Populli me tri Akademi i vendosur në një kontejner, si një fëmijë i braktisur!

Kur shteti është jofunksional

 

 Ai të fyen, t’i e përkëdhel, këtë e bën njeriu i mjerë!

Populli i pa shpresë, pa udhëheqje bën që nga një ferr të shkojë edhe në një ferr akoma më të tmerrshëm

 

Halim_HyseniShkruan: HALIM HYSENI

 

Ministri serb i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, siç informon gazeta e përditshme e pavarur “Kosova Sot“ më datën 6 shkurt 2015, në një takim me gazetarë në Beograd deklaroi ”se mbi 60 000 shqiptarë nga Kosova kanë aplikuar për pasaportë të Serbisë”.

 

Taksativisht ai tha: “Ne i kemi mbi 60,000 kërkesa për lëshim pasaporte të Serbisë nga qytetarët shqiptarë të Kosovës, të cilët janë në krahinën tonë jugore”.

O, Zot sa e tmerrshme dhe sa fyese! Të vret, të masakron, t’i sharron të rinjtë për së gjalli, me motor sharre, për së gjalli t’i djeg në furnelat e Obiliqit, ‘Trepçës’, Maçkaticës dhe të Borit, vëllezërit, baballarët, gjakun tënd, t‘i dhunon mbi 20,000 motra, bija, gra, t’i vret mbi 13,000 qytetarë, t’i djegë mbi 100.000 shtëpi, mbi 300 shkolla, 250 xhamia dhe pesë kisha, të vret mbi 500 mësimdhënës dhe mbi 1300 fëmijë, të kanë dëbuar me dhunë nga hapësira jetësore që nga shekulli i VII (që mbi 1400 vjet).

 

Nga ai që të vret, të masakron, të dëbon, të dhunon, të shanë dhe përçmon për çdo ditë e përsëri shkon dhe përulesh para derës së tij për një pasaportë të pështirë e të përgjakur me gjakun e bijve dhe bijave tona më të mira nuk është asgjë tjetër pos mjerim i bërë nga mjeranët, që nuk kanë atdhe, nuk kanë komb, që nuk kanë vlera, nuk kanë dinjitet njerëzor. Kjo sjellje dhe ky veprim i kombit tonë ka bërë që Fishta i Madh,

Homeri ynë i ringjallur, nga dhembja të bërtas: “Le ta di bota mbarë, se Fishta nuk është shqiptar”. Më mirë të jemi më pak për 60,000 “shqiptarë”se sa t’i kemi brenda nesh këta gjarpërinj gjakprishur që mund të na kafshojnë në momentin më të vështirë. Gjakprishur të këtillë në damarët e të cilëve ka qarkulluar gjaku shqiptar ka në qenë Xhavella, Ali Pashë Tepelena, Petar Karagjorgjeviqi, Vasojeviqët, Bjellopavliqët, Kastratoviqët, Martinoviqët, Arnautoviqët, Piperët, Napoleon Zevra, Matevski, etj.

 

Pse nuk kemi përgjigje pse jemi kështu si jemi dhe punët i kemi pus kështu si i kemi?

 

Çështja pse jemi kështu siç jemi dhe punët i kemi pus siç i kemi është shtruar vetëm një herë nga i madhi Sami Frashëri, që në vitin 1899, kur u botua vepra e tij: Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet?. Kjo vepër, ka qenë dhe ka mbetur i vetëm program nacional i shqiptarëve deri më sot. Në këtë vepër madhore Samiu i madh, pas një analize së tepërmi zhbiruese me dhimbje e hidhërim konstaton se “Shqiptarët çdo bënë për të tjerët e asgjë për veten”!

