POEZIA E POETES BUKURIE BINJAKU (vëllimi "Rreze të zjarrta", Botues SHB "PROKULTPRESS", Prishtinë, 2018

 

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Emri i poetes Bukurie Binjaku tanimë për lexuesit tanë është i njohur. Ajo te lexuesit njihet me vëllimin poetik “ Drejt teje… “ (Tiranë, 2017), me të cilin hodhi hapat e parë drejt shtegtimit në shtigjet e poezisë sonë shqipe.
Bukurie Binjaku tani lexuesve të saj të shumtë po ua dhuron edhe vëllimin e dytë poetik me vjersha lirike, të titulluar “Rreze të zjarrta“, ku na shfaqet edhe më e pjekur në të krijuarit e vargut, që me zemër të gjerë tenton, sinqerisht dhe natyrshëm ta vështrojë dhe përfytyrojë jetën në tërësi në krijimet e veta poetike. Herë-herë do ta shohim se sa është e lidhur dhe e futur ndërmjet mendimeve dhe ndjenjave, ndërmjet dëshirës dhe përpjekjeve që poezinë ta plotësojë si tërësi e vepër funksionale mendore dhe asaj tjetrës, të personifikojë emocionin, duke ia dalë me sukses që ta shtjellojë në mënyrë origjinale dhe melodike. Këtë e shohim qartë në poezitë e vëllimit “Rreze të zjarrta“, ku hasim vargje tejet të bukura dhe impresive, siç janë ato për atdheun, për prindërit, për jetën në mëgrim, për jetën në tërësi me gjitha karakteristikat e saj, për natyrën, botëkuptimet dhe zakonet e përditshme të njerëzve të atdheut etj. Pra, duke u bazuar në këto fakte, konstatojmë se laryshia e motiveve dhe e tematikës së poezive të poetes Bukurie Binjaku është tejet shumëdimenzionale dhe mjaft interesante. Këto janë poezi që poetja i ka ngjyruar me kolorit shqiptar, ngase kudo në vargjet e saj lajtmotiv është atdhedashuria.
Poezia e poetes Bukurie Binjaku është e përshkuar me shprehje të bukura poetike, të plota dhe origjinale, dhe mund të themi se ato janë piktura të ngrohta lirike, në të cilat lexuesi mund ta shijojë ëmbëlsinë, mallin, dhembjen, por edhe lindjen e perëndimin e diellit me bukuritë e egërsisë së shkrepave të thepisura dhe të maleve të atdheut, si dhe me njomësinë e livadheve, por edhe vuajtjet, brengat dhe krajatat e mërgimtarëve shqiptarë nëpër rrugët e gjata, herë-herë edhe të panjohura të kurbetit.
Të gjitha këtyre tablove të jetës, duke mos i harruar as virtytet e arta shqiptare, por as veset, bukur dhe me stil të veçantë do t’u vargëzojë poetja e talentuar Bukurie Binjaku.
Meqë përmbledhja “Rreze të zjarrta“ e poetes Bukurie Binjaku është e dyta me radhë, mund të themi se meriton një vështrim paksa më të thellë e më të kujdesshëm se sa e para.
Poezia e Bunjakut e ka ndezur kurreshtjen tonë, qysh në kontaktet e para me artin e saj, si dhe ka zgjuar ndjenja të fuqishme, me të cilat e përjetojmë në tërësi poezinë e saj, me të mirat dhe porositë e saj. Këto elemente premtojnë se kjo poete ka për të arritur shpejt në një shkallë serioze të krijimtarisë letrare, ngase trajtat artistike të poezisë së saj ne i shohim si të plota dhe inventive. Ajo u ka vënë vulë vargjeve të veta me emrin e vet, duke i ngjyruar me një ngjyrë të veçantë, duke i evituar zbrazëtitë e çalimet, me rropatjet krijuese dhe shtytjet e frytshme.
Sido që të jetë, Binjaku u shfaq në qiellin poetik si autore e talentuar dhe interesante. Në vargjet dhe poezitë e saj, gjithmonë në planin e parë, do ta gjejmë atdheun, ngase, siç u theksua dhe njëherë, lajtmotiv i poezisë së saj është atdhedashuria. Atëherë, duke e marrë këtë si motiv dominant, prej kësaj poeteje, me të drejtë presim dhe kërkojmë shumë, sepse na duket se ajo di ta pikturojë atdheun e saj, si brenda dhe nga jashtë. Po ashtu, kjo poete në vargjet e veta di ta shtjellojë edhe fatin e njeriut, marrëdhëniet e raportet, mendjeprehtësinë, bujarinë shqiptare etj., bashkë me paragjykimet dhe veset nga më të ndryshmet.
Poezia e Bukurie Binjakut rrjedh nëpër trajtat e rëndomta jetësore në mënyrën e vet, duke u ngritur në nivel të duhur. Poetja tregon maturi dhe gjakftohtësi kundruall befasive të jetës. Nganjëherë ndoshta do të donte të rebelohej e të bërtasë, duke i dhënë hov të posaçëm vargut për të shprehur shqetësim ndaj kësaj a asaj dukurie, por rëndom të josh me të vargëzuarit si lajmëtare e bukurive të vogla të jetës.
Brengat, dyshimet dhe druajtjet në poezinë e Binjakut nuk përfundojnë asnjëherë me pesimizëm, por edhe ato janë si dëshirat dhe përjetimet e tjera, fryt i emocioneve të ngrohta, vërejtjeve dhe zbulimeve realiste.
Podujevë, më 13 janar 2018
BIOGRAFIA E AUTORES
Bukurie Binjaku është lindur dhe rritur në një fshat malor, që quhet Gjinar, i cili ka qenë dhe është pikë turistike.
Rrjedh nga një familje e fisnike që jetonte me bukën e saj. Ka pasur dy prindër të shkëlqyer, punëtorë, bujarë e të ndershëm.
Në vendlindje mbaroi shkollën tetëvjeçare dhe të mesmen bujqësore.
Në lëndët gjuhë e letërsi ka qenë e shkëlqyeshme, sikur edhe në të tjerat, por zemra për gjuhën dhe letërsinë shqipe i rrihte më shumë. Për shkaqe ekonomike nuk mundi t’I vazhdonte studimet!
Në moshën 18-vjeçare, bashkë me familjen u shpërngul në një fshat në periferi të qytetit të Elbasanit, që quhet Hajdaran.
Në moshën 24 vjeçe u martua, ku sot ka tri vajza. Në vitin 1997 mori rrugën e mërgimit, në Greqi, për një mbijetesë nga varfëria e asaj kohe. Sot jeton në qytetin Katerinë të Greqisë.
Krijimtarinë dhe këngën e ka pasur pasion që nga vegjlia, por për shkak të kushtetve të e vështira ekonomike, qindra poezi i mbylli në sirtar.
Sot, që iu dha mundësia e teknologjisë së përparuar, ndjehet e lumtur që mund të shpërndajë dritën e shpirtit të saj poetik krijues.

Shperndaje ne
Updated: 8 Shkurt, 2018 — 20:16

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.