Fahri Dahri: ÇËSHTJA ÇAME NË OPTIKËN E PARIMIT “PRAKTIKA KRITER I SË VËRTETËS”

Çamëria (39°47’ 30.61’’ N – 20°17’ 58.91’’E)

            (38°59’ 20.05’’ E – 21°02’ 34.88’’E)

Fjalët thuhen, përdoren dhe dëgjohen përherë dhe për gjithçka. Koha i vlerëson ato për vërtetësi ose jo. Krahas kohës, kërkohet vëmëndje e veçantë në ndjekjen e ngjarjeve të ndodhura dhe qendrimet e mbajtura ndaj tyre, për të zbuluar vërtetësinë e fjalëve, qendrimeve dhe veprimeve të kryera nga individë, grupe shoqërore, institucione shtetërore deri tek personalitetet udhëheqëse. Në rastin e trajtesës tonë, këto zhvillime i analizojmë në rrjedhën e qendrimeve të Fuqive të Mëdha ndaj kombit shqiptar në tërësi e posaçërisht të banorëve të krahinës etnike shqiptare të Thesproti/Çamërisë.

Për vërtetësinë e zbatimit korekt dhe serioz të parimeve themelore të të drejtave universale të njeriut, do të ndalemi në dy prej tyre:

  1. a) Në të drejtën për vetvendosje të banorëve në tokën ku banojnë dhe
  2. b) Liritë e besimit fetar.

Fjalë të shprehura në podiume, nënëshkrime dhe miratime të deklarave të rëndësive të veçanta, konventa dhe ligje të shumta në mbrojtjen e të drejtrave të popujve etj. janë hartuar, miratuar dhe ekzistojnë de juro. Ndërsa kohët që kalojnë, janë gjykatësit që vendosin vërtetësinë ose pavërtetësinë e tyre. Në analizë të ngjarjeve dhe të qendrimeve të mbajtura, gjatë periudhës kohore prej gjysmës së dytë të shek. XIX-të deri në ditët e sotme, konkludohet lehtë se vendimmarrjet e Fuqive të Mëdha kanë gabuar rëndë në të dy parimet e përmendura më lart ndaj kombit shqiptar dhe qendrime tepër të ashpra dhe të padrejta i ndeshim të theksuara ndaj banorëve të territorit etnik shqiptar të krahinës së Çamërisë.

Fuqitë e Mëdha haptazi kanë mbështetur popujt e shteteve të mëdha duke injoruar “vullnetin e popujve të vegjël”. Kanë përdorur diferencime mes popujve të besimit të krishterë dhe atyre islam, duke favorizuar të parët.

I analizojmë, duke u mbështetur tek fakori kohë:

1.- Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, kur Perandoria otomane, filloi degradimin nga fundi i shekullit të XIX-të. Fqinjët tanë, kanë punuar e vepruar me programe taktike dhe strategjike kundër nesh, përmendim programet e një kohshme Serbe dhe Greke të hartuara më 1844.

– Strategjia serbe formuloi programin e njohur “Naçertania”,  i cili synonte që Serbia të shndërrohej në një shtet të madh sllav, ku do të përfshiheshin të gjitha trojet shqiptare në veri të lumit Shkumbin së bashku me Kosovën.

– Strategjia Greke formuloi programin e quajtur “Ideja e Madhe” (Megali Ideja) e cila synonte një shtet të madh Helen, ku do të përfshihej e gjithë Shqipëria e poshtme deri në lumin Shkumbim.

Ishin periudha të rrezikshme, drejt asimilimit të kombin tonë. Në ato kushte koha solli “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” (themeluar në Prizren më 1878-1881), e cila mbrojti dhe frymzoi banorët në trojet e veta etnike për ndërgjegjësim në bashkimin tashmë të Kombit shqiptar, për ruajtjen e tërësisë territoriale, sidomos në procesin e zhvillimeve historike të viteve të Krizës së Lindjes 1875-1878 dhe luftës ruso-turke 1877-1878 .

