Arti dhe Kultura Kombëtare: Jam krenar që i takoj kombit shqiptar  dhe e mbaj krenarisht plisin e bardhë   

Jam krenar që i takoj kombit shqiptar 

dhe e mbaj krenarisht plisin e bardhë 

Intervistë me artistin e teatrit e të filmit të Kosovës, humoristin, studiusin serioz të evenimeteve të shumta, kritikun e artit letrar e pamor, Ismet Krasniqin-Lalën, nga Drenoci i Komunës së Malishevës, i cili jeton në Klinë 

Intervistoi: Brahim (Ibish) Avdyli

Meqë ndodhet në Zvicër, pas Promovimit të veprës së fundit „ARTI I DALTUAR“, në mbrëmjen e ekzpozitës personale të aktorit e piktorit Arsim Berishës, në Zvicër, me 18.03.2017, ne e shfrytëzuan rastin që të bëjmë një intevistë origjinale dhe të pathënë deri më tani. 

Intervista bëhet me dy qëllime: për revistën mujore të QSHKI-së, BESA”, në Kreuzlingen të Zvicrës, dhe për opinionin e gjërë shqiptar e botëror. Në revistën mujore “BESA” do të jepet në vazhdime, prej mumrit në numër 

HYRJE: 

Ismet Krasniqi-Lala na kujtohet kurdoherë, qoftë nga njohja e jonë; nga filmat e vdeokasetat; nga fëmijët e nipat tanë; dhe nga më të vjetrit… 

 

Ai është i lindur më 16 mars 1951, siç e thamë më lartë, në Drenoc të Kumunës së Malisheves dhe jeton në Klinë të Kosovës, si pensionist. 

Është i diplomuar në Fakultetin Filozofik, Dega Filozofi-Sociolgji, pranë Universitetit të Prishtinës, ku e ka mbaruar edhe me sukses të plotë Akademinë e Arteve, Dega e Aktrimit, klasa e Enver Petrovcit, prandaj është aktor porfesionist i teatrit, filmit e humorit. Pra, u takon atyre dekadave që më së shumti dhanë kontribut të veçantë në lëminë e kulturës; në lëminë e shfaqjeve publike, të festivaleve, të artit, në lëminë e teatrit. 

U takon atyre krijuesve që e kanë krijuar të gjithë krijimtarinë artistike, prej fjalës së shkruar e deri në shfaqjet publike; prej humorit e deri te teatri e filmi; prej festivaleve, e deri te botimet e shumta. 

Punën e filloi që heret, në gazetën e studentëve, “Bota e re”; por ka punuar si profesor i gjimnazit “Luigj Gurakuqi” e deri në Shtëpinë Kulturës në Klinë, ku ka qenë Drejtor, e deri në udhëheqjen e teatrit. 

Veprimtarinë e gjërë teatrore e ka zhvilluar në Klinë, në Skenderaj, në Prishtinë, në Mitrovicë; në Vushtri, në Pejë, në Malishevë; në Gjillan; në pjesën kryesore të qyteteve të Shqipërisë, prej Tirane e Vlorë deri në Përmet; pastaj në Shkup e disa qytete tjera në Maqedoni; Në Tuz e Malësi të Madhe; sikurse në Gjermani, Kroaci dhe Slloveni.

Është themelues i festivalit “Mujë Krasniqi”, në Klinë; i Festivalit të Grupeve Amatore Teatrale të Fëmijve (FGATF), në Klinë. 

Ka marrë po aq shumë mirënjohje, diploma, çmime e faleminderime, në të gjitha trevat ku ka qenë pjesëmarrës apo edhe organizatorë, si dhe me role të ndryshme e teatrore apo hartus i dokumentarit “Dueti legjendar Salih e Feriz Krasniqi”, i cili u shfaq nga RTK dhe prit me dinjitet… 

Botoi shumë vepra esesitike, letrare (poezi, dramë, komedi), monografi, këndvështrime kulturore, recensione letrare, shkrime për profile kulturore e letrare, kronika, repotazhe e kumtesa, etj. etj. 

