Zbulohet emërvendi (toponimi): Varri i Pellazgut në Tërbaç (Himarë, Vlorë)

Ka shumë vlerë prania e relikteve arkeologjike, se sa përshkrimi i një pune në terren me fjalët e mia, sado të bukura, emocionale dhe, pse jo, koherente të jenë ato. Jo më kot në këto pak fjalë të këtij shkrimi të veçantë me prurjen e vetë, theksoj që me origjinë jam nga fshati Tërbaç, njësia vendore Horë, bashkia Himarë, qarku Vlorë. Jetoj e punë në Vlorë. Shkoj jo rrallë në Tërbaç.
Ka vite, që kur shkova një herë në vendlindje, nëna ime Bejre Abazi, 80 vjeçe, me arsim 7 vjeçar, lindur, martuar dhe banore e gjithmonshme e Tërbaçit më pat’ thënë: “Xhano, do vemi një çikë për urim nga Xhelua, atë keqen, se fejoi djalin”. (Xhelo Jaho, 67 vjeç, me arsim të mesëm, banor i Tërbaçit, që ka jetuar 10 vjet në Vuno të Himarës, mbi det (1976-1986) – kushëri i nënës time)…
“Ooo, po është larg, kush vete në Lekaj tani, nesër unë duhet të iki herët. Herë tjetër,
patjetër, do të shoqëroj, se do të rri më shumë” – ia pata kthyer unë. “Muááá, po ai ka kaq vjet që ka ikur nga Lekajt. Ka bërë shtëpi të reja. Ja tek është, a të keqen, te Varri i Pellazgut, këtu përposh…” Fillimisht nuk ia vura re shprehjes së saj, prandaj “keqshqiptimin” e toponimit desha ta korrigjoja:
“Te varri i ilirëve, thuaj”.
“Po jo, a të keqen nëna, varret e Ilirëve janë tutje, në Bramyshnjë; ka dhe përtej, në Qafë të Elimit. Ohu, jo, mor djalë, jo, këtu përposh te Varri i Pellazgut, të thashë”.
“Varri i Pellazgut?! Ça thua, a e uruar dhe ti. Ëhë, u plake, mama … Vendi mund të quhet Varri i Ilirëve, jo Varri i Pellazgut”, doja ta korrigjoja unë i “dituri”.
Vijoi ky “debat” jo pak herë, kur shkoja tek nëna. Unë e ngacmoja shpesh dhe për t’i provokuar kujtesën: “Po ç’ne iku Xhelua nga Lekajt dhe bëri shtëpi pranë me “Varret e Ilirëve?”.
“More ti, s’dëgjon mirë çarë të them unë, s’kupton, apo tallesh me mua plakën? Varri i Pellazgut”- këmbëngulte ajo.
Sinqerisht, më turbulloi mendimet “kokëfortësia” e simemëje në shqiptimin si
zakonshëm, si normalisht, si për çdo emërvend (toponim) tjetër të mëhallave, lagjeve, fshatit, etj., ato që dinte, që kishte dëgjuar, që ishin përdorur nga të parët e saj.
Më duhej ta verifikoja këmbënguljen e saj. Me këtë synim, hartova një platformë me tri faza parapërgatitore të punës me njerëzit në terren.
Së pari, duke e pyetur disa herë në kohë të ndryshme, ditënetëve kur shkoja, relativisht jo afër njëra-tjetrës. Në çdo bisedë me të, më vinte përgjigjja klishe:
“E kam dëgjuar nga gjyshja ime, Shero Lushaj, që rrojti 100 vjeçe (1912- 2012), e cila e kishte dëgjuar nga nëna e saj, Bako, e cila dhe ajo kishte rrojtur 100 vjet. E kam dëgjuar dhe nga pleq të tjerë që kanë ikur”.
Ndërsa unë, e kam dëgjuar dhe ende po e dëgjoj nga nëna ime që rron dhe e ka të mirë kujtesën.
Së dyti, më duhet ta verifikoja këtë fakt jo të zakonshëm, (do ta quaja të rrallë), rrëfimin e nënës sime. Duhej ta kontrolloja, ta saktësoja të paktën nga tre burime serioze, të pranueshme, të përdorura nga banorët përreth, nga komuniteti lokal. Shkova disa herë, si për kafe, për vizitë respekti, sipas traditës së të parëve, të cilët shkonim e vinim me njëri-tjetrin edhe pa sebep, pa ndonjë rast. Lëviza vetëm. Një herë takova Adriatik Mehmetin, 59 vjeç, me arsim të mesëm, banor i përhershëm i lagjes, fqinj me Xhelon. Ai më pohon ç’më kishte rrëfyer nëna ime. Herë tjetër takoj Flamur Gjikën, ish-kryeplak, 60 vjeç me arsim të mesëm, banor i përhershëm i lagjes, fqinj me Xhelon. Dhe përgjigjja e tij klishe. Takoj edhe të tjerë, ndër ta moshatarë vendës, pa e quajtur të nevojshme të zgjatem me gjeneralitetet e tyre. Natyrshëm ma përmendnin emërvendin “Varri i Pellazgut”. Një mbasdite shkoj me nënën tek i kushëriri, për urim.

