Shpallja e Pavarësisë, ngritja e Flamurit – Themel i mbrojtjes kombëtare shqipëtare…

Ishte vizioni largpamës i Ismail Qemalit, i cili ishte Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, të themelonte ushtrinë, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Këto përpjekje flasin për vendosmërinë dhe meritën e Qeverisë së Vlorës, për t’i dhënë Forcave të Armatosura një karakter dhe përmbajtje  sa më kombëtare.

Shkruan: Bashkim Qeli Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria” “Nderi i Kombit”, Dega Tiranë

Shpallja e Pavarësisë Kombëtare është një faqe e ndritur në historinë shqiptare. Ajo i dha fund sundimin shumëshekullor osman dhe çeli një epokë të re, të jetës politike e kombëtare të vendit tonë. Pas Shpalljes së Pavarëisë dhe ngritjes së flamurit Kombëtar. Kuvendi i Vlorës u muar me organizimin administrativ të vendit. Më 4 dhjetor Kuvendi zgjodhi Kabinetin Qeveritar me Ismail Qemalin Kryeministër  dhe Ministër i Jashtëm, ndërsa Ministër i Luftës (i Mbrojtjes) Mehmet Pashë Dërralla.

Qeveria e Përkohshme u krijua dhe filloi veprimtarinë e saj në rrethana teje të vështira për Shqipërinë. Në planin e jashtëm, vijonte Lufta Ballkanike kundër forcave të ushtrisë turke, të cilat ishin kudo në tërheqje. Në veri luftohej në Shkodër e cila synohej të pushtohej nga shovinistët malazias dhe serbë. Nërkohë në  jug, luftohej në Janinë e cila ishte e rrethuar nga focat greke, që synoni të pushtonin të gjithë Shqipërinë e Jugut. Kështu që, Shqipëria  ishte në rrezik të një coptimi të ri nga shtetet fqinjë. Në planin e brendshëm vendi vuante e përjetonte shumë vështirësi, të natyrës ekonomike, shoqërore e plotiko – ushtarake dhe të pasigurisë publike, që ishin rrejdhojë e mungesës së shtetit me institucionet dhe administratën vendase.

Në këto kushte shumë të vështira dhe të rënda për vendin dhe popullin shqiptar, Shtetit të ri e të brishtë shqiptar, i duhej të krijonte institucionet e tij, midis të cilave edhe Forcat e Armatosura, që të mbrohej nga lakmitë, pikësynimet  e shteteve fqinj ndaj vendit tonë dhe për të vendosur rregullin, qetësinë e rendin mbi anarkinë, që ekzistonte në atë kohë. Qeveria mori menjëherë masat për mbrojtjen e vendit, me ato pak forca që kishte në dispzicion të saj. Ismail  Qemali urdhëroi të krijohej një forcë e armatosur, që të mbronte bregdetin e Vlorës dhe të mbyllte drejtimin Himarë – Vlorë dhe

për të krijuar këtë forcë të armatosur, në atë kohë, I. Qemalit dhe Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, u duhej një startegji, që të mbështetej mbi një vizion dhe mendim ushtarak të kohës. Strategjia ishte e thjeshtë. Siç del nga dokumentacioni i kohës, Qeveria së Vlorës, sipas kësaj strategjie, në fazën e parë, synonte mbrojtjen e vendit nga copëtimi. Për këtë, Forcat e Armatosura dhe sidomos ushtria, duhej të krijoheshin  sa më shpejtë që të ishte e mundur. Për këtë, do të shfrytëzoheshin efektivat e strukturave ekzistuese ushtarake ende në përbërje të njësive ushtarake turke, që vepronin në Shqipëri. Sigurisht që këto forca do të bazoheshin te kontigjenti ushtarak me origjinë shqiptare, që ishin pjesë e strukturës aktive e rezerviste, dhe pjesa tjetër, ajo e angazhur në luftime, ishin vullnetarët popullorë të krahinave të ndryshme.

