Reagim: Mohimi i prejardhjes pellazge, mohim i egzistencës shqiptare në Mesdhe.

“Pellazgët janë stërgjyshër të shqiptarëve të lashtë, të cilët banonin në pjesën më të madhe të botës që njihej asokohe. Ata ndërtuan vepra me vlera kolosale që ia lanë trashëgim njerëzimit”. Kështu thuhet në faqen 873 të Enciklopedisë së Madhe Greke, vëllimi 19, botim i vitit 1932, e cila gjendet në sallën e referencave, hartave dhe Albanobalkanologjisë të Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë.

Autor: Çlirim Hoxha


Shkak për këtë shkrim u bë një ceremoni e zhvilluar disa javë më parë në sallën “Rilindja” të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, ku Profesor Myzafer Korkutit, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, iu akordua titulli “Doktor Honoris Kauza”.
 
Veç vlerësimeve për punën shumë vjeçare në fushën e arkeologjisë dhe historisë, kërkimeve dhe botimeve për ilirët, anës së mësimdhënies, referencave dhe nderimeve në shumë akademi dhe universitete të botës, që iu vunë në dukje akademikut të nderuar, ajo që tërhoqi vëmendjen e sallës ishte fakti se, Prof. Muzafer Korkuti në fjalën e tij pas marrjes së titullit “Doktor Honoris Kauza”, sulmoi edhe një herë çështjen pellazge dhe studiuesit e pallazgëve dhe pellazgjishtes.
 
Ai foli për disa “diletantë”, siç i quajti ai, që edhe Homerin duan ta bëjnë shqiptar, që kërkojnë me çdo kusht që pellazgët ti quajnë paraardhës të ilirëve, që Dodonën e transferojnë në malin e Tomorit etj. Pra, me pak fjalë Profesor Korkuti mbrojti me fanatizëm studimet dhe botimet e tij mbi Ilirët, duke vendosur edhe një herë një barrierë antishkencore kundrejt studiuesve të tjerë shqiptar dhe të huaj lidhur me çështjen pellazgjike, faktet dhe dokumentet që bota mban në bibliotekat, arkivat dhe muzeumet e saj.
 
Ka vite që shumë studiues të pavarur shqiptar, apo të organizuar në shoqata për studimin e pellazgëve dhe etnogjenezës së popullit tonë në shekuj, shpërfillen në mënyrë aspak korrekte nga ana e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe posaçërisht nga Kryetari i saj Prof. Myzafer Korkuti?!
 
Akademiku i nderuar vazhdon me kokëfortësi të mohoi çështjen pellazge, duke kërkuar ta përhap këtë çështje mes popujve të tjerë të Mesdheut dhe ta veçoi nga ilirët dhe shqiptarët. Ai kërkon të na mbush mendjen se, Ilirët dhe shqiptarët nuk i lidh gjë me pellazgët. Pra, sipas tij, ilirët janë tjetër gjë dhe pellazgët janë tjetër gjë?!
 
E kuptojë përpjekjen e Prof. të nderuar për të mbrojtur studimet dhe botimet e tij, nga frika se, po të pranoi studimet dhe faktet e rejat të këtyre viteve mbi prejardhjen pellazge të ilirëve dhe shqiptarëve, ka frikë se shkel me këmbë ato që ka mbrojtur për 40 e ca vjet?!
 
Ne nuk kërkojmë që të hedhim poshtë studimet dhe kërkimet e arkeologut dhe historianit Prof. Myzafer Korkuti, pasi ato janë pjesë e elitës së studiuesve shqiptar nëpër kohë. Studimet dhe botimet e akademikut Korkuti kanë pasur një këndvështrim të ngushtë në kohën e komunizmit përsa i përket parailirëve, atëherë kur ishte e vështirë të kërkoje apo hulumtoje në arkivat, bibliotekat apo muzeumet e Europës për etnogjenezën e shqiptarëve në shekuj. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi të drejtë të shkojmë në arkivat, bibliotekat dhe muzet e botës për të kërkuar dhe studiuar dokumente autentike që na dëshmojnë për hershmërinë e pellazgëve dhe ilirëve të të njëjtit trung në Mesdhe dhe më gjerë.
 
