LIDHJA E PRIZRENIT DHE JUSTINIANI I MADH

LIDHJA E PRIZRENIT DHE JUSTINIANI I MADH

     (Justiniani: Mbrojtësi i territoreve të Ilirisë, Dardanisë, Maqedonisë dhe Epirit nga dyndja e vandalëve sërbë)

Autor: Besnik Imeri

Më datë 10 qershor mbushen 142 vjet nga Lidhja e Prizrenit dhe 12 vjet nga deklarimi i Pavarësisë së Kosovës nga Xhorxh Bush në Fushë-Krujë, pikërisht nga ai vend që lindi, rriti dhe që u bë mbështetjë e madhe e Gjergj Kastriotit. Jo rastësisht Xhorxh Bushi zgjodhi Krujën për të deklaruar Pavarësinë e Kosovës. Ai sikur deshi t’u kujtonte shqiptarëve historinë e tyre, dhe që ky komb, i cili kishte mbijetuar 500 vjet, do të mbijetonte edhe 5000 vjet të tjera.

         Lidhja e Prizrenit ishte Kuvendi i Dytë i Madh i shqiptarëve pas Kuvendit (Besëlidhja) të Lezhës. Për herë të dytë në historinë e re të shqiptarëve, pas Gjergj Kastriotit, veriu i Shqipërisë, gegëria, u bënë mikpritësit, mbrojtësit dhe organizatorët e Logut mbarëshqiptar. Përse ajo u quajt “Lidhje”? Ishte një fjalë që u zgjodh rastësisht, apo i vajti në mendje njerit dhe e miratuan të tjerët. Jo, nuk ishte rastësi, por ishte e mirëmenduar. Shqiptarët kishin 400 vjet të “zgjidhur”, të çoroditur, të lëshuar si “qentë nga zinxhiri” dhe hapërndarë nëpër hapësira perandorish, dhe tani kishte ardhur koha që të mblidheshin dhe të “lidheshin” në kuptimin e vërtetë të fjalës, dhe të mos shikonin më perandoritë. Sepse aty shqiptarët nuk duhet thjesht të bashkoheshin, të merrnin vendime të rëndësishme, ata duhet te LIDHESHIN me njeri tjetrin dhe të mos zgjidheshin më. Ky është mesazhi më i madh sot që na jep Lidhja e Prizrenit. Shqiptarët duhet të “rilidhen” përsëri, ku janë e ku nuk janë, shpërndarë nëpër perandoritë e botës, dhe të bëjnë Shqipërinë, ashtu siç e kanë lënë amanet Ismail Qemali dhe Is Boletini, në të katër vilajetet.

      Vras mendjen dhe ‘mejtonem’ përse shqiptarët vendosën të mblidhen në Prizren, thjesht sepse aty ishte qëndra e vorbullës madhështore të luftës kundër pushtimit osman, që edhe kjo është e padiskutim, apo ka edhe ndonjë arësye tjetër, që lidhet me historinë e shqiptarëve, më saktë të të parëve të tyre? Rilindasit tanë, për fatin tonë të mirë, ishin njerëz të ditur dhe eruditë, siç kanë qënë dhe janë të gjithë atdhetarët shqiptarë. Përjashtim bëjnë të shiturit, që janë të djallëzuar, por që nuk janë të zgjuar. Mendoj se jo rastësisht u zgjodh Prizreni. Rilindasit e dinin historinë e të parëve tanë më mirë se ne sot.

       Prizreni ka një lidhje të padukshme me një “lidhje” tjetër të të parëve të shqiptarëve. Dikur lidhjet nuk ishin thjesht politike, pasi në rradhë të parë ato ishin fetare. Atdhetari i shquar, arbëreshi Antonio Belushi, na mëson se të parët tanë, priftin e kishin prift, por e kishin edhe si të parë të fisit, e kishin si kapidan, e kishin si udhëheqës në paqe dhe në luftë, në ditë të mira dhe në kohë rreziku. Kemi dy raste të pastra që e vërtetojnë këtë: Mirdita me abatët e vet, të cilët i kishte si prijës; dhe, Suli, në momentin e fundit, kur kështjella e tij e fundit do të binte në dorë të Ali Pashë Qenit, antishqiptarit më të egër të Jugut të Shqipërisë, prifti sëbashku me suliotët u hodhën në erë me gjithë fortesën, duke vrarë edhe ushtarët shqiptarë myslymanë të Aliut. Njësoj si Oso Kuka kundër malazezëve.

