Letërsi Kombëtare: POEMA PËR TY


POEMA PËR TY

(Ukshin Hotit, me rastin e përvjetorit të zhdukjes)

I.
Sikur të të përcillnim
Për rrugën
Në të errëtën natë
Do të mendonim
Se ndoshta të ka ikur
Ai treni i gjatë
Se të pengoi shiu
Do të mendonim
Dhe dëbora e ftohtë
Furtuna rebele
E Stuhia kryeneçe
A suferina me akull
Murlani i përflakur
Por, ty o trim e burrë
Gjak i kombit tim
Asgjë s’të ndali kurrë
Ty, o Shqipe mali
Gjithnjë n’fluturim
Ndoshta do të kthehesh
Nesër, pasnesër, një ditë
Me lindjen e diellit
Me bardhësinë e qiellit
Mu në agim, në mesditë
A në mesnatë, ti o trim
Bashkë me vesën
Plot shkëlqim të dëlirë
Ti që më shumë e deshe ditën
Sepse natën shihje jo mirë
Sikur të të përcillnim për rrugë
Për ty do të thoshnim:
-Do të kthehet i munguari
Apo do të na dërgojë letër
Panoramë, telegram a lajm
Siç është zakon te ne
Për vizitë të largët
Nga pritja e së cilës
Dridhet trupi e dejt
E pëlcet dhe guri krejt
Do të thoshnim ne
Se kthehesh nesër
Apo pasnesër
Pas tri ditësh
Pesë ditësh
Dy javësh
Një muaji
E ne po të presim
Me vite
E po u ktheve ti
Ne do t’i kishim njohur
Dhe hapat e tu
Pulsin e zemrës sate
Dhe do të bërtisnim
-Qenka kthyer
E nga zëri ynë
Të kumbojë
Ushtojë
E uturojë
Breg edhe luginë
Lumë edhe zallinë
Sikur të ishte
Kjo ndarje
Për një ditë
Një javë
Një muaj
A një vit
Zemra do të garonte
Me të ditës peshë
Dhe bezdisjen
Do ta qetësonte vetë
Sikur të ishte kjo…
Sikur të ishte ajo…
Kështu
E ashtu…
Do të luftonim me pikëllimin
Do ta mundnim shqetësimin
Për ty o trim i rrallë
Që u trete
Në një mëngjes të dieleje
E s’dihet yti fat
Armiku t’bëri lak
Ti s’i pate hak
Ti ishe Flamur
Ti ishe bajrak
Nga ty
U frikua armiku
Tradhtari
Dhe i ligu
Leqe të kurdisën
Vallë ku të degëdisën
Pas shpine ta punuan
Bënë sikur t’liruan
Nga burgu famëkeq
Na mashtruan keq
Gjithmonë
Kështu kanë bërë
Me trima të tërë
Se për pabesi
Ata në botë janë të parë
Janë të njohur tradhtarë
Të mjerë e qyqarë
II.
Në agun e parë
Pusi ujqish
Bënë mynxyrën
Kryen detyrën
E unë një gur
Zemrës ia vura
Se hasmi
Hakmarrje gatiti
Në vëllain tim
Po vallë
As më thuani
Si do të durojmë
A e kafshoi gjarpri
Për dhe a e struku
Vallë q’i bënë trimit
Hijena dhe ujku
Dita ishte e zezë
Me këta të pabesë
Bajonetat
U ndriçojnë
Zgërdhishëm
Sa të pështirë janë
T’lemerishëm
Por vëllai ynë
Ishte më i fuqishëm
E mua përmbi sy
Mjegulla më ra
Për profesor Ukshinin-
Tonin vëlla
Në zemrën time
Prore kam vuajtje
Për fatin tënd
Profesor
Po presim me druajtje
E për një çast
Një mendim më shkrepi
Një mendim hyjnor;
-Jo, nuk mposhtet
As thyhet
Yni Profesor

Shperndaje ne
Updated: 17 Maj, 2017 — 17:58

The Author

Prof. Zymer Mehani

2 Comments

Add a Comment
  1. Në poemë,shumë prekse e shkruar nga thellësija shportit poetik nga poeti i ndritur Prof Zyme Mehani.
    Ju lumt profesor i rrespektuar e më mendje të ndritur.

  2. MENDJE NDRITURI
    Ukshin Hotit

    Një jetë të tërë
    Eshkrive për atdhe
    Si qiri u dogje
    Dritë solle ndër ne
    Promete u bëre
    Vetës i solle vuajtje
    Të mira – njerëzve
    Gjatë jetës i harruar
    I përbuzur e i injoruar
    Pas vdekjes i gjallë.
    Ishe atdhetar i denjë.

    Nga Halil Preniqi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.