NDIHMESA E PAKURSYER E LUMJANËVE, NË LIDHJEN SHQIPTARE TË PRIZRENIT…

Nga: Hysë Hasa,
studiues, Filadelfia-Amerikë

1.
Rëndësia historike dhe jehona, në 139 vitet e “Lidhjes se Shqipetare te Prizrenit”(1878-1881), na ka lidhur në këtë përkujtim , këtu në mjediset e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijte e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës, në kushte të reja demokratike dhe në çastin historik, kur shqipetarët e Kosovës, në sajë të shpirtit liridashës të tyre në breza ,vaditjes me gjak për lirinë e tyre dhe mbështetjes ndërkombetare të SHBA-s së Bill Clintonit, Anglisë së Toni Blerit,BES-së, trupave ngadhënjyese të NATO-s, Kosovën “de fakto” e kemi të çliruar e të pavarur, me shtetin e saj dhe njohjen nga mbi 110 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve te Bashkuara. Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Serbisë e Kosoves, nën drejtimin e BE-së e SHBA-ve, ështe një çast i rëndësishëm historik , çka tregon se edhe Serbia, në një të ardhme, shpresojmë ta njohë Pavarësinë e Kosovës.
Një nga pjesëmarrëset aktive, në këtë Lidhje, ishte edhe krahina e Lumës (Kukësit), me përfaqësuesit e saj.Në kujtim të kësaj ngjarjejë të madhe kombëtare shqiptare, mendova t’i paraqes lexuesit mbarëshqiptar, “Ndihmesën, që kanë dhënë lumjanët (kuksianët), në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”.
Në vazhdim të traditave të mëparshme atdhetare e luftarake, për pavarësi e liri, përveç protestave masivë, u organizuan edhe repartet vullnetare, në mbrojtje të trojeve shqiptare. Krerët e Lumës morën pjesë aktivisht në përegatitjen e Kuvendit Kombëtar, që u mblodh më 10 qershor 1878, në Prizren. Që në dhjetorin 1877, pati një mendim, në Komitetin Shqiptar të Stambollit, që kryhesohej nga Abdyl Frashëri, ku merte pjesë dhe Ymer Prizreni, që Kuvendi Kombëtar i Lidhjes të mblidhej në Lumë (Lasgush Poradeci ka thënë se qendra e Shqipërisë është aty, ku bashkohen dy Drinat,i Ziu me të Bardhin) ose diku në Dibër a në Prizren.U vendos të bëhej në Prizren, edhe për faktin e pranisë së forcave lumjane, hasjane e qyteteve tjera shqiptare e kushteve ekonomike dhe infrastukurës më të pershtatshme. Në atë kohë, Prizreni njihej si “Prizreni i Lumës dhe Luma e Prizrenit”.
Një rol të rëndësishëm, në Komitetin Shqiptar të Stambollit, kanë luajtur edhe vëllezërit Idriz e Shaqir Palushi, nga fshati Bushtricë i trevës së Lumës, të shkolluar në Stamboll.Idrizi ishte me shkollë të lartë turke, për teologji dhe ekonomist me arësim të lartë. Ishte njeri shumë i njohur nga Sulltani i asaj kohe dhe eshtrat e tij prehen në Stamboll. Idriz Palushi ishte mik i ngushtë me vëllezërit rilindës, Naim e Sami Frashëri. Nëpërmjet kësaj miqësie, ai u lidh dhe me vëllain tjetër të Naimit e Samiut, Abdylin dhe ky i fundit me vëllanë e Idrizit, Shaqir Palushin. Idrizi dhe Shaqir Palushi kishin shumë ndikim te Sulltani,pasi njëri prej dy vëllezërve, Palushi, ishte byrazer i Sulltanit, pra kishte pirë gjak me aatë.Idrizi kishte qenë shok klase me Sulltanin, pra ishin bërë vëllezër gjaku. Kuptohet se çfarë ndikimi kishin dy vëllezrit Palushi të Lumës, te Vilajeti i Prizrenit,sepse kështu ishte atëhere Luma, pjesë e këtij Vilajeti. Dr.Fejzullah Gjabri ka gjetur, në shkrimet e Sami Frashërit, se evidentohet realisht miqësia e vëllezërve Frashëri, me vëllëzrit Idriz e Shaqir Palushi. Abdyl Frashëri, nëpërmjet këtyre vellezërve, arriti të lidhej me Parinë e Veriut.Sipas premtimit, që i ishte berë Sulltanit, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit,”Bashkimi i 4 vilajeteve do të bëhej në një shtet, duke qenë pjesë e Perandorisë Osmane, (asnjëherë nuk doli kundër vendimeve të LSHP),megjithëse ishte një një nga garantuesit e këtij kushti të vënë nga Sulltani.
