Romani “Dy vdekjet e një jete”, i autorit Fatmir Halimi

Lufta me realitetin, në kërkim të lirisë dhe dashurisë

Me rastin e promovimit të romanit “Dy vdekjet e një jete”, të autorit, Fatmir Halimi, kisha rastin të dëgjoj një rrëfim të rrallë por të vërtetë, të cilin në mënyrë të jashtëzakonshme e ka paraqitur autori para lexuesve.
Pasi e lexova edhe vetë këtë roman, me një frymë dhe me shumë ndjenja e dhembje, më dukej sikur nuk e kisha kuptuar në realitet rrëfimin e plotë.
Pastaj e rilexova me kujdes çdo fjalë. Më rrëmbeu mënyra e të shkruarit dhe e prezantimit edhe vetë tematika si dhe ndërtimi e zhvillimi i ngjarjeve në roman.
I shënova disa fjali përmes të cilave bëra një vlerësim të këtij romani duke përgëzuar autorin, Fatmir Halimi që ka arritur të realizojë me shumë sukses transmetimin e ngjarjes në mënyrë dramatike që nga fillimi e deri në përfundim.
Romane të tillë nuk janë të lehtë për tu shkruar aq më shumë kur duhet të përshtatet rrëfimi në një kohë tjetër kur personazhi kryesor lufton për identitetin e vet dhe rikthimin e tij në botën reale pasi njëherë ishte shpallur i vdekur dhe pikërisht këtu vjen në shprehje aftësia dhe fuqia e ndërtimit të prozës dhe mënyra psikologjike e të shkruarit nga autori Fatmir Halimi.
Lufta e lavdishme, e përgjakshme dhe e pabarabartë mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një ushtrie kriminale siç ishte ajo e Serbisë, me armatim të rëndë e me shumë trupa policorë e ushtarakë, ishte shumë e vështirë. Trimat e trimëreshat shqiptare luftuan me zemër e me grykën e pushkës deri në çlirimin definitiv të atdheut.
Në Koshare janë zhvilluar luftime të rrepta, për ta mposhtur njëherë e përgjithmonë armikun që po kufirin që qëndronte si fantazmë duke ndarë zemra e njerëz nga të dyja anët. Ishte një kufi i prodhuar nga pushtuesit serbë, të cilët ishin futur në mes të shqiponjës dy krenare.
Vullneti i pamposhtur i luftëtarëve të lirisë e rrënoi edhe këtë kufi i cili kishte marrë mijëra jetë për gjatë gjithë shekullit të kaluar! Tani Shqipëria natyrale nuk ka më kufitarë sllavë e as kufi ndarës!
Në mesin e trimave luftëtarë ishte edhe protagonisti i këtij romani, Astrit Gashi, i cili kishte luftuar deri në momentet e fundit kur përfundimisht kjo tokë u çlirua nga barbarët serbë.
Në përballje të drejtpërdrejtë, Astriti ishte goditur nga një granatë e armikut e cila për një moment ia kishte humbur vetëdijen duke i vënë në dyshim edhe bashkëluftëtarët se mund të kishte vdekur.
Pavarësisht nga plagët që i kullonin dhe frymëmarrja e tij nuk ndjehej, atë e bartën bashkëluftëtarët dhe e larguan nga fronti i luftës nga ku pastaj përmes mekanizmave kombëtar e ndërkombëtar ishte dërguar në mjekim mëtejmë për tu shëruar plotësisht.
Pasi që Astriti shumë vonë kishte dhënë shenja jete, ai nuk kishte arritur të komunikonte me askënd nga familja pasi nuk kishte asnjë mundësi as ndonjë numër të kontaktit. Në fakt ai as që kishte njohuri se askush nga familja e tij nuk kishte mbetur i gjallë.
Ai u gjet mes jetës dhe vdekjes. Kishte shpëtuar nga vdekja dhe po vazhdonte shërimi i tij më gjatë, diku në Evropë.
