RRETH BURIMEVE PËR HISTORIKUN E BETEJËS SË LUMËS (Nëntor-dhjetor 1912)

Beteja legjendare e malësorëve lumjanë e të rrethinës (nëntor-dhjetor 1912) me forcat pushtuese serbe është sa e trajtuar aq e paplotësuar, megjithëse lavdia e Lumës. Për këtë betejë kemi disa burime, nga ato gojore-folklorike deri te ato arkivore, si dhe shumë shkrime historiografike. Në aspektin sasior vendin e parë e zënë kujtimet e bashkëkohësve dhe të pjesëmarrësve në luftime dhe krijimet folklorike – refleksione të çastit historik ose frymëzime të mëvonshme 1, të cilat, veç së vërtetës së pamohueshme, bartin, pa dyshim, edhe një dozë subjektivizmi.Megjithatë, këto burime janë me rëndësi, sepse shpalojnë të dhëna e dëshmi, emra prijësish e luftëtarësh, vende ku janë zhvilluar luftimet e përshkrime të tyre etj. që burimeve arkivore u mungojnë. Thënë ndryshe, të dhënat gojore e krijimet folklorike të kohës ngrohin ose ulcêjnë dëshmitë, shpesh të thata, të arkivave. Madje, bash këto burime na kanë bërë të njohura deri në detaje zhvillimin e asaj beteje, qëndrimet e palëve ndërluftuese, trimërinë e luftëtarëve vendës etj. dhe kanë mbajtur gjallë krenarinë krahinore dhe shpirtin atdhetar ndër vite, si dhe nuk kanë lënë të zbehet urrejtja ndaj armiqve shekullorë të kombit, të cilët kanë bërë krime të panjehura në viset e Lumës, Opojës, Gorës, Hasit, Malziut, Vërrinit, po edhe shumë më gjerë. Prej burimeve gojore kemi mundur të hartojmë listën, megjithëse ende të paplotë, të dëshmorëve dhe të masakruarve nga armiqtë sllavë në vitet 1912-1913.
Kryengritës Lumjanë të 1911- tës