 

Nevoja e ngutshme, për të krijuar një forcë të organizuar ushtarakisht e detyroi Qeverinë e Vlorës të hynte fillimisht, në bisedime me komandën e ushtrisë turke në Berat, për të siguruar armë e municion  për forcat shqiptare. Kjo duket qartë në letrën që Ismail Qemali i dërgonte Prefektit të Beratit, më 9 dhjetor 1912, ku i shkruante: “Qëllimi ynë kryesor është si të shpëtojmë atdheun nga kthetrat e armikut, të ruajmë nga rreziku i shfarosjes tepricat e ushtrisë dhe t’a forcojmë atë, për t’u përleshur me armikun. Kjo për ne është një çështje jetësore, njëkohësisht një detyrë e shenjtë për shefat e armatave.” Ndërsa më poshtë vijon : “merrni masat që t’iu sigurohen ushtarëve nevojat në këtë kohë krize dhe të mbahet qetësia.”

Ky  vizion Qeverisë së Vlorës, për krijimin e Forcave të Armatosura, nisi të vihej në zbatim me njëherë me krijimin e dikasterit te Mbrojtjes. Kuvendi Kombëtar në mbledhje e tij më 4 dhejtor 1912, zgjodhi  “Grupimin Ekzekutiv të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës”, të cilin e ligjiëroi duke e dekretuar dhe e bëri të njohur në të gjithë vendin. Në përbërje të kësaj Qeverie përfshiu edhe një dikaster mjaft të rëndësishëm, ai me emërtimin Ministria e Luftës, që do të ishte organi kryesor për organizmin e drejtimin e Forcave të Armatosura Shqiptare. Ky vendim bëhej i njohur, në aktin e kohës së Kuvendit ku thuhej : “Në përbërje të këtij grupi bënte pjesë edhe Dikasteri i rëndësishëm i Luftës (i Mbrojtejes  Kombëtare) i kryesuar nga Mehmet Pashë Dërralla (Tetova ), Gjeneral karriere dhe komandant  i kryengritjeve të viteve 1909 – 1911.

Ky dikaster në bashkëpunim me dikasterin e Punëve të Brendshme, morën masa për mbrojtjen e trojeve ahqiptare dhe ruajtjen e rendit. Sipas këtij vizioni,  strategjisë dhe skemës së përpunuar nga drejtuesit ushtarakë, krijimi dhe dhe organizimi i fotrcave u krye në dy faza. Në fillim u formua dhe u organizua Ministria e Luftës, Shtabi Madhor dhe ajo e Punëve të Brendshme dhe strukturat e mundshme ushtarake, si ato Vullnetare, Rezeviste dhe Xhandërmaria si dhe Policia, në një periudhë të shkurtër – nëntor 1912 deri në qerashor 1913. Faza tjetër,  në fillim të  qershor 1913 deri më 22 janar 1914,  kur Qeveria e përkohshme e Vlorës u largua nga skena politike.

Në fazën e dytë u formua Zyra e Shtabit Madhor dhe u organizua struktura e Xhandarmërisë. Po në këtë  kohë filloi dhe organizimi i forcave aktive. Në fazën e parë u përfshin në përbërje të Forcave të Armatosura, Forcat rezerviste me origjinë shqiptare të përbëra nga ushtarakë të moshës 40 – 60 vjeç, të cilët thirreshin me termin turk “redifë” ose “ muhtafizë”. Formacionet rezerviste ishin reparte të rregullta, të pajisura me armatim e municione të lehta, të veshur me uniforma ushtarake kur thirreshin në luftë. Ata njhnin dhe dinin të zbatonin gjatë të gjitha veprimeve luftarake taktikën e luftës në front të rregullt.

Këto ishin formacione bazë batalioni, që vepronin në disa krahina të vendit, nga Berati, Skrapari, Tepelena, Vlora, Delvina e Saranda etj, por edhe në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut, u përdorën me mjaft efektivitet. Forcat rezerviste përbënin masën kryesore të Ushtrisë Shqiptare. Struktur tjetër ishin Forcat vullnetare, kjo ishte masive, të cilat në fillimet e Qeverisë së Vlorës ishin mjaft aktive. Ato ishin organizuar në  çeta në bazë fshati, apo lagjeje të qytetit, duke vepruar sipas taktikës tradicionale.

Strukturë parësore e Forcave të Armatosura ishte Xhandarmëria. Ajo nisi që në fillimet e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Kjo strukturë u vlerësua shumë sepse ishte një forcë që merrej me sigurimin e rendit dhe të qetësisë, por edhe në mbrojtjen e vendit, krahas strukturave ushtarake.