Me reputacion ndërkombëtar mund të merret edhe mirënjohja e UNESKO-s, me rastin e ndarjes çmimit “Aktori më i mirë i festivalit”, në Sarandë, me 2015, në festivalin e atjeshëm Art pa kufi.  

Në Zvicër, e pritëm me padurim ardhjen e tij për promovimin e librit Arti i daltuar/ Arsm Berisha: gjurmë arti, kulture e jete“, SHB „Rozafa“, Prishtinë 2017, me rastin e ekspozitës përsonale të artistit e piktorit Arsim Berisha, në Schullhaus Mattenbach, 8400 Winterthur, ku u prit nga të gjithë mërgimtarët e organizatorët me brohoritje të mëdha, por edhe nga Ansanbli „Trojet“, që i ekzektuan disa pika vallëzimi dhe këngëve të pianos, nga e reja gjakovare, artistja Flutura Bytyqi

Ka vepra të botuara në mënyrë origjinale, por edhe si bashkautor. Deri më tani, ka botuar gjithsejt 17 vepra. 

(INTERVISTA DHE PËRGJEGJET) 

Pyetja 1: 

-Erdhe papritur në Rapperswil, para ditës së caktuar të ekspozitës dhe promovimit të librit tuaj të fundit, „Arti i daltuar/ Arsm Berisha: gjurmë arti, kulture e jete“, SHB „Rozafa“, Prishtinë 2017. 

Unë isha në Zürich, kur ju, nëpërmes të Zvicrës, prej Hinwillit, ku e keni djalin tuaj, Arianitin, dhe Winterthurit, ku e kishit promovimin e veprës suaj, e zgjodhët Kalanë e Rapperswil-it. I pashë të gjitha fotografitë tuaja, të bëra këtu. Njëren, nga Kalaja e Rapperswil-it, po e zgjedhi për këtë intervistë. 

Po të pyes: çka të shtyri pikërisht të vizitoni njëren ndër qendrat e para të Zvicrës, që të lëne mbresa, qytetin e Rapperswilit? 

Përgjegja: 

Nuk e di pse më shtyri të kërkoj ta vizitoj vendin e parë posa mbërrina në Zvicër, qytetin e Rapperswil-it? … Sikur kisha lexuar dikund se ka të bëjë ky vend diçka me popullin shqiptar, gjegjësisht me paraardhësit tonë. Emrin nuk e kuptoja mirë, por ky vend ishte vend i bukur, vend turistik. U kënaqa me atë pamje të bukur e veçmas kur hypa në kala. 

Pyetja 2: 

-Sigurisht nuk e dini së më pranë kalasë, poshtë, në fund të shkallëve të Manastirit dhe Kishës KAPUZINER, në fund të rrugës, ndodhen shtëpitë e familjes CURTI. Më kryesorja, është shtëpia pranë liqenit e pasardhësve të Familjes Curti, me „C“ në vend të „K“, por me I-në shqipe në fund të fjalës. Janë njëra prej familjes së përplasjes së Rapperswil-it me Zürich-un dhe një prej familjes së Komunës së Rapperswil-it.  

A e keni parë këtë shtëpi, derisa shetisnit pranë saj? A e keni kuptuar këtë çështje? 

Pergjegja: 

Po, e kam parë, por me ju thënë të vërtetën nuk e kam kuptuar mirë edhe pse më reflektonte me një mbiemer apo emër shqip Kurti. Por, më gjërësisht e lexova kur u ktheva në shkrimet e tuaja z. Brahim Avdyli dhe më lejoni të citoj një pjesë të asaj që e lexova: 