Kryengritës Lumjanë të 1911- tës

Ndryshe, të dhënat arkivore janë burime të dorës së parë, por për betejën e lumjanëve me pushtuesit serbë të vitit 1912 janë të pakta, sepse të pahetuara ende arkivat e huaja, sidomos ato serbe e osmane (gjegjësisht turke). Pak prej tyre i ka mbledhur si plaga qelbin dhe i ka botuar historiani i mirënjohur, nënshkruesi i akteve të pavarësisë, Lef Nosi, në përmbledhësin e tij “Dokumente historike për t’i shërbyer historisë sonë kombëtare” (1924), i cili i plotësuar është rishtypur më vonë 2. Në këtë përmbledhës janë botuar gjashtë telegrame shkëmbyer midis qeveritarëve e komandantëve ushtarakë të kohës. Një tjetër telegram është shpaluar në “Përmbledhje dokumentesh” (1888-1912) për Ismail Qemalin 3.
Këto dokumente arkivore vendëse shpalojnë përmasat e betejës me serbët, bashkëpunimin e Lumës me Dibrën, gjegjësisht Reçin e Dardhën, dëmet që pësoi armiku në njerëz e material ushtarak, masakrat e ushtrisë serbe ndaj banorëve vendës dhe tërheqjen e armikut prej krahinës së Lumës 4.
Kohët e fundit janë gjetur edhe dy dokumente të panjohura për luftën e Lumës në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë “S.Onuzi”. Janë dy telegrame të konsullit austro-hungarez në Shkup, Neimroth, për eprorët e tij, në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë 5. Dokumentet janë përpiluar nga konsulli austro-hungarez i Prizrenit, Oscar Prochasca, dhe i janë transmetuar Vjenës nëpërmjet Shkupit. Këto janë nisur nga Shkupi më 26 nëntor 1912 dhe me 27 nëntor 1912. Dokumentet sjellin të dhëna për pushtimin e viseve shqiptare nga ushtria serbe dhe sjelljen ndaj popullsisë vendase. Interes paraqesin për ne këto të dhëna: 4000 lumjanë kanë marrë pjesë në luftimet shqiptaro-serbe në Carralevë; gjenerali turk, Baftjar Pasha që u tërhoq nga fronti i Malit të Zi, në vend që t’u shkonte në ndihmë shqiptarëve që luftonin në Grykën e Carralevës, me 3 batalione e 4 topa u tërhoq për Dibër nëpërmjet Lumës; më 5 nëntor u vendos në Prizren gjenerali Jankoviç, komandant i armatës së tretë serbe, me regjimentet e këmbësorisë 10, 11, 12, 19, 20, me regjimentin e 4-të të artilerisë fushore me 60 topa malorë, një regjiment kalorësish, një numër i madh vullnetarësh dhe 1000 komitë, shumica serbë të Turqisë; meqë Xhavit Pasha me forcat e tij nuk rezistoi në Gjakovë, Riza bej Kryeziu e Bajram Curri u tërhoqën në Has, ndërsa Isa Boletini kaloi në Lumë për të vazhduar më tej udhën për Vlorë; në fazën e dytë të luftimeve kanë shkelë Lumën 12 batalione dhe pak kalorës që hyjnë në Bicaj pa hasur në ndonjë rezistencë, (sepse lumjanët të lodhur e pa municione u tërhoqën nëpër male dhe dibranët u kthyen dalë, sepse hasmi serb i sulmoi pas shpine); Komitët serbë të armatosur bënë rrëmujë fshatrat shqiptare dhe vranë e masakruan banorët; Konsulli rus i Prizrenit, Emelianov, – thotë dokumenti – nuk po sillet si konsull i vendit të vet, por si agjent serb.
Në dokumentin e datës 27 nëntor 1912 jepet kjo pamje e luftimeve në Lumë.
“Pasi ushtarët serbë që ishin nisur prej Gjakove e patën shkelur anë për anë Mirditën dhe ushtarët e divizionit “Shumadia” kishin vajtur nga Prizreni në Bicaj, me 15 nëntor lumjanët nën komandën e Isa Boletinit (sic) që ka me vete edhe 4 topa ngritën krye papritur e pakujtuar. Deri në momentin e nisjes sime [ata]- shkruan Prochasca – po vazhdojnë ende një luftë të ashpër e të përgjakshme, që u ka kushtuar serbëve humbje të mëdha dhe i ka detyruar të thërrasin për ndihmë të gjitha forcat e tyre. Lufta u bë tek Kulla e Shën Gjonit, Kulla e Lumës dhe në Zhur e Curr afër Prizrenit”.