Gjatë copëtimit të parë, shqiptarët humbën zonat veriore të Toplicës, Pazarit të Ri, Nishit, Ulqinin dhe disa territore në jug të Çamërisë (qytetin e Artës dhe rrethinat e saj)

Veprimet e Fuqive të Mëdha që përgënjeshtrojnë qendrimet e tyre

ndaj parimit të “vetvendosjes së popujve”.

Veprimi i parë.

Nga 13 qershori i vitit 1878, tri ditë mbas themelimit të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, filloi punimet Kongresi i Berlinit, i udhëhiqur nga kancelari gjerman Oto Fon Bismarku (kujtojmë se Bismarku është shprehur në mënyrë brutale se nuk ekziston kombi shqiptar në Gadishullin Ballkanik). Në Kongres morën pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha (Angia, Gjermania, Franca, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia).

Zyrtarisht Kongresi i Berlinit u thir për të rishikuar Traktatin e Shën Stefanit që Perandoria Ruse i kishte diktuar Perandorisë Osmane në përfitim të saj dhe aleatëve ballkanikë, duke krijuar një hartë të re politike në Gadishullin Ballkanik në kurriz të trojeve të Perandorisë Osmane. Më 17 korrik të vitit 1878 Kongresi i përfundoi punimet e veta duke miratuar Traktatin e Berlinit të cilën e nënshkruan 17 përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha së bashku me 3 përfaqësuesit e Perandorisë Osmane. Kongresi në mënyrë të hapur mori vendime që ishin në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar. Kongresi nuk e njohu autonominë e kombit shqiptar, por cenoi rëndë tërësinë tokësore të vendit. Për jugun e trojeve shqiptare rekomandoi si vijë kufiri në Epir lumin Kalama duke e shpërblyer me toka etnike shqiptare Greqinë edhe me trevën shqiptare të Çamërisë.

II.- Veprimi i dytë.

Konferenca e ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912-1913, ishte takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morrën vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane.

Gjatë coptimit të dytë, si rrjedhojë e presioneve serbo-greke, konferenca mori vendime që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së Pavarur, duke humbur territoret e Vilajetit të Kosovës dhe Çamërinë.

III.- Goditje tepër të rëndë muarën shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, tashmë të pavarur. Popullsia e Kosovës dhe ajo e Çamërisë, u përballën me masat e rrepta kundër lirisë së besimit fetar. Dekada e dyte e shekullit të kaluar, banorët e Kosovës dhe ata të Çamërisë, duke qenë të besimit islam, u detyruan dhunshëm ti nënështroheshin marrëveshjes turko-greke, e bekuar edhe nga ndërkombëtarët. Pra, filloi ndarja e popujve për vendbanime sipas besimeve fetare dhe jo sipas vendeve ku ata kanë banuar ndër shekuj.

Fuqitë e Mëdha, në ruajtje të interesave dhe ekuilibrave të tyre, harruan parimet themelore të të drejtave të njeriut dhe i u nënështruan absurditeteve, duke e ditur fare mirë se vendimet e tyre ishin të gabuara.

Eksode të padëshiruara si nga banorët e Kosovës dhe të Çamërisë, masakrime, dëbime të dhunshme, jashtë territoreve të tyre autoktone filluan  menjëherë me shkëputjen e atyre territoreve nga trungu etnik e deri ditët tona, duke ua lënë vendin banorërve të besimit të krishter, ortodoksëve serbë dhe ortodoksëve turq.

IV.- Shteti Grek, ndaj shqiptarëve të Çamërisë, që nga koha e kalimit të  krahinës në vartësi të tij e në vazhdim, nuk ka respektuar identitetin etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar, ndërsa për t’u krijuar kushtet për të shprehur, ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre as që bëhet fjalë, përkundrazi ajo në çdo rast është treguar tepër e dhunshme, deri në kryerje të gjenocidit të pastërt. Sot, edhe mbas 73 vitesh, ajo ka zgjedhur negativitetin dhe arrogancën. Arbitrarisht për çamët e dëbuar dhunshëm, shteti Grek ka mbyllur hermetikisht portat për kalimin në kufirin e saj.