2.
Një ndër ndërlidhësit kryesorë të Parisë së Veriut, duke përfshirë Shkodrën, Lumën,Dibrën,Kosovën, ,Shkupin,Manastirin e Gostivarin, e deri Selanikun, ishte Shaqir Palushi.Ai, në këto zona,ka patur ndikim të madh.Shumë patriotë shqiptarë ka nxjerrë nga burgu, si byrazer i Sulltanit, siç është rasti i Islam Spahiut nga Kolosjani i Kukësit( një nga Parite kryesore të Lumës.),i arrestuar e dënuar nga Sulltani.
Në përputhje me programin e hartuar që në Stamboll, patrioti rilindës Abdyl Frashri, gjatë rrugëtimit për në Prizeren, kaloi nga Dibra dhe me 21 maj 1878 ishte mik te Merë Sufa(shtëpi bajrak), në Kalisë të Lumës.Ky është edhe takimi i pare, që ai bëri me krerët e Kalisit, duke u treguar programin që kishin.Aty mori miratimin dhe mbështetjen e krerëve të këtij bajraku, si dhe u caktua komandant i gardës, për ruajtjen e ” Kuvendit te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit”, një nga kreret e Kalisit,trimi e patrioti lumjan, Idriz Stafa. Kalisi është vendlindja e patriotit kombëtar shqiptare Mahmut Daci. Në pabesi nga një dibran, i quajtur Lilë Tafa, iu pre koka dhe, ashtu si Ali Pashë Tepelena, ka dy varre, koka në Stamboll e trupi në Kalis. Në këtë përleshje luftarake ra heroikisht trimi dhe një nga bashkluftëtarët e Mahmut Dac Kalisit ,vilasi i paharruar, Bajram Hasa.
Nga 22 maji e deri me 7 qershor 1878 ( 2 javë) Abdyl Frashëri ishte mik shtëpie, në konakun e patriotit bushtricas, Shaqir Palushi.Gjatë atyre ditëve, u bënë disa takime me Parinë e këtyre zonave, në lidhje me përgaditjen dhe masat e nevojshme, për zhvillimin normal të Kuvendit Mbarëkombëtar Shqiptar. Me daten 7 qershor 1878, Abdyl Frashëri i Toskërisë shkoi dhe qëndroi 3 netë në Kolosjan të Lumës. Ideologu i mençur Toska Abdyl, kërkoi që në Kolesjan te mblidheshin përfaqësues të fshatrave të gjithë Lumës, në Livadhet e Rodagjas, për t’u folur e biseduar me ta, që Luma me burrat e sajë luftëtarë e besnikë të ishte e tëra në “Kuvendin e Lidhjes” , që do te mbahej ato ditë në Prizren. Mbi 600 veta nga e gjithe Luma,u mblodhen ato ditë historike në kodrën e Livadhit Rodagjas. Mikëpritesit tradicionalë të Kolosjanit, me ndihmën e çdo shtëpie, organizuan një drekë madhështore, ku u shtruan mbi 30 sofra njëherësh.Gjelbërimi masiv, me ahishtat e lajthitë e shpeshta, në mes të të cilave shtriheshin livadhe plot barë e lule të shumëllojshme, i jepnin këtij takimi një bukuri të veçantë. Rrezet e ngrohta të diellit, ajëri i fresket e i pastër, me ujin e ftohtë të burimeve të shumta dhe zjarret e ndezura, për përgatitjen e drekës, i jepnin vendit një pamje magjepëse e gjallëri të paparë ndonjëhere.Të ftuarit në ketë takim erdhen një orë para se të arrinte miku i Lumës, nga Përmeti i Toskërisë, Abdyl Frashëri, emri dhe patriotizmi i të cilit njihej dhe në të gjithe opinjonin lumjan.Nji kalë i madh “gjok”, me një shalë të bukur Stambolli,stolisur me lule, te koka mbante toskën e madh, i cili shoqërohej nga shtabi luftarak lumjan, që përbëhej nga “gjeneralët