Astriti, pra personazhi kryesor i këtij romani, një artist dhe luftëtar, kishte qenë i dashuruar pafundësisht në një vajzë të bukur së cilës ia kishte dhënë besën por edhe ia kishte falur zemrën. Ishte ajo Valberja e cila po ashtu ishte betuar se do ta pres dhe do të jetojnë bashkë përgjithmonë.
Këtu edhe vjen në shprehje dhe plotësisht realizohet qëllimi i autorit i cili me shumë mjeshtri arrin të na sjellë këtë rrëfim të vështirë, të dhembshëm dhe me përfundim tragjik.
Gjatë gjithë kohës sa po mjekohej! në mendimet e Astriti qëndronte atdheu, familja dhe Valberja! Pasi ishte shëruar, më në fund edhe kjo ëndërr e tij për kthim në atdhe, ishte realizuar.
Për të qenë zhvillimet edhe më dramatike autori përshkruan kthimin e Astritit në shtëpinë e tij, momentin kur futet brenda dhe nuk takon asnjë njeri nga familja e tij.
Pasi fqinji i tij e kishte vërejtur se ky njeri ishte futur brenda dhe po qëndronte aty disa ditë me radhë e kishte pyetur Astritin se kush ishte dhe nga vinte? Pastaj i kishte rrëfyer se të gjithë njerëzit e familjes së Faik Gashit, pra babait të Astritit, janë masakruar gjatë luftës, nga kriminelët serbë.
Gjithashtu i kishte treguar se edhe i biri, Astriti ishte vrarë në luftën e Koshares dhe në këtë shtëpi më nuk kishte mbetur njeri.
Ky moment kyç që ia ndërron edhe rrjedhat e jetës së Astritit. Ishin gjëra që po i dëgjonte për herë të parë! Madje më në fund kupton edhe për veten e tij se qenka shpallur i vdekur!
Në realitetin e pasluftës kishin arritur informata se luftëtari i lirisë, Astriti ishte vrarë dhe në kompleksin e varrezave ishte varrosur pranë shokëve të tij të cilët po ashtu ishin vrarë në luftime të ashpra. Siç kuptohet kishte ndodhur një gabim dhe një trup i dikujt ishte varrosur dhe në pllakën e mermerit mbi varrin e tij e kishin vënë emrin e mbiemrin e Astritit.
Sikur të kishte mbijetuar dikush nga familja sigurisht se do të lëviznin gjërat ndryshe megjithatë ky është fati i njeriut i cili i kishte shpëtuar vdekjes dhe e kishte vështirë të shpjegonte realitetin dhe ti bindte njerëzit se ai ka shpëtuar dhe është gjallë.
Në roman shtjellohen ngjarje të cilat nuk do të mundohem t’ua shpjegoj, pasi lexuesi ka mundësi ti kuptojë zhvillimet, vetëm pasi ta ketë lexuar vetë këtë roman, por dua të them se duhet vlerësuar një punë të madhe dhe serioze si dhe zotërim i të të shkruarit, të autorit Fatmir Halimi!
Nw romanin me titull, “Dy vdekjet e një jete”, autori bën prezantimin e personazheve pozitive, shokëve të Astritit dhe të dashurës së tij Valberes e cila me marrjen e lajmit për vdekjen e të dashurit të zemrës dhe varrimit të tij, i kishin ndryshuar rrjedhat e jetës.
Fatit dhe fatkeqësisë në jetë askush nuk mund ti shpëtojë, ndaj edhe në këtë roman del në pah se dashuria e vërtetë nuk vdes kurrë, pavarësisht rrjedhave të jetës dhe situatave, ajo jeton në thellësinë e zemrës.
Romani me personazhe të caktuara siç janë në këtë rast Astriti me Valberen dhe mes tyre besa e dhënë, pastaj gabimet gjatë identifikimit të kufomave të të rënëve, ndarjet e familjeve në vende të ndryshme brenda e jashtë Kosovës, masakrat serbe kundër të gjithë anëtarëve të familjeve të ndryshme, mungesa e informimit të drejtë, nxjerrin në pah një gjendje tragjike, jo vetëm gjatë luftës së lavdishme dhe përjetimeve në këtë periudhë por edhe të pasluftës e cila ishte një vazhdimësi e pasojave të luftës të cilat sillnin shqetësim shpirtëror.