I ndikuar dukshëm nga koha e komunizmit, kur Enver Hoxha herë mbështeste teorinë e ekzistencës së pellazgëve dhe i quante ata paraardhës të ilirëve dhe shqiptarëve, pastaj lëkundej nga Prof. Çabej dhe kërkonte maturi dhe frenim, Profesor Korkuti është bërë sot zëdhënës i vendosur i mohimit të ekzistencës së pellazgëve si paraardhës të ilirëve dhe shqiptarëve.
 
U detyruam të kërkonim në veprën Enver Hoxha “Për shkencën” Vëllimi I (Përmbledhje veprash) 1942-1975, ku tregohen disa korrespodenca me studiues të ndryshëm, por edhe fjalime e porosi që jepeshin për studimin e gjenezës së popullit tonë në shekuj.
 
Duke iu referuar letrës që Enver Hoxha i dërgonte Prof. Spiro Kondës të dt.19 korrik 1966, fq.271 në përgjigje të letrës së këtij të fundit të dt.6 korrik 1966, ku e njoftonte për studimet e tij në lidhje me pellazgët si paraardhës të ilirëve dhe shqiptarëve të lashtë, udhëheqësi komunist e inkurajonte Prof. Kondën në studimet e tija për çështjen e pellazgëve, ku ndërmjet të tjerash i shkruante:
“Përpjekjet dhe kontributi juaj, si në veprën e parë <<Albanët (shqiptarët) dhe problemi pellazgjik>>, ashtu edhe në të dytin <<Studime parahistorike>>, kanë një rëndësi të veçantë për studimet shkencore në fushën e historisë tepër të lashtë të atdheut tonë të dashur”.
Po në veprën “Për Shkencën” në faqen 216, (fjalim i mbajtur në shtëpinë e kulturës Tepelenë 27 tetor 1963, duke iu referuar lashtësisë dhe kulturës së popullit shqiptar shkruhet: “Populli shqiptar është një popull me kulturë të lashtë. Po vallë a e dimë, a e kemi zbuluar ne, a e ka zbuluar plotësisht shkenca, arkeologjia jonë tërë kulturën e lashtë të popullit shqiptar? Jo, nuk e ka zbuluar. Në historinë e popujve ekzistojnë disa çështje, të cilat sa janë prekur, disa çështje të tjera kanë influencuar pozitivisht në kulturën e popujve të tjerë. Këto gjëra historia i shkruan, po shumë prej tyre akoma nuk i shpjegon dot.
 
Përshembull, për sa i përket prejardhjes së shqiptarëve nga pellazgët, ka debate, disa thonë jo, disa po. Historianët dhe poetët e mëdhenj të antikitetit grek, si Tuqididi, Homeri e të tjerë në veprat e tyre përmendin shumë emra malesh e lumenjsh që janë me origjinë ilire. Si ndodh kjo?
Dihet se populli shqiptar është një nga popujt më të vjetër të Ballkanit dhe të Europës. Kjo do të thotë se grekët kanë ardhur dhe kanë gjetur vendas këtu, të cilët ata i quanin <<barbarë>>, jo me kuptimin e njerëzve të egër, por të huaj për ta dhe këta <<barbarë>>, pellazgët, siç i kanë quajtur vet autorët antikë, kanë influencuar në kulturën e lashtë të grekëve të vjetër”.
 
Në po këtë përmbledhje veprash dhe pikërisht në faqen 224, “Shkenca nuk ka frikë nga polemika” ai shprehet: “Edhe unë jam i mendimit me tezën se pellazgët kanë ekzistuar, gjë që e provon edhe shkenca, e tha edhe Stefanaqi. Po tani kjo çështje duhet të thellohet edhe më tepër”.
 
Pra siç shihet, këtu nuk kemi për qëllim që ti referohemi Enver Hoxhës për tu mbushur mendjen të tjerëve, por për të treguar se çështja pellazgjike ka qenë një çështje që ka ngrënë debat edhe në kohën e regjimit komunist në Shqipëri. Shumë studiues e drejtojnë gishtin e prejardhjes së shqiptarëve tek pellazgët.
 
