BASHKJETESA FETARE E SHQIPTARËVE DHE ANA TJETËR E MEDALJES

     “Shqipëtar i vertetë ësht’ ay që ka mëndjen’ e zëmrënë shqipëtare “

Sami Frashëri

Autore: Fatbardha Demi

Bashkjetesa fetare e shqiptarëve ka çuditur ndër shekuj të huajt, që në historinë e vëndeve të tyre kanë patur luftra fetare, ku viktimat nuk njihnin moshë. Jo vetëm në lashtësi apo gjatë Kryqëzatave Mesjetare, por edhe para dy dhjetëvjeçarëve, në zëmër të Europës demokratike, kanë ndodhur beteja të përgjakshme fetare, siç ishte edhe lufta në Bosnjë-Hercegovine apo në Kosovë e sërbëve, nën flamurin e ortodoksisë. Kjo luftë fetare u gërshetua ,siç ka ndodhur gjatë të gjithë historisë njerëzore, me interesat pushtuese, pastrimin etnik dhe genocid të egër mbi popullsinë.

Tek arbërorët, çdo besim i ri, ka bashkjetuar (dashje-padashje) krahas besimit të lashtë, duke plotësuar nevojat shpirtërore dhe të jetesës, së tij. Toleranca fetare e arbërorëve është një dukuri e kaherëshme. Një prej “dy baballarëve” të Kishës Romake, siç e kanë përcaktuar historianët e katolicizmit, Shën Jeronimi me origjinë ilire “ishte kundër përjashtimit të kulteve të tjera në jetën shoqërore. E kjo 1600 vjet më parë!” (D.Gazuli “Shën Jeronimi prej Ilirije”forumi “zëmra shqiptare” 2010)

Për këtë dukuri unike të popullit shqiptar, kanë shkruar jo vetëm udhëtarët kuriozë, politikanë, të punësuarit pranë kancelarive të mbretërive ballkanike, albanologë , ambasadorë të vëndeve të huaja, por edhe përfaqësues të feve të ndryshme.

Kjo bashkjetesë e besimeve fetare tek shqiptari, dhe mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme, është komentuar herë-herë, si shprehje e mungesës së një besimi të vërtetë dhe ka provokuar dyshimin në përkushtimin e tyre ndaj besimit të krishter apo mysliman.

“Në dëshmi të ndryshme të këtyre shekujve (16-18) …tregohet se janë shumë të përciptë në kultin e krishterë, thuhet se kanë emrin të krishterë, po aspak besimin (Kerubini)”(f.39 Mark Tirta “Mitollogjia ndër shqiptarët” 2004)

Studiuesit më seriozë dhe që e njihnin mirë këtë popull, më i lashti në Ballkan, që kishin ngrënë në sofrën e tij duke shijuar bashkë me gjuhën e ëmbël shqipe edhe rrëfenjat dhe këngët kreshnike, e shpjegonin këtë dukuri, jo në mungesën e besimit fetar, por në përkushtimin parësor ndaj kombit dhe farës (klanit) së tyre, pastaj ndaj besimit shpirtëror. “Shqiptarët paraqiten si popull i kundërt nga të gjitha kombësite e tjera të Sulltanit…Shqiptari është gjithëmonë shqiptar. Sërbit mysylman dhe bullgarit mysylman, ua kanë fshirë ndjenjën e nacionalitetit, fuqija e fortë e Islamizmit” ( f 219,224 E.Durham “Brenga e ballkanasve”)

Por nuk është qëllimi i këtij shkrimi, të trajtoj vëndin që zë kombi dhe fara përkundrejt fesë, që është bërë tema e ditës në median shqiptare. Le t’i kthehemi tezës sonë mbi bashkjetesën fetare të shqiptarëve.

Atëhere, cila është ana tjetër e medaljes?