Me këto figura autori ka paraqitur një realitet që kishte ndodhur në të vërtetë dhe që personazhit kryesor i ka dhënë mundësi ngjarjen të zhvillohet deri në përfundimin tragjik.
Kujtoj se në të njëjtën periudhë që ndodhur kjo ngjarje, ka pasur mjaft paqartësi edhe nëpër mese të tjera rreth identifikimit të trupave por edhe mungesë informatash, sidomos në rastet kur janë vrarë të gjithë anëtarët e familjes apo edhe në raste të tjera.
Rasti i dashurisë së sinqertë mes Astritit dhe Valberes është një tematikë që e ngërthen krejt rrëfimin në roman por edhe në jetë siç edhe ka ndodhur.
Ky rrëfim shfaqet edhe si një tragjikë kombëtare kur një armik shekullor arrin të shkatërron jetë dhe të ardhme, shkatërron dashuri të sinqertë, lë pasoja e trauma psikike në mënyrë që të mos e gëzoj individi e as populli lirinë dhe konkretisht në këtë rast kur autori na jep një pasqyrë reale me personazhe të vërteta por me emra artistik.
Lexuesit që e lexojnë këtë roman, besoj se nuk mund të kalojnë pa u kthyer edhe njëherë në disa fragmente për ta sqaruar rrëfimin e trishtë me përfundim tragjik por të shkruar me një gjuhë të pastër, me skena dramatike dhe në komunikim të pashkëputur me lexuesin.
Personazhet si fqinji, Xha Rifati, Dreni, Anita, Dafina, Arsimi, Drita janë figura që i ndihmojnë autorit ta realizojë me përpikëri gjithë rrëfimin për Astritin, i cili mbeti besnik dashurisë së tij të përjetshme, Valberes.
Mes ngjarjes dhe personazheve kam nxjerrë si përfundim se ky roman është realizuar me shumë përkushtim dhe pwrveç se autori është përpjekur ai ka arritur që ti pasqyrojë rrjedhat dhe personazhet në mënyrë të shkëlqyeshme para lexuesit, gjithashtu ka paraqitur fatin e individit dhe kombit në raport me proceset e vështira dhe sakrificën sublime për liri duke dhënë secili diçka nga vetja deri në flijim.
Flijimi i Astritit për dashuri të përjetshme mbetet peng i jetës së Valberes e cila në rrethana po ashtu të komplikuara dhe mjaft të dhembshme ishte martuar me Burimin me të cilin kishte dy fëmijë të bukur dhe të shëndetshëm.
Fati e deshi që Astriti të pësojë nga një ndeshje në komunikacion rrugës për në qytetin e Valberes ku kishte dëshirë ta takonte atë, të shoqin e saj Burimin dhe dy fëmijët e tyre, Erëzën dhe Blirin!
Edhe në vdekjen e dytë, dashuria mbijetoi përtej jetës, prandaj edhe mesazhi që sjellë autori përmes figurës së krye personazhit se e dashura e tij Valberja, në përjetësi do të jetë vetëm e Astritit, flet shumë.
Romani “Dy vdekjet e një jete” i autorit Fatmir Halimi është edhe një mësim historie për gjithë atë që ndodhi në Kosovë, gjatë fundit të shekullit të kaluar por edhe një provim i fantazisë për trajtimin e rrëfimit dramatik në periudhën e pas luftës.
Duke vlerësuar lartë këtë roman, të autorit Fatmir Halimi, uroj që sa më shumë lexues ta kenë në duar dhe pas leximit edhe ta komentojnë, pasi që është një prozë me bazament historie por edhe shkrim me tematikë reale fantastike.
Autorit, Fatmir Halimi, i uroj edhe shumë suksese dhe botime të reja ndërsa librit udhëtim të mbarë në duart e lexuesve.

Shkruan Mevlyde Mezini Saraçi

Shperndaje ne
Updated: 24 Janar, 2018 — 14:25

The Author

Mevlyde Mezini Saraçi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.