       Por kemi edhe një rast madhor, se si është “lidhur” në prag të shpërbërjes perandoria më e madhe, më e fuqishme, më zulmëmadhe dhe më qytetëruesja që ka njohur njerëzimi deri më sot: Perandoria Romake. Ajo u “lidh” me krishtërimin, dhe të mos harojmë, se ketë “lidhje”, në atë fillim shekulli të katërt të erës tonë, e bëri pinjolli i racës tonë, biri i Dardanisë kreshnike, hyjnori perandor Kostantini i Madh; që me ediktin e Milanit në motin 313 të erës tonë, legjitimoi krishtërimin në perandorinë romake, krishtërim të cilin po e gezon sot gjithë bota e qytetëruar. Ndokush mund të pyesë se përse e bëri këtë Kostantini, mos valle ishte i përdellyer ndaj krishtërimit? Jo. Kishte vetëm një arësye dhe vetëm një, arësyen politike shtetërore për të stabilizuar politikisht perandorinë që po brehej nga grindjet fetare. Pra që ishte “zgjidhur” dhe ai e “lidhi” me anë të një feje, krishtërimit.

       Po kush është kjo “lidhje” që ju bë Prizrenit? Sipas të gjitha gjasave Justiniani i Madh, perandori tjetër famëmadh i Bizantit, i kërkoi, jo me lutje, Papës së Romës, që në vendin e vet, në Dardani të kishte një Primati kishtare autonome, të veçantë nga Primatia e Bizantit. Ajo u quajt Primatia e Justiniana Primës, qëndra episkopale katolike e Dardanisë. Madje thuhet, se kjo Primati u vendos në qytetin e lindjes së perandorit, të cilin ai e fuqizoi me një kala të fuqishme.

       Të mos harojmë se në atë kohë qëndrat e mëdha fetare, si Krypeshkopatat, apo Primatitë, ishin si bërthamat, apo epiqëndrat e krijimit të shteteve. Po të hedhim sytë nga Perëndimi; Franci, mbreti i frankëve konsolidoi shtetin e Frankëve duke kaluar në krishtërim; Skocia, Anglia dhe Franca me Karlin e Madh, pa bekimin e Papës, nuk mund të ishin shtete të qëndrueshme dhe të fuqishme. Të mos harojmë gjithashtu, se në mesjetë, në Lindje, krijimi i shteteve sllave të Malit të Zi, Sërbisë dhe Bullgarisë u bë në saj të krijimit të Primative përkatëse, si ajo e Dioklesë, Pejës dhe Tërnovës. Tani, me lutje, u bëj një pyetje arkeologëve në Kosovë: A ka shenja në muret e kalasë së Prizrenit, që ajo është ndërtuar, apo rindërtuar thellësisht nga Justiniani i Madh? Në se kjo vërtetohet, atëhere kjo hipotezë fiton më shumë kredite drejt pranimit të saj të plotë.

       Për të hedhur sadopak dritë lidhur me këtë çështje do të përpiqemi të saktësojmë, aq sa është e mundur, se kush ka qënë qyteti, që Justiniani i vendosi emrin e vet dhe e quajti Justiniana e Parë, ose si i themi ne sot kryeqytet. I referohemi fillimisht Zhan Klod Faveirialit i cili rreth viteve 1884-1889 në librin e vet “Historia e Shqipërisë” na rrëfen:

“…Justiniani shndërroi në qytet të shkallës së parë fshatin Taurezi, ku ai kishte lindur. Me urdhër të tij, ai u rrethuame mure të fortë, u zbukurua me portikë, dhe u ndërtuan në të kisha të hijshme. Si e kreu këtë punë, Justiniani i kërkoi, siç thuhet, Papa Shën Agapitit, që vikariati i Selanikut të ndahej më dysh në favor të Justinianës, atdheut të tij…për këtë vetë perandori (Justiniani) thotë: “Arkipeshkvi fatlum i Justinianës së Parë, atdheut tonë, do të ketë nën proteksionin e tij Dakinë Mesdhetare, Dakinë buzë lumenjve, Prevalitaninë, Dardaninë, Myzinë e epërme, dhe Panoninë. Ai do të shugurojë ipeshkët e krahinave të lartëpermendura, do të jetë i shuguruar nga këshilli i tij, dhe, në hapësirën e juridiksionit të tij, ai do të jetë në vend të selisë së Romës, gjithëçka në përputhje me atë që ka përcaktuar i shenjti Shën-Papa Vigjili…”.[1]

       Pra Faveiriali flet për fshatin Taurezi. Të tjerë autorë flasin për Bederianën, afër Nishit. Ka pretendime edhe për Ohrin, meqënësë ka qënë qëndër peshkopate, apo Primatie, për rreth 1000 vjet. Por ka edhe autorë, që ndryshe nga këta, sytë i kanë hedhur nga Prizreni. Atëhere, ku i bie që të jenë sot këto tre qëndra të antikitetit të vonë, por edhe të tjera, të cilat pretendojnë autorësinë e qytetit të lavdishëm Justiniana Prima? Janë afër Prizrenit, Therandës antike, Nishit sipas mjaft autorëve, apo afër Shkupit sic pretendon Faveiriali, por edhe autorë të tjerë?