 

 A ka nevojë kjo të vërtetohet, kur botërisht dihet se shtetin e Egjipti e themeloi një shqiptarë, kur pavarësinë dhe shtetin e Greqisë e siguruan dhe e krijuan shqiptarët (a duhet përmendur luftërat e Marko Boçarit, Bubulinës), shtetin modern të Turqisë e krijoi Kemajl Ataturku i lindur në një fshat afër Dibrës; shtetin serbe e krijoi familja Kelmendi, në krye me Karagjorgjin dhe pasardhësit e tij, në damarët e të cilëve qarkullonte gjaku shqiptarë (kështu Petri, stërnipi i Karagjorxhit që për festa dilte me veshje shqiptare në Topollë dhe që mikun më të mirë e kishte shqiptarin me emrin Ali, në rrugën e tij afër Kumanovës, duke i parë shqiptarët e prangosur të zënë robër , pyet ushtarakët – vrasës serbe, kush janë këta, pasi merr përgjigjen se janë shqiptarë ai u thotë: ”Mos shpenzoni plumba mbi ta, mbytni me shkopinj.

Kaluan mbi 116 vite, nga koha kur është shkruar programi nacional i vetmi i shqiptarëve nga i madhi Sami, nga ajo kohë, kalvari mbi shqiptar nuk u ndal, hapësira e tyre jetësore nga Moreja- Kreta, në jug deri te Molla Kuqe në Veri përtej Nishit të sotëm, qyteti në zë ilir, i quajtur, Naissus ku lindi Perandori me prejardhje ilire Konstatini i Madh, nga Pazari i Ri në veriperëndim deri te Titov Velesi në jugperëndim, u tkurrë, nga 150.000 kilometra katrorë në rreth 35.000 kilometra, ku funksionon një shtet i quajtur Shqipëri, por ku lufta nuk bëhet për shtet por për pushtet (uroj dhe besoj se Edi Rama dinë, dhe se do ia dal) dhe një gjysmë shtet i quajtur Kosova Republikë, tërësisht jofunksional për të cilin kanë vdekur me qindra mijë shqiptarë në kazamatet serbe, në luftërat me pushtues më të ndryshëm, i cili edhe pas luftës heroike, sakrificës unikale, që nuk e bën dhe nuk e ka bërë asnjë komb në botë, heroit legjendar Shaban Jashari, vëllezërit Adem dhe Hamëz Jashari sakrifikuan veten dhe tërë familjen e tyre, me gra dhe fëmijë në luftë me bandat serbe për lirinë, nderin dhe bashkimin kombëtarë të shqiptarëve, për lirinë dhe krenarinë e Kosovës, të cilin (lexo:Kosovën) për dite e më shumë, Serbia po e zhdaravit, duke u kthyer këmbë e krye në vendin e krimit dhe duke bërë që populli shqiptar që përbën 95% të popullsisë shumicë, përsëri si edhe para vitit 1999, të bie në thundrën e pakicës 3% serbe.

 

Unë e di se me këtë shkrim po rrezikoj shumë çka ndoshta edhe ekzistencën nga ata të cilëve unë u kam besuar shumë dhe të cilit i kam dashur shumë, por të cilit të dehur për pushtet, luks, pasuri, epsh, bajraktarizëm fisnor dhe provincial e dh… bigën (si do të thoshte ambasadorja amerikane në Kosovë!), duke lëshuar pe para epigoneve, trabantëve dhe të alter-egove të kriminelit dhe të kasapit të shqiptarëve Sllobodan Millosheviq dhe të BE-së, e cila haptas është vendosur në anën Serbisë dhe lejon që në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare, me Konventën kundër diskriminimit me Deklaratën universale të drejtave të njeriut të instalojë diskriminimin racor siç e ka instaluar me marrëveshjen e fundit që prokurorët dhe gjykatësit duhet të jenë vetëm serbë dhe shqiptarë. O , Zot a ka kështu në ndonjë vend demokratik pos në Zululand- “shtetin” e Kosovës .

 

Populli i pashpresë, pa udhëheqje bën që nga një ferr të shkojë edhe në një ferr akoma më tmerrshëm

