Përse ikën dhe përse po ikin shqiptarët!?

reshati2Shkruan: RESHAT BADALLAJ-ZHURIANI

Shpërnguljet e shqiptarëve janë aq të vjetra sa edhe vetë ilirët, arbërit. U shpërngulën të parët nga invadimi romak, emigruan edhe nga Bizanti, u shpërngulën gjatë pesë shekujve nën Perandorinë Osmane. Por, deportimet sllavo-ortodokse nga Rusia, Serbia dhe Greqia ishin, janë dhe do të jenë rreziku më i madh për shqiptarët.

 

Grabitqarët serbë gjithmonë kanë thurur plane për dëbimin e shqiptarëve me dhunë nga trojet e tyre, madje për të kolonizuar-serbizuar Kosovën. Këto plane datojnë që nga Naçertania (Projekt i vitit 1844), që u përpunua nga Ilija Garashanini. Në këtë projekt propagandohej ideja e shtetit të madh serb të Stefan Dushanit. Ky projekt mbeti deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Ky program u realizua pjesërisht gjatë Luftës së Parë Ballkanike, kur Serbia, në Konferencën e Ambasadoreve në Londër, më 1912-13, aneksoi Kosovën dhe disa vise të tjera të Shqipërisë… Ngjashëm me këtë projekt vazhdoi edhe Jovan Cvejiqi. Punën e tij do ta vazhdojë shqiptar-urrejtësi Vasa Çubriloviqi me elaboratin famëkeq të 7 marsit të vitit 1937. Vasa Çubriloviqin e shqetësonte me të madhe shtimi i shqiptarëve dhe bënte plane që nga viset shqiptare duhet të shpërngulen shqiptarët dhe pastaj ato të serbizohen. Vasa Çubriloviqi, si shembull e merr kolonizimin e Toplicës e Kosonices pas vitit 1878. Historiani dhe politikani serb, Vasa Çubriloviqi, ka qenë njëri ndër pjesëmarrësit e atentatit të Sarajevesi ndaj Franc Ferdinantit, mëkëmbësit të Austro- Hungarisë.

 

Botimi më shpifës antishqiptar i qarqeve të tërbuara serbe është vepra e Milia Shqepanoviqit: “Kosovo Past and Present”, ku shkruan gjoja për eksodin e serbëve dhe të malazezëve të viteve 1878-1988. Elaborat tjetër antishqiptar është edhe ai i Ivo Andriqit, i cili kap 12 faqe tekst dhe është i ndarë në dhjetë kapituj me temën: “Për Shqipërinë”. Andriqi, në kapitullin e katërt, flet se marrja e luginës së Drinit nga ana e Serbisë do ta lidhte Serbinë me Detin Adriatik. Projekti i qarkut te Prizrenit në një raport të hartuar në fillim të viteve ´20 mbi rezultatet e veprimtarisë se administratës policore vinte në dukje, midis tjerash, se xhandarët i rrihnin fortë shqiptarët me qëllim që të shpërngulen…

 

Një ndër metodat e pastrimit etnik, të shkombëtarizimit të Kosovës, ishte edhe kolonizimi i Kosovës me elementin sllav dhe shpërngulja e shqiptarëve nga vendlindjet e tyre. Qëllimi i borgjezisë serbe, në të vërtetë, ishte që nën parullën e reformës agrare të zbatojë kolonizimin e Kosovës me elementin sllav të ardhur nga viset e ndryshme të Mbretërisë Jugosllave dhe nga disa shtete te jashtme. Qëllimi kryesor i kolonizimit ishte thyerja e kompaktësisë nacionale të popullsisë shqiptare dhe ndërtimi i strukturës nacionale në dëm të shqiptareve. Veçanërisht synimi ishte që të kolonizohej dhe të forcohej elementi kolonist në pjesën rreth kufirit me Shqipërinë, sepse mendonin se kështu kufiri do të ishte më i sigurt dhe do të ndërpritet vazhdimësia e popullatës autoktone shqiptare nga territori i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë…

 

FajtoriTashti, kush i ka fajet?

 

Vetëm të mjerët dhe qyqarët nuk mund të japin përgjigje në pyetjen tashti kush i ka fajet? S´do mend fare se fajet për këtë degëdisje të shqiptarëve i ka politika kosovare e udhëhequr nga kapotë e politikës. Si thotë populli ynë i ditur:”Kape njërin e mëshoi tjetrit”, ata dështuan shumë turpshëm në shtetformimin e Kosovës. Të gjithë pa dallim janë hajna të pasurisë së Kosovës. U pasuruan si sheikët e Katarit dhe lanë popullin në mjerim që të vuajë si në kohën e Migjenit, për kafshatën e gojës. Këta zyrtarë të pamoralshëm ikën nga fshatrat dhe uzurpuan Prishtinën dhe qytetet e tjera të Kosovës, duke ndërtuar shtëpi si në Nju-Jork, ndërkaq populli mbeti pa punë, pa ilaçe dhe bukën e gojës.

 

Këta kapo të bandave politike e lanë Kosovën gjashtë muaj pa Qeveri dhe udhëheqje vetëm për interesa personale, duke bërë pazar për poste politike. Këta do të mbajnë përgjegjësi historike për degëdisjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Qofshin të mallkuar të gjithë ata që votojnë në të ardhmen për këta hajna! Asnjëri nga të gjithë krerët politikë nuk kanë dallim. Shikoni Qeverinë dhe Kuvendin kuisling, të mbushur fund e krye me hajna, me ish-udbash…

 

Dhe krejt në fund fare, mos mendoni se e kam humbur durimin, ose kam humbur elementet e kulturës shqiptare, por të gjithë kapot e këtyre bandave politike kanë lëpirë edhe yndyrën e pasurisë së Kosovës deri në palcë, ndërkaq populli natën me acar, në shi e në borë bredh rrugëve, maleve, ujërave të botës duke rrezikuar edhe jetën e tyre… Kapot e këtyre bandave politike haram e paçin për jetë të jetëve djersën dhe mundin e popullit. Kësaj radhe kaq nga unë, Reshat Badallaj-Zhuriani, Hannover.

Shperndaje ne
Updated: 21 Shkurt, 2015 — 06:51

The Author

Reshat Badallaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.