Ana tjetër e medaljes sigurisht lidhet me të kundertën e asaj që dëshmuam më lart, pra me « luftën fetare » ndërmjet shqiptarëve, apo më shqip “vëllavrasjen” për shkak të besimit të ndryshëm fetar, ngjarja kulmore e së cilës, qe lufta çlirimtare dhe fetare e vitit 1821, në jugun e Gadishullit Ballkanik.

Në historiografinë botërore, greke dhe atë shqiptare, ajo emërtohet “Revolucioni grek i 1821”. Në bazë të ngjarjeve të ndodhura, aty nuk patëm ndonjë revolucion, sepse nuk u përmbys asnjë shtresë klasore siç ndodhi në Revolucionin francez (1789-94), idetë e të cilit frymëzuan shumë popuj të asaj kohe. Parullën e tij “Liri-Barazi-Vëllazëri” edhe sot e gjen të shkruar ngado në murret e shkollave franceze.

Përkundrazi, të gjithë aktorët e atyre ngjarjeve, qenë në një mëndje se: “Kryengritja nuk duhet të ketë asnjë element përmbysjeje shoqërore” (f499 A.K.).Emërtimi si “revolucion” i ngjarjeve, gjatë dhe pas 1821, nga historiografia greke, u bë jo vetëm për “ta lidhur” me vëndin e nderuar që zë, në historiografinë botërore Revolucionin francez, por edhe për ta bojatisur fytyrën e vërtetë të kësaj lufte, që kaloi tre faza, duke nisur :1- Si një luftë çlirimtare kundër pushtuesit turk, 2- vazhdoi si një luftë civile dhe fetare për pushtet dhe pasurim 3- dhe përfundoi me spastrim etnik dhe një genocid të paparë, që vazhdoi në shumë dhjetvjeçarë edhe pas vitit të lartpërmëndur, për të krijuar një shtet homogjen dhe të krishterë helenik.

C’farë ndodhi në të vërtetë në këto vite?

Jo vetëm fuqitë e mëdha europiane si Anglia, Franca, Austro-Hungaria dhe Rusia, por edhe popujt e shtypur të Gadishullit Ballkanik, e kuptuan se Perandoria e Osmanëve në fillimet e shekullit 19, i kishte ditët e numëruara. Një shtet « klandestin » në fakt ekzistonte me të gjitha tiparet e një shteti europian perëndimor, dhe ky ishte Pashallëku i Janinës i Ali Pashë Tepelenës. Qëllimi i Pashait shqiptar ishte, pranimi dhe njohja e tij (me hir a me pahir) nga ana e Parandorisë dhe Fuqive të Mëdha.    Përpjekje për krijimin e një shteti shqiptar u bënë edhe në More. « Në vitet parakryengritëse T.Kolokotroni dhe Ali Farmaqi kishin shtruar planin e çlirimit të Moresë . Në qeverisjen e shtetit të lirë, do të kishte një këshill qeveritar prej 12 të krishterësh dhe 12 myslimanësh » (f417 A.K). Por, Ali Pasha nuk donte shtete të vogla shqiptare, por një shtet të fuqishëm me siperfaqe të gjërë tokësore, pra një Konfederatë me një shtet grek, me gjuhën e popullit shqipen dhe të administratës greqishten.“Aliu thirri në Janinë një kuvënd me përfaqësues të shqiptarëve dhe të grekëve. Në kuvënd ai shpalli krijimin e një shteti monarkik kushtetues, i drejtuar prej tij, i përbërë nga Shqipëria (me katër vilajetet e saj-shën im) dhe Thesalia. Greqia qëndrore dhe Moreja do të formonin një shtet grek autonom, nën protektoratin e Aliut ». (f90 Historia 4, 2010)

Duhet vënë në dukje, që kjo ide e Aliut mbeti si qëllim i bashkë-luftëtarëve të tij arvanitas edhe mbas krijimit të shtetit helen, por me drejtim të kundërt : Bashkimin e trevave shqiptare me ato të shtetit helenik dhe nën emrin e Konfederatës, në fakt të zgjerohej shteti grek, duke asimiluar dhe kthyer në fenë ortodokse, popullsinë autoktone shqiptare. Ishin arvanitasit, drejtues të shtetit helen, që krijuan edhe platformën e « Megalo-idhesë » ,që vazhdon të trazojë shpirtrat e qeverive greke edhe në shekullin e 21.

