Lumi Vjosa dhe adhuruesit shqiptarë të Tsiprasit

ArturiNga Artur Zheji

 

Rezonanca e nostalgjikëve të së majtës duket e ringjallur, në formën e vet më entuziaste, pavarësisht nuancave të trishtme, sepse dukuria Tsipras duket në rënie, pa fituar ende lartësinë e duhur. Por gjithsesi, lexojmë lloj-lloj fishekzjarrësh tsipramane, që kanë, poshtë përsiatjeve emocionale, nënshkrime emrash jo të papërfillshëm. Tanimë edhe profesor Qosja, me përdëllim marksist, vendos edhe ai një tullë në kultin shqiptar të djaloshit nga Athina.

 

Ndërkohë që iluzioni i Tsiprasit në vendlindjen e tij po shkrihet me shpejtësi marramendëse, shqiptarët e avashtë dhe të painformuar vazhdojnë të kurojnë dilemat e tyre personale simbas modelit të frazës migjeniane, te Recital i Malësorit: “O, si nuk kam një grusht të fortë, t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë, ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët, n’agoni të përdihet si vigan i vramë”.

 

Dhe duket sikur në dell të fantazisë së tyre vetë përfytyrohen si Tsiprasi i mitizuar, dhe me një Grusht të Fortë të hedhin tej” Përbindëshin e Korruptuar panshqiptar”.

 

Por duket, ndonëse nuk shkruhet se fantazia merr flakë më tej. Pikërisht, në kraterin e mbetur bosh nga “Përbindëshi” apo “Përbindëshat” e rrokullisur, falë Grushtit të Fortë imagjinar migjenian, në atë krater pra, të përgjakur dhe ku ulërimat mëshirëkërkuese të të rrokullisurve lypin mëshirë, ngrihet sakaq Poltrona e Lartë Morale, e tsiprallinjve shqiptarë.
Tek e dëgjoja këtë edhe nga Qosja, por tek shikoja ndërkohë Sazan Gurin në dyert e Hotel Sheratonit që kujiste si i plagosur, që Shqipërisë po i zhvasin përpara syve apo nën hundën adhuruese të tsiprallinjve një lumë, një Lumë, që lind dhe derdhet në toka të hershme Ilire e shqiptare, thashë të bërtas edhe unë në këtë shkrim.

 

Si Sazani!

 

“Nemo propheta in patria!” nuk bëhesh dot Profet në Atdheun tënd, thotë me të drejtë latini, e aq më tepër në një vend si i yni. Por tek lexova me një vëmendje të posaçme shkrimin studimor të profesor Ksenofon Krisafit, artikull serioz e i dokumentuar  me argumente dhe fakte të stivosura me logjikë të ftohtë, duartrokita pa komplekse, Ksenofonin dhe Sazanin dhe atë grusht shqiptarësh të mirë që ishin me të, në këmbë dhe në shi. Ndërkohë Udhëheqja, as edhe ndalonte, si e kanë zakon së paku në Perëndim të Majtët, që ndalen e flasin me protestuesit, për të përshëndetur ata pak shqiptarë të mirë. Të mirë dhe esëll fare.

 

Ndërsa këta tsiprallinjtë shqiptarë, që me sa duket as që duan ta dinë ç’do të thotë për Atdheun të humbasë një Lumë si Vjosa, m’u rishfaqën në dekorin e këtij paradoksi plot kontrast, të zbehtë dhe pa lidhje. U këshilloj këtyre nostalgjikëve elokuentë të lexojnë së paku shkrimtarin e madh Manolis Glezias dhe zhgënjimin e tij të madh e të shkruar ditë më parë. Ku distancohet si pjesë e pafajshme e “Gënjeshtrës” mrekullibërëse së Syriza-s, kur ndoshta dihej se rruga e presionit ndërkombëtar ishte një rrugë e pamundur.

 

Tsipras, përpos ngjarjeve më të fundit helene që e shohin pra atë, në një zbehje të parakohshme, (por nuk dua të hyj në analizën e tyre, sepse grekët i qajnë vetë e për mrekulli hallet e tyre), Tsipras pra, shfaq hapur një “valencë” patriotike e grekdashurie të paparë e të pafshehur. Sigurisht, ai ka përdorur një artileri të rëndë në atë që mund të quajmë “Patriotizëm social”, e thënë më shkoqur, në përpjekjen e deklamuar të deritashme për të larguar “hajdutët e Greqisë, nga qeverisja e Greqisë!”.

 

Për këtë deklamim dhe platformë mori një lumë votash. Por njëkohësisht Tsipras, në disa segmente të deklarimeve të tija gjeopolitike,“patriotizmin” e tij të përflakur e shtrin, deri më tash me pathos, edhe ndaj Shqipërisë së vogël e çalamane.

 

Është deklaruar dhe shprehur për një strategji të ashpër, në “Çështjen e kufijve detarë Shqipëri-Greqi”, duke premtuar një politikë të jashtme të ashpër dhe agresive në këtë drejtim. Sepse ai nuk harron dhe ka mbi tavolinë të dhëna të sakta, mbi burimet gaz dhe naftëmbajtëse, që fsheh deti në këto ujëra kufitare.

 

Nuk ka thënë asnjë fjalë të mirë perspektive për ndonjë njohje të Republikës së Kosovës, aspak ndryshe pra nga qeveritarët pararendës apo “hajdutët” që mundi pak kohë më parë në zgjedhje, i dashur Qosja.
Dhe, me aq pak sa dimë, “qershia mbi tortë” po përshpejton procedurat për devijimin e rrjedhjes së Lumit Vjosa, mungesa e të cilit do të thajë për ujë të gjithë Shqipërinë e Jugut, duke sjellë mjerim dhe varfëri në atë zonë të gjerë, banuar edhe kështu nga shqiptarë të varfër.

 

Ndërkohë që pala greke do të ndërtojë 6 hidrocentrale, mbi ujërat që s’do të vijnë më këtej kufirit dhe ç’mbetet do ta mbledhë në një liqen të vetin.

 

Si nuk kanë shkruar as edhe një rresht të vetëm për këtë gjëmë, tsiprallinjtë shqiptarë? Apo u duken banale? Mirë që kemi profesor Krisafin dhe Sazan Gurin. Nuk mbetet tjetër me sa duket, për të thënë ca gjëra të thjeshta.
Të thjeshta dhe të dhimbshme shqiptare.
Shperndaje ne
Updated: 28 Shkurt, 2015 — 06:50

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.