 Populli rishtas, si edhe pas luftërave të viteve 1908-1912, pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, ashtu edhe pas Luftës së viteve 1997 – 1999 për shkak të bajraktarizmit të liderëve u nda dhe u përça, me çka krijoi mundësi që Serbia përsëri të kthehet në Kosovë, serbët përsëri të jenë të privilegjuar, ndërsa shqiptarët të harruar nga “prijësit” e vet me shprese të vrarë, të nëpërkëmbur dhe të përçmuar, të varfëruar nga pangopësia e ”prijësve” të tyre, si dhe nga nepotizmi, krimi i organizuar, korrupsioni, padrejtësitë, imoraliteti i “intelektualëve” të cilit si strucët kanë futur kokën në rërë e bëhen se nuk po shoshin se çfarë po ndodh, ndërsa si “ujqër” në mjegull plaçkitin, vjedhin shtëpinë – shtetin e vetë dhe kështu vrasin shpresën e kombit të tij i cili i zhgënjyer dhe i deprimuar, i përçmuar dhe i poshtëruar deri në palcë lëshojnë tokën, shtëpitë e tyre atdheun e tyre duke ikur si nga ferri me besim të rremë se në shtete perëndimore do t’i pret parajsa. Populli i pa shpresë, pa udhëheqje bën që nga një ferr të shkon edhe në një ferr akoma më të tmerrshëm.

 

 Populli me tri Akademi i vendosur në një kontejner, si një fëmijë i braktisur!

 

 Por, faji nuk është vetëm i këtyre që tani me nënshkrimet e veta inferiore në Bruksel po ia falin Kosovën Serbisë, por faj të madh këtu kanë institucionet duke filluar nga Akademia e Shkencës dhe e Arteve e Kosovës, Akademia e Shqipërisë, Akademia e Maqedonisë, kryetar i të cilës, deri dje ka qenë një shqiptar që nuk ka guxuar ta pranojë se është shqiptar, duke u shtirë si maqedonas. Këto tri akademi që nuk i kanë e popujt tjerë, kanë futur leshin në vesh e bëhen se nuk po marrin vesh e nuk po shohin se çfarë lojërash po luhen me popullin e tyre. Ato nuk bëjnë as gëk, as mëk. Pos instituteve jo të pakta shkencore që janë dhënë pas fitimit të pamerituar, të zhvatjes dhe të plaçkitjes, fajin e kanë edhe mediet të lidhura me tentakulat e krimit dhe pushtetit që nuk punon për shtet, por për pushtet të grupeve të ndryshme të interesit. Faji është dhe i shoqatave, edhe i shoqërisë civile të cilat po heshtin dhe nuk po kanë guxim të angazhohen për drejtësi, barazi kulturore, etnike, racore, fetare dhe gjinore.

 

Unë e them publikisht , shkurt e shqip, se unë si edhe tërë  populli shqiptar që nuk është racist, nuk është ksenofob, nuk ka urrejtje, andaj është ndër popujt e rrallë me tri besime plotësisht ekumenike-vëllazërore që jetojnë në harmoni dhe në respekt, nuk kam asnjë urrejtje ndaj asnjë populli , asnjë etnie, por jam për barazi të plot të të gjithë njerëzve mu ashtu siç thuhet në Nenin të 1 të Deklaratës së Universale të Drejtave të Njeriut: ” Se të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe në të drejta njerëzore. Ato janë të shpërblyer me arsye dhe me vetëdije dhe duhet që njeri ndaj tjetrit të sillen në frymën vëllazërisë”.

 

 Megjithatë, shqiptarëve më nuk mund t’u shitet macja në thes –iku ajo kohë!

Marrëveshja e fundit e nënshkruar në Bruksel është në kundërshtim të plotë me të gjitha dokumentet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, sepse me këtë marrëveshje legalizohet diskriminimi racor, meqë me përcaktimin e strukturës etnike gjykatësve dhe të prokurorëve u shkelën të drejtat dhe liritë elementare të gjitha bashkësive të tjera etnike që jetojnë në Kosovë e këto nuk janë pak sepse këtu jetojnë: ashkalitë, boshnjakët, egjiptianët, goranët, kroatët, malazeztë, romët, turqit, ( renditjen e kam bërë sipas alfabetit, për të mos diskriminuar). Të gjithë pjesëtarët e këtyre bashkësive etnike e gëzojnë të drejtën të jenë gjykatës dhe prokurorë, nëse i plotësojnë dispozitat ligjore. Kjo marrëveshje është në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Kosovës, e cila garanton barazinë e qytetarëve para ligjit.

 

syri01Zonja dhe zotërinj , “ekspertë” të drejtësisë, jo po harroni se shqiptarët më nuk janë më ata që kanë qenë. Nuk mund t’u shitet më macja në thes.