       Për Prizrenin, në vitin 1774, ka folur edhe gjuhëtari gjerman Johan Thunman: “…Rezidenca e prefektit te Prefekturës së Ilirikum-it ndodhej prej shumë kohësh në Sirmi (Sirminium), por për shkak të sulmeve të Atilës u shpërngul në Selanik..” dhe tek shënimet ai jep këtë sqarim: “Justiniana nuk është qyteti i sotëm Gjustandil ose Ohrida, Lichinidusi i Vjetër, i cili ndodhet në Dioqezën e Maqedonisë, por gjëndet në Dardani, në Dioqezën e Dakisë, Vesseling-u e ka dëshmuar një gjë të tillë…”. [2]

 

       Por përkthyesit e veprës së Thunmann-it, Albert Gjoka dhe Frida Vokopola, në shënimet e tyre në këtë vepër na thonë, se kemi gjetur tek libri : “Albanien, Rumelien und die òsterreichische – montenegrinische Grānze – Pragë 1844, ku shkruhet se emri i vjetër i Prizrenit ishte “Justiniana Secunda”…Në pashallëkun e Perserinit: Perserin (për turqit), Priserendi (për shqiptarët), Priserend dhe Pizdrën (për sërbët), Justiniana e Dytë e Vjetër, një nga qytetet më tërheqës, të pasur dhe të zellshëm për punë…Dhe më pas flitet për Dioqezat në Albani, midis të cilave edhe Kryedioqezën e Prizerenit me arkipeshkopin Justinianopolitensis…”. [3]

       Ndërsa tek Fjalori i Frang Bardhit “Dictionarium latino-epiroticum” i vitit 1635 (vazhdojnë A.Gjoka & F.Vokopola), në faqen 198 jepet: PRISEREN (IUSTINIANI IMPERATORIS PATRIA). [4]

       Nga referencat e mësipërme rezulton, se: Sipas Thunman-it, në Dardani ka qënë qëndra e prefekturës së Ilirikum-it të krijuar nga Diokleciani, por të mos harojmë se Prizreni ndodhej në atë kohë, por edhe sot, në Dardani; Më tej, sipas një autori tjetër, Prizreni ka qënë quajtur Justiniana e Dytë, por flitet edhe për Kryedioqezën e Prizrenit, pra ka qënë kryepeshkopatë katolike me arkipeshkv; Dhe në mbyllje, Frang Bardhi, një autor mjaft i besueshëm, na thotë me “plotë gojën” se Prizreni është atdheu, pra vendlindja, e Justinianit të Madh. Kjo na krijon një bindje, që ne të mos i ndahemi Prizrenit.

       Kush ishte kontributi i Justinianit për atdheun e tij Dardaninë? Perandorët Ilirë të Bizantit qeverisën që nga viti 491 (me Anastasin e Durrësit) deri në vitin 602, pra për 111 vjet. Ata u dalluan për aftësitë e tyre ushtarake dhe politike në drejtimin e shtetit, duke i rikthyer lavdinë Romës dhe Bizantit. Me këta perandorë Bizanti do të arrinte dhe kulmin e zgjerimit të tij, sidomos me Justinianin. Përveç se burra të zotë, ata qenë dhe njerëz që kontribuan në qytetërimin botëror me veprat e artit që ndërtuan…JUSTINIANI ishte një nga perandorët më të mëdhenj të Bizantit, sepse i dha perandorisë për herë të fundit territoret e perëndimit deri në Spanjë. Ai dha një të drejtë të rinovuar romake, që është edhe sot baza e kodeve civile të gjithë sistemeve ligjorë në Europë dhe kudo në botë…Vepra më e shquar e lidhur me emrin e Justinianit është padyshim Corpus iuris civilis (Korpusi i së drejtës civile). Në të përmblidhen Codex Justinianus (Kodekset e Justinianit)”. ( Elena Kocaqi “Albanët me famë në mijëvjecarë” dhe Neritan Ceka “Ilirët”)

