Naim Shqipëria

Shqipëria, gjall’ ka qenë, /

Shqipëria, gjall’ ka qenë, /

Që kur bota është zënë…”

Autor: Sejdo Harka

Kur lexoj veprat e Naim Frashërit më shfaqen para syve konturet e një kështjelle të lashtë, që herë mjegullohet e herë kthjellohet, herë zbehet e herë ndriçohet, herë ndërtohet dhe herë rrënohet, por kurrë nuk shembet. Ajo është Shqipëria, Atdheu i tij i shtrenjtë, që ai e deshi aq shumë. Edhe pse Naimi punoi dhe jetoi larg trojeve të tij, ai, me penën e tij bëri aq shumë për Atdhenë, sa populli, në këngët e tij, e ka pagëzuar me emrin e madh “Naim Shqipëria”. Përreth kësaj kështjelle të patundshme shfaqen shqiptarët punëtorë dhe bujarë, besnikë dhe luftëtarë, që ashtu si shqiponjat luftojnë për t’i ndërtuar foletë e tyre, mbi bedenat e saj të larta. Shqipërisë dhe bijve të saj, Naimi u fali shpirtin dhe dashurinë, mendjen dhe fisnikërinë, shpresën dhe krenarinë, këngën dhe poezinë, ëndrrat dhe bujarinë…

Në mendjen dhe fantazinë krijuese të poetit tonë të madh, shqiptari shfaqet herë i djersirë e herë i gjakosur, herë i qeshur e herë i vrerosur, herë i shtypur e herë i prangosur, por kurrë i trembur dhe i sosur. Si protagonist kryesor i veprave të tij, ai lartësohet në kujtesën e lexuesit, sa i lumtur, aq dhe i vuajtur, sa trim aq dhe i papërmbajtur, sa i shtypur aq dhe i lirë, sa i ashpër, aq dhe zemërmirë, sa i butë, aq dhe kurajoz. Për Naimin, shqiptarët janë “trima e atdhetarë, të ditur, të dëgjuar e burra luftëtarë: “Të besës për kombin e miq përjetë bërë”…”Të hekurt e të zjarrtë, që vdesin për Shqipërinë e mjerë”/…I butë si manar, por kur ndjen luftë, bënetë dragua gjakatar”. Është kjo një nga arsyet, që Naimi, edhe nga historia e kritika letrare, është quajtur “shkrimtar i gjithë shqiptarëve”. Me veprën dhe filozofinë e tij iluministe e njerëzore, ai u bë fryma e një epoke të re, që në ato vite të turbullta e të vështira jepte besim dhe shpresë, vrull dhe frymëzim, forcë dhe ëndërrim. Me trokun e kalorësit dhe pishtarin e diturisë në dorë, ai gjeneron e përhap shpresë dhe dituri, ëndrra të bukura dhe krenari.

Naim Frashëri u kthye në model frymëzues për gjenerata të tëra shkrimtarësh dhe artistësh, në të gjitha kohërat. Nuk mund të gjesh shkrimtar tjetër, për të cilin të jetë shkruar kaq shumë, sa për atë. Për shkak të brendisë së pasur dhe mesazheve me vlera universale, veprat e tij janë bërë objekt i kritikëve dhe estetëve, pedagogëve dhe gjuhëtarëve, sociologëve dhe politikanëve, stilistëve dhe gazetarëve. Fryma e ngrohtë, që ai përcolli për të përkëdhelur sedrën dhe shpirtin e brishtë të shqiptarëve, të të gjitha kohërave, shkundi mentalitetin mesjetar dhe tronditi themelet e diktaturave, për të ngritur një botë të re e të lirë, me mendje të ndritura dhe ëndrra të bukura. Naimi ishte dhe mbetet atdhetari më i shquar dhe mendimtar i rrallë, iluministi mendjendritur dhe shkrimtari më ëndërrimtar, krijues i papërsëritshëm dhe poeti gjuhëzjarr. Ai ishte dhe mbetet korifeu i ëndrrave shqiptare: për punë e dituri, barazi e vëllazëri dhe progres e zhvillim. Prandaj, ai është përjetësuar në këngë e poezi, në drama e monografi, në ëndërra e përmendore, si dhe në zemra dhe emra institucionesh. N. Frashëri ka dimesionet e ëndrrave dhe diturisë, të kulturës dhe poezisë shqiptare. Brendia shumëdimesionale e krijimtarisë së Naimit, buron nga mesazhet gjithëkohore, që përçon dhe nga kategoritë universale, që bën objekt të fantazisë së tij krijuese, si: e mira dhe e keqja, dashuria dhe urrejtja, e vërteta dhe gënjeshtra, dituria dhe padituria, humanizmi dhe egërsia, liria dhe skllavëria, besa dhe pabesia, e bukura dhe shëmtia, besimi dhe krenaria e, mbi të gjitha, atdhedashuria. Filozofia panteiste e Naimit, që Zotin e shihte të shkrirë kudo, te sendet, dukuritë dhe njerëzit, ishte dhe mbetet një himn bashkimi dhe dashurie ndërmjet njerëzve të të gjitha besimeve, krahinave dhe ideve, rreth Shqipërisë, Atdheut, Kombit dhe gjuhës shqipe. Në ato vite të mjergullta, Naimi u drejtohet shqiptarëve me mesazhin filozofiko –poetik: ”Të gjithë, në një mendje të bëjmë, atë që lipset!”.