Në librin e tij “Pellazgjit” të përkthyer nga vepra e albanologut Hahn, Stamboll 1910, Eqerem bej Vlora na sjellë argumente dhe fakte mbi prejardhjen e shqiptarëve dhe ilirëve nga pellazgët. Studiuesi Hahn jep një pasqyrë të detajuar etnografike, gjeografike, gjenealogjike (të fiseve shqiptare) në periudhën kur Mesdheu dhe konkretisht Egjipti i lashtë fliste shqip.
 
Kur Mesopotania e lashtë fliste shqip. Kur Hititët flisnin gjuhën anatoliane, pra gjuhën shqipe. Kur midis lumenjve Tigër dhe Eufrat banorët e erës, pra shumerët flisnin shqip. Kur banorët e lashtë të Apenineve etruskët para-romak flisnin shqip.
 
I nderuar Profesor Korkuti. Mohimi i mohimit të prejardhjes së shqiptarëve nga pellazgët, është mohimi i ekzistencës së një kulture super të lashtë që u ngjiz në Mesdhe, Europë, Azinë e Vogël veriun e Afrikës dhe në të gjithë pellgun nga Atlantiku në Kakukaz qysh në agimet e epokës njerëzore.
 
Ju kritikoni ata që kërkojnë që Homerin ta bëjnë shqiptar, por nuk kemi faj ne që Homeri në veprat e tij epike “Iliada” dhe “Odisea” trajton histori shqiptare të pellazgëve. Duke shfletuar Iliadën e Homerit ndalemi në faqen 681 dhe lexojmë: “Asokohe, ata që banonin në Argoliden Pellazgjike quheshin mirmidon”. Le të ndalemi në librin e 8-të të Historisë së Greqisë në kapitullin 44 dhe t’i referohemi Herodotit, i cili thotë: “Në kohën kur pellazgët banonin në trojet që sot quhet Helladë, athinasit ishin pellazgë, të fisit të Kranoit…”.
 
Le ti referohemi Eskilit, ku po citoi pjesë nga tragjedia e tij “Lutjet” të vëna në gojën e Mbretit Argos, drejtuar korit: “Fol e përgjigju pa asnjë frikë; unë jam biri i Palaiktonit lindur nga toka: Pellazgu unë jam. Mbret i vendit”. Dhe kori i përgjigjet: “ O Mbret i Pellazgëve… Ti, o bir i Palaiktonit, Mbret i fisit pellazgjik, etj”. Po kështu mund ti referohemi librit të parë të Tuqididit kapitulli i tretë i tij.
 
Ndoshta citimi i mëposhtëm është mbështjellë me veladon poetik, ai ka në thelb çështjen pellazge ku Pindari, poeti i antikitetit shprehet: “Duke sjell një dhuratë të bukur, Toka lindi së pari njeriun dhe Arkadia Pellazgun e Shenjtë, shumë më parë se hënën”.
 
Pra këto nuk janë shpikje shqiptare i dashur Profesor Korkuti, por janë fakte kokëforta që Enciklopedia e Madhe Greke e vitit 1932 i vulos në faqen 873 të vëllimit të sajë të 19.
Është e pafalshme i nderuar Profesor kur Kryeministri Edi Rama solli një fakt në lidhje me mbrojtjen e Akropulit nga një shqiptar kohëve të luftërave të egra dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk e mbështeti, por qëndroi indiferente përballë sulmeve mediatike, politike dhe nacionaliste të fqinjit tanë jugor. E përse na duhet neve një Akademi shkencash e atrofizuar, e kalçifikuar, e murosur, e cila qëndron indiferente përballë prurjeve të shumta vendase dhe të huaja në lëmin e studimeve pellazgjike?!
 