Në Rapperswil, të St. Galles, familja Kurti (Curti) shohim se ka dhënë në disa breza udhëheqës në komunën e Rapperswil-it dhe të Konfederatës së Zvicrës. Fshati Jahkurti është në Shqipërinë e veriut, ndërsa familjet Kurti ndodhen në Smolicë të Kosovës. Prej aty, kanë kaluar në Itali. Familja Curti e ka origjinën shqiptare. E vetmja trashëgimtare e familjes Curti është Elvira, në të cilën a-ja është mbaresë shqipe për emrat e gjinisë femërore. Ky është emër tipik i gjuhës shqipe. Familja Burrie shpërndarë në tërë Zvicrën është po ashtu mbiemër shqiptar. E tillë është edhe mbiemri Rasi apo Rrasi në Basel apo në Turgau, në Erlenbach apo në Wängi. Ka dhe emra të tjerë, që sot tingëllojnë shqip…„ 

Pyetja 3: 

-Po, kam bërë prova që të jap edhe unë pak këtë linjë, në veprën time „Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj“, botuar nga „Brezi `81“, Prishtinë 2011. Ajo ka dalë me disa gabime të vogla. Me kohën, do të dalë sërish, në një vepër të dytë, për mëgimtarët këtu apo për Zvicrën.  

Në këtë shtëpi është shënuar „Sheshi Curti“, dhe pllaka e 8 brezave CURTI. A do të thuash ndonjë gjë për këtë çështje dhe për këtë familje? 

Përgjegje: 

Përgjegjia më e plotë sigurisht se do të delte pasi që ta lexoj librin tuaj që ma dhuruat. Për mua mjafton që kam njohuri më të plota për këtë familje e do ti plotësoj njohurit e mia, duke lexuar e duke vizituar këtë vend e duke e studiuar edhe 8 brezat Kurti. Herën tjetër kur të vi në Zvicër do ta vizitoj këtë vend, po sigurisht jo thjesht si një vizitor, por si një studius i kësaj çështje, që ju e keni parashtruar. 

Pyetje 4: 

-Shumë mirë e thatë!… 

Në fund të KAPUZINER (lexo: Kapuçiner), ndodhet një shkrim i ardhjes së familjes Curti, në Zvicër, prej Milanos. Atje kanë ikur pas vdekjes së Gjegj Gjon Kastrioti-Skenderbeut, ndonëse këta ende nuk e dinë, edhe pse i kanë dhënë merita të mëdha mbretit tonë… A e ke parë këtë tabelë të ngritur? 

Përgjegja: 

Edhe pse gjatë vizitës në qytetin Rapperswil-it, të St. Gallës, tërë kohën e përdora fotoaparatin dhe nuk paskem arritur që ta shoh dhe ta fotografoi këtë tabelë. Sigurisht njeriu kur vjen thjesht në vizitë, pa një plan të përcaktuar, i ikin edhe shumë gjëra me rëndësi, pa i vrejtur. 

Më la përshtypje shqiponja që ishte përball portit, në një objekt të vjetër dhe e vërejta se ishte identike me shiqonjën në flamurin tonë kombëtar, me një dallim: në mes kishte një shirit i verdhë. 

Pyetja 5: 

-Përveç se ka të tjera dhe të gjithëllojshme, por edhe me kulturë, është njëra ndër to «Schweizer National-Circus KNIE», të cilën, sa herë e kam vizituar. Po ta jap edhe ty një reklamë, i cili i shfaqë mbrekullitë e cikusit, këtu, me 23.03.-deri më 26.03.2017. Në Rapperswil është edhe «Knie-Kinderzoo», i cili është i vizituar nga anët e ndryshme të Zvicrës dhe nga bota. Këto të dy gjëra, që lidhen me Zvicër e me Kosovë, nuk ke mundur që ti përmendësh, sepse nuk e ke ditur, por shëtitoren e liqenit të Zürich-ut, ku defilojnë turistë të shumtë. Arësyeja e qëllimshme e imja, po të drejtohem me një pyetje, që i lidhë këto dy shtete të Evropës, nga biologjia dhe njerëzit. Nëse e keni të qartë, në qendër të tokës së Knie, qëndronte një ftua i madh, me ftonjë të përkryer, i cili, vjet u rrëzua, sepse ishte i vjetër, por ka ftonj të ri, përskaj tij. A i keni ruajtur ata ftonj në shtëpi tuajën, dhe në faqen tënde të FB, sepse edhe unë, moti të kam shkruar ?!… 

Përgjegja: 

Unë e konsumoi ftonin, sikuse mjaft të tjerë nëpër Kosovë dhe e dua shumë. Thjesht është njëra ndër pemtë që e adhuroi më së shumti. 