Ky mesazh me vlera gjithkohore është një “dush” i ftohtë mbi kokat e nxehta të politikanëve dhe militantëve të sotshëm partiakë, të cilët, të ngujuar në llogoret e “parcelave” politike, zhvillojnë betejat e akullta të përçarjes. Ai i këndoi historisë së gjallë dhe bëmave të figurave të shquara të pushkës dhe penës, kulturës dhe traditave, zakoneve dhe virtyteve shpirtërore e morale të shqiptarëve. Naimi i këndoi mrekullisë së natyrës, lashtësisë dhe bukurisë së rrallë të gjuhës sonë. Shqipërinë e përshkruante, jo ashtu siç ishte në të vërtetë, por ashtu siç do të dëshironte të ishte. Qëllimi i tij ishte i largët. Si iluminist, kërkon të ngjallë te shqiptarët dashurinë për Atdheun. Në ato kushte të errëta, kur shumë shqiptarë, që jetonin brenda ose jashtë Atdheut, e kishin për turp emrin shqiptar, ai shkruante vargjet më të bukura të atdhedashurisë:”Ti, Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar, /Zemrën, ti ma gatove, plot me dëshirë e me zjarr”. Këto vargje të bukura, u bënë për shqiptarët shpatë e këngë, shpirt e zemër, frymë e ëndërr. Është kjo arsyeja që, sa here i lexoj veprat e Naimit, më shfaqen parasysh malet e Shqipërisë dhe lisat e gjatë, fushat e gjera me lule, që ai i kishte ndërmend ditë e natë. Bregoret bukuroshe dhe lumenjtë e kulluar, çukat, kodrat, brigjet e gërxhet dhe pyjet e gjelbëruar. . . Shoh Naimin mes mërgimtarëve, që ashtu si qengji i ndarë nga nëna e tij, rend me vrap e me dëshirë drejt vendit të tij. Në shpirtin poetik të Naimit ndjej freskinë e ujit të ftohtë dhe perkëdheljen e flladit të ngrohtë, erën e këndshme të luleve dhe mrekullitë e ëndrrave, diellin e qeshur dhe hënën e gëzuar, fatin e bardhë të mirësisë që, sipas tij, në këtë vend janë mbuluar. Netët e ditët e bukura dhe pyjet e gjelbëruara, ku rrinë Perënditë, thëllëzat dhe bilbilat gjuhëshumë, që këndojnë me ëmbëlsirë. Përpara të shfaqen malet e larta të

Shqipërisë, që mbajnë kryet përpjetë, të cilët, me lartësitë e tyre “të frikshme” përpijnë qiejt e retë;fushat bukuroshe, të majme e pjellore, sheshet e lulëzuara dhe bregoret gjelbërore, si dhe fluturat krahëshkruara, që duket sikur mbajnë mbi shpinë Naim “ Shqipërinë”, i cili shpërndan dritë e dituri për bashkëatdhetarët e të gjitha kohërave.