Një akademi që qëndron e mbyllur hermetikisht dhe nuk pranon të bashkëpunoi me studiuesit e interesuar për etnogjenezën e popullit tonë në shekuj, i shikon ata nga maja e Olimpit me përbuzje dhe vazhdon t’u bjer tamtameve të studimeve të vjetruara. Ato mund të kenë qenë interesante për kohën e izolimit të Shqipërisë dhe janë interesante edhe sot, por hulumtimet nëpër arkivat, muzeumet dhe bibliotekat e Vatikanit, të Stambollit, të Shën Peterburgut, të Vjenës, të Athinës, të Londrës, të Berlinit etj, kanë nxjerrë në dritë fakte kokëforta se shqiptarët rrjedhin nga pellazgët dhe ilirët janë pasardhës të pellazgëve të lashtë.
 
Si nuk u kujtua kjo Akademia juaj e Shkencave për të hapur dyert e mendimit dhe studimit alternativ për pasurimin e origjinës së lashtë të shqiptarëve?!
 
Si nuk u kujtua kjo Akademia jonë e Shkencave, por edhe Instituti i Gjuhësisë dhe Historisë të organizoi një Simpozium Ndërkombëtar për çështjen pellazge, ku të ftoheshin kokat më të mençura të historisë, arkeologjisë, antropologjisë, gjuhësisë botërore, çka do ti bënte një shërbim shumë të madh kësaj çështje?!
 
Si nuk u kujtua kjo Akademia jonë e Shkencave për të dërguar në malet midis Pakistanit, Taxhikistanit, Kinës dhe Indisë një ekspeditë kërkimore-shkencore, ku të kontaktohej me banorët ilirë që jetojnë atje që nga koha e Aleksandrit të Madh?!
 
Si nuk u kujtua kjo Akademia jonë e Shkencave për të marrë kontakte me arkeologun boshnjako-amerikan Sem Osmanagiç, i cili ka zbuluar në veri të Sarajevës piramidën më të madhe në botë dhe ka deklaruar se atë e kanë ndërtuar ilirët 13-23 mijë vjet më parë?!
 
Ka vite që në Tiranë kryen aktivitetin e saj shkencor Qendra e Studimeve Pellazgjike e themeluar dhe drejtuar nga profesorët e nderuar Luftulla dhe Liljana Peza. Është vërtetë një shoqatë, ku ka mbledhur rreth saj të gjithë të interesuarit për çështjen e pellazgëve, ilirëve dhe shqiptarëve të lashtë, jo për ti bërë karshillëk Akademisë së Shkencave, e cila megjithëse është ftuar të marrë pjesë, qoftë si vëzhguese, në katër simpoziumet ndërkombëtare që janë organizuar për pellazgët dhe gjuhën e tyre në Tiranë, nuk ka denjuar të bashkëpunojë në të mirën tonë të përbashkët, që është studimi i etnogjenezës së popullit tonë në shekuj.
 
Shkoni në fshatin Tërbaç të Vlorës dhe do tu tregojnë një vend që quhet edhe sot “varri i pellazgut”. Shkoni në Lepenicë të Vlorës në malin që ndahet me Bratin dhe do të gjeni vendin shpellë që quhet nga të vjetrit si, “varret e ilirëve”.
 
Fakte mbi prejardhjen e ilirëve nga pellazgët ka sa të duash dhe këtë e dëshmojnë me dhjetëra botime dhe harta të autorëve të huaj dhe atyre shqiptar, por në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë kanë frikë nga e vërteta dhe inferioritet ndaj fqinjëve manipulator.
 
Kaq i lajthitur paska qenë ky arvanitasi i ndjerë Aristidh Kola, që ka lindur, ka jetuar dhe ka vdekur në Greqi, dhe që ka botuar disa vepra mbi arvanitët dhe prejardhjen greke, apo mbi gjuhën shqipe, të cilën ai e quan “Gjuha e perëndive”, sa që Akademia jonë e Shkencave nuk e merë në referencë?!
 