Jamë i lindur në Krahinën e Llapushës në Kosovë (Llapusha kufizohet me Drenicën, Dukagjinin e Podrimen), ku janë shumë ftoi. Edhe sot është tradite ftoni. E kam trashigun afër shtëpisë dhe i mbjell ftoijtë.  

Sipas bystytnive ftoi është një pemë e bereqetshme që sjell shumë të mira dhe nga shtëpia i largon shumë të liga. Plakat ftoin e mbanin nëpër arka me rroba, e ata lëshonin një erë të këndshme. 

Kam bindjen se populli shqiptar ftoin e konsumon më shumë se popujt e tjerë, në rajon e më gjërë. 

Pasi unë jetoi në banesë, ftoin e ruaj edhe në foto, sepse nuk i rezistojnë kohës, si dikur. Është karakteristike se të gjitha këto po lidhen edhe me ftonjë të përkryer, në qendër të tokës së Knie. 

Me rëndësi ka kjo thënie: plaket pema e vjetër, mbillet fidani i ri!… 

Pyetje 6: 

Faleminderit, Ismet Krasniqi-Lala! Dua të kalojmë te arti e kultura dhe shkrimet tuaja. Vepra „Arti i daltuar“, sikurse e the atë ditë, se do të thotë më shumë, sapo ta lexoni, gjatë faqeve të veta, prandaj unë nuk e shoh të arësyshme të flas më tutje për veprën time, por do të flasim për gjëra të tjera… Ne kemi marrë të gjithë pjesë dhe të gjitha fjalët e tubimit i kemi dëgjuar. I kemi parë të gjitha pikturat. E kemi përpirë një nga një të tëren. Aktori dhe piktori Arsim Berisha është me ne e për ne, me të gjithë dramën e Kosovës… 

Çfarë ka mbetur pa u përfshirë në këtë libër, „Arti i daltuar“? 

Përgjegja: 

Në librin “ARTI I DALTUAR-Arsim Berisha: Gjurmë arti, kulture e jete”, i promovuar në Winterthur të Zvicrës, me 18.04.2017, në bashkautorsi, unë, Ismet Krasniqi e Idriz Berisha, arrtëm ti tubojme shkrimet, shënimet, edhe me autorsi të personave të caktuar, shokë miq të krypersonazhit të këtij libri, Arsim Berisha, valltar, aktor e piktor, por edhe një veprimtar i çështjes kombëtare. Ishte kënaqësi për ne, autorët e këtij libri, që u muarëm me veprimtarin e gjërë të këtij punëtori të palodhur, Arsim Berishës, i cili jeton e vepron në Zvicër, në kantonin e Zürich-ut. Për ne dhe ata që muarën pjesë në këtë promovim, vlenë të theksohet se ai është si një ambasador i vërtetë i artit e kulturës shqiptare në mërgatë, sepse ai dhe mërgata lidhjet e tyre i kanë të rregullta me vendlindjen. 

Sigurisht në libër ka mbetur pa u përfshirë ajo që nuk e kemi ditur ta shënojmë; nuk e kemi pasur para vetes si matrial apo si shkrim. 

Krijuesit ecin përpara dhe shikojnë vitet dhe krijimet. Ajo që nuk është thënë sot, thuhet nesër. Edhe të tjerët bëhen dëshmitarë të kësaj krijimtarie. 

Pyetje 7: 

Mjaft tituj, mirënjohje, diploma, çmime, që i keni marrë nga të gjitha qendrat e mëdha shqiptare, të Kosovës; Shqipërisë; të Maqedonisë; të Mal të Zi; të Kroacisë; të Sllovenisë; të Gjermanisë, etj.  