Në bazën e shtetit natyral shqiptar, të cilin donte ta krijonte Ali Pashë Tepelena, u vendosën dy nga idetë e Revolucionit francez, ajo e “lirisë” dhe “vëllazërisë ” (midis feve dhe etnive). Gjatë sundimit të tij , çdo besim kishte liri të plotë ushtrimi dhe përfaqësimi në administratën e tij.

Për këto ide të Ali Pashes, ( që mishërohen tek shqiptarët e ditëve të sotme) historiografia greke, e trajton veprimtarinë e tij të shkëputur nga ngjarjet e 1821 dhe e paraqet si një despot të pamëshirshëm që u ra në qafë  suliotëve „vllaho-grekë“ . Por, Perëndimi e vlerësoi shumë figurën e tij. Viktor Hygoi do të shprehej për Ali Pash Tepelenën se : « Ishte i vetmi kolos që shekulli ynë mund t’i kundërvë Napoleonit (me origjinë arbëreshe nga emigrantët e krahinës luftarake të Manit në Peloponez, që shkuan në ishullin e Korsikës- shën im) »(f431 A.K). Edhe Historiografia zyrtare shqiptare , e trajton të shkëputur nga ngjarjet e vitit 1821 dhe formimi i shtetit Helen.

Përse ngjarjet e periudhës 1821-1930 i emërtojmë si një pjesë e rëndësishme e historisë së shqiptarëve, ndërkohë që bëhet fjalë për krijimin e shtetit Grek?

Sepse përveç rolit të Ali Pashë Tepelenës në këto ngjarje , ishin kryengritjet e vazhdueshme të shqiptarëve , që tronditën themelet e sundimit të turqve në Ballkan, dhe sepse në pjesën jugore të Ballkanit, aty ku kishte qëndën jo vetëm Perandoria e Osmanllinjve por edhe ajo Bizantine , popullsia mbizotëruese ishte arbërore me gjuhën e popullit shqipen . Në Greqi arbëreshët « përbëjnë trupin kryesor të popullit kryengritës…në këto vite dëgjohen vetëm arbëreshë dhe maniate .Kladi, Meksi, Buzhiku, Griva, Mallami, Pulio, Dragoi, Himariotet, Buejt dhe një numër i madh të tjerësh, që ngritën popullin për të dëbuar turqit…Nuk kishte vënd në gadishull, të cilin shqiptarët mos ta ngrinin kundër Turqisë këta 400vjet. » (f 492, f.226, f249 A.K.) Edhe nëpër zyrat e qeverive “helenike” të krijuara pas vitit 1821, nuk mungoi te valvitej fustanella kombëtare shqiptare si veshje e zyrtarëve të saj të lartë .

Nga ana e historiografisë greke, këto luftra paraqiten si beteja të krishterëve ortodoks grekë, sepse myslimanët, që ishin “turq” sipas tyre, nuk e dëshironin çlirimin nga “Baba dovleti”- Perandoria Osmane. (« turq » dhe « grek » emërtohen sipas besimit fetar dhe jo kombësisë) Por faktet historike flasin ndryshe: “Më shumë lëvizje kryengritese kundër turqve kanë bërë shqiptarët myslimanë, se sa ata të krishterë” (f227 A.K.) Kjo dëshmon edhe një herë, se për shqiptarët, çështja kombëtare ishte mbi fenë, fakt që u dëshmua vite më vonë, në Kuvëndin e Lidhjes së Prizrenit (1878) kur u vendos të diskutohej për programin e veprimeve « pa folur për fenë. Të gjithë jemi shqiptarë ! »  (f112 Historia 4. 2010) .

