UNIVERSALIZMI DHE NACIONALIZMI

 

Qysh prej shekujsh vazhdon lufta midis këtyre të dy botëkuptimeve. Kjo luftë filloi aty nga i XII shekull me Kartën e Madhe të Lirive (Magna Carta Libertatum). Filloi në mënyrë të dukshme kur populli anglez vendosi të shkëputej prej ndikimit të kishës universale. Lufta vazhdon e ashpër edhe sot nën forma të ndryshme. Nga ana e universalistave lufta bëhej dhe bëhet mbi bazën e një arsyeje shumë herë gjeniale, por duke qenë gjithmonë arsye e ftohtë dhe spekulonjëse. Kurse nacionalistët i ka shtytur instinkti, kishte me thanë vetë natyra. Natyra i do individët, do shumëllojshmërinë ndër njërës, ndër kafshë dhe bimë. Për me i dalë zot këtij qëllimi, ajo jo vetëm i ka krijuar racat, llojet e kafshëve dhe të bimëve, por iu ka dhanë armët dhe mjetet ma të sakta për t’u mbrojtur.

Universalistat nuk pranojnë kufi nga jashtë, por aq më të ngushtë i venë kufijtë nga brenda. Flasin për njerëzinë mbarë, për ide të përgjithshme, për njësi dhe vëllazëri të përbotshme. Forma e universalizmit është imperializmi, qofte fetar ose shekullar. Siç thashë imperializmi përdor si parim të domosdoshëm shprehjen: Kufi të gjërë nga jashtë dhe të ngushtë nga brenda. Që të kuptohemi ma mirë, po jap disa shembuj. Çdo fe e organizuar që ka prirje universale thotë: Më fal arsyen tënde, gjykimin tënd dhe unë të zbuloj të vërtetën e plotë. Imperializmi shekullar romak ose anglez ka thënë ose thotë: falmë urinë tande si individ ose si komb dhe unë do të ngreh një shtet i cili përfshin gjithë njerëzinë dhe gjithë dheun, ku do të sundojë rregulli dhe paqa.

Komunizmi, një tjetër formë e universalizmit, thotë: Hiq dore nga vëllau tënd i gjakut dhe unë të bëj vëlla me të gjithë njerëzit e kësaj bote. Kjo bie erë diçka si ajo puna e shejtanit, i cili i paska thënë Krishtit: Bjer në gjunjë, falmu mua dhe unë të fal gjithë pasurinë e kësaj bote. Shkurt, çdo imperializëm nën emrin e një ideje universale kërkon dhe ka kërkuar: Hiq dorë nga personaliteti tënd dhe nga liria personale. Universalizmi ka patur gjithmonë një fuqi të madhe dhe tërheqëse në njerëzit e ligshtë. Mirëpo njeriu i fortë nuk e pranon. Ai gjen në kraharorin e tij, në familjen e tij, në popullin e tij një botë pa kufi, të cilin ai nuk e shkëmben me gjithë Universin dhe me gjithë yjet e panumërt të tij. Nacionalisti i ka vënë vetes kufij nga jashtë, për të ruajtur personalitetin e vet dhe kërkon kufij të gjërë nga brenda, për me qenë i lirë në zhvillimin e natyrshëm të vlerave të tij, të prirjeve të tij, shkurt të karakterit të tij. Ndërsa universalisti thotë: bëju si unë, nacionalisti përkundrazi lyp: bëju siç je, me fjalë të tjera, qëndro besnik i vetvetes.

Është e vërtetë se nacionalisti pranon që njeriu ashtu edhe kombi nuk mund të qëndrojnë për vehte dhe të veçuar, sepse bëjnë pjesë në një tërësi në të cilën secili është mbështetje dhe mbështetet. Por njerëzia, si një tërësi, është e interesuar dhe mund të lartësohet vetëm atëherë kur individi ose kombi ka dhe di të ruajë karakterin e tij. Nacionalisti i jep një rëndësi të veçantë personalitetit dhe lirisë vetjake. E quan për detyrë të shenjtë të ruajë dhe zhvillojë vlerat e tij; e çmon veten dhe kërkon që ta çmojnë dhe të tjerët; lyp që ta ketë fatin e vet vetë në dorën e tij; nuk duron të humbasë në turmën e popujve; nuk duron të bëjë pjesë si një numër i një shoqërie anonime; nuk don të fshihet prapa një emri të rremë por del para botës me gjithë personin e tij përgjegjës si ai burri i Tepelenës i cili çdo letër e mbaronte me këto fjale: “Unë, Aliu, shkruaj”.

Që ta presim shkurt në një mënyrë konkrete: Ne shqiptaret duam idenë tonë, virtytin tonë, të mirën ose vetveten tonë. Nuk e duam idenë e këtij, atij ose të gjithë botës. Siç thashë, nuk duam të jemi pjesëtare në një shoqëri anonime. As duam të jemi dekorative brenda suazës së një perandorie. Por në një çast fatzi ligështie dhe të krupës së madhe na sulmoi armiku befas dhe na mashtroi. Hodhi fare të keqe midis nesh dhe organizoi anarkinë e shëmtuar. Ne, që si popull kemi dhënë burra shteti dhe ushtarë të mëdhenj, jetojmë sot turpin të na heqin nga hunda të huajt! Por krenaria e jonë kombtare na ndalon të organizohemi nën prizëm të huaj. Vetëdija e jonë kombtare dhe instinkti i vetëmbrojtjes na ndalojnë ndër këto kohë fort të rrezikshme të vrasim njeri tjetrin. Mbi të gjitha, nderi i jonë kombëtar na ndalon të gënjejmë, të intrigojmë dhe të shpifim! Jemi vëllezër. Duhet të bëhemi shokë!

Mihal Zallari

Kryetar i Kuvendit Kombëtar të Shqipërisë, 9 Nëntor 1943 – 25 Tetor 1944

Gazeta “Kombi”, 22 Dhjetor 1943, Tiranë, Shqipëri

Shperndaje ne
Updated: 26 Gusht, 2020 — 13:19

The Author

Saimir Lolja

1 Comment

Add a Comment
  1. Shkrimi shume i mire. urime autorit.

Lini një Përgjigje te Shkelqimi Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.