popullorë”: Shaqir Palushi, Merë Sufa, Bajram Gjana, Qazim Lika, Zenel Hasan Hasa, Mustafë Lita,Idriz Stafa, Ramadan Cejku, dhe nga Beqir Spahiu e 15 kolosjanas të tjerë, të armatosur e të gjithë kalorës. Ndërmjet tyre ishte edhe Islam Spahiu (portretet e tyre, lexuesi i gjen të pasqyryar në librin tim”Përsonalitete ushtarake lumjane, nga Perandoria Osmane e deri në vitin 1944” (Tiranë, 2016, faqe 73-146)..Gjatë ngjitjes së malores në rrugën, që kishin bërë dhe vapa i kishte lodhur disi. Por, sa ranë në kontakt me aromën e luleve të bjeshkës, u freskuan e lodhja e tyre u zhduk, si në magji.Curlet,lodrat,këngët e vallet e lumjanëve kishin mbi një orë, që ushtonin dhe i kishin dhënë këtij vendi një pamje festive, sikur të ishte një dasëm e madhe.Abdyl Frashri, me shoqëruesit dhe 15 kolosjanasit, që përbënin grupin e “krushqëve” e 600 lumjanet e mbledhur, si dasmorë,do të lidhnin e do t’i jepnin besën atij, për Çështjen Mbarëkombëtare Shqiptare. Mbi barin e njomë, plot lule të freskëta dhe nën hijen e lisave ishin shtruar disa qylyme e sexhade me motive lumjane,në mesin e të cilave, zakonisht, qëndron shqiponja dy-krenare, me sfond të zi, e rrethuar nga një fushë e kuqe,simbol i Flamurit tonë Kombëtar, i trashëguar që nga koha e lavdishme e Skënderbeut.
Kur Toska i mençur zbriti nga Kali dhe po përshëndetej, duke u përqafuar me lunjanët, si vëllai në ndrmjet vëllezërve, urimet e mireseardhjes u shoqëron me te shtëna të shumta armësh,ushtima e të cilave përplasej në shpatet jugore të Gjallicës e kthehej te bjeshkët e Kolosjanit,që atë ditë ishin me të qeshura, se kurrë më parë. Abdyl Beut i bëri pershtypje, se kjo mase e madhe njerëzish, që e priten, nuk ishin një “turmë” e paorganizuar, por ajo ngjasonte me një batalion ushtarak të disiplinuar, që dinë ta presin e ta përshëndesine eprorin e vetë, në baze të rregullave të caktuara. Tradita e mikëpritjes shqiptare, ështe e veçantë në të gjitha vendet Ballkanike, por elementët shtesë të sajë, në Krahinen e Lumës e të Kukësit, e bëjnë atë të dallueshme dhe m të ngrohte, nga të gjitha krahinat e tjera të Shqiperisë.Ideologu i çështjes shqiptare nuk ishte i zhgënjyer, në parashikimet e tij, se në Lumë do te gjente jo vetëm luftetarë sypatrembur, patriotë e atdhetare të paepur. Por ai u bind se këta ishin edhe garda më e zgjedhur e besnike, për “Lidhjen shqiptare te Prizerenit” e ushtrinë e sajë, që pritej të formohej.
Gjatë qëndrimit në Kolosjan,në 2 ditët e para, në bisedime me shumë prijësa e përfaqsues të nahijeve të Lumës, që ishin vegjëlia lumjane,Abdyl Frashëri u bind se në Lumë nuk kishte Pashallarë e Feudale të mëdhenj, që lidhnin interest e tyre me atë të regjimit otoman. Pikërisht këtu qëndronte forca e vitaliteti i kësaj krahine.Në bjeshkën e bukur të Kolosjanit të Lumës,ai pa ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar,të përfaqësuar nga populli e jo nga krerë e njerëz me ndikime turkomane.Në fjalën e tij ndrmjet të tjerave, ai theksoi:
“ O vëllezër lumjanë!