Për Naimin, ` “Shqipëria gjall’ ka qënë, / që kur bota është zënë”. Prandaj më poshtë vazhdon:”Neve jemi më të parë, /Në Evropë nga çdo farë”. Lexon një nga poezitë e tij më të bukura, që titullohet “Shqipëria” dhe në imagjinatë të lartësohen figurat më të shquara të Kombit, si Aleksandri i Madh e Pirrua i Epirit, Skënder-begu i Kastriotëve dhe Mustafa Pash Bajraktari, Marko Boçari e Bubulina. Por, siç shkruan poeti i madh, Naimi, ”…nga e gjithë trimëria, s’fitoj gjë dot’Shqipëria”. Prandaj, i dëshpëruar thellë nga realiteti i hidhur i kohës, shkruan:”E, ç’e dua trimërinë, /Kur s’m’u ndodh për Shqipërinë”?!Kur lexoj vargjet :”Gjuha jonë, sa e mirë, /sa e ëmbël, sa e gjerë, /sa e lehtë, sa e lirë”, shijoj vlerat e papërsëritshme dhe bukurinë e rrallë të gjuhës shqipe, si dhe magjinë e vjershërimit naimjan. Ajo ka ëmbëlsinë e hojeve të mjaltit dhe fluturimin e shqiponjave të malit. Lexoj vargjet : “Do të tretem, të venitem, /si kandili që s’ka vaj…” dhe në imagjinatë më lartësohet figura e Dankos së muzës shqiptare, i cili me zemër në dorë, gjithcka ia kushtoi vendit dhe bashkatdhetarëve të tij, në mënyrë që edhe “natën t’ja u bëjë ditë”.

Kur lexoj Naimin, përpara më shfaqet njeriu, që penën e tjetërsoi në flakë, për të zhuritur veset dhe ligësitë, servilizmin dhe babëzinë, hipokrizinë dhe tradhëtinë, frikën dhe verbërinë, harbutërinë dhe egërsinë. Hirin e këtij zjarri e prekim në vargje të tillë, si:”Është turp për farën tënë, /të mos nxjerim fare zënë”, ose”Pse të jetë kështu Shqipëria, /Ta mbulojë babëzia?”, vargje që kanë” shijen “e një dushi të ftohtë, jo vetëm për politikanët e pushtetarët tanë, por edhe për të gjithë qytetarët e ditëve tona. Prandaj, nëpërmjet apostrofit të thjeshtë metaforik:”Ejani, të mbledhim mendje”, u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të heqin dorë nga frika dhe egërsia, egoizmi dhe babëzia.

Gjashtëmbëdhjetërrokshi i Naimit ka ritmin e trokut të kalit, freskinë e erës së malit, ëmbëlsinë e gjuhës së bilbilit dhe erën e këndshme të trëndelinës e të trëndafilit. Ka patur dhe ndonjë zë të mekur, që e ka qortuar Naimin për folklorizëm të tepëruar. Por këto mendime kanë mbetur si klithma në shkretëtirat e kritikave shterpë, që s’kanë të bëjnë me thelbin e së vërtetës. Të ngrihen “shkretëtirat e moçalet” për të qortuar “lartësitë e maleve” dhe “tokat pjellore”, ëmbëlsinë e “hojeve të mjaltit”dhe freskinë e”luleve” shqiptare, është më tepër se miopi .

Madhështinë dhe pavdekshmërinë e Naimit, e muzës së vjershërimit shqiptar, e kanë daltuar shumë shkrimtarë, studiues dhe historianë të kultuës dhe letërsisë shqipe si: Dritero Agolli, Ismail Kadare, Ali Xhiku etj. Akademiku Rexhep Qosja, te “Porosia e madhe”, shkruan se Naimi e ka edukuar Shqipërinë, aq sa Homeri Greqinë. …Por monumentin më të lartë “Naim Shqipërisë” ia ka ngritur vazhduesi i ëndrës së tij poetike, Çajupi. Ai shkruan:”Vdiq Naimi, vdiq Naimi, /Moj e mjera Shqipëri, /Mendjelartë e zemër trimi, /Vjershëtori, si ai!”. Pas magjisë së këtyre vargjeve të thjeshta, sa të trishta, aq dhe të bukura, mbetesh pa gojë, për të shtuar qoftë edhe një fjalë të vetme, për Naimin, korifeun e poezisë shqiptare.

Shperndaje ne
Updated: 30 Tetor, 2020 — 01:00

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.