Duke ju shtuar bishtat “is” , “os”,”as” emrave të figurave shqiptare që bënë historinë, dhe duke përdorur metodën fetaro-politike, por anti-shkencore (besim fetar, gjuhë = kombësi), u ndertua Historia greke e  “Revolucionit të 1821”. « Në asnjë festë kombëtare (të Greqisë-shën im) nuk i dëgjuam karrigo-manët apo komentatorët ëndrimtarë të radios apo televizorit (të flisnin) për kontributin e arbëreshëve në kryengritjen e ’21-shit »(f334 A.K.) Fatkeqësisht, edhe qeveritarët e sotëm shqiptarë nuk guxojnë t’iu a kujtojnë këto fakte, homologëve të tyre grekë, kur përflasin vënd e pa vënd « bukën » që ju japin emigrantëve tanë të fituar me djersën e tyre. Nuk e mohoj kurrësesi, luftën e popujve të tjerë për çlirim nga sundimi otoman në jug të Gadishullit Ballkanik, por siç thuhet « Jepi Cezarit atë që i takon ».

Pavarësisht se ngjarjet e sipërpërmëndura, kanë ndodhur në trevat që sot nuk përfshihen në shtetin shqiptar, historiografia zyrtare shqiptare, duhet të pasqyrojë në tekstet shkollore, të vërtetën historike të kombit të vet. Natyrshëm lind pyetja se përse nuk flitet për këtë kontribut si dhe „luftën fetare“ të shqiptarëve? …

Përgjigjen e kësaj pyetje duhet ta kerkojmë në ngjarjet e ditëve të sotme dhe në njohjen e ngjarjeve të ndodhura në fund të shekullit 18 dhe fillimin e shek.19.

Përse fuqitë europiane nuk e perkrahen „shtetin shqiptar“ te Pashait të Janinës? 

Sepse për perëndimorët dhe Rusinë cariste, Ali Pash Tepelena ishte “një kockë që nuk kapërdihej” dhe nuk u nënshtrohej zbatimit të planeve të tyre në Ballkan. Ëndra e Luanit të Janinës ishte të krijonte një shtet të fuqishëm natyral shqiptar, jo vetëm i të krishterëve, por i të gjithë besimeve fetare i cili do të bashkëpunonte me Fuqitë e Mëdha, por gjithmonë në interes të tij.

Kurse Anglia, Franca, Rusia dhe Parija vëndëse, bashkë me Klerin “janë të një mëndje që shteti i ri duhet të jetë i krishterë” (f498 A.K.) Fuqitë e Mëdha, nuk dëshironin një shtet konkurent në Ballkan, por një « koloni të krishterë» për politikat e tyre strategjike europiane dhe më gjërë. Më vonë, ata sajuan një shtet azmatik helen, ku tre partitë ekzistuese, « angleze », « franceze » dhe « ruse » duke luftuar kundra njëra tjetrës për të vendosur në pushtet njerëzit e tyre, u bënë shkaktare të dy luftrave të pergjakshme civile. Në këtë “garë” për ta përfshirë Ballkanin jugor në influencën e saj, Rusia qe më e suksesshme. Ajo kish kohë që vepronte, si me luftime dhe diplomaci, ashtu edhe me veprimtari të fshehta.

Mbas dështimit të ndërhyrjeve të vitit 1769,1790 dhe së fundi më 1807 në Jugun e Ballkanit me idenë e  pan-sllavizmit dhe krijimit të shteteve ortodokse rreth Turqisë, Rusisa vendosi t’iua lërë këtë detyre, në dorë të krishterëve vëndës, por që ishin në shërbim të saj.