Gjatë këtij udhëtimi sibolik, çka të ka lënë mbrasa më të çmuara dhe çka të ka mbetur peng?  

Përgjegja: 

Udhëtime relativisht kam pasur nëpër të gjitha këto vende të cilat i përmende. Në Kosovë, kam qenë pothuajse në çdo mes, përpos qendrave komunale; edhe nëpër fshatra, organizata punuese, fabrika, spitale, qendra administrative. Këtë punë ma ka mundësuar puna ime në cilësinë e foto-reporterit, në gazetën studentore “Bota e re”, në vitet 1974/77, deri sa isha student, por i kam vizituar edhe të gjitha shtëpitë e kulturës dhe jo vetëm vizituar, por pothuajse në të gjitha ato vende kam dhënë shfaqje. 

Punën më të madhe të jetës sime e kam zhvilluar në kulturë. Fillova aktivitetin në teatrin amator, në shtëpin e kulturës “Jehona e Dukagjinit”, si nxënës i gjimnazit “Luigj Gurakuqi”, në Klinë, në vitin 1969, dhe në të njëjtin vend pune, në cilësin e përgjegjësit të teatrit “Osman R. Gashi”, që vepron në kuader të Qendrës se Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, në Klinë. U pensionova me 16 mars 2016. 

Gjate punës sime dhe gjatë vizitave e shfaqjeve të programeve artistike, qoftë në Kosovë, Shqipëri e viset tjera shqiptare, por edhe nëpër mërgatë apo diasporë, peng më ka mbetur pamundësia matriale për të marrë pjesë nëpër ato vende ku kemi qenë të ftuar. 

Pas lufte, në Kosovë, kulturës shumë pak i kushtohet kujdes. Artistët konsiderohen shërbyes civil me paga minimale. Të përgatitesh me muaj të tërë, e në fund, në mungesë të përkrahjes nga organi kompetent, mbetes pa e realizuar programin e caktuar. Kjo mbetet peng për jetë! Po të mos vendos njeriu të bazohet edhe në forcat e veta, shumë gjëra i mbesin peng në jetë. 

Pse kam punuar pas luftës sonë, e shpesh herë edhe me katër vite, pa kompenzim nga lojërat politike në Komunën tonë, i kam lënë anash të gjitha punët tjera, e kam punuar sa kam mundur e sa kam ditur të punoj. 

Arësya është e theshtë. Kur na ka larguar nga vendi i punës me dhunë regjimi serb, ia kam pas dhënë fjalën vetes, se nëse e mbërrij në jetën time edhe njëherë të kthehem në vendin e punës, në shtëpi të kulturës, kam për të punuar shumë më tepër e rigorozisht, se që kam punuar më parë. 

Nuk duhet të punohet për të holla e mirënjohje. Mirëpo, pas punës të cilën e bënë, shpërblimi me mirënjohje, me faleminderim apo çmim, etj. është vërtetë kënaqësi. 

Në karrierën time të punes, këto nuk më kanë munguar. 

Pyetje 8: 

-Nga profili i juaj i të kaluarës familjare, padyshim është rrespekti i posaçëm për veprimtarinë folklorike të këngëve folklorike. Keni shfaqur edhe dokumentarë në televisione, keni marrë pjesë edhe më festivallin folklorik, në pozicione të ndryshme, “I këndojmë lirisë”, në Klinë, në të cilin kam marrë heret pjesë. Por, ajo që më preokupon, e që është edhe figura e të parëve tuaj, që i rrespektoj, është dueti Salih e Feriz Krasniqi. 

A mendoni se ka edhe detaje në këtë drejtim, por edhe të proflit të duetëve Salih dhe Feriz Krasniqi për të sqaruar dhe për të spikatur profilin e tyre të gjërë e të rëndësishëm folklorik? 

