetvehte, por për kulmin e arësyes e logjikës së kthjellët të një epoke të re, edhe në qoftë se do të shtroheshin pyetje mjaft kritike. Ky patos i tij u bë vendimtar për filosofinë e dy brezave të fundit, në raport të ndërsjella të njeriut e filozofisë. Filozofia është kulmi i shkencave, ajo i përmbledhë të gjitha lëmitë e shkencave.

Qëllimi i vullnetit të dijes së tij drejtohet në të gjitha lëmitë e shkencës dhe të dijes, të botës e të jetës, të natyrës e shpjegimit paraprak të gjërave, dhe me prinzipet e ndërrmarrjeve tona, lidhur ngusht me ndjenjat, të sqarimit të enigmave dhe të lidhjes së ndërsjellë të shijes; të historisë së njerëzimit dhe të ekzistencës njerëzore.[6] Martin Çuni e lidhë këtë univers jetësor të të gjithë shqiptarëve me ndjenja të mirëfillta artistike dhe kjo është lirika e tij.

Ai i rreket filozofisë njerëzore të shqiptarëve, të atyre që ranë për lirinë, si Adem Jashari, i cili i ngjanë Shën Martinit; Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka; Adem Demaçit; Nënës Tereze; Azem Shkrelit e Ali Podrimës, Gjeneral Shaban Shalës; Zejnullah Halitit; Agim Sahitit-shokut të burgut; shokëve e miqve të tjerë; shkroi biblike e kumte; Isa Boletinit; poetit Gjokë Becit; Zefit të Vogël; mikut tonë të përbashkët, poetit Shaban Cakolli; Komandant Gurit; etj., për t`a rrumbullaksuar filozofinë për lirinë (“Liri”, faqe 41), e cila prore na ka munguar dhe të cilën e gjykonte nga mbrenda burgut (“Kjo tokë”, 32), por edhe në mërgatë (“Bjeshkët e Nemura” e “Në malet tona”, faqet 34 e 40).

Ndonjëherë shqiptarët i duken të ndryshëm, sepse ata:

 

“nuk kapen dorëpërdore

t`i përballojnë uraganit” (“Shqiptarët në demostratë”, faqe 36).

 

Ndonjëherë, përmallohet e loti i rrjedhur pas largimit prej atdheut, si p.sh. poezia “Loti”, që i këndon Jusuf Gërvallës, Enver Hadrit e Martin Camajt (faqe 52); apo poezia “Respekt i përjetshëm”, i cili, u përkulet me devotshmëri njësoj si të vegjëlve, poashtu edhe të mëdhenjëve, i cili përkushtimisht thotë:

 

“U përkulem nga qielli në tokë

Atyre që s`na lanë me lotë.

Deti Jonë i ka përkundur lisa

Në Alpet tona që mbajnë plisa

Ata që ngjajnë me Gjergjin e Ademin

Ata që e nderuan nënën tonë Tereze!”, (në faqe 49).

 

Universi i jetës është universi i mendimit. Poeti e ka vënë titull të ciklit. Poezia që mbanë këtë titull është e para. Ajo i mbanë katër strofa me nga tri vargje; një akuzë ndjenjore me rastin e prishjes së varrit nga fisi i të pafeve, të cilët deshën t`a zhdukin shkrimtarin për fëmijë, Haliti, nga varri:

 

“Të vrau dora e zezë,

              Që gjakoset në urrejtjen e vet

              Dhe shtrat i bëhet vdekjes…

 

“Dora e zezë

              Që vret të rriturin tek fëmija

               Që vret fëmijën tek i rrituri…”, (“Universi i mendimit”, faqe 65),

 

Ata kurrsesi nuk duan që ta lënë universin e mendimit tonë të rrjedhë. Kjo revoltë është e madhe dhe mjaft e dhimbshme.