Për këtë qëllim u themelua ne Odesse, shoqëria e fshehtë « Filiqi Eteria »(14.09.1814) Siç shprehej edhe kasapi i Luftës së II botërore, Hitleri: « Forca, pa një themel shpirtëror është e destinuar të dështojë ». Themeli ideollogjik i kësaj shoqërie, do të ishte besimi ortodoks. Ortodoksia krijoi urrejtjen midis arbëreshëve dhe vëndin e perkatësisë kombëtare dhe të farës(klanit) e zuri ekstremizmi fetar. Ky themel shpirtëror, siguroi edhe suksesin e planeve të Filiqi Eterisë dhe shfarosjen masive të shqiptarëve. Anëtarë të shoqërisë së fshehtë të krijuar nga ruset, ishin edhe komandantët arvanitas të 1821 si : Jani Gura, Jani Koletti, Odise Andruco, Bubulina,Marko Boçari etj. (shume prej tyre kishin sherbyer ne ushtri apo administratën e Rusisë cariste) Ata kontribuan në arkën e saj me shuma të hollash personale. Plani i kësaj shoqërije ortodokse, përcaktoi edhe tre fazat e « Revolucionit 1821 ».

Kjo organizatë e fshehtë, nuk kishte ushtri dhe as njihej nga populli (bile anetarët e thjeshtë, nuk e dinin se kë kishin mbi krye, te ashtuquajturit “te padukshmit” dhe as planet reale të saj), por ajo kishte mbështetjen e Carit të Rusisë, për këtë arësye edhe Ali Pash Tepelena ju drejtua për bashkëpunim, por pa sukses. Ai e kuptoi se duhej të mbështetej vetëm tek mobilizimi i masave popullore “pa dallime fetare” për “Liri”. Kjo thirrje e Aliut, ngriti arbërorët e të dyja feve. Shqiptarët që niseshin për luftë këndonin : « Nderin dhe Kombin i kemi bashkë / Të krishterë e mysylmanë  » (f293 A.K.)

Marko Boçari, përpara betejës në Mesollongj (9.09.1823) , shtrëngoi duart me bashkë-luftëtarët e tij, duke dhënë besën me “vllamët” për të luftuar deri në pikën e fundit të gjakut kundër Mustafa Bushatit. Trimëria e tij mahniti bashkohësit europiane qe i kushtuan poezi dhe e përjetësuan në vepra pikture . Poeti i madh anglez, Bajroni, mbajti një fjalim mbi varrin e Marko Boçarit, i veshur me kostumin tradicional shqiptar.

Shoqëria “Filiqi Eteria” ja kishte nevojën e shqiptarëve, si të krishtere dhe sidomos myslimanëve që “janë fuqija më efektive e përleshjes me Turqinë” si bardhunjotët, laliotët në More (f497 A.K) .

Në 1820, “Kuvëndi i Kapedanëve të Rumelisë” themeloi Aleancën Kombëtare të Grekëve (me grekë duhet nënkuptuar shqiptarë të të dy besimeve) që pati një jetë të shkurtër (nga 15.1.1821deri më 12.1821). Vulosja e kësaj marrëveshje më 15.1.1821, shënon nisjen e luftës së përgjithëshme, dhe jo më 25.3.1821 sipas historiografisë greke, kur Gabrieli bën meshën e Shën Mërisë. Qëllimi i ndryshimit të dates, u bë që të theksohej autorsia ortodokse dhe greke, i të ashtuquajturit « Revolucion grek 1821 » .

Mbas rrethimit të Aliut nga turqit, ndihmesi i tij besnik, himarioti Odise Andruco, u vendos në krye të Këshillit të Kapedanëve të Rumelisë për të vazhduar planet e tij. Në fazën e parë të luftës, kur mbizotëronte fryma e Ali Pashë Tepelenës, ajo e çlirimit nga sunduesit osman, thirrja për luftim ishte « Ja vdekje ,ja Liri ! » (siç u dëgjua në të gjitha luftrat anti-osmane të shqiptarëve). Por pas një viti, ajo u zëvëndësua me thirrjen « Në njerën dorë thikën dhe në tjetrën Kryqin!», që udhëhoqi më vonë andartët grek në jugun e Shqipërisë dhe në trevat e Camërisë, por edhe në luftën e Kosovës të fundit të shekullit 20.