Pritja bujare, biseda e bukur, përgjigjja e pyetjes sime e njëjta-klisheja e simemëje. Kështu që u binda dhe di, që në këmbë të fshatit Tërbaç, afër vendit të quajtur Sinadane (tej, mbi shtëpitë e Xhelo Jahos, m’u në majë, në qafë të Shúrbes e përballë shtëpive të Jaupit) përdoret toponimi “Varri i Pellazgut”.
Faza e dytë e kërkimit u përmbyll me këtë përfundim: Tononimin “Varri i Pellazgut” (emërvend, emërvarr) e kam dëgjuar dhe ende po e dëgjoj nga nëna ime, që rron, si dhe nga banorët përreth. E kam të regjistruar në memorie. Ua kam thënë fëmijëve të mi ta dinë. Tani po e publikoj në shtyp për ta ditur të tjerët, vendas a të huaj.
Ndërkaq, është interesant fakti, se, vite e vite më parë, duke gjurmuar për studimin tim
monografik “Lufta e Vlorës- Historia në epikën historike” (Tiranë, Neraida, 2013, f. 204), në një nga botimet e nivelit akademik të fushës historiko-folkorike për Luftën e Vlorës dhe pikërisht në librin “Kujtime dhe këngë popullore për Luftën Çlirimtare të viteve 1918-1920”, (përgat. Muim Çami, Qemal Haxhihasani, Zihni Haskaj, Zihni Sako, Tiranë, Universiteti Shtetëror i Tiranës,
Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Folkorit, 1970, f. 319), gjendet edhe një tekst poetik (njësia nr. 87), regjistruar në Vranisht, Vlorë, 1956, që nis me vargjet:

“Shqiptarët, bijt’ e Pellazgut,

Trima dhe të zot’ e gjakut,

Me pushkë të austriakut,

U grinë zhapën e barkut,

…Në Fushë të Peshkëpisë,

Aropllan’ i Italisë, 

U këput e ra si mizë”…

Së treti, si një kërkues modest dhe studiues në lëmin e etnologjisë dhe folklorit, më duhej të këshillohesha patjetër me specialistë profesionistë të fushës së arkeologjisë, etj. Mirësisht, takoj prof.as.dr. Aleks Trushaj në Universitet. Është pedagog I Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, ku punoj dhe unë. Për fat, jemi miq të vjetër e të mirë. Prof. Trushaj është historian, arkeolog, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane. I përkushtuar, dashamirës, me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë morale dhe intelektuale, por një kërkues i rreptë shkencor dhe studiues serioz në kërkimet e fushës së tij sa të rëndësishme, aq delikate e me përgjegjësi. Përfundimisht, një ditë të shtunë dhe pikërisht më 29 prill të këtij viti (2017) ndërmarrim një ekspeditë në terren.

Në grup ishte vetë prof. Trushaj, prof.as. dr. Hajdar Kiçaj (biolog), doktorant Ermal Sina (ekspert i metodologjisë së kërkimeve në terren, arsimuar për arkeologji në Itali) dhe unë rrëfyesi, por qëllimisht i pa ekspozuar, për të mos u diskutuar nga kërkuesit e vëzhgimit me pjesëmarrje në terren si manipuluar. Edhe pse ishin miq e të njohur, vërtetë që shkova dhe vetë me eksploruesit si udhërrëfyes, por, siç kam natyrën e punës, as për të mos u parë si i manipulueshëm nga ata, gjatë udhëtimit, fola shkurt në celular me nënën time: “Dil te porta, se për pak do të vijnë një grup studiuesish me makinë të vogël e do t’i çosh tek ai vendi që më ke thënë mua, te Varri i Pellazgëve. Me ta është dhe një i huaj”.