Sot është një ndër ditët me të gëzuara të jetës sime, ështe kjo ditë e lumtur, në ketë vend të bekuar, ku jemi mbledhur së bashku. Erdha si misonar i Kuvendit, që do të organizohet këto ditë në Prizerenin tuaj dhe po largohem si miku juaj, i nderuar, me fjalë të pakta e me besë të Lumës , por te mençura, që foli secili nga ju dhe unë u binda se, me djemët tuaj, që do te organizojmë Kuvendin e Prizrenit, me 10 qershor 1878, kemi garanci e besim, për mbështetjen tuaj të plotë ndaj qështjes sonë kombëtare, që po i kanoset rreziku i coptimit të sajë, nga armiqte tanë historikë. Ajo që më lumturon më tepër, qëndron në faktin se Lumën e shoh tërsishtë të bashkuar, në mendim e veprim të përbashkët, për çështjen e madhe kombëtare.E, sikur një popull, si ky i Lumës, ta kishim në të gjitha vilajetet e tjera të Shqipërisë, çështja jonë kombëtare do te zgjidhej shumë me lehtë e me shpejt, do të fitonim e gëzonim lirinë, për të cilën është derdhur e do të derdhet shumë gjak shqiptarësh.Këto male të bukura rreth Lumës, me breza të lavdishëm të burrave, që kane bërë traditat e historinë e lavdishme të sajë, u kanë mësuar seçdo armik e pushtues,( që s’i kanë munguar asnjeherë Shqiperisë), luftohet e mposhtet, vetëm duke qenë të bashkuar, se me një gisht nuk shëmbet Gjallica…….Në sytë tuaj të kthjellët,në mendjen tuaj të zgjuar, në zemrën tuaj të pastër e në trupin tuaj kreshnik,shikoj ato veti të shqiptarit, si njeri e luftëtar, që me gjuhën, zakonet e traditat e veta patriotike e luftarake, nuk iu nënshtrua asnjëherë asimilimit të tij, si popull e asgjësimit të tij, si komb .Lirinë ju e keni të shkruar në syte tuaj të kaltër, që ju buron nga zemrat tuaja e me ngjajnë me ujin e kthjellet e bukurine e luleve të këtyre bjeshkëve, ku ju keni lindur , jeni rritur e shkruani me gjakun e jetën tuaj, vetë historinë e lavdishme të Lumës e të gjithë Shqipërisë. Kam fatin e madh dhe bekimin e Perendisë që, në Kuvendin e Prizrenit, të kem përkrah Çështjes Kombëtare, lumjanët, që kemi zgjedhur të marrin pjesë në ketë Kuvend të madh Mbarëkombëtar. Me dhatë bukë, zemër e besë, e unë, të gjthë jetën time, do të mbështetem në besën e mikpritjen tuaj, duke dhenë e dhe jetën për ëështjen tonë kombëtare.Ju faleminderit vëllezër!”
Të nesërmen, gjatë rrugës për në Prizren, Abdyl Frshëri ndaloi në Bicaj e në Shtiqën, te lisi i madh. Në mbledhjet masive të popullit të Lumës ,që nuk kishin marre pjesë në Kuvendin e Kolosjanit, u takua me ta, e u prit ngrohtë, duke u përcjellë atyre mesazhe lirie e patriotizmi, të bashkimit e qendresës së përbashkët, për idealin kombëtar e lirinë e vendit. Te Lisi i madh, në Shtiqen, ai tha,:“ Historia e Lumës dhe trimëria, që ajo ka treguar në luftën kundër pushtuesve osmanë për vite me radhë, e radhisin Lumën, bashkë me krahinat e tjera të Kosovës, ndër me të parat e të përkushtuarat për çështjen tonë kombëtare.Për ketë arsyje, bijëve tuaj luftëtarë, do t’u takojë nderi, që të përbëjnë thelbin e Gardës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.Unë kam krijuar bindjen time ndaj jush se, në se do të keshë sigurinë e plotë të jetës tënde, besojani atë lumjanëve(kuksianve), të cilëve po t’u japish besën e t’u fitosh zemrën, ata nuk e llogarisin fare jetën e tyre, për ty.Nga këngët burrërore që dëgjova dje, në livadhet e bukura të Kolosjanit, nuk kam për t’i harruar këto vargje kuptimplotë, që i shkojnë burrërisë,mikpritjes,trimërisë e besnikërisë suaj të trashëguar në shekuj: “Sepse Luma tash dymijë vjetë,/ Lumë ka qenë e Lumë ka mbetë,/ Ka një luftë e bën për çdo vjet,/ luftë me kral e luftë me mbret!” E, unë u them se “ Që nga Luma e Dangëllia, Gegë e Toskë, një është Shqipëria!”
3.