Dokumentat e Qeverisë së Vlorës dëshmojnë se të gjitha përpjekjet e bëra nga organet e saj dhe ministritë përkatëse, çuan në organizimin e një force që deri në fillim të qershorit 1913 u shtri në mjaft zona ku njihej pushteti i kësaj qeverie.

Mbi organizimin e Forcave të Armatosura, mund të formohet një ide jo vetëm nga dokumentacioni  vendas por edhe i huaj. Konsulli i Austro – Hungarisë pranë Qeverisë së Vlorës Lejhanec informonte qeverin e tij se: “ …kohët e fundit Qeveria e Përkohshme është marrë me çështjen organizative dhe po bën emerime të shumta  sidomos në fushën e administratës së brendëshme .”

Ministria e Luftës së bashku me pjesët përbërse të saj, do të kryente edhe detyrën e Komandës së Përgjithshme, që  përbënte hallkën më të lartë organizuese e drejtuese të Ushtrisë Kombëtare. Kjo Ministri përbëhej nga “Zyra e Shtabit Madhnuer ( shtabi Madhor), Zyrën qarkore,  Zyrën herretare (Logjistika) dhe Zyrën shëndetësore.”

Dikasteri i Luftës përgatiti e përpunoi konceptin e organizimit të ushtrisë dhe një rregullore për fuksionimin e saj që u hartua më 22 prill 1913. Ajo ishte e shkurtër e përbërë nga 7 pika në një faqe. Qeveria udhëzoi Ministrin e Luftës, që për organizimin e një ushtrie të rregullt, të shikohej e të merrej përvoja e ushtrive europiane. Kjo dëshmon edhe njeherë për vizionin e qartë të Qeverisë për krijimin e nje ushtrie moderne të kohës.

Në fazën pasuese, pikërisht në maj 1913, në përputhje me vizionin e Qeverisë  dhe të Ministrisë së Luftës u formua Shabi Madhnuer (shtabi Madhor) si një nevojë e një hallke të qendërzuar, që do të shërbente për organizime, përgatitje dhe  drejtimin profesional të veprimeve luftarke të FA. Ky Shtab, që u konceptua, ishte i thjeshtë, vetëm me 5 zyra, që i dha një  hop organizimit të Forcave të Armatosura. Për këtë dëshmojnë qarkoret e hartuara nga ky shtab e të firmosura nga Kryetari i tij, major Ali Shefqet Shkupi.

Elementet përbërës të Shtabit të përcaktuara në rregulloren e përkohshme të Ministrisë së Luftës të 22 prillit 1913, ishin 1- Qarqet e Shabit Madhnuer, 2- Shkresinat e Shabit Madhnuer, 3 – Komisioni i rregulloreve e i ushtrimeve, 4- Komisionii i trajtimit të policisë e të xhandarmërisë, 5 – Komisioni i ndërtimit.” Konceptimi, formimi dhe fuksionimi i këtij shtabi, ku vepronin një grup ushtarakësh mjaft të formuar me kulturën profesionale ushtarake, të nivelit akademik dhe me një përvojë të lakmueshme luftrash, dëshmonte edhe për një kulturë të mirë politiko – ushtarake të drejtuesve të shtetit dhe të liderëve ushtarakë shqiptarë të asaj kohe. Ky shtab, që varej nga Ministria e Luftës, shëbente edhe si një organ këshillimor për çështjet ushtarake pranë Qeverisë së Vlorës.

Ngritjen e këtij shtabi të lartë usharak, e bënte të njohur për qeverinë austro-hungareze në Vjenë, konsulli i saj në Vlorë, Lejhanec që raportonte : “ Në fillim të qershorit 1913 në Vlorë fuksiononte një zyrë e Shtamadhorisë, një lloj organi ushtarak i Qeverisë së Vlorës.” Ky shtab, siç e vërtetua nga zhvillimi ngjarjeve të kohës, luajti një rol të dukshëm në organizimin e zhvllimin  e Forcave të Armatosura në fazën e dytë, siç ishin përmirësimi i strukturave  të saj, veçanërisht të xhandarmërisë dhe forcat aktive. Kjo u duk qartë në vendimin e Ministrisë së Luftës dhe Shtabit Madhor në krijimin e një kompanie “ Model”. Sipas shembëlltyrës së saj u krijuan strukturat e  ushtrisë.

Po në këtë fazë, nisi edhe riorganizimi i xhandarmërisë, e cila veçanërisht pas muajit qershor, pati një përmirësim të dukshëm. Ky nivel u rrit më tej pas tetorit po të këtij viti, kur në Vlorë arriti grupi i oficerëve hollandezë me kolonel De Weer dhe majorin Thomson, të cilët, sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të 29 korrikut 1913, duhej të organizonin xhandarmërinë shqiptare.

Është vendi të thuhet se Qeveria e Vlorës dhe ushtarakët shqiptarë  ndihmuan pa asnjë hezitim punën e ushtarakëve hollandezë, për ta bërë atë sa më funksionale në punën e saj.  Ajo u oraganizua mbi bazën e 4 detashmenteve, reparte këto të barabarta me një batalion, me 300 xhandarë secila. Çdo repart drejtohej nga një ofocer shqiptar me shumë përvojë. Të tillë ishin, major Mustafa Aranitasi, kapiten Mustafa Maksuti ( Shehu), kapiten Kasëm Qafëzezi dhe kapiten Rexhep Shala.

Koncepti i drejtë në  krijimin e farcave të Armatosura, u duk edhe në formimin e shërbimeve mbështetëse, siç ishin – Prapavija (Logjistika 6 maj 1913), i organizim mobilizimit (3 qershor 1913) dhe i Zbulimit ose Informativ (15 qershor 1913). Pa këto shërbime, vështirë  se mund të kryenin veprimtarinë e tyre struktura ose hallkat drejtuese të forcave të Armatosura. Ndërkohë Qeveria e Vlorës në bashkëpunim të ngushtë me Ministrine e Luftës dhe Shtabin Madhor, përcaktuan edhe nivelin e të drejtës elektorale e politike të ushtarakut.

Në atë kohë u përcaktua se përveç oficerëve, ushtarakët e tjerë nuk lejoheshin të merrnin pjesë në zgjedhjet me qëllim të evitohej ndikimi i tyre nga politika. Një vendim i drejtë, i cili evidentoi dhe afirmoi më së miri mendimin dhe vizionin ushtarak të kohës, ishte pikërisht hartimi dhe publikimi i rregullores , “ mbi organizimin e Milicisë Shqiptare”, e cila u miratua nga Qeveria e Përkohshme, më 3 qershoe 1913. Rregullorja,  në të vërtetë ishte një akt ligjor, për nga përmbajtja edhe për faktin se ajo u miratua  nga Qeveria e Vlorës, duke i dhënë asaj atributet e një ligji.

Hartimi i kësaj rregulloreje dëshmonte qartë për nivelin e lartë të dijeve dhe të kulturës profesionale ushtarake për të gjithë anëtarët e Shtabit Madhor shqiptar. Për këtë Konsulli austro-hungarez në Vlorë do të shkruante: “ Zyra ( e Shtabit Madhor), hartoi rregulloren mbi fuksionimin e milicisë shqiptare, sipas së cilës kjo e fundit ishte një forcë e organizuar, e ngritur mbi bazën e detyrimit ushtarak të përgjithshëm dhe që kishte për detyrë mbrojtjen e vendit deri sa të krijohej një ushtri e rregullt.” Qeveria e Vlorës dhe Isamil Qemali, përzgjodhën dhe përcaktuan, për kushtet e kohës, planin strategjik të mbrojtjes, në shkallë vendi për Forcat e Armatosura, kur ato ishin në organizim e sipër, këtë detyrë, derisa të krijohej Komanda e përgjithshme, ia ngarkoi Ministrisë së Luftës.

Kjo dukuri, tregoi mendimin, vizionin dhe konceprin modern  të Qeverisë së Vlorës, mandej dhe të liderëve ushtarakë shqiptar të viteve 1912 -1913, që ishte prirja  dhe vendosmëria e tyre për organizmin e një Forcë të Armatosur  me konceptet e kohës. Për këtë ata sugjeruan kryerjen më parë të studimit të disa sistemeve ushtarake evropiane.

Në raportin e tij konsulli Lejhanec shkruan:  “ …adminisrtata ushtarake shqiptare, kishte ndërmend të bënte më parë studime mbi sistemet e ndryshme ushtarake evropiane. Pastaj të vendoste  të mbështetej në njërën prej tyre ose të krijonte një sistem të ri të vetin, që t’u përshtatej kushteve të shtetit të ri të pavarur…”

Për ta ilustruar këtë prirje të Qeverisë së Vlorës, mjafton të përmendet, së të gjitha porositë saj për armatime dhe uniformat e reja u bënë në Austri dhe në Itali. Për këtë në librin “Pavarësia dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha”, thuhet ;- “ Porosi të rëndësishme u bënë në arsenalet e Austro – Hungarisë, me gjithë ngushticën e madhe të mjeteve  financiare.” Ndërsa ambasadori i Vjenës në Romë Merei thotë ;  – “ …se në Ministrinë e jashtme italiane kishte marrë vesh për ardhjen në Itali të disa përfaqësuesve të Qeverisë së Vlorës, për të blerë uniforma për xhandarmërinë shqiptare.”

Të gjitha këto përpjekje për organizimin e Forcave të Armatosur tregojnë vendosmërinë dhe meritën e Qeverisë së Vlorës dhe të Ismail Qemalit, për t’i dhënë Forcave të Armatosura një karakter dhe përmbajtje  sa më kombëtare. Kjo vendosmëri dhe prirje u duk edhe në përzgjedhjen e liderëve ushtarak, në krye të këtyre forcave si emërimim  Gjeneral Mehmet Pashë Dërrallës në krye të Ministrisë së Luftës, Ali Shefqet Shkupit në krye të shabit Madhor, si dhe komandantëve të reparteve si Ismail Haki Tatzati, Mustafa Maksuti, Kasëm Qafëzezi dhe Meleq Frashëri.

Kjo dukuri shfaqet edhe në formacionet e tjera ushtarake të vitit 1912 – 1913,  ku gjeje mjaftë ushtarakë komandues nga Kosova dhe trevat shqiptare, kjo tregon se deri atëhere u vlerësuan si një faktor bashkimi dhe krenarie gjithëkombëtare. Kju u duk qartë në revistën “Zgjimi” që botohej në Korçë në vitin 1913, në numrin 33 botohej një fotografi e tre ushtarakëve shqiptarë në të shkruhej: “Shikoni pakëz këtë fytyrë, e patë? Këto janë uniformat e ushtrisë shqiptare. Kjo është rroba e Kombit Shqiptar! Kjo rrobë do të thotë se në botë është një shtet që quhet Shqipqëri! Kështu që ushtria shqiptare vlerësohej në thelb, si pasqyra e kombit  dhe shtetit shqiptar. Nuk ka vlerësim dhe simbolikë më të qartë në këtë plan. Me gjithë përpjekjet e Qeverisë së Vlorës  për të krijuar një ushtri kombëtare të rregullt e bashkëkohore për shtetin e ri shqiptar, sipas përfytyrimeve dhe përmasave të sotme, nuk ia arriti dot qëllimit që i kishte vënë vetes, për shkak të mundësive të kufizuara politike dhe materiale të kohës, pasi veprimtaria e saj u ndërpre.

Me gjithëatë, ajo hodhi bazat e para dhe shënoi fillimet e oganizimit të Ushtrisë dhe të Forcave të Armatosura në vendin tonë. Ajo krijoi rreth 12 000 forca, nga të cilat 4000 – 5000 ishin xhandarë. Në këto struktura u bashkuan dhe shërbyen rreth 70 oficerë dhe 150 nënoficerë të karrierës, të cilët ishin shkolluar në Turqi. Kështu që, vizioni dhe mendimi ushtarak i Qeverisë së Vlorës dhe i ushtarakëve që kishte përreth, me gjithë kufizimet dhe mangësitë e kohës, duhet të vlësohet si një shërbim i madh ndaj vendit dhe popullit shqiptar në tërësi dhe ndaj Forcave të Armatosura shqiptare dhe në veçanti të artit ushatarak të saj.

Isa Boletini dhe Ismail Qemali
Shperndaje ne
Updated: 8 Dhjetor, 2017 — 08:29

The Author

Bashkim Qeli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.