Interes të veçantë ka pohimi i gjeneralit Jankoviç, i cili paskërka marrë urdhër nga eprorët e tij që “të shfaroste fisin e Lumës me gra e fëmijë”. Kjo politikë shfarosëse u vu në jetë në vitin 1913 dhe këtë e konfirmon një dokument tjetër, i datës 25 tetor 1913, firmosur nga konsulli austro-hungarez i Prizrenit, Kohlruss. Në të shkruhet: “Trupat serbe që do të prapsin shqiptarët e avancuar deri në afërsi të Prizrenit, kishin marrë urdhër – ashtu siç i njoftuan oficerët serbë konfidentin tim – të djegin të gjithë fshatrat në Lumë e Opojë dhe të shfarosin popullsinë e këtyre viseve me qëllim që lumjanët luftarakë të zhduken përfundimisht nga bota, sepse mund të jenë për serbët një rrezik qoftë dhe si nënshtetas të tyre 6”.
Punimet historiografike shqiptare ose të huaja cekin edhe luftën e lumjanëve kundër invazionit serb në vjeshtë të vitit 1912, mbështetur në dokumente historike ose në burime gojore. Ndër autorët shqiptarë përfshihen edhe Thoma Murzaku7, Zekirja Cana8, Xheladin Shala9, Tahir Kolgjini10, Shaban Braha11, Vangjel Kasapi12, Esat Bilali13, Qemal Mataj etj., në shkrimet e të cilëve veç bazës dokumentare, shpesh gjen edhe gjykime folklorike dhe haprime të paargumentuara që zhvlerësojnë punimet.
Ndër të huajt mund të zihen në gojë studiuesit serbë, Kosta Novakoviq14 e Borisllav Ratkoviq15 dhe historiani italian, Giani B. Macario 16, të cilët kanë sjellë të dhëna e vlerësime të vlefshme për betejën e Lumës. Novakoviqi ka shpaluar përjetimet e tij rrëqethëse si pjesëmarrës në luftime, ndërsa Ratkoviqi në bazë dokumentesh nga arkivat e Beogradit, për ne të panjohura, është përpjekur të justifikojë disfatën e ushtrisë serbe, por nuk ka mohuar heroizmin e malësorëve të Lumës dhe të rrethinave të saj. Të dhëna të karakterit ushtarak, sidomos për numrin e forcave serbe dhe armatimin e saj, i kemi prej historianit italian, Giani Macario.
Për të përkujtuar betejën legjendare të Lumës të nëntorit 1912 në 90, 95 e 100-vjetorin e saj janë organizuar tri simpoziume nga Shoqata Atdhetare-Kulturore “Luma”, një në Tiranë e dy në Kukës, në të cilat janë skicuar luftimet dhe janë shpaluar figura udhëheqësish e dëshmorësh si dhe rëndësia e saj në rrafsh lokal e kombëtar. “Momenti historik e ngarkoi popullsinë e këtyre trevave me një mision shumë të rëndësishëm për fatet e Shqipërisë, të cilin këto e kryen me nder jo vetëm në vitet e fundit të vitit 1912, por edhe gjatë viteve pasardhëse e deri në fund të luftës së Parë Botërore 17.
Ndërkaq, ende tekstet akademike e universitare të Tiranës (1965, 1984, 2002) jo vetëm nuk kanë mbrrijtë në këtë vlerësim, por e kanë mbuluar në heshtje18. Po edhe keshe studiues e historishkrues vendës vazhdojnë ende ta gjykojnë këtë ngjarje të madhe me syrin lokalist e jashtë kritereve të historiografisë shkencore, pra, jo mbi bazën e dokumenteve të arsyetuara arkivore.
Megjithatë, me shumë përpjekje kemi mundur ta përfshijmë këtë betejë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar19.
Në fund duhet ta dimë se “ndërsa patriotët e shquar me Ismail Qemalin në krye nënshkruanin në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë, po ato ditë ajo firmosej me gjak në malet heroike të Lumës: qenë mbi 200 trima të kësaj krahine që ranë heroikisht në fushë të betejës (dhe qindra të tjerë u masakruan), duke luftuar kundër hordhive serbe që synonin t’i zinin frymën shtetit të ri që po krijohej dhe për të zhbërë kombin shqiptar.
[1] Kënga e parë për betejën legjendare të malësorëve të Lumës të vitit 1912 është botuar në revistën “Normalisti”, nr. 4-5, nëntor-dhjetor 1935, të cilën e pat shënuar Q. Hoxha. Në vitin 1939 në vëllimin IV të “Visareve të kombit” është shpaluar një variant më i zgjeruar i asaj të vitit 1935, por nuk dihet mbledhësi. Këtë këngën e dytë të herrur e ka ribotuar në vitin 1990 Instituti i Kulturës Popullore në vëllimin “Epikë historike”, 3, 1990, fq. 79-80. Një këngë popullore për këtë betejë që këndohej në Dibër e ka botuar H. Stërmilli në vëllimin “Dibra në prag të historisë”, 1940.