Me 15 lumjanët trima e kalorës, përfaqësues të gjitha nahijeve të Lumës, Abdyl Toska, tashmë mik i Lumës, shkoi në Kuvendin e Madh Historik të Prizrenit, ku me 10 Qershore 1878 u shpall “Lidhja Shqiptare e Prizerenit”.Në ketë Kuvend Kombëtar, populli i Lumës u përfaqësua me të deleguar nga të gjithe bajraqet e Lumës.Në emër të këtyre delegatëve, u zgjodhën organet drejtuese dhe nënshkruan aktet historike të Lidhjes. Ata ishin krerët popullorë, të nderuar e të njohur lumjane, si: Shaban Agë Luma, Mehmet Sherifi, Ymer Sufa, Shaqir Palushi e Mustafë Lita. Komandanti i Gardës, për ruajtjen e Kuvendit, caktuan “Gjeneralët popullorë”, me kapuçë të bardhë e kostume shajaku, Ramadan Zaskocin e Idriz Stafën,të cilët kishin kryer “Akademinë e Maleve” kreshnike të Lumës heroike.Me anën e përfaqësueseve të tyre, banorët e Kazasë së Lumës bashkuan zërin e tyre të protestës, besën e burrave dhe armët, kundër copëtimit të trojeve shqiptare, sidomos, të kërcenuara nga Rusia fashiste e Franca antishqiptare, aleate e vjetër dhe e re e shovenistëve serbë të Beogradit.Kjo, për faktin, se Kongresi i Berlinit, siç shkruan ato ditë Terxhumani Shark (V. I, Nr. 115, fq,3 dt 10 (23), gusht 1878, “…ia ka lenë dyert hapur luftës”.
Në zbatim të programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Lumë, në qendrën e Bicajve u ngrit Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, me kryetar Shaban Agë Lumën dhe me përfaqësues nga të gjitha bajraqetë, duke marr disa masa të rendësishme, që kishin të bënin me zbatimin e vendimeve të Lidhjes, si:”U bë organizimi ushtarak tradicional: burrë për shtëpi, në rastin sublime, për meshkujt 17 deri 70 vjeç; u lidh besa për ndalimin e gjakmarrjes dhe të vëllavrasjeve ndër vedi, si dhe u morën masa për sigurimin e armëve dhe fondeve të mundëshme financiare.”Lumjanët, historikisht, kanë tregur burrëri dhe trimëri, për mbajtjen e besës, për zbatimin e vendimeve të marra në”Kuvendet e Burrave te Dheut”.Ata u shquan në zbatimin e programit të LSHP .Janë të parët, që u hodhën në protestë, kundër ardhjes ne Prizren të Mehmet Ali Pashës dhe misionit të tij, kundër popullit tonë. Ishin ata, që izoluan Marshallin Turk nga kontaktet sekrete me Sullatanin, të cilit me vendim të Kryesisë së Lidhjes, nëpërmjet “Gjeneralit Popullor”, Ramadan Zaskoci e lumjanëve të tjerë, kryen aksionin e parë të armatosur,duke vrarë në Prizren,mu para “Kafes Marash”, në qendër të qytetit, telegrafistin shifrant personal të Pashes,”Sokrat Argjriadhinë”.Me ketë aksion, populli i Lumës, në emër te Popullit Shqiptar, i dësmoi Pashait osman rrugën e kthimit dhe dështimin e plotë të misionit të tij.
Ky aksion u pasua me luftimet në Gjakovë, nga forcat popullore të Gjakoves, Lumës , Hasit e të tjerë, në eleminimin e Mehmet Ali Pashës, disa përkrahesve të tij dhe tre bataloneve osmane, shoqëruese në misionin e tij armiqësor.Aty u tregua heroizëm i madh dhe pati një jehonë të vecantë, nga ku Fuqitë e Mëdha kuptuan se vendimet e Berlinit hasën në qendresën e fortë të shqiptarëve.