Sipas “Konventa Kuadër “”Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, është shprehur qartë “se një shoqëri pluraliste dhe e vërtetë demokratike duhet që jo vetëm të respektojë  identitetin etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar të çdo personi që I përket një pakice kombëtare, por gjithashtu edhe të krijojë kushtet e nevojshme që iu japin mundësi atyre për të shprehur, ruajtur dhe zhvilluar këtë identitet”.

Ndërsa në nenet 7 dhe 8 të Konventës ligjërohet: (Neni 7), “Palët do të sigurojnë respektimin e së drejtës së çdo personi që i përket një pakice kombëtare për lirinë e grumbullimeve paqësore, lirinë e organizimit, lirinë e shprehjes dhe lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit fetar”. (Neni 8), “Palët angazhohen të pranojnë se çdo person që i përket një pakice kombëtare ka të drejtën të manifestojë fenë apo besimin e tij/saj dhe të krijojë institucionet, organizatat dhe shoqatat fetare”. Realiteti në terrenin praktik është më shumë se i qartë, Republika e Greqisë ndaj kësaj konvente është larg, shumë larg zbatimit.

Në situata të tillë, kur një komunitet i tërë vazhdon në forma të ndryshme demokratike, të kërkojë zbatimin e drejtësisë së mohuar dhe të munguar, në radhë të parë është shteti Shqiptar që duhet të denoncojë fenomenin në Këshillin e Europës, e drejtë kjo e sanksionuar në (Nenin 24), ku shprehet:“Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të mbikqyrë zbatimin e kësaj Konvente kuadër nga Palët Kontraktuese”.

 Ndërsa SHPAÇ, si organ i vetëm përfaqësues joshtetëror i komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë të ardhur emigrantë në vitet 1944-1945, nisur nga gjendja jo aktive vitet e fundit, duhet të “zgjohet” nga gjumi letargjik, nga plogështia, të reformohet dhe të fillojë nga aktiviteti i saj tepër i rëndësishëm dhe historik. Disa vite më parë ajo shoqëri u angazhua në mbledhjen e nënëshkrimeve të qytetarëve çamë për nisjen e procedurave për denoncimin e masakrave dhe dëbimin masiv të tyre nga vendi autokton.

Ndofta ka ardhur koha për të rivepruar me atë procedurë dhe në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe ambasadat e vendeve miq, të realizohet edhe Referendumi për të përcaktuar rrugët e zgjidhjes së problemit në fjalë.

Koha ka kërkuar dhe kërkon që të zgjedhurit të mos ndjejnë qetësinë e postit të fituar, por të ndjejnë përgjegjësitë që posti i fituar ua dikton për të realizuar!.

“Çështja e gjenocidit  grek ndaj çamëve myslimanë”, është i një rëndësie të madhe.“Çështja Çame”, jo vetë që është çështje parësore shqiptaro-greke e pazgjidhur, por është një problem me përmasa ndërkombëtare, pasi janë shkelur brutalisht të gjitha ligjet ndërkombëtare, dhe në mos sot e nesërmja do të ngarkojë me përgjegjësi morale dhe ligjore, jo vetëm shtetin Grek si shkelës flagrant i të drejtave ndërkombëtare të njeriut, por dhe Këshillin e Europës, i cili nuk ka kryer detyrën e ngarkuar për mbikqyjen e zbatimit të konventave përkatëse.

Praktika e përdorur nga Fuqitë e Mëdha gjatë afro 200 viteve të fundit, tregon mungesë serioziteti në zbatimin e të drejtave ndërkombëtare, si rrjedhojë siguria në Ballkan mbetet e rrezikuar.

Ky është reailteti, që na e tregon kriteri i së vërtetës.

Gjithëkujt i lind pyetja: Si arrihet të justifikohen mos zbatimet e Ligjeve ndërkombëtare dhe pse është mbajtur dhe mbahet një qendrim agresiv tejet i skajshëm ndaj një grupnjerëzish paqësor, të lindur e rritur në një vend me kufij saktësisht të caktuar që nga lashtësia?!

Mbikqyrja Universale ndofta kërkon të na tregojë se deri ku arrijnë kufijtë e mbijetesës njerëzore!!!.

 

31 tetor 2017                        Fahri Dahri

Shperndaje ne
Updated: 1 Nëntor, 2017 — 15:26

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.