Nuk i tregova gjë që isha dhe unë me grupin. Ashtu bëmë. Ermali foli italisht. Natyrisht që Aleksi doli dhe e takoi. Ajo e njohu. Doli dhe Hajdari. “Ndryshe ky muhabet. Ma paska luajtur një reng ky imbir” – ndoshta ka menduar. E qafosi Danin dhe qeshi. (Ajo ka të bëjë me nënën e profesor Hajdarit që me origjinë është nga Tërbaçi). Unë nuk dola nga makina. Kur hipi më pa, u habit, më “shau” një çikë, që s’i tregova. Ngaqë kohën e kishim flori, nuk u kthyem as për kafen e traditës, por e morëm me vete të na shpinte tek kodra e çmuar. Mbërritëm te çukëza dhe prof. Aleksi dhe doktorant Ermali filluan gërmimet. “Kemi të bëjmë me gjurmë të varreve parake – tha ai.-

Të shohim… Janë reliktet arkeologjike, që po paraqesim nëpërmjet fotografive të bëra në vend. Ato flasin vetë. Nga specialistët pritet fjala e tyre shkencore. Tërhoqëm vëmendjen me gërmimet dhe erdhën disa banorë përreth. Gjatë punës në terren, morëm kontakt konkret të drejtpërdrejtë me banorët dhe njohëm kulturën e të folurit të këtij komuniteti të vogël, ndaj këtij emërvendi, që asnjëherë më parë nuk është trajtuar nga asnjë studiues shqiptar apo i huaj. Banorët pohonin toponimin Varri i Pellazgut. Gjithashtu – tregojnë pjesëmarrësit vullnetarë, që plotësuan ekspeditën tonë të vogël – në vitet 1980 filloi pyllëzimi me pisha i Fshatit. Edhe këtu patjetër. Ja këto pisha atëherë janë mbjellur. Janë hapur gropat e duhura dhe shumë nga këto, objektet e vjetra janë thyer nga pakujdesia, nga mosdija, nga mosvlerësimi i peshës së tyre arkeologjike e historike. Ec t’i gjemë sot. Një pjesë të atyre objekteve të hedhura andej-këndej, shkurreve e gëmushave, brinjave të kodrës, i gjeti Xhelua dhe i ka eksopzuar në faqe të banesës së tij, që e ka në sqetull të majtë të “Varrit të Pellazgut”.

Gjithsesi forma e varrit, përmasat, drejtimi, gjatësia, gjerësia, pllakat, dhembi i gjetur na flet se kemi të bëjmë me parakë gjigantë. A janë paraardhësit tanë, protoilirë, pellazgë, ilirë, vendas apo të ardhur? A kemi të bëjmë me një kodërvarr a varr pellazg, siç e trashëgojnë dhe përdorin këtë toponim banorët vendas? Përgjigjen e këtyre pyetjeve e presim nga njerëzit kompetentë, specialistët e fushës me njohuri të thella e të përpikta, krahasimtarisht dhe me fushat shkencore simotra të domosdoshme për të arritur në përgjigjen e duhur, të vërtetë dhe të pranuar nga opinioni shkencor.

Gjithsesi, edhe pse grupi i ekspeditës, me mbështetje në vrojtimin pjesëmarrës, realizoi këtë kërkim në terren, edhe pse nga studiuesit, kërkuesit, profesorët e fushës, akademikët, nuk e dimë ç’përfundim shkencor mund të rezultojë, kjo kodër me varre të vjetra në bark të Tërbaçit, saktësisht në vendin e quajtur Shúrbe mbi Sinadane, ashtu siç është folur ndër mijëravjeçarë, përsëri, deri sa të ketë banorë tërbaçiotë këtu, prapë ashtu do të quhej “Varri i Pellazgut”, sepse ashtu e kanë quajtur të parët e tyre, ashtu e kanë dëgjuar ata, ashtu e pranojnë të sotmit dhe nuk i bezdis. Edhe brezat, besojmë se do ta pasojnë stafetën e toponimit.

Nderim nga Albert HABAZAJ

Vlorë, ALBANIA, e mërkurë, më 4.10.2017

Shperndaje ne
Updated: 8 Tetor, 2017 — 06:38

The Author

Albert HABAZAJ

2 Comments

Add a Comment
  1. Pershendetje Berti!
    Im bir është kurioz te dijë si vazhduan studimin mbi varrin e pellazgut. A ka të reja ao e lanë me aq pa hulumtime të tjera ?

    Të përshëndesin Andrea dhe Rubin Çanaj

  2. Xhelo Jahaj është gjyshi imë dhe unë janë mbesa e tijë Gabriela Jahaj dhe asë unë vetë nuk e dija që jemi pranë varreve të pellazgëve

Lini një Përgjigje te Gabriela Jahaj Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.