Gjuha shqipe e bashkuar, domosdoshmëri jetike.

Dashuria ndaj atdheut, kulturës dhe popullit tonë nuk mund të jetë e sinqertë nëse nuk çmohet dhe nëse nuk ruhet gjuha jonë. Gjuha është një organizëm i gjallë dhe si e tillë ajo pëson ndryshime, ajo zhvillohet, ajo pasurohet.
 

Ndaj këtij evolucioni duhet pasur kujdes rrugën nëpër të cilën kalon gjuha, kështu që në çastin e caktuar të merren masa të duhura për t’i dhënë një trajtë më të përsosur dhe duke e ruajtur nga tëhuajësimi. Gjuha është ajo që i vuan pasojat e jetës materiale dhe shpirtërore të një kombi, të cilat, duke u pasuruar me shpejtësi të madhe, sjellin çdo ditë dromca të reja.

Njeriu që e do kombin e vet duhet të gjejë shprehje të përshtatshme dhe të emërojë me emra shqip ato dromca të reja të futura në gjuhën tonë. Nëse gjuhën e ngarkojmë me fjalë dhe me emra të huaj, ajo do t’i ngjajë një të sëmuri rëndë, për të cilin vdekja është e pakapërcyeshme.

 
Akademik Mark Krasniqi, në librin e tij “Gjurmë e gjurmime”, shkruan: “Gjuha e përbashkët letrare, me të gjithat elementet përkatëse që përfshin ky kuptim, është një domosdoshmëri e çdo kombi, sepse pa të ai nuk ka ardhmëri të zhvillimit kulturor dhe as të ekzistencës kombëtare”. Pastaj, ai vazhdon: “Gjuha e përbashkët letrare është një element i fuqishëm lidhës, është çimento e fortë që shtrëngon gurët e granitit të kompaktësisë kombëtare, është fuqia më e madhe që e lidh një popull”.

Gjuha letrare, apo gjuha e njësuar apo gjuha e bashkuar, apo siç i thonë gjermanët gjuhës së tyre Gjuha e lartë, e ka një detyrë historike në zhvillimin e kombit, i cili duhet të burojë nga vetë populli; gjuhë e cila duhet të ushqehet pandërprerë nga burimi i pashtershëm i pasurisë së të folurit pastër të tij.

Neve na është njohur, të huajt na e pranojnë se kombi shqiptar ka një begati të madhe të kulturës shpirtërore që përfshin në vetvete dromca dhe veti të krahinave të ndryshme mbarëkombëtare. Ne duhet të jemi krenarë që dialektet tona, forma e të folurit tonë, ndryshimet shprehëse të pjesëve të ndryshme shqiptare, nuk e varfërojnë gjuhën tonë.

Duhet të jemi të gëzuar që kemi kaq shumë burime të ndryshme që e derdhin ujin në lumin e përbashkët të vetëm, në lumin e madh të gjuhës së përbashkët, gjuhës sonë të madhe mbarëkombëtare. Mbledhja e të folurit popullor është përherë e domosdoshme nga të gjitha anët ku jetojnë shqiptarët.

Fjalët e harruara që janë të domosdoshme për ripërtëritjen e gjuhës sonë duhen të mblidhen që nga hundëzakët e Aleksandrit të Madh, shqiptarët e Ukrainës, shqiptarët e Bullgarisë, arbëreshët e Italisë, si dhe nga të gjitha viset shqiptare të Gadishullit Ballkanik e posaçërisht gegërishtes.

 
Pa dyshim. Në këto ditë të hutisë kombëtare duhet që gjuhës shqipe t’i bëhet një rishikim. Bota e qytetërua ecë me kohën .
 
I ndjeri Daniel Gàzulli më shkruante : “….. Por ama e njësueme
Shkrim fort i mirë si në qellim, ashtu edhe në shtjellim. Pyetja ime asht e thjeshtë: Përse vazhdohet me kambëngulë e mos me rishikue normat e vitit 1972, që nuk kanë aspak nevojë të përmbysen, por vetëm të pasunohen me trajta pjellore të gegnishtes? Vetëm atëherë do të kishim një gjuhë vërtetë të njësueme e jo një gjuhë të drunjësueme, që ka pak shtrat për zhvillim e përthithje të të gjithë pasunisë kombtare gjuhësore.( 12.06.2011]
 
Gjuha e njësuar duhet të përpunohet vazhdimisht, siç është rasti me “Hoch-Deutsch”-in (Gjermanishtja e lartë). Po sot , kush është ai burrë që i mbledhë shqiptarët për një rishikim të Gjuhës së Lartë Shqipe.
 
Të gjitha ato fjalë, emra, shprehje të gjetura të rrënjës, duhet të gjejnë vendin e merituar në Fjalorin e Gjuhës së Madhe Shqipe. 
 