Pas aksionit të Gjakovës, popullsia e Kazasë së Lumës, me krerët popullorë, u rreshtua me vendosmëri me krahun radikal përparimtar të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, që drejtohej nga: Iljaz Pashë Dibra, Abdyl Frashëri, Ymer Prizereni, Sulejman Vokshi, Mehmet Korinica, Shuaip Spahiu e Shaqir Palushi,Idriz Seferi,Ali Pashe Gucia,Mehmet Pashë Derralla e te tjere.Këtë vendosmëri, lumjanët e treguan në disa drejtime, gjatë periudhes 1878-1881, jo vetëm brenda në Komitetin Drejtues të Lidhjes e Degës së saj në Lumë, por edhe në luftimet direkte, që zhvilluan forcat e organizuara të Lidhjes dhe konkretisht : “Në luftimet, që u zhvilluan, në tetor-nëndor 1879, në mbrojtje të Plavës dhe Gucisë, moren pjesë 300 lumjanë e 100 hasjanë. Këto luftime u përsëriten edhe në janar 1880 dhe përfunduan me fitoren e shqiptarëve, të cilët, të drejtuar nga Ali Pashe Gucia, treguan trimëri e vetëmohim të pashoq. Në pranverën e vitit 1880, po kaq vullnetarë moren pjesë në luftimet për mbrojtjen e Hotit dhe të Grudës, një betejë gjithashtu e fituar nga forcat shqiptare, që e detyruan ndryshimin e vendimeve te Kongresit të Berlinit, për të ndërruar Hotin e Grudën, me Portin detar të Ulqinit.
Që me themelimin e Lidhjes, administrata osmane në Lumë ishte e paralizuar.Popullata zbatonte vendimet e Lidhjes dhe të degës së saj, për Lumën. Lumjanët u bënë mbështetja kryesore e armatosur e krahut redikal të Lidhjes.Komiteti i degës së Lumës nisi, për në Prizren, një repart prej 200 lumjanësh të armatosur, me kërkesën e Qendrës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për zbatimin e funksioneve ekzekutive, si “Garda e Lidhjes Shqiptare”.Lumjanët kryen me korrektësi e trimëri detyrat e ngarkuara, në mbajtjen e rregullit dhe qetësisë në Prizeren e rrethinat e tij.Ky repart lumjanësh të armatosur, ishte komanduar e drejtuar nga “Gjeneralët Popullorë”, Ramadan Zaskoci e Idriz Stafa. Ky repart luftarak ka qene gjithnje në lëvizje, në ndjekje të keqberësve dhe agjentëve të huaj, që kërkonin të pengonin vensosjen e pushteti të Lidhjes.
4.
Krahina e Lumë qëndroi besnike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, deri ne fund. Ajo iu pergjigj, ndër të parët ,thirrjes së Qeverisë së Përkohshme, në fillim të vitit 1881, për t’u mbrojtur me armë nga ekspeditat ushtarake osmane.Lumjanët u vendosën menjëhere në pikat e caktuara nga Komanda e Lidhjes.Pikerisht në ketë kohë, Luma pati rastin të kishte në gjirin e saj Abdyl Frashërin, i cili u prit e u përcoll bujarisht, me zemër e gadishmëri.Fjalët e zjarrta, porositë e tij të mençura dhe bisedat e tij te ngrohta: në Kalis, Bushtricë, Lusën,Kolosjan, Bicaj, Shtiqën, Bardhoc e të tjerë, kanë mbetur te paharruara dhe kanë shërbyer vazhdimisht, si porosi me “Germa Ari”,në mendjet, gjoksin e gjakun e çdo lumjani.Ato shërbyen si burim frymëzimi e si zëri i thirrjes së Atdheut, në luftën që kanë bërë lumjanët(kuksianët), në të gjitha ndeshjet luftarake, të zhvilluara kundër pushtuesve osmanë, serbë,bullgarë dhe deri te pushtuesit nazifashistë, për çlirimin e plotë të Atdheut tonë.