Përgjegje: 

Prej se jam i lindur e deri me sot më ka përcjell kënga folklorike epike e më pak lirike. Kur jam i lindur me 16 mars 1951, në Drenoc të Malishevës, axhallaret e mi, Feriz e Ali Krasniqi, kishin bërë aheng. Ferizi ma kishte dhënë emrin Ismet. Kënga ka jehuar në lagje dhe ofiqari i gjendjes civile në atë kohe, Murtez Krasniqi, pyt çka ka të re? I thojnë, Sylës i ka lindur djalë. Dhe ai u përgjigjet, ejani nesër për ta regjistruar. Dhe, mbaroi puna. Kjo më ka mundsuar që ditëlindja ime të jetë plotsisht e saktë. Asnjëherë nuk kam pas ndonjë problem me certifikat të lindjes. 

U rrita në mes të këngëtarëve më në za, siç ishin vëllezërit Feriz e Ali Krasniqi dhe kushëriri Salih Krasniqi. Si i ri shërbeja në odë me çaja, kafe, uji dhe oda mbushej me mysafir. Rapsodët këndonin. Sikur ma mbollen në zemër këngën folklorike. Pregatita librin “SHEKUJ ZGJOJNË NGA GJUMI-dueti Salih e Feriz Krasniqi”, dhe botues ka qenë “Epoka e re”, 2012. Libri u prit mirë nga publiku. Vitin e kaluar konkurova në MKRS (Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve), Departamenti i Kulturës, për pregatitjen e dokumentarit kushtuar duetit legjendar Salih e Feriz Krasniqi. Projekti u përkrah. Pas një pune shtatë mujore, dokumentari u promovua në Malishevë dhe u prit mirë e vlersua nga kompetentët, si: prof. Dr. Mehmet Rukiqi, prof. Dr. Adem Zejnullahu, prof. Dr. Zymer Neziri, Daut Demaku, Fadil Hysaj, Nexhmije Pagarusha, Hashim Shala etj. 

Premiera e dokumentarit u shfaq në RTK 1 dhe tani shpesh reprizohet në RTK 4. Këtu, në Zvicër, për bashkadhetarët tonë, dokumentarin ia dhurova RTV “Syri Blue”, drejtorit z. Saiti dhe i është dhuruar publikisht, në intervistën e atjeshme, pa kurrfarë komenzimi. Merita për kualitetin e dokumentarit kanë edhe regjisori & montazheri Alban Gashi; skenaristja Vlora Zhutaj Gashi; kameramani Martin Kabashi dhe konsulltantet: prof. Dr. Adem Zejnullahu dhe prof. Dr. Mehmet Rukiqi

Për Salih e Feriz Krasniqin, sa do te flitet e shkruhet, mund të thuhet ajo që ka potencuar Prof. Dr. Xhavit Aliçkaj (tani i ndjerë): 

GJITHMONË MBETET DIÇKA PA U THËNË“. 

Tani jam në pregatitje të ribotimit të librit “SHEKUJ ZGJOJNE NGA GJUMI-dueti Salih e Feriz Krasniqi”, me plotësime. Besoi se do të pritet mirë nga dashamirt e folklorit dhe nga lexuesit. 

Pyetje 9: 

A mund të flitet, me këtë rast, më mirë, cilat janë ato plotësime dhe si e plotësojnë veprën për duetët Salih e Feriz Krasniqi? 

Përgjigje: 

Po, sigurisht është fakti se në vitin 1966, Ansambli Rugova nën udhëheqjen e Ramë Kapllan Nikçit dhe Rapsodët Salih e Feriz Krasniqi, me besnikëri e përkushtim të pa shoq, në mënyrën më origjinale të paraqitjes, u prezantuan para publikut në Angli, ku edhe e zunë vendin e parë, pra ishin ambasador të vlerave të folklorit shqiptar duke mundësuar që bota ta njehë Kosovën dhe shqiptarët. Kjo gjë nuk bënë kurrsesi të harrohet, madje asnjëherë. Jane edhe disa gjëra të vogla që do të bëhen më mirë.

Pyetje 10:

Meqë jemi te folklori, dhe festivali folklorik “I këndojmë lirisë”, një festival gjithëkombëtar dhe mjaft i mirë, ku keni qenë disa herë në pozicione të ndryshme, çka mund të thuani, a mos ka edhe gjëra që mendoni ju se nuk janë përfshirë sa duhet, dhe si duhet, në këtë eveniment? 

