Fantazma e Shqipërisë së Madhe nuk do ti përndjekë më, me ribashkimin e trojeve shqiptare të viteve 1912.

Pavarësia e Kosovës ka dhënë një zgjidhje të pjesshme të gabimit të madh të fuqive të mëdha me kufijtë e vitit 1913, por integrimi në Bashkimin Europian i Ballkanit do të japë zgjidhjen finale, thotë Marcus Tanner.

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Tiranë shkaktoi një stuhi të parashikueshme mbi komentet për bashkim kombëtar nga disa pjesëmarrës.

Edhe një herë, hija e Shqipërisë së Madhe po shqetëson Ballkanin, në veçanti, Serbinë. Beogradi “nuk do të rrijë në heshtje ndërsa Shqipëria e Madhe po krijohet,” ulëriti Ministri i Drejtësisë së Serbisë. Serbët nuk janë të vetmit që ankohen. Disa në Shqipëri kritikojnë vetë politikanët e tyre për shkak të asaj që e shohin si retorikë nacionaliste të përdorur për qëllime të pista të vetë politikanëve.

Natyrisht, politikanët duhet të jenë të kujdesshëm kur merren me gjëra të tilla të rrezikshme si nacionalizmi, një tigër përrallash që shpesh i përpin ata që mendojnë se mund ta kontrollojnë atë.

Megjithatë, nacionalizmi nuk do të zhduket edhe pse shumë e dëshirojnë këtë gjë. E majta dhe aktivistët e shoqërisë civile e cilësojnë atë si një sëmundje që mund dhe duhet të izoluar, të kurohet dhe hiqet. Por historia – duke përfshirë historinë e kohëve të fundit në Ballkan – sugjeron se nacionalizmi është pjesë tepër integrale e ndjenjave të njerëzve për vetveten dhe që nuk mund të hiqet qafe lehtë.

Në rastin e Shqipërisë, nacionalizmi i “të madhes”, apo irredentizmit do të mbetet në lojë – pavarësisht nëse politikanët luajnë apo jo me të – deri sa kufijtë e vendosur në mënyrë të çmendur të këtij vendi do të bëhen të parëndësishëm nga integrimi Europian i Ballkanit. Kufijtë e vendosura më 1913 lanë shumë tepër shqiptarë jashtë shtetit kombëtar dhe kjo bën që ndjenja e Shqipërisë të Madhe të ekzistojë në një farë forme.

Shqiptarët nuk janë viktimat e vetme në Europë të kufijve që duken si pa lidhje por që zakonisht kanë një lloj logjike, bazuar qoftë në histori, qoftë në gjeografi. Kufiri mes Kroacisë dhe Hercegovinës psh, nuk ka logjikë etnike, por ai ka të paktën peshën e historisë në anën e tij.

Kufijtë e Shqipërisë nuk kanë as historinë, as gjeografinë dhe as etnicitetin e popullsive banuese për t’i justifikuar. Ato janë thjeshtë “atje”. Si trashëgimi e përjetshme e diskutimeve pas darke të diplomatëve pa kurrfarë lidhjeje që u takuan në Londër, shumicës së të cilëve, as që u bënte përshtypje se çfarë po bënin.

Duke kërkuar për një libër mbi udhëtaren angleze të Ballkanit Edith Durham, arrita të kuptoj se sa të pavlerë dhe sa të dëmshëm qenë vendimet e vitit 1913.

Vetë Durham arriti të ndryshojë kufirin e Shqipërisë së jugut duke i dërguar një telegram të shënjestruar mirë Konferencës së Londrës në të cilën ai kërkoi që qyteti i Korçës t’i jepet Shqipërisë në vend të Greqisë. Kufiri u zhvendos në jug, duke shkaktuar zemërim në Athinë. “Ndihmova për të shpëtuar Korçën,” shkroi shkurtimisht Durham pak më vonë.

Mirë për të, mund të mendojë dikush. Korça qe përfundimisht me shumicë shqiptare. Megjithatë, kjo tregon se sa të pavëmendshëm qenë diplomatët e Konferencës së Londrës në trajtimin e problemeve të kufijve. Në veri, Gjakova dhe Dibra iu dhanë Serbisë thjeshtë për shkak se Serbia i kërkoi dhe për shkak se Rusia mbështeti Serbinë.

Askujt në Londër nuk iu bë vonë që Serbia nuk kishte pretendime serioze etnike apo historike për asnjërin prej këtyre qyteteve, apo që humbja e tyre për Shqipërinë do të përkthehej në rrënim ekonomik për shumicën e Shqipërisë së veriut, duke ndarë fshatin nga tregjet me të cilat qenë lidhur.

Ajo që më trondit mua më shumë mbi kufijtë që ju vendosën SHqipërisë qe një faqe në kujtimet e Ministrit të Jashtëm të Britanisë Edward Grey, i cili përshkroi ngjarjen me pasoja shkatërimtare për Shqipërinë me terma gati komike. Grey dukshëm nuk kishte asnjë dijeni se ku gjendeshin dy qytetet dhe gabimisht e quan Gjakovën “fshat,” a thua se beteja qe për disa kasolle dhe jo për një qytezë të rëndësishme tregtare.

Ajo që ai kujtonte mbi Gjakovën qe një diskutim mes tij dhe ambasadorit të Austrisë në zyrën e tij në Londër. Austriaku rrëzoi gabimisht një vazo me lule duke lagur xhaketën e tij. Vite më vonë, kujtimet e ambasadorit të lagur qenë ato që i qenë fiksuar më shumë.

Durham, një grua thellësisht serioze, u trondit nga cinizmi i diskutimeve të tilla – mënyra se si u trajtuan gjërat si një lojë shahu. E bindur se puna e të gjithë jetës së sa për Shqipërinë kishte shkuar dëm dhe se asnjë shtet me kufij të tillë nuk mund të mbijetonte, ajo u kthye në Angli një vit më pas dhe refuzoi të vizitojë më Shqipërinë me përjashtim të një udhëtimi të shkurtër të cilin e bëri me ngurrim më 1921.

“Shpresova qe po ëndërroja/ Ajo nuk qe ëndërr dhe unë tani u zgjova,” shkroi ajo duke kopjuar vargjet e trishta të një poezie nga Christina Rossetti. Ajo u zemërua por nuk u habit kur Italia pushtoi Shqipërinë 18 vjet më pas.

Tashmë është tepër vonë për të kthyer orën pas dhe për të ndryshuar kufijtë e Ballkanit. Dhënia e pavarësisë për Kosovën ka mjekuar disa nga plagët e krijuara më 1913. Nëse kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë vijon të ekzistojë, tashmë ai ndan dy vende që flasin shqip.

Sërish, dëmi i kryer më 1913 nuk është riparuar siç duhet, dhe nuk do të riparohet, deri sa i gjithë rajoni të jetë tërësisht i integruar në Europë – gjë që do t’i bëjë këto kufij gjysmë të parëndësishëm. Vetëm atëhere dhe jo më parë, fantazma e Shqipërisë së Madhe nuk do të na përndjekë më.

Shperndaje ne
Updated: 14 Gusht, 2017 — 16:05

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.