 

Shqiptarët, kur mbi 95% e tyre, kanë qenë analfabetë, nuk i kanë pranuar vendimet e Kongresit të Berlinit, as të Shën Stefanit, as të Konferencës së Londrës, as të Lozanës, as Versajës, as të Jaltës, sepse të gjitha kanë qenë të padrejta dhe diskriminuese, andaj dhe ka ndodhur gjakderdhja, kanë ndodhur tragjeditë makabre. Kur shqiptarët atëherë nuk i kanë pranuar këto padrejtësi, nuk e besoj se do të pranojnë sot, kur këta sot janë më të fuqishëm se kurdoherë më parë.

 

Populli ka të drejtën dhe lirinë edhe të Zotit, të rrëzojë pushtetin kur ai e dëmton shtetin!

Ky nëntitull, paksa i modifikuar, është nxjerrë nga “Deklarata e Pavarësisë“ e vitit 1776 e ShBA. Kjo e drejtë e popullit është e pamohueshme, është legjitime, sepse udhëheqja e zgjedhur nuk është zgjedhur të sundojë dhe të punojë kundër interesave të popullit të vet, por të ndërtojë shtet ligjor, ku qytetarët pavarësisht nga çfarëdo dallimi do të jenë të barabartë para ligjit, ku do të kenë perspektivë, ku do të kenë vende pune, ku do të kenë arsim cilësor dhe shëndetësi të zhvilluar të bazuar në Betimin e Hipokratit, ku do të jenë të sigurt, krenar dhe me dinjitet, ku qytetarët janë të aftësuar që të nxënë gjatë gjithë jetës, që të kenë potencë dhe zotësi për ndërveprim produktiv dhe kreativ në natyrë, shoqëri dhe tregun global të punës.

Tani për tani, as arsimi, as shëndetësia, as drejtësia, as ekonomia, as kultura dhe arti, as bujqësia në Kosovë, nuk janë ato që duhet të jenë, në rend të parë për shkak të qeverisjes dhe të udhëheqjes autoritare, oligarkike, plutokratike dhe kleptomane të paaftë të lidhur me rrjetet kriminale antikombëtare dhe antishtetërore. Duke u bazuar në këto devijime të pushtetarëve në Kosovë dhe duke iu referuar edhe Deklaratës së Pavarësisë së ShBA e miratuar me 1776, me të cilin u vendos themeli i një shteti të pavarur, i cili që më shumë se dy shekuj është shembull i qytetarisë, demokracisë dhe zhvillimit të gjithanshëm jam i bindur se pushtetarët e tashëm nëse që tani, nuk ndërrojnë qasjen dhe veprimin ( gjasat për të ndodhur kjo janë shumë të vogla sepse:” ujku qimen e ndërron , por vesin nuk e harron”) do të përballen me forcën e populli të tradhtuar dhe të mashtruar. Do të realizohet e drejta e paraparë në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-ve në të cilën thuhet: “Por pas shumë vitesh të abuzimeve dhe të plaçkitjeve, të cilat rrjedhin pareshtur qëllimin e njëjtë duke treguar tendencën që (populli-vr.HH) t’i nënshtrohet despotizmit të plotë, populli e gëzon të drejtën dhe detyrimin të rrëzojnë qeverisjen e tillë dhe të përkujdesen për rojtarë të rinj të sigurisë së vete të ardhshme”.

 

Uroj dhe lus Zotin, që pushtetarët e tashëm të ndërrojnë kursin e veprimit që populli të mos detyrohet të bëjë këtë veprim, por nëse e tani këta të dehur që janë bërë të shurdhur dhe miop, duke ndërruar tezat dhe duke u përpjekur që realitetin ta pasqyrojnë sipas imazheve demonizuese të tyre fundi i tyre nuk është largët, por plagët do të jenë të rënda edhe për Kosovën dhe shtetin e ri.

 

Përfundimisht duhet ta kenë të qartë miqtë dhe armiqtë, por edhe “shqiptarët” gjakprishur se shqiptarëve më nuk mund t’u shitet macja në thes.

 

Shperndaje ne
Updated: 2 Mars, 2015 — 14:59

The Author

Halim Hyseni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.