Fundi i ekzistencës së Aleancës, shënon edhe fillimin e fazës së dytë të luftës , asaj të Kryqëzatës fetare kundër shqiptarëve të besimit mysliman, nga shqiptarët e besimit ortodoks, në bashkëveprim me ortodoksët vlleh, turq të konvertuar, sllavë dhe fanariotë të mbështetur nga të gjitha Fuqitë e Mëdha. « Sa panë se peshorja anonte nga ana e kryengritësve, (despotët,pedantët politike të syzeve miopike dhe rendikotave) erdhën në Greqi, jo për të luftuar, por për të zënë postet. Të gjithë këta përpiqeshin të fanatizonin masat e krishtera,që të prishnin Aleancën.” Despotët donin kope me dhentë e veta” (f462 A.K.)

Ne nëndor 1821, kapedani Tahir Abazi me urdhër të arvanitasve të tjerë myslimane të Aleancës, shkoi në Kuvëndin e Parë të Grekëve, si dhe për të parë vëndet e çliruara. Kudo sheh xhami të rënuara, myslimanë të vrarë dhe familjet e tyre të skllavëruara. Myslimanët shqiptarë sulmonin kundra ushtrisë turke (e përbërë me shumicë po nga myslimanë shqiptarë), nga ana tjetër vriteshin nga bashkë-kombasit e tyre të krishterë.

Në kujtimet e tij, historiani arvanitas Makrijani shkruan:”Ndërkohë që grekët (shqiptarët-shën im) , e vëllazëruar të krishterë dhe myslimanë, po përpiqeshin të çlironin Njohorin, mbriti gjysëm i vdekur në front, i vetmi arvanitas mysliman që kishte mbetur i gjallë nga thika e “aleatëve” të krishterë të Moresë. Atëhere (myslimanët) “zunë britmat nga dëshpërimi. Thanë: “Zoti im, përse zëmrohesh me ne fatkeqët? Dhe armiqt tanë (turqit) na vrasin dhe miqtë tanë (të krishterët) që ndërsa na japin besën e të qënit miq, me pabesinë e tyre na vrasin fshehtas »(f458 A.K)

Këto veprime befasuan jo vetëm kapedanët myslimanë të shqiptarëve, por edhe ata të krishterë që donin të çliroheshin nga turqit dhe jo të vrisnin vëllezërit e një gjaku. Ata që mendonin kështu, u vunë në listën e myslimanëve të destinuar për t’u vrare. « Ata që gjatë kryengritjes vazhdojnë të këmbëngulin që të vënë në jetë planin e tij (të Ali Pashe Tepelenës-shen im) duhen zhdukur me çdo lloj sacrifice…Pra t’i përdorim per sa kohë nuk përbëjnë rrezik » (f499 A.K.)

Për të qënë më të saktë, kjo luftë vëllavrasëse mbi baza fetare të shqiptarëve, nuk filloi më 1821 dhe nuk mbaroi me njohjen e shtetit Helen (1830).

Të gjithë historianët flasin për luftën e suliotëve me Ali Pash Tepelenën, por nuk përmënden shkaqet e vërteta të saj. Asnjë libër mësimor grek por as shqiptar, nuk përmend masakrën e Dervishanës të vitit 1772, shëmbullit klasik të fanatizmit mesjetar fetar, që morri përmasa katastrofale në fazën e dytë të ngjarjeve të 1821.

700 suliotë të krishterë, sulmuan fshatin mysliman çam të Dervishanës (26.07.1772) dhe pasi rrëmbyen të gjitha vajzat, i therrën pa perjashtim, burrat dhe djemtë e rinj të fshatit duke ju a prerë kokat. (Abedin Rakipi « Masakra e Dervishanës 1772 ») Kjo masakër e kishte burimin jo thjesht në kundërshtinë e fshatit çam ndaj banditizmit të kleftëve suliotë, por nga drogimi fetar ortodoks, që gjakun e vet, por të fesë tjetër e shikonin si « një të keqe » e cila duhej zhdukur. Në vitet që pasuan (1821), kjo « vëllavrasje fetare » do të përfshinte të gjithë jugun e gadishullit ballkanik.

