Kastë harbutësh e batakçinjsh dhe tallen me një popull të tërë.

Ndue_Uka_01jShkruan: Ndue Ukaj

 

 

Është mëngjes, 5 marsi i 2015. Moti është i zymtë, gri. Zgjohem dhe shoh mediat shqiptare, të cilat gulçojnë nga e keqja: Fabrikime, trillime, shpifje, banda, kriminelë, tritol, lindje në korridor, mijëra diploma të falsifikuara, deshpitarizim, incizime videosh neveritëse, ku deputetë vrasin deputetë, kryetarët inkriminojnë kryetarët.

 

Është viti 1688. Tokat shqiptare po vuanin nga dy të këqija: Murtaja, sëmundje vdekjeprurëse që kishte përfshirë tokat e atëhershme arbërore dhe po merrte jetët e njerëzve dhe sundimi osman, nën thundrën së cilit, shqiptarët po vuanin pasojat e akulturimit, vrasjeve, shfarosjes dhe tjetërsimit të identitetit autoktone në një identitet të ardhur. Murtaja, përhapej shumë shpejt; për aq shpejt sa pushtimi osman lëshonte rrënjë, duke shkatërruar jetët e njerëzve dhe duke e zëvendësuar traditën e kulturën qindravjeçare me një të re. Në të vërtet, ashtu siç dëshmon Imzot Pjetër Bogdani dhe relacionet e kohës, pushtimi osman po dvarrte dije e kulturë dhe po përhapej në mënyrë marramendëse.

 

Përball këtij pushtimi dhe të keqes që sillte ai, Bogdani do të angazhohej me gjithë forcat që kishte: me dije, libër e angazhime strategjike- duke bashkërenduar forcat me fuqitë e kohës, që ta shporrte pushtuesin osman. Mirëpo, Bogdani s’ia doli ta ndërpres hovin e degradimit dhe dvarrjes së gjuhës e kulturës së tij, sepse vitet që do të vijnë pas, do të jenë tejet të errëta, deri në përlindjen kombëtare, në fillim të shekullit XIX. Mirëpo, ai, si shkrimtar erudit dhe atdhetar i madh, la një përmendore të pashlyeshme kombëtare: “Çetën e profetëve”, që u bë burim frymëzimi për shumë brezni dhe një sërë relacionesh të jashtëzakonshme, që janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore e kombëtare.

 

Mu në këto vite dramatike, pra me 1688, i lodhur dhe pak çaste para vdekjes, Imzot Pjetër Bogdani, do t’ i drejtohet me një letër Propagandës Fide, në fund të së cilës, në vend të nënshkrimit të tij, do të shënonte fjalët e Ungjillit: Na shpëto, se mbaruam.

Në gjithë këtë zagushi, është e vështirë të gjesh diçka pozitive, të mirë, që të shtytë të mendosh dhe besoj se e keqja këtu nuk është e vetmuar. Madje, s’ka as ndonjë Bogdan, i cili del fuqishëm dhe pakompromis i reziston të keqes dhe promovon të mirën. Ah, përsëri një duf: e keqja këtu është e vetmuar dhe ka ndërtuar kalanë e saj të fildishtë, ku bëjnë qejf një kastë harbutësh e batakçinjsh dhe tallen me një popull të tërë.

Panorama e jetës shqiptare është shumë e zymtë. Një duf të shpërthen brenda Na shpëtoni, se mbaruam. Po kujt t’iu drejtohemi? Askujt. Sepse e keqja tani banon mes nesh dhe për këtë fajtor jemi vetëm ne. Gjithë ne. Të duhen vetëm pak minuta kohë në Facebook, ku censura nuk ekziston dhe ti do të shihesh me ç’duf shqiptarët kërkojnë një shpëtim.

Këtë klithmë, e shqiptojnë me duf e pezëm mijëra shqiptarë: të rinj e të moshuar, të shkolluar e pa të, në Prishtinë e Tiranë, teksa shohin sesi murtaja e gjuhës politike po godet rrufeshëm kombin tyre, duke e çuar atë drejt një të ardhme shumë të mjegullt; të pashpresë- buzë humnere.

E gjithë kjo ndodh, sepse murtaja -jo sëmundja e kohës së Bogdanit- por e gjuhës politike, po përhapet me një shpejtësi marramendëse. Gjuha e ashpër, e pakultivuar dhe e paqytetëruar, po godet me tërë forcën shkatërruese imunitetin e dobësuar të kombit tonë dhe po rrezikon të bëhet normë.

Po përballemi me shthurje totale të vlerave!? Në këtë ambient të ndotur moralisht, ku kundërmon shumëçka dhe ku përbaltet secili, çfarë duhet bërë?-pyesin shumë. A mjaftojnë vetëm klithmat, letrat, shkrimi dhe gjuha, që të ndalohet kjo e keqe? Kujt t’i drejtohemi? Ka një kohë, që jemi dh…, siