LIRIKU, FENIKS QË SHTEGTON NËPËR KOHË

Brahim Avdyli: “Arena e dhembjeve”, poezi, SHB “Meshari”, Prishtinë 2017

Analisti: Prend BUZHALA

Poeti Brahim Avdyli e ka profilizuar individualitetin e tij lirik qe disa dekada. Ai, duke shtegtuar kësisoj, nga libri në libër, duke profilizuar lirikun që poezinë e ka fjalë shpirti, e ka thënie qortuese, shpallje të dashurisë ndaj jetës, ndaj vlerave dhe ndaj së bukurës, kësaj radhe  na vjen edhe me një vëllim që bart gjithë këto ngarkesa si një sizif modern, me titullin “Arena e dhembjeve”.

1. Semantika e dhembjes dhe e vuajtjes

Poeti, sa herë gjendet në shoqëri me vargun poetik, ulet pranë dritares së ditëve në tryezën e kohëve. Ndërsa poeti shenjëzon poetikisht fjalët e moçme yllirishte, në këtë kërkim-rrugëtim të vetvetes dhe këngës, në këtë përleshje kohësh e identitetesh, poeti vetëm sa e diagnostifikon situatën:

Tani shekujt po maten

kush e gjuan gurin më larg

deri në kohën tonë!…

Ka një tis dhimbjeje e vuajtje në këto poezi, që nga poezia e parë, më saktësisht, që nga titulli i librit:

Shkojnë e vinë

hyjnë e dalin

nëpër dhembje-

Është ajo, që shpesh e quajmë dhembje krenare. Por është edhe ajo dhembje që njeriu e bart si ferrin e vet jetësor, si kalvarin e tij të kësobotshëm ekzistencial e jetësor, individual e kolektiv. Jeta është aty, si arenë dhembjesh, si dëshmi e shenjës poetike të situatës ekzistenciale të dhembjes. Ndërsa vargu ngërthen edhe çastin dramatik të brendshëm të këtij pikëllim-lëndimi, të kësaj vuajtjeje e dhembjeje që shfaqet në nuancat e braktisjes, mospërfilljes, harresës, lënies pas dore e deri tek aktet e reja të kësaj prove të rëndë e tronditëse, mbase me frymën e fundme të thirrmës për të gjetur forcën që të kapërcehet gjendja e kësaj vuajtjeje shpirtërore, e heqjes dorë, pothuajse një apostazi ekzistimi dhe e dezertimit nga vetvetja… Kohë të ethshme, me ankthe e dhembje, në variacione të tilla këndimi, i lexojmë tek të gjitha ciklet poetike.

Ndjesitë që poeti i ligjëron urtësisht e shpirtërisht, përbëjnë një gamë tejet të gjerë e të larmishme, sikundër janë: urtësia, fjala, ëndrrat dhe vargu, dhembja e loti, vetvetja, kujtimi, vetmia, dhembja, pritja. Tutje lexojmë reagimet emocionale të krijuesit, të veshura me ndjesi mërgimtari.

E pra, më shumë ligjëron një Njeri i Përvojës së Mallit, i përvojës së Njeriut të Mendimit,

Na shfaqet, kund e kund, këndimi prej baladash dhe këndimi elegjiak i vetvetes.

Vuajtja është ai gur sizifi, pa të cilin nuk mund as të ekzistojë ky folës lirik

Sizif, i ziu Sizif,

sa do të vuajmë

me këtë gur

e dhembja, nuk ka fund!

Është ajo dhembje-ftesë që e rrokullis këtë gur vuajtjeje përpjetëzes së ekzistimit: “Dhembja dhembjen e thirrë deri në lot”.

2.Arena historike dhe e vorbullave jetësore

Përgjatë tërë librit fjala arenë merr një shumësi kuptimore unike; ajo është bota dhe koha jonë e kundërthënieve, vorbullave dhe konflikteve universale. Është skena e vorbullave dhe ajo loja me jetën. Në antikë ishte edhe skenë  e cirkut, skenë e lojërave me jetën e skllevërve. Iliria e dikurshme dhe fati ynë sot, zgjon këso asociacionesh:

Ti heshturazi pret

të përfundojnë lojën e frikshme

(poezia “Gadishulli ilirik”)