       Dardanasi dhe perandori i shkëlqyer, JUSTINIANI I MADH, që ndërtoi dhe rindërtoi rreth 160 kështjella në Ballkan për të mbrojtur racën e tij nga turmat pagane skllave. “Për atdheun nga vinte ndërtoi 157 kështjella, që nga Danubi në Epir, që të siguronte këto territore nga dyndjet që kishin filluar prej shekujsh. Eshtë meritë e tij, që një pjesë e madhe e territorit shqiptar shpëtoi nga dyndjet sllave…Ai nuk pranoi t’i vendoste sllavët në Iliri…Justiniani ishte një njeri fetar dhe një katolik i devotshëm, por që i pëlqente të komandonte vet kishën e krishterë…Justiniani e mbrojti kishën e krishterë dhe i dhuroi prona të shumta, ndërtoi kisha dhe manastire të shumta, ku mbi të gjitha dallon kishën e Shën SOFISË”. [5]

       Ishte ky Justinian që ngriti një kishë autoqefale (Peshkopatën) të pavarur nga Roma në qytetin e tij të lindjes (Justiniana Prima); ishte ky bir i Dardanise kreshnike që ngriti një nga shtatë mrekullitë e botës, Katedralen e Shën Sofisë në Kostandinopojë (e cila edhe sot pas rreth 1500 vjetësh qëndron madhështore mbi ujrat e Bosforit, në formën e xhamisë blu). Gjithashtu ai ngriti katedralen e Bylysit, që turmat skllavene kur erdhën aty e kthyen në një ahur bagëtish. Por Justiniani, kjo mendje e ndritur nuk i shkëputi lidhjet me Perëndimin. Ja si e përshkruan saktësisht Neritan Ceka këtë ndodhi; “Justiniani ishte perandori i fundit Bizantin, i cili përdori latinishten si gjuhë zyrtare”. Pra, perandorët e tjerë ju kthyen greqishtes si gjuhë zyrtare të Bizantit. Kishte filluar greqizimi i Bizantit.

       Pra kontributi i Justinianit është i jashtëzakonshëm, për Dardaninë, por edhe për trojet e tjera ilire dhe epirote. Ai ishte i vetmi perandor, që për të mbrojtur racën e vet shqipfolëse ngriti dhe rikonstruktoi rreth 160 kala dhe fortesa. Nuk ka kala në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, që të mos ketë vënë dorë ky perandor i ndritur. Dhe këtë e bëri për të na mbrojtur nga sërbët. Pra ky ëngjëll mbrojtës i shqiptarëve nga barbarët sërbë, a ka ndonjë monument, shtatore, bust, basoreliv, apo diçka tjetër që të ketë vlerën e monumentit në Kosovë, e cila e ka birin e saj?!! Po në Shqipëri, të paktën e të paktave, a ka ndonjë pllakë përkujtimore në muret e kalave tona, ku të shkruhet: Këtë kala e ndërtoi, apo rindërtoi, Justiniani i madh për të na mbrojtur nga sërbët?!!

       Në përfundim të këtij shkrimi, them përsëri, që, që të gjitha këto i kanë ditur Rilindasit tanë, prandaj edhe zgjodhën Prizrenin si vendin ku do të Lidhej Besa Shqiptare. Ngrijani një shtatore në Prizren këtij Burri të Madh, qoftë edhe vetëm për atë, që u bë pengesa e përhapjes së pushtimit sërb në të gjitha territoret shqipfolëse.    

Besnik Imeri 9 qershor 2020.  

[1] Zhan Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë,Bot.Plejad-2004,përkth.Gent Ulqini, f.101

[2] Johann Thunmann, “Historia dhe Gjuha e Shqiptarëve dhe Vllehëve”, Bot.gent Grafik-2018, Përkth.Origjinali.A.Gjoka & F.Vokopola, f.231-232

[3] Johann Thunmann, “Historia dhe Gjuha e Shqiptarëve dhe Vllehëve”, Bot.gent Grafik-2018, Përkth.Origjinali.A.Gjoka & F.Vokopola, f.232

[4] Johann Thunmann, “Historia dhe Gjuha e Shqiptarëve dhe Vllehëve”, Bot.gent Grafik-2018, Përkth.Origjinali.Albert Gjoka & Frida Vokopola, f.233

[5] Elena Kocaqi “Albanët me famë në mijëvjeçare”, Bot.Globus.R-2006, f.183-186

Shperndaje ne
Updated: 9 Qershor, 2020 — 09:43

The Author

Besnik Imeri

1 Comment

Add a Comment

Lini një Përgjigje te Driton Bakija d Gjakove Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.