Përgjegja: 

Festivali Folklorik “I këndojmë lirisë i cili mbahet nga qershori i vitit 2001, në Klinë, organizohet në ditëlindjen e Komandant Mujë Krasniqi dhe u këndohet të gjithë dëshmorëve të kombit. Është i veçantë edhe për nga karakteri i festivalit për arsye se në skenën e festivalit paraqiten vlera kulturore e artistike të nivelit të lartë. Pastaj u këndohet luftëtarëve dhe dëshmorëve të kombit shqiptar që kanë luftuar për liri e pavarësi të trojeve shqiptare, në të gjitha periudhat historike, me theks të veçant për luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). 

Në festival marrin pjesë rapsodë, valltarë e instrumentistë nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora ose më mirë të themi, edhe mërgimtarët janë pjesë e festivalit. Në festival mbi 80 përqind dominon kënga dhe vallja epike, ndërsa 20 përqind ajo lirike. 

Për shkak të pjesëmarrjes masive të pjesëmarrësve në festival dhe publikut shumë të interesuar, festivali mbahet në ambient të hapur. Hapja e festivalit bëhet në fshatin Qabiq, te kulla e Komandant Mujë Krasniqi, dhe vazhdon me një defilé (parakalim) artistik nëpër sheshet e Klinës. Në mbrëmje, për tri netë me radhë vazhdon festivali. 

Festivali ka karakter garues, çmimi më i madh i festivalit është çmimi “Muje Krasniqi”. Festivalin e përcjellin edhe shume aktivitete të tjera letrare, sportive, tribuna shkencore, ekspozita etj.  

Sigurisht se gjithmonë ka vend për të organizuar edhe më mirë dhe besoi se Këshilli Organizativ gjithnjë e ka parasysh për të futur elemente të reja e përcjellëse të këtij festivali.  

Për fund të pytjes suaj po them se festivali është i profilizuar dhe i vlerësuar edhe nga ekspert të folklorit, si nga prof. Dr. Zymer Neziri, prof. Dr. Sabahajdin Cena, prof. Dr. Ramazan Bogdani, prof. Dr. Rexhep Munishi, prof. Dr. Adem Zenullahu, etnomuzikologu Bajram Lapi, Ermir Dizdari etj. 

Pyetje 11: 

-JU keni qenë i angazhuar edhe në teatër, si aktor, dhe në shfaqje të ndryshme. Keni marrë edhe shpërblime, si ajo e festivalit rajonal të teatrove të Pejës, të Skenderajit; apo të teatrit në Vushtri, apo edhe në festivalin ndërkombëtar “Arti pa kufi”, në Sarandë, ku je shpallur si aktori më i mirë, etj… 

Çka mund të na thuani në këtë drejtim? 

Përgjegja: 

Në pamundësi për të studiuar artin dramatik më parë, i vazhdova studimet në Fakultetin Filozofik, në Prishtinë, në vitet `70-ta, degën Filozofi-Sociologji. Pas studimeve punova si profesor në gjimnazin “Luigj Gurakuqi”, në Klinë. Përkundër kësaj, me teatrin isha shumë i lidhur. Merrsha pjesë në organizimet e ndryshme kulturore, e veçmas me dramën e skenën e teatrit. Në vitet `80-ta u emrova drejtor i shtëpise së kulturës “Jehona e Dukagjinit”, në Klinë. Kjo më mundësoi të jem edhe më afër skenës së teatrit. Më vonë, vazhdova edhe Akademinë e Arteve, në Prishtinë, klasa e profesor Enver Petrovcit. Unë, më herët e kisha zhvilluar aktivitetin tim, në teatër, si amator por pas kryerjes së Akademisë së Arteve, në cilësin e profesionalistit, mu ofruan edhe oferta të ndryshme nga regjisorë të njohur, për të luajtur role në teater, film e humor, si nga Enver Petrovci, Kastriot Saqipi, Adem Mikollovci, Halil Budakova, Jeton Ahmetaj, Arsim Haliti, Sunaj Raca, Enis Limani, Burim Haliti, Ekrem Xani, Sylejman Lokaj, Alban Gashi; pastaj në projekte humori, Nexhmi Mehmeti, Cima, Lalushi etj. 