Akademik Mark Krasniqi pastaj shton: “Gjuha e popullit e kalon një jetë të qetë, ajo rritet si bari në mal e si gjethi mbi lis pa u dëgjuar fare në mënyrë të vetvetishme”.

“Në krahinat shqiptare kudo që janë, e shqipfolëse të shpërndara nëpër botë, jeta kalohet së bashku me gjërat dhe sendet që e rrethojnë e me të cilat takohet përditë. Ndryshimet e tyre vërehen çdo ditë, shikohen me qindra herë, iu zbulohet fshehtësia dhe kështu ato gjëra, ato sende, ato ndryshime kryhen, dhe në atë mënyrë e tregojnë trajtën e tyre, e tregojnë emrin e vet të vërtetë, emrin e përshtatshëm në gjuhën tonë. Prandaj, duhet mbledhur gjuha e popullit të thjeshtë që është gjuhë e vetvetishme, e pastër, e rrjedhshme dhe e natyrshme shqipe”.

 

Duke kërkuar më shumë të gjej, të mësoj më shumë për gjuhën, e gjeta edhe këtë porosi:“Ruani gjuhën sikurse tokën, mos e merrni fjalën e huaj në gojën tuaj. E more atë, ta dish se nuk e pushtove por fjalën tënde e tëhuajësove.

Vendet dhe shtetet nuk nënshtrohen vetëm me shpatë, por edhe me gjuhë. Ta dish se armiku të ka mundur dhe nënshtruar po aq, sa fjalë të tija t`i ka futur në gjuhën tënde. Edhe gjuha pëson nga epidemitë, sikur njeriu. Dy popuj mund të luftojnë ndër vete, por edhe të pajtohen, dy gjuhë të ndryshme kurrë s`mund të pajtohen.
 
Dy popuj mund të jetojnë në paqe dhe në dashurinë më të madhe, por gjuhët e tyre duhet vazhdimisht të luftojnë e të mbrohen. Kur dy gjuhë takohen dhe përzihen, ato janë si dy ushtri në luftën për jetë a vdekje. Deri atëherë kur në atë luftë dëgjohet njëra dhe tjetra gjuhë, lufta është e barabartë. Kur fillon që më shumë të dëgjohet njëra gjuhë në tjetrën, ai popull u robërua. Pastaj dëgjohet vetëm njëra gjuhë.

Lufta mbaroi. U zhduk një gjuhë, u zhduk një popull. Edhe unë, në luftërat e mia e kam përdorur gjuhën si armën më të rrezikshme. I kam dërguar edhe unë epidemitë tona në gjuhët e popujve tjerë. Gjatë kohës së rrethimeve por edhe më gjatë i kam dërguar barinjtë, fshatarët, zanatlinjtë dhe bredhësit që t`i vërshojnë qytetet e fshatrat e tyre si shërbëtorë, si robër, si tregtarë, si hajdutë, si të marrë. Udhëheqësit e regjimenteve ushtarake me këtë shkonin gjer te gjysma e pushtimit të vendeve dhe qyteteve. Më shumë kam pushtuar me anën e gjuhës se me anë të shpatës…”.

Për rëndësinë e gjuhës shqipe mbarëkombëtare dhe të pastër e kisha përfunduar me të madhin At Gjergj Fishta: “Pra mallkue njaj bir` shqyptari që kët gjuhë të Perendis`, trashegim që na e le i pari, trashegim s`ia len ai fmis. Edhe atij iu thaft, po, goja që përbuz këtë gjuhë hyjnore, qi n’gjuhë t’huaj, kur s’asht nevoja, flet e t’veten e len mbas dore… N’per gjuhë shqipe, bota e mbarë ka me ju njoht ç’fis kini…”.

Fahri Xharra 08.07.17

Gjakovë

 
Shperndaje ne
Updated: 8 Korrik, 2017 — 06:29

The Author

Fahri Xharra

2 Comments

Add a Comment
  1. DARDANIA
    Gjurmët flasin vetë
    Jemi më të vjetrit
    Nga Pellazgët
    Dardanisë Antike.
    Trashëgimi e lashtë
    Dyndje popujsh babarë
    Nga lufta e Trojës
    E di bota mbarë
    Se Homeri ishte pellazg,
    Troja e dytë Butrinti
    Eneu ishte Dardan.
    Alfabetin latin
    Gjuhën tonë të lashtë
    E folën profetët
    Zeusi – zoti i zotëve.

    Nga Halil Preniqi

  2. GJUHA E LASHT SHQIPE

    Manastir 1908
    36 shkronja të arta
    Mbuluan si zogjtë
    Troet Shqiptare .

    Shkolla shqipe
    Arma më e fortë e popullit
    Shekuj me radhë u munduan
    Të na lën në terr

    Nënë Shqipëri
    Që nga jugu në veri
    Na i mbush zemrat me dashuri .

    Nga Halil Preniqi

Lini një Përgjigje te Halil Preniqi Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.