Letërsi Kombëtare: Atdhe Geci – “UDHËT E HISTORISË”

UDHËT E HISTORISË
 
Mbushni rrugën njerëz të flamurit
mbushni rrugën njerëz  të nderuar
jam fitorja juaj, i  juaji i kryeherit
në flamur i kam  të  gjitha  betejat

 
Këtë liri  që  gjaku  ynë  e  mbolli
duajeni është e imja, e juaja, jona
Kosova  kujtoj  është   e   mençur
Shqipëri e Kosovë  ju  kam atdhe

Hapeni rrugën qytetar  të nderuar
duajeni  njëri- tjetrin, bashkohuni
vij nga stërgjyshërit  e lashtë, nga
pleqtë me 10 mijë, e 15  mijë vjet

 
Kosovë,jam Isa, jam dardani juaj
Kosova e lirë më  solli  mes  jush.
Dardani o nënë, fshima  sot  lotin
se historia  asgjë  askujt  s ́ i  falë

Luftuar  kam  Krajlin   e  Serbisë
Pashanë e turkut dhe Malin  e  Zi
Plagët në trup  i  kam  shok  udhe
armikun mik kurrë  se  kam  bërë

2
————————-—————

Në Boletinin ku unë  jam  lindur
kumbuese është lëkura  daulleve
paqja dhe lufta, toka dhe stuhitë
këtu  e  kanë   të  njëjtën  moshë

Kosovë, jam Isa, biri Shqipërisë
po ju pyes, a jeni njeh së afërmi
po dëgjoj, shumë  jeni  degëdisë
Kosova qenka jo pak e vogëluar

Në Boletin kam plisin e  gjyshit
veshjen e dasmave dhe të luftës
u ktheva në lavdinë  e  betejave
të kremtoj edhe unë  sot  me  ju

Që liria e fituar të ketë  shëndet
pyes, Azemi a është në Drenicë
pyes, Hasani a është n ́Prishtinë
Molla kuqe pse qahet në Shkup

Kosovë, kremto mos u shqetëso
Shqipëri është dhe  Boletini  im
U kënaqa  me  daullet  e  fitores
Por ç´u bë me flamurin kuq e zi!..

3
—————————————

Në vendet  ku liria është e huaj
ka trazira, ndeshje kundështish
fjalët e tiranëve ende  dëgjohen
dhe kërcënojnë  at ́ që  e fituam              

 
S ́më mjafton të jem  i  nderuar
eunukët historinë e poshtërojnë
mendja njeriut si kap  të  gjitha
Shqipëri e Atdhe është Kosova

 
Shqiptar, duajeni atdheun, mos
ia nxini kraharorin  me  babëzi
Këtë liri që gjaku ynë e mbolli
është fitorja që sot po festojmë…

 

Në këto  gjëmime  të  historisë
jem pjesë e luftërave të mëdha
Burra, liria sot ka një plagë më  
pak, që ta përjetojmë këtë  çast

O Dritë e këngëve  të  shtëpisë
asgjë  s ́kemi ngrënë  dhe  pirë
nga argjendet që  i  ka Kosova
Kosova, nuk është atdhe pa zë..

4
—————————————

Kosovë,  Shqipëri, dhe  Çamëri
trim më bëri dashuria për atdhe
unë e pata  guximin  për  luftën
që t ́i dalim zot vetë vendit tonë

 

Ky  përbashkim  i  atdheut tonë
është pjesë e gjaktë  e  historisë
pjesë  e  jetëve  tona  të  jetuara
pjesë e mendjes të këtij populli

Po vij nga më të lashtit  e tokës
në një qytet tjetër të të lashtëve
gjuha e eshtrave  sot  flet  qartë
ADN-ëja sot shkruhet e lexohet

Atdhe, ti je antiku  i të lashtëve
popull i  flamurit  më  të  bukur
jepi krahë lirisë  tuaj, dhe  krijo
uji i thëllimave  i  shton cilësitë

Në këtë tokë të pasur  me  lufta
asgjë s ́ka më të shenjtë  se liria
Kosovë, kam ADN e këtij dheu
Shqipëri e Çamëri  i  kam atdhé!…

Atdhe Geci

Shperndaje ne
Updated: 21 Nëntor, 2019 — 10:52

The Author

Atdhe Geci

Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron. Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. “Demonstratat e luleve”, 2. “Antolologjia personale" 3. “Jeta në Letër”, 4. ”Mielli dhe uji”, 5. “Lirikë”, 6. “Dridhjet e barit”, 7. “Atdheu”, 8. ”Erdhëna”, 9. “Arbëreshët”, 10. “Shqipëria”, 11. “Trojet e mia” , 12. “Rogana”, 13. “Heroika”, 14. “Gacat e prushit”, 15. “Atdhetarët”, 16. “Pasha këtë tokë”, 17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.