Jam i kënaqur me vlersimet që mu kanë bërë nga njerëzit kompetent të artit, në paraqitjet e mija në skenën e teatrit, ndër to po i përmendi, veçmas festivalin e teatrove në Pejë, Vushtrri, Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan, Kamenicë, Drenas, Klinë, Skenderaj, Strugë, Gjakovë, Tropojë, Gjirokaster, e veçmas çmimin më të mirë: aktori më i mirë, në festivalin ndërkombëtarë “Art pa kufi”, i mbajtur në Sarandë, në  maj të vitit 2015. Kjo është siç e theksuat ju, një mirënjohje e UNESKOS së Shqipërisë. 

Skena e teatrit për mua është e shenjtë. Hyn në skenë si një aktor i zakonshëm, por nëse i pëlqen publikut, del si i shenjtë. 

Aktori shpërblimin me të madh e ka duartrokitjen e publikut. E përjetova këte para disa ditëve, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, në Gjakovë, me rastin e përcjelljes në “banesën” e fundit aktorin e madh të skenës së teatrit e filmit, të ndjerin Hadi Shehu

Ai u nderua jo me heshtje, po me duartrokitje! 

Do të shtroja pytjen: cili aktor nuk do të dëshironte këte?!… 

Pyetje 12: 

-Ashtu është: e cili aktor dhe cili punëtor i fushës së kulturës nuk do ta dëshironte këte? 

Përgjigje:  

-Natyrisht. Të gjithë e dëshirojnë këtë. Lum ai që i mbërrin!… 

(fund i pjesës së parë)

Shperndaje ne
Updated: 13 Prill, 2017 — 11:49

The Author

Brahim Avdyli

DISA SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN DHE VEPRAT Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)... Katër klasat e para të shkollës fillore "Ganimete Terbeshi" i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010. Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike... Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra: -"Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983; -"Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990; -"Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992; -"Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994; -"Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997; -"Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999; -"Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000; -"Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003; -"Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005; -"Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007; -"Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008; -"Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009; -"Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011; -"Qielli i paprekur", poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012; -"Vetëvrasja e një poeti", dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve "JAKOVA", Gjakovë, 2013; -"Shtegtimi i lirisë", poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014; -"Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele", zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015; “Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017. “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019. Tani, pritet të botohet vepra “Die Verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019... Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë... Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë... Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht. Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); dhe i disa organizatave të tjera. Këto poezi lirike janë nga libri më i ri i poezisë së tij lirike...

1 Comment

Add a Comment
  1. Atdheu i Shqiptarve , koha e matrapazve

    Dallavere nëpër zyra ,dallavere në pazar,
    dallavere me të huaj,dallavere me Shqiptarë

    Koha dridhet e përdridhet, do vie dita që do zgjidhet
    Dhe nga mbrenda pemë e kalbur,
    Deomos që jasht do hidhet .

    Nga Ali Asllani

    KOHë E KRISUR

    Në folen e shqiponjave
    çthurur e skuqur
    Vlera nuk çmohet
    Krimi nuk denohet
    Kohë e krisur

    THIRRJA E IME

    Thrras e kujt t’ithrras
    Qaj e kujt t’i qaj
    Të jesh i ndershëm
    Të thanë qyqar
    Matrapaz e dinak
    Zotri të bëjnë
    O njerz të pamëshirshëm
    Përvetësues injorantë e arrogantë
    Ndërgjegje e vrarë .

    PAS LUFTES
    E kuptueshme
    Trimria sakrifica heroizmi
    E kuptueshme
    Mbijetesa frika
    Ekuptueshme çdo gjë
    Por-
    Njëllosje shpifje përvetësimi
    Tradhtia
    Jo

    Nga Halil Preniqi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.