Arena është harta e betejave, por është edhe skena e hapur e jetës. Prandaj një tjetër vatër e këndimeve përbëjnë lirikat, shpesh me tis balade  e me tis elegjiak, por edhe me shtjellime reflektimesh mbi kohën. Tjetërsimet e idealeve a shembjet e ëndrrave të pastra, nuk prajnë. Prandaj nëpër vargje shpërthejnë shpesh e shpesh edhe biografemat lirike autoriale:

tashmë buka hahet

aq sa më mjaftojnë të hollat

me pensionin invalidor,

 

Atdheu i ëndrrave

sikur është zhdukur

Në këtë lojë me fatin e jetën, si dikur në antikën skllavopronare, njeriu është i bindur se e fiton vetë lirinë duke u vetësakrifikuar, duke fluturuar nëpër kohë:

A jam unë feniksi i çuditshëm

e pyes veten nëpër dallgë

Tashmë poeti hyn në kontrast me situatat e tilla kontraktuese përkohësi- tejkohësi, kufizim-univers. Hyn në një tjetër rrafsh këndimi, ka hyrë në botën e aktualitetit; aty ku heroi i takon së kaluarës, tashmë zë e na vjen personazhi i shqetësimeve në kohë e për kohën, që, në pamundësi për ta ndërruar gjendjen, ai e ironizon këtë realitet. Arena, ajo hapësirë ku jeta shtillet e pështillet nëpër vorbulla të dhimbjes e përleshjeve, shpesh na ishte edhe arenë historike luftërash. Madje, ato nuk na kursejnë edhe sot, ku poeti gjendjet  e ethshme të krizave në botë i karakterizon me figurën e Luciferit dantesk.

Si duket, sërish është ngjallur Luciferri

tani kufomat shëtisin në botën e shastisur

prej tragjedisë në tragjedi

të përcjellur me nderim nga kuarteri policor-ushtarak,

askush nuk ua hap dosjen të shohë bishat e veshura

që rrëzojnë kudo me raketa gra e fëmijë

përtej një bote të përkohshme (“Bota e përkohshme,/Jeta-poligon i energjive”), poeti ka dhe një të tejkohshme (“Shpirti nuk është/ vetëm shenjë e vetvetes”). Krijuesi e bën edhe një hapë më tutje, për t’u zhytur në thellësitë e kërkimeve meditative të artit poetik, sikundër janë kodet e kohës dhe kodet e qenies e të fatit. Përtej kësaj përkohësie ai ka universin tij të fjalës, një univers të paskajë, në kërkim të përhershëm, shpesh dhe kërkim shqetësimesh.

Një rreth tjetër këndimesh lirike, përbëjnë lirikat dhe kërkimet e përhershme e shumëplanëshe të poetit për rrënjët identitare: 

Vështirë mund të jesh

pasqyrë magjik

 

Ti heshturazi pret

të përfundojnë lojën e frikshme

e ta gjejnë rastësisht

se prej cilit yll kanë zbritur,

çfarë gjuhe ka qenë

gjuha e parë

Ylliria, Illyria, Iliria

cila është e vërtetë,

Po qe se e shohim krijuesin, gjatë shtegtime të tij, të ndalojë në Zarë, Kashtell, Kosntancë apo gjetiu, ai vetëm sa do ta e pikëzojë hartën e kujtesës sonë, duke medituar e soditur “tokave të shenjta iliro-pellazge”.

Nëse shtegtimet e para e hedhin atë nëpër gjeografinë e stome, për t’i rikujtuar të djeshmen në hartën e qenies sonë shpirtërore; në të sotmen gjeopoetika e tij gjezdis nga viset e ndryshme zvicerane e nëpër ato të Kosovës e trojet tjera etnike.

 Poeti shpreh madhështinë e qenies poetike, duke e lartësuar mesazhin dhe forcën e mendimit, në gërshet me dhembjen e melankolinë, atdhedashurinë e dashurinë. Në jo pak lirika ai depërton në botën e pasur shpirtërore të protagonistëve lirikë, duke e përqendruar vëmendjen në thellësinë psikologjike, me kontrastet e përplasjet shprehëse të realitetit që përthyhet në fatin personal.

3.Drama e krijimit, poetika

Por dhembja e vuajtja shpesh janë dhe sinonime të krijimit: “askund qetësim i shpirtit krijues!Poeti nuk është ai që dëshiron ta shprehë ekskluzivisht vetëm atë që do: vetëm sipças ndjeshmërisë personale. Prandaj ka kaq shumë momente dramatike në brendinë e këtij vargu, deri te drama e krijimit lirik.  Ndryshe, nuk do të kishte fare art. Lirika është pamje e imagjinatës, e botës së brendshme, që poeti e bart kaq gjatë e nëpër shtegtime që s’kanë fund, si një libër të palexuar. Prandaj poeti e shkruan këtë libër të palexuar. Dhe e lexon dyfish: nëpërmes krijimit dhe nëpërmes shkrimit. E, kur publikohet libri, mandej, leximet shumëzohen. Fjalët marrin tjetër vlerë, vlerën e artit dhe atë të simbolit: Shndërrohen në simbole të kujtesës së përbashkët. Te e fundit, ai ka njeri që nuk e ka provuar dhembjen në jetën e  tij? Dhe a ka njeri që nuk ka, së paku, një dell krijimtarie? Prandaj Fjala Simbolike e poetit kërkon kujtesën e përbashkët të dhembjes, bashkësolidarësinë në dhembje e në krijim.

Liriku vigjilon nëpër vargje, rri i strukur në përfytyrime, në vegime dhembjesh e vizionesh poetike. Poeti nuk i reshtet edhe konceptimit të virtyteve etnike, që zhdrivillohet si një idealizim i tipareve shpirtërore, një si spektër imazhesh poetike-historike e spektër metaforash, si spektër malli të tingujve mallëngjyes për shkak të braktisjes së vendlindjes e që shkakton mallëngjim, vuajtje e kujtesë të prekshme e nganjëherë edhe tronditëse.

Identifikimi i poetit me vargun e tij është i njënjëshëm, është i plotë:

nuk di a jetoj

apo kam vdekur nëpër vargje!…

kurse poeti gjendet gjithnjë në thurjen e qarqeve të komunikimit brenda krijimit dhe në kontekst me  skenës letrare e shoqërore zë kohës. Kësisoj, në këtë ndërkomunikim, ka shumë pjesëmarrës e ku thuret statusi i veçantë i tekstit poetik:

Ky është poligoni i këngëve tona

poligoni i vrojtimit

deri në largësi-

arena e dhembjeve tona!…

ashtu sikundër ka dhe një taborr tjetër vrojtuesish e sulmuesish. Nëse dikur shkrimtari konsiderohej një promethe e lexuesi një revolucionar që ndryshon botën, krijuesi e ka ruajtur prometheizmin e tij, kurse lexuesi është vetëm një bashkëpjesëmarrës në këtë solidarësi krijimi e dhembjeje. Tashmë dhembje është dhe personifikim i këngës, është medium (a arenë, si thotë poeti), i jetës me vuajtje e dhembje:

Kënga është bërë

zgjua bletësh

në shpirtin e saj

oshtin dhembja

Për derisa te një pjesë bukur e madhe poezish mbitheksohet semantemat këngë e varg, ajo mbipopullon edhe vargje të tëra, madje edhe titujt e cikleve (“Këngët e paprekura”, “Në pusin e vargjeve”), apo semantemat e fjalëve arenë e poligon (“Arena e fjalëve”, “Poligoni i dhembjeve”).  E bukura në art dhe vetë arti i fjalës, janë vështirë të përkufizueshme me ligjërim të zakonshëm, dhe atë që nuk mund ta shqiptojnë estetika apo dijet teorike-letrare, mund ta nyjëtojë arti i drejtpërdrejt poetik. Dhe këtë e arin ta formësojë e strukturojë me frymë moderne të këndimit, edhe  Brahim Avdyli te arti i tij poetik.

Analisti Prend Buzhala dhe autori i librit Brahim Avdyli

Nëntor 2017

Shperndaje ne
Updated: 3 Dhjetor, 2017 — 00:16

The Author

Brahim Avdyli

DISA SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN DHE VEPRAT Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)... Katër klasat e para të shkollës fillore "Ganimete Terbeshi" i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010. Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike... Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra: -"Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983; -"Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990; -"Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992; -"Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994; -"Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997; -"Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999; -"Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000; -"Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003; -"Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005; -"Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007; -"Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008; -"Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009; -"Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011; -"Qielli i paprekur", poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012; -"Vetëvrasja e një poeti", dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve "JAKOVA", Gjakovë, 2013; -"Shtegtimi i lirisë", poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014; -"Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele", zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015; “Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017. “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019. Tani, pritet të botohet vepra “Die Verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019... Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë... Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë... Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht. Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); dhe i disa organizatave të tjera. Këto poezi lirike janë nga libri më i ri i poezisë së tij lirike...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.