Lexoni librin “Shqipja përtej qytetërimeve” të studiuesit të talentuar Asqeri Boçi dhe shikoni se sa me lehtësi e lexon ai gjuhën shqipe brenda gjuhës greke dhe do ta kuptoni se çfarë ishte në të vërtetë greqishtja e vjetër. Ky studiues i talentuar mund të matet me këdo gjuhëtar të gjuhës shqipe dhe të lexoi pa frikë dhe hezitim gjuhën e pellazgëve të lashtë brenda gjuhës së sotme greke, toponimet, perëndit dhe heronjtë që e kanë kuptimin e tyre vetëm në gjuhën hyjnore shqipe.
 
Lexoni ju lutem studimet dhe botimet shkencore të studiuesve të talentuar, të të ndjerit Altin Kocaqi dhe profesores së talentuar Elena Kocaqi mbi pellazgët dhe origjinën e shqiptarëve dhe do të kuptoni se Mesdheu dominohej nga gjuha shqipe. Lexoni librin “Gjuha kozmike” të studiuesit të pasionuar Agron Dalipaj dhe do të mësoni shumë të vërteta shkencore.
 
Si mund të fshish me gomë citimin proverbial të Xhuzepe Krispit, një lektor i gjuhës greke ky në kolegjin e Palermos në shekullin e XIX, i cili dokumenton me fakte se: “Duke gjurmuar origjinën e gjuhës greke, është një gjë e bukur të shohësh se si ajo të kthen, në pjesën e saj më të madhe, te shqipja. Si nuk u dashka pra të ngjallë një interes të madh kjo gjuhë, mbase më e lashtë se greqishtja dhe në thelb, gjuha me të cilën flitej në shekuj para Homerit…..Dardanët, frigët, maqedonët dhe pellazgët, pa dyshim më të lashtë se helenët, kishin të njëjtën gjuhë, gjurmët e të cilës vërehen sot te gjuha shqipe”.
 
Ndërkohë, në Enciklopedinë e Botës Myslimane shkruhet; “Shqiptarët janë popullsia më e vjetër në Botë”. Të gjitha këto e shumë të tjera nuk po bindin dot Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe kryetarin e saj Prof. Myzafer Korkutin për tu marrë seriozisht me pellazgët dhe pellazgjishten. Akrepat e drejtuesve të Akademisë së Shkencave kanë mbetur tek Ilirët dhe nuk shohin dot përtej tyre në kohët kur ngjizej identiteti i njeriut në Mesdhe dhe Europë.
 
Tu mësosh sot nxënësve në shkolla dhe studentëve në universitete vetëm librat që kanë shkruar prej vitesh mësuesit dhe profesorët e tyre mbi prejardhjen e shqiptarëve nga Ilirët, është njësoj sikur tu mbyllësh sytë për të parë përtej horizontit ilirik ku lind dhe perëndon dielli i pellazgëve, ku lindi dhe u fol gjuha e parë në Mesdhe dhe Europë, nëna e të gjitha gjuhëve që ende flitet mes shqiptarëve. Studiuesi i talentuar i gjuhëve të vjetra Prof. Atkinson i universitetit në Zelandën e Re, e nxjerrë gjuhën shqipe 6000 vjet të vjetër, por kush ka kontaktuar me këtë gjuhëtar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës gjithashtu?!
 
Tu imponosh nxënësve dhe studentëve vetëm studimet e tua mbi Ilirët dhe të mos pranosh faktet e shumta mbi prejardhjen e shqiptarëve nga pellazgët, është cinizëm, është shpirtvogëlsi, është megalomani, është antishkencë. Shkenca historike, arkeologjike dhe gjuhësore nuk mund të atrofizohet me atrofizimin e disa shkencëtarëve që makina e kohës u ka mbetur në stacionin e ndryshkur të studimeve të tyre.
 
I takon Qeverisë Shqiptare, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit, që të shkund nga themelet Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Institutin e Gjuhësisë dhe Historisë gjithashtu dhe ti hapin rrugën mendimit dhe studimeve alternativë mbi prejardhjen e shqiptarëve nga pellazgët dhe gjuhën e vjetër shqipe.
Çlirim Hoxha
Vlore, 21.07.2017
Shperndaje ne
Updated: 21 Korrik, 2017 — 16:43

The Author

Çlirim Hoxha

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.