“Të fortët”, ende e sfidojnë ligjin në Kosovë.

Flamur_KuçiShkruan: Flamur Kuçi

 

Nuk duhet të jesh jurist i rryer për të kuptuar se Gjykata Speciale është përmbi sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës, mbi gjykatat dhe KGJK-në, mbi Kushtetutën dhe ajo që vlen të theksohet, mbi çdo pushtetar apo ish-pushtetar, mbi komandantët e secilin “të fortë” të këtij vendi .

 

Ky mekanizëm i drejtësisë ndërkombëtare, që do të merret ekskluzivisht me akuzat e parashtruara në raportin e Dik Martit, ish-kryeprokuror i Zvicrës, është rrjedhojë e dështimit skandaloz të sundimit të rendit e të ligjit në Republikën tonë. Bashkëpërgjegjësi mbajnë edhe ata që e iniciuan Gjykatën Speciale – ndërkombëtarët. Që prej kohës së misionit të OKB-së, UNMIK-ut, e deri në ditët e EULEX-it, gjykatës e prokurorë të huaj, policë e hetues, nga vende të ndryshme, nuk kanë arritur të nxjerrin para drejtësisë “peshqit e mëdhenj”.

 

grushti01Por, nuk kemi arsye që t’i fajësojmë ata për dështimin e përbashkët kosovar, në forcimin e sistemit gjyqësor e prokurorial, pavarësinë e tij nga politika, profesionalizmin dhe guximin, integritetin dhe respektimin e ligjit. Gjatë këtyre ditëve, kur vendorët lehtësojnë përgatitjet për themelimin e Dhomave Speciale, është mirë që t’u rikthehemi akuzave famëkëqija të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti. Akuzat e tij për trafikun e supozuar të organeve të serbëve nuk janë provuar kurrë nga Tribunali i Hagës, ndërsa nuk ka mundur t’ vërtetojë as prokurori i Task- Forcës Speciale amerikane, Uilliamson.

 

Por, akuza të tjera rëndojnë mbi ish-drejtuesit e UÇK-së, për krim të organizuar pas luftës, vrasje të kundërshtarëve politikë, keqpërdorim të pushtetit në favor të përfitimeve të grupeve mafioze, të lidhura me njerëzit e veshur me pushtet.

16 vjet pas luftës, asnjë prokuror apo gjykatës kosovar, por as nga këta të EULEX-it sot, apo UNMIK-ut dikur, nuk ka arritur të vërë me shpatulla për muri ndonjë figurë të rëndësishme politike, që ka zhvatur shtetin, bizneset e ndershme e të ligjshme dhe e ka dëmtuar Kosovën në shumë aspekte. Se a do ta bëjë një gjë të tillë Gjykata Speciale mbetet të shihet, por një gjë dihet -“Të fortët”, ende e sfidojnë ligjin në Kosovë.

Shperndaje ne
Updated: 20 Shkurt, 2015 — 17:29

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.