« Është e tepërt të rradhisim këtu të gjitha rastet ku këta zotërinj (kapedanët ortodoks shqipetarë së bashku me ortodoks te kombesive te tjera-shën im) godisnin dhe vrisnin pa asnjë lloj arësyeje arvanitasit mysylmanë, që i dorëzoheshin ushtrisë së krishterë duke braktisur turqit, ndërkohë që nuk bënin të njëjten gjë me turqit halldup » (f506 A.K.)

Disa prej pasardhësve të kapedanëve shqiptarë ortodoksë, që udhëhoqën Kryqëzatën fetare gjatë « Revolucionin grek të 1821 », i përsëritën barbarinë mesjetare, duke kryer krime nga më çnjerëzore sidomos në trevat e jugut të Shqipërise dhe Camëri. Napoleon Zerva, emri i të cilit do të shënohet përherë përkrah kriminelëve më gjakatar të shekullit të 20-të (siç thuhet «  pasuria tretet-emri mbetet » ), vijoi shfarosjen dhe dëbimin e popullsisë autoktone çame, të nisur nga stërgjyshi i tij suliot Tusas Zerva.

“Djali i Markos, Dhimitri Boçari, u be tre here minister i luftes nen mbreterit Oton dhe Georgios, i asaj ushtrije qe sipas shkrimtares M.Vickers dogji dhe masakroi 46 fshatra myslimanesh vetem ne Shqiperine e sotme te jugut, pa llogaritur Camerinë dhe gjithe trevat qe mbeten jashte kufijve shqiptare, duke mos prekur as edhe nje fshat ortodoks” (Abedin Rakipi “Suliotet nuk donin Camerine dhe çamet, por Greqine”)

Ekstremizmi i tejskajshëm i besimit fetar, i ktheu shqiptarët ortodoks në makineri vrastare kundër vëllezërve të tyre, dhe jo vetëm kaq, por « fatkeqësisht kjo dukuri ka bërë që në Ballkan të zhduket kultura e popujve të vjetër të cilët besonin në kishën ortodokse, dhe trashëgimia e tyre kulturore dhe territoriale të manipulohet nga shtete dhe kishat nacionale“.(Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë“ Wikipedia, Enciklopedia e Lirë“)

Si vallë zuri vënd fanatizmi fetar në shpirtin e shqiptarit, sa ta quaj „të huaj“ bashkë-kombasin e tij dhe me një urrejtjeje të papërmbjtur, të ngrejë dorën kundër gjakut të vet për ta zhdukur?

Në këtë shpërfytyrim, merita kryesore i takon përpjekjeve të Kishës Ortodokse greke. Një nga bashkë-kohesit e atyre viteve, francezi Pukëvil vëren : “Grekët e sotëm (të krishterët) e them me siguri, se nuk do të shohin në kryengritjen e tyre, asgjë tjetër përveç triumfit të fesë së tyre…” (515 A.K.) Por fanatizmi fetar nuk ishte faktori i vetëm. Grykësia për pasuri dhe pushtet e kapedanëve shqiptar ortodoks, do të përbënte bazën mbështetëse të saj. Masat popullore, sipas traditës, ndoqën krerët e tyre, por nuk fituan asgjë.

« Mbas mbizotërimit të kryengritjes dhe krijimit të shtetit të pavarur grek, të varfërit u bënë më të varfër dhe të pasurit më të pasur. Kapedanët… morrën feude (prona-shën im) me këtë mënyrë : Hipnin në një kodër dhe aq sa u zinte syri në terren, bëhej prona e tyre personale » (f502 A.K.)

Kjo grykësi për pushtet dhe pasuri, e nxitur nga fanatizmi fetar, dhe e mbështetur nga interesat e Fuqive të Mëdha , shkaktuan luftrat civile, ngjarjet e së cilës do të ishin të denja vetëm për penën e Shekspirit.