Gjatë atij viti, Lumën e vizituan edhe kreret të tjerë të Lidhjes, si: Isa Boletini, Sulejman Vokshi, Ymer Prizereni, Ali Pashë Gucia,Bajram Currit e Hasan Prishtina, të mirepritur në konaqet e “Elezëve të Kukësit”, “Halilagëve të Bicajve”, “Spahijëve të Kolosjanit”, Halim Laçit, Sul Elezit, Islam Spahiut, Ramadan Cejkut, Shaqir Palishit,Elez Totës e të tjerë. Nën jehonën e këtyre takimeve, Luma nisi me këngë në gojë, mbi 800 luftëtarë, në betejat vendimtare te ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kundër ekspedites gjakatare osmane, të komanduar nga Dervish Pasha, në harkun kohor mars-prill 1881, në Kacanik, në Grykën e Caralevës, në Slivovë, Shtimje, Duhëla , Prizren dhe pastaj në harkun kohor, gusht-tetor 1881, në luftimet brenda Kazasë së Lumës. Heroike dhe historike është lufta e trimave të Krasniqes, Gashit, Hasit, Pejës e Rugovës, Kabashit e Prizrenit,Lumës e Opojës, Fushë-Kosoves e të tjere, me mbi 8000 e deri ne 10000 forca, në krye të të cilëve prinin “Gjeneralët Popullorë”:Sulejman Vokshi, Mic Sokoli, Ali Ibra, Binak Alia, Ramadan Zaskoci, Ahmet Qehaja, Mustaf Lita, Bajram Gjana, Islam Spahia,Jup Topojani, Sahit Gega,Qazim Lika,Merë Sufa,Zenel Hasa e tjerë,duke u vendosur në pozitat më strategjike, përballë 40 batalioneve,12 baterive të artilerisë malore, mitralierëve të ushtrisë armike, prej 24.000 vetave të armatosur deri në dhëmbë. Luftimet e zhvilluara qenë tepër të ashpëra.Dervish Pasha la mbi 2.000 të vrarë dhe mijëra të plagosur.Katër batalionet e tij me te përgaditur, si “Izmer, Kulla, Gajdes, Mondoza” u shkrinë plotësisht.
Nga forcat e Lidhjes u bë një luftë për jetë a vdekje, ku armatimit artilerike e automatike mundën t’i përgjigjeshin vetëm me luftimin trup me trup e kundërsulm të befasishëm, çka e detyroi Dervish Pashën të kërkonte e të sillte përforcime të reja. Ushtarët e Lidhjes shkruan me gjakun e tyre një nga faqet me të lavdishme të qendresës popullore.Aty, heroizmi i Mic Sokolit u kthye në legjendë, me shtatë plagë ne trup, për t’iu dhenë zemër e guxim luftëtarëve, u hodh në grykën e topit, duke mbetur symbol i përjetshëm i heroizmit shqiptar.Në këto luftime, nga forcat e Lidhjes, ranë në fushën e nderit 900 luftarë, ku përfshihen dhe 60 lumjanë, midis të cilëve Bajraktarët: Bejt Gjini i Bushtricës, Graci i Cajës dhe Jup Topojani,Idriz Stafa ( Topojan e Kalis).
Pas shuarjes së qendresës së Gjakoves, Dervish Pasha llogariti të kurorzonte shtypjen e Lidhjes me nënshtrimin e Lumës.Por, kërcënimeve të tij, Luma iu përgjigj me mosperfillje dhe në prill 1881 mori Prizrenin.Kjo e detyroi komandantin osman të mendohej e të pregatitej mirë.Në gusht të atij viti,një nga gjeneralët e tij, Osman Pasha, provoi ta shkelte Lumën, por u kthye shumë keq.Vetem më 10 tetor 1881, pas shume pregatitjesh e me befasi e dinakëri, Dervish Pasha, në krye të gjashtë batalioneve e dy baterive artilerike, duke djegur e shkatërruar ç’te gjente perpara, arriti në Kalanë e Dodës.Këtu u përfshine lumjanët e moshave 17-70 vjeç,që i bënë një qendresë të vendosur vërshimit ushtarak osman, në drejtimin Prizren- Kala e Dodës dhe Dibër. Nga Kalaja e Dodës, Dervish Pasha do ta lajmronte Portën e Lartë se “Lidhja e Prizrenit” u shtyp perfundimisht?!
Udhëheqësit e çetave shqiptare: Mustafë Lita, Bajram Gjana, Qazim Lika, Ramadan Cejku, Zenel Hasa, Murat Mera,Zenel Doda,Dervish Bajraktari e tjerë, i kane pritur me luftë, repartet e ushtrisë së Dervish Pashës, gjatë gjithë kalimit nepër Lumë. Pikërisht, në çastin, kur Dervish Pasha po përpilonte raportin për marrjen e Lumës dhe shtypjen e “Lidhjes Shqiptare te Prizrenit”, sulmohet shtabi i tij, në Kala të Dodës, nga Cerenasit, Kalisasit e Vilasit,duke vrarë mbi 30 ushtarë osmanë e plagosur shumë të tjerë.Vec kësaj, arritën t’i merrnin karvanit ushtarak osman 400 pushkë dhe 19 mushka me municion. Pra, Luma nuk u mposht!