Duket sikur Serbët “Diellin e duan/Ta kenë veç për vete” (te poezia “Pytje miku”, faqe 72). Poetin erërat e tretin në të gjitha çështjet, edhe “Në qiellin e Atlantikut”, të cilën e kemi analizuar; nga “Protesta” (faqe 82); nga “Unaza” (faqe 69), në të cilën unazën e martesës ia dhuron gruaja, natën e pranverës së vitit 1982, poezi kjo e shkruar në burg të Prishtinës, me 4 qershor 1983; e deri te “Hija e Durimit”, kushtuar djalit të vet- Agronit (faqe 67), në të cilën shpirti, trupi dhe fjala janë trinomi i fatit:

 

“Se ç`më zuri ngushtë hija e rëndë

Nuk më mbeti forcë shpirti as trupi

Duke parë lojën e re të fatit tënd

Vetëm mërmërisja, se fjala më humbi…”

 

Fjala humb nëpër kazermat serbo-sllave dhe mërmëritë autori, është ende i gjallë, por hija e vdekjes e kishte ngushtuar shumë. E lodhën aq shumë, sa t`i lodhet shpirti e trupi, sepse hijen e durimit e mbante gjallë. E hijen e durimit nuk e mendonte njeri. Poezia e mbanë këtë titull.

 

Ndër shumë poezi të këtij cikli nuk e di ku më ndalet leximi. Një shpalim i ndjenjave patjetër të bën për vete, në poezinë “Shpalim ndjenjash” (faqe 101), e shkruar në Burgun e Nishit, në Serbi, ndonëse ka poezi të tjera më të mira:

 

“Shpaloj: -dhembje,

        Zemra shfrynë,

                 Shpirti ndry në vetvete…”;

 

ndërsa në poezinë, “Disa pyesin, pse nuk flet Demaçi” (faqe 104), ai thot:

 

“Shtatëqind herë po u dogje,

Shtatëdind pash nëse hyn nën dhé

Shtatëqind herë Feniks po u ringjalle,

 

           Sërish kërkojnë të të mbysin mizerisht (mizorisht),

           Vetëm që ata të duken më të mëdhenj!”

 

E në ciklin e fundit, vinë ca fjalë me Zotin, i cili njëjsohet me gjithësinë:

 

“Fola me Zotin,

       Ai, çile gur gojën!

             Ishte bâ dhé:

 

               Çfarë bëjnë njerëzit

                    Në emër të tij! (“Kumti/Ca fjalë me Zotin”, faqe 111).

 

Pastaj, “Afshi i Kosovës” (faqe 116):

 

“Copat na tretën,

Gjithkah nëpër perëndim,

Me shpresa diku larg

Dielli do të na lind”,

 

dhe “Pas Lirisë, fjala e matur”, (faqe 126):

 

“A ka gjë më të shtrenjtë

A ka gjë më madhështore

A ka gjë më hyjnore

           …Se fjala e matur,

           Që kurr më pak nuk e kemi pasur!

 

Në këtë analizë nuk i kemi përfshirë ato që na i kanë thënë të tjerët, as dy poezitë e mira dhe të gjata, “Mos e prishni Shqipërinë”, faqet 19-23; “Jeta larg gëzimit”, faqet 26-30, e cila është shpërblyer nga konkursi i Orës së madhe letrare “Pavarësia e Kosovës-2011”, të organizuar në Koblenc të Gjermanisë nga LSHAKSH-ja. Këto janë poezi të cilat një studius apo një eseist i denjë do të shkruante një temë të veçantë, sepse janë poezi të ngjeshura dhe të gjata.

Sidoçoftë, lexoni edhe ju këto libra. Janë libra të shkruara mjaft thjeshtë, të çiltërta, të kuptuara, për të gjitha moshat, një poezi tepër e sinqertë.

Përveç librit me poezi që e analizuam, autori na sjellë edhe një raritet të veçantë, librin modest e vijues, ndonjë vjershë e letra, “Letra jete/Letra nga burgu, Teutës dhe Agronit”. Ky libër jo vetëm se është shtypur me ngjyra, me trëndafila me ngjyrë, që të bëjnë për vete, por na shprehë një dramë të thellë në burgun e Nishit, kur poeti vuan jo vetëm nga të ftohtit e çelisë, por edhe nga kujtimet e veta, të familjes, të prindit për fëmijët e vegjël, për gruan që e donte pa masë, për të afërmit e njerëzit. Ai ka qenë më përpara mësues dhe pedagog e arsimtar, i do fëmijët pa masë, të cilët, kishin bërë hapat e parë në jetë dhe po vuanin edhe me traumën e mungesës së paevituar të babait, por edhe të atij pa fëmijë, i cili ishte i burgosur.