Variante të këngëve të mësipërme janë botuar disa në përmbledhje folklorike në Shqipëri e në Kosovë.
Krijime folklorike kushtuar kësaj beteje dhe heronjve të saj janë edhe këto: Ven për ven pushka kërset, N’ Qaf’ të Duhles iu vu zarmi, Kjo Evropa ka najë gjamën, Brahim Zeqiri – Brahim Gjergji, N’ Bice t’ Lumës be buria, I ka lanë vetit ni namë, Ra serplia në Bushat, Shaqir Hasa – lule blini etj.
Një këngë kushtuar kësaj beteje mbahet si himn i Lumës.
[1] Instituti i Historisë, Lef Nosi, Përmbledhje dokumentesh (1912-1918), Tiranë, 2002.
[1] Ismail Qemali, Përmbledhje dokumentesh (1888-1912), Shtëpia Botuese “Mësonjtorja e Parë”, Tiranë, 2002, fq. 277-278.
[1] Këto dokumente janë: Komandanti i kufirit me Malin e Zi, Ferik Mahmut Hajret Jella i kërkon të dhëna nënprefekturës së Dibrës së Poshtme (4-5 vjeshtë e tretë); Komandanti i garnizonit të Dibrës, Emin, njofton Komandën e vilajetit të Shkodrës (6-7 vjeshtë e tretë); Komandanti i garnizonit të Dibrës, Emin, njofton komandën ushtarake në Shkodër (6-7 vjeshtë e tretë); Komandanti i divizionit (miri-liva) në Ohër njofton Ferik Mahmut Pashën në Elbasan (7 vjeshtë e tretë); Komandanti i kufirit me Malin e Zi, Mahmut Hajret Pasha, nga Elbasani njofton Komandën e Ushtrisë së Perëndimit në Korçë (7-8 vjeshtë e tretë); Kryetari i Qeverisë së Përkohshme në Elbasan, Aqif pashë Biçakçiu, njofton Kryesinë e Qeverisë së Përkohshme në Vlorë (19 vjeshtë e tretë); Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Elbasanit, Aqif (pashë Biçakçiu) i shkruan Kryesisë së Qeverisë në Vlorë (19 vjeshtë e tretë).
[1] Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Shqipëria në dokumentet austro-hungareze (1912), vëllimi VI, 1912, fq. 339-343.
[1] Sh. Hoxha, Barbaritë serbe në Lumë dhe në rrethinë (1912-1913), Tiranë, 2013, fq. 34-35 (dok. 25).
[1] Politika e Serbisë kundër Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike, Tiranë, 1987.
[1] Lufta e Shqiptarëve për autonomi (1897-1912), Prishtinë, 1978; Lëvizja Kombëtare në Kosovë (1908-1912), Prishtinë, 1979.
[1] Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1912-1918, Prishtinë, 1990.
[1] Luma dhe luftat e saj, Tiranë, 1993.
[1] Beteja e Drinit (nëntor 1912), Prizren, 1990.
[1] Mrekulli e natyrës – kështjellë e lumturisë, Tiranë, 1998.
[1] Qëndresa e shqiptarëve kundër pushtimit serb, “Shkrime historike”, 1, 2001.
[1] Nëpër Shqipëri, në “Dy Drina”, 1, 1998.
[1] Prvi Ballkanski rat 1912-1913, Beograd, 1975.
[1] Th. Murzaka, po aty.
17 Në tekstet e historisë së Universitetit të Tiranës (1965) dhe të Akademisë së Shkencave (1984, 2002) shkruhet: “Brenda disa ditëve armatat serbe pushtuan Prishtinën, Prizrenin dhe, bashkë me forcat malazeze, Gjakovën. Prej këtej ato kaluan luginën e Drinit dhe iu drejtuan Shkodrës, Lumës, Mirditës e Matit”… (fq. 354).
Në botimin e vitit 1984 (fq. 493) thuhet: “Brenda disa ditëve armatat serbe pushtuan Prishtinën, Prizrenin, dhe bashkë me forcat malazeze Gjakovën. Prej këndej kaluan nëpër luginën e Drinit e pushtuan Lumën, Mirditën e Matin”.
Në botimin e vitit 2002 (Hist. e pop. shqiptar, II, fq. 507) është shkruar: “Pasi shtypën qëndresën e 2000 lumjanëve, serbët, në tetor 1912, masakruan popullsinë e Lumës, 700 veta, duke përfshirë pleqtë, gratë, fëmijët e madje edhe ata të sapolindur që u therën ose u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, dogjën dhe rrafshuan me tokë thuajse të gjithë fshatrat e Lumës”.
18 Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 1, Tiranë, 2008, fq. 228-229.
Shperndaje ne
Updated: 19 Nëntor, 2014 — 21:29

The Author

Admin

2 Comments

Add a Comment
  1. shume e vertete, i lumte profesorit

  2. Keshtu me te tilla shkrime Shqiperia ngjallet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.