Dervish Pasha kaloi për Dibër, duke e lenë Lumën të djegur e të shkatërruar dhe vetem me dy batalione ushtarake shetitëse dhe dy toga të artilerisë malore. Por qëndresa lumjane, e çetave kryengritese, që vepronin në te gjthë territotin e Kazasë së Lumës, si dhe më parë, qëndroi e pamposhtur.
5.
Si përfudim, gjatë gjithe periudhes tre-vjecare të veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Luma, ashtu si e gjithë Shqiperia Veri –Lindore, dha ndihmesën e saj: “Në realizimin e programit të Lidhjes Kombëtare, në njohjen e çështjes mbarëkombëtare, në ruajtjen e tërësisë tokësore dhe në përpjekjet për sigurimin e autonomisë, si hap i parë drejt Pavarësisë”. Populli i Lumës, i përfshire totalisht në luftë, nxori nga gjiri i vetë një numër drejtuesish, trima e besnikë, të cilët u futën në historinë e Lumës dhe të Kombit Shqiptar. Të tillë, që populli u ngriti përmendore në këngët e trimave, janë: “Gjeneralet Popullorë, me Kapuc të Bardhë e Kostum Shajaku”, që kishin kryer “Akademinë e Maleve”, në Luftë për Liri e Pavarësi, si: Mahmut Dac Kalisi, Bajram Hasë Vila, Jup Topojani e Sait Gega, Shaban Agë Luma, Ramadan Zaskoci, Shaqir Palushi, Hoxhë Caka, Ymer Sula, Halim Bardhoci, Mehmet Sherifi, Ymer Isufi, Ismail Agë Bilali, Rasim Efendi Bilali, Abaz Miftar Guri, Mustafe Lita , Bajram Gjana, Zenel Hasani, Qazim Lika, Beqir Spahiu, Islam Spahiu, Sali Spahiu,Maliq Koka, Vehap Bici, Ramadan Cejku, Dervish Bajraktari, Sulë Elezi, Islam Basha,Bilal Hoxha e mjaft figura të tjera luftarësh të asaj periudhe e të periudhës së mëtejshme. Ata dhanë ndimesëën e yre të pakursyer,për çështjen Mbarëkombëtare Shqiptare dhe për Shpalljen e Pavarësisë.
Siç dihet, populli i Kukësit e tregoi veten edhe në vitet 1999 të shekullit të kaluar, kur u hapi dyertë mbi 500.000 vëllëzërve kosovarë,duke i pritur me bukë, zemër e kripë,për t’i shpëtuar gjenocidit e masakrave të fshaistëve të Beogradit.
Në ketë 139-vjetor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,vendimet e saj janë aktuale për shqiptarët edhe në ditët e sotme, kudo që ata jetojnë, në Shqipëri,Kosovë,Maqedoni,Mal i Zi e Camëri, për të forcuar bashkimin e mirëkuptimin, për t’i shërbyer aspiratës së madhe të bashkimit kombëtar e zhvillimit ekonomik, arsimor e kulturor të popullit.Porositë e dhëna nga i paharruari ideologu i LSHP Avdyl Frashëri janë një sinjal e kushtrim për politikanët shqiptar ,të cilët duhet të punojnë për të mirën e popullit,të lënë zënkat me njeri-tjetrin,konfliktet ndërmjet partive.Luftës për karrike e pushtet,t’i paraprijnë sfidave, që ju kërkon koha e situata dhe ta kënë të qartë, se vetëm duke qenë të bashkuar e duke punuar për popullin ,i shërbejnë qështjes madhe e realizimit të ëndrrës së shqiptarëve “Bashkimit Kombëtar Shqiptar”.
…Mendoj se për nndihmesën e Lumës, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit,në luftën dhe betejat e përgjakëshme kundër pushtuesve osmanë, serbë e nazifashist,për liri e pavarësi kombëtare dhe për demokraci e zhvillim demokratik,është e nevojshme që institucionet përkatëse, që nga Akademia e Shkencave,duhet t’i japin vlerësimin, që meriton dhe ajo të pasqyrohet realisht në Historinë e Kombit Shqiptar.Se kështu, do të shërbejë edhe si shëmbëlltyrë,burim frymëzimi e krenari për brezat e ardhëshëm,për të mbetur pjesë e krenarisë së shqiptarizmës sonë mbarëkombëtare.

Filadelfia-Amerikë, 10 qershor 2017

Shperndaje ne
Updated: 11 Qershor, 2017 — 19:12

The Author

Hyse Hasa

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.