Odise Andruco emërtohesh si një nga kapedanët më të shquar të luftës çlirimtare të 1821. Ishte luftëtar i madh, organizator, inteligjent dhe shumë popullor. Krahui tij i djathtë ishte Jani Guri dhe siç ndodh në çdo luftë, lidhja e tyre u kurorëzua jo me betime besnikerije, por në ballë të sulmuesve, nën breshërinë e plumbave dhe vringellimën e shpatave kundër ushtrisë osmane. Ishte një luftë e pabarabartë dhe më shpesh guerile, për t’i bërë ballë ushtrisë armike, te madhe në numër dhe më të armatosur. Ishte po ai kapedan Guri, që e arestoi ,ish komandantin e tij (1825) dhe për dy muaj e torturoi pikerisht në Akropolin të cilin Odise Andruco e kishte mbrojtur nga turqit, që të tregonte se ku e kishte fshehur pasurinë. Odisea u mbyt me litar dhe historia greke e përjetësoi si « tradhëtar » të kauzës çlirimtare të grekëve.

Dhe nuk ishte vetëm Odise Andruco viktimë e kësaj lufte për pushtet, por edhe kapedanë të tjerë si Kolokotroni, Delijani, Griva dhe shumë të tjerë që u burgosën, u vranë apo u persekutuan nga kundërshtari i tyre politik, Jani Koletti (ish mjek në oborrin e Ali Pashë Tepelenës) dhe mbështetësit e tij, që të gjithë me gjak shqiptari.

Lufta për pushtet, la pas dore luftën kundër turqve dhe ishte popullsia, ajo që u bë viktimë e hakmarrjes së egër të ushtrisë osmane. Në qershor të 1824 qeveria e Kolettit, Konduriotit dhe Mavrokordatos, morri nga anglezët një kredi për armatosjen e ushtrisë, prej 520 000£ (një shumë e lartë për kohën). Këto para u përdorën kryesisht për të blerë kapedanët, nga kampi i kundërshtarëve politikë (rebelëve, siç i quanin). Ndërkohë trupat e Hysen Beut të ardhura nga Egjipti si ndihmë për Perandorinë Osmane, pushtuan ishullin e Kasos . Urdhëri i ditës qe :“Të gjithë meshkujt mbi 8 vjeç do të vriten, gratë dhe fëmijët do të shiten!” (“Historia moderne greke” Wikipedia)

A e përjashtojnë njëra tjetrën, dy anët e medaljes?

Sigurisht që jo. Përkundrazi, në historinë tonë kombëtare, duhet të zënë vënd të dyja (« bashkjetesa fetare » dhe  « lufta fetare » e shqiptarëve) sepse të shkëputura ato nuk na japin të vërtetën historike. Fanatizmi fetar, që gradualisht i ktheu në « të huaj » dhe „armiq“ pjëstarët e një kombi, shfaqet edhe në historinë e trevave shqiptare të veriut, si në Mal të Zi dhe Kosovë. Tek shumë kasapë të shqiptarëve të këtyre trevave, rridhte po ay gjak si i viktimave të tyre.

Ana e kundërt e medaljes, nuk e errëson aspak dukurinë e „tolerancës fetare“ tek shqiptaret e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Camërisë e të Diasporës, dhe nuk i ul vlerat e kombit tonë. Studimi dhe njohja nga brezat e rinj, « të luftës fetare të shqiptarëve » është një domosdoshmëri për ta ruajtur dhe trashëguar « bashkjetesën fetare » dhe mos-tjetërsimin e kombit tonë. Ngjarjet e « Luftes çlirimtaro-fetare të 1821 » kanë një rëndësi të madhe aktuale, sepse shumë erëra që përshkuan qiellin e atyre kohërave, fryjnë përsëri mbi kokat e shqiptarëve, të ndodhur brënda dhe jashtë kufijve të 1913-ës .

 

Fatbardha Demi       3.03.2011

 

A.K.- Aristidh Kola « Arvanitasit dhe prejardhja e grekeve »2002

Shperndaje ne
Updated: 30 Tetor, 2020 — 01:04

The Author

Fatbardha Demi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.