Nga ky libër ne mësojmë shumë për burgun e tij, sepse ai shqetësohej se cilën fjalë më parë t`ua dërgonte fëmijve të vet, sepse letrat kalonin nëpër duart e cenzuarve të pushtetit; mësojmë edhe për burgun e Nishit, por edhe për fëmijët pa babë e pa edukator. Prandaj, ndër të tjera ua nxiste motivin për mësim, për shkollë, për dije, për ngritje pak më tepër me edukatë, me të cilën do të dinin se si të respektojnë rrethin, familjen, shkollën, mësuesit, shokët e shoqet. Përveç këtyre, ai libër sillte mjaft ilustrime, skica, vizatime mjaft të mira, të bëra nga shokët e burgut, Sabri Sopi, nga dëshmori Gursel Sylejmani apo vetë ai, nëpër qelitë e burgut. Mjaft të tjerë ishin katandisur burgjeve famëkëqija të Serbo-Jugosllavisë, por krijuesi Martin Çuni ka edhe dëshmi autetike dhe faksimile, të cilat na sjellin në vitet `80-ta.

Përmbledhja “Lulet e jetës”, që në radhë të parë ishin Teuta dhe Agroni, por edhe si emra mund t`i lidhin të gjithë fëmijtë e vuajtur si ata, e njëjsohen me ata emra, si ilirë, është një libër tejet i veçantë. Ai është plot me vjersha për fëmijë, tema të zgjedhura, ilustrime autentike, kulturë të thellë arsimore, njohuri pedagogjike, ndërgjegje të pastërt njerëzore, një veprimtari të denjë të krijuesit apo të intelektualit të mbyllur në burg.

Disa mund të jenë lirisht proza të fëmijve, si këto që ne po i përmendim: “Arusha dhe fëmijët e saj”, “Këmisha e kajmakut”, “Veset e Qyqes”, “Kalimi i prronit”, “Lulja më e madhe në botë” , etj. Edhe ky libër, është mjaft i mirë…

 

Autorit i dëshirojmë suksese të tjera edhe më të mëdha.

[1] Shikoni librin tim politiko-publicistik „Mërgata shqiptare  e Zvicrës dhe roli (ndërkombëtar) i saj”, Brezi `81, Prishtinë 2011.

[2] Revista periodike për art, shkencë e kulturë, „Muza Shqiptare“, botim i LSHAKSH, në Gjermani, Nr. 1, Maj 2008,  Wuppertal.

[3] MartinÇuni, “Universi i jetës“, Radio Kosova e Lirë, Prishtinë 2018.

[4] E njëjta vepër, “Universi i jetës“, libri kryesor i poezisë.

[5] Martin Çuni, “Lulet e jetës/Letra nga burgu, Teutës dhe Agronit”, Radio Kosova e Lirë, Prishtinë 2018.

[6] Shikoni nëse doni veprën e Ivo Frenzel, „Mensch und Pfilosophie“, Heyne, München 1974, faqe 10.

Shperndaje ne
Updated: 8 Shkurt, 2019 — 12:54

The Author

Brahim Avdyli

DISA SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN DHE VEPRAT Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)... Katër klasat e para të shkollës fillore "Ganimete Terbeshi" i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010. Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike... Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra: -"Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983; -"Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990; -"Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992; -"Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994; -"Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997; -"Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999; -"Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000; -"Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003; -"Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005; -"Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007; -"Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008; -"Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009; -"Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011; -"Qielli i paprekur", poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012; -"Vetëvrasja e një poeti", dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve "JAKOVA", Gjakovë, 2013; -"Shtegtimi i lirisë", poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014; -"Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele", zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015; “Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017. “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019. Tani, pritet të botohet vepra “Die Verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019... Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë... Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë... Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht. Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); dhe i disa organizatave të tjera. Këto poezi lirike janë nga libri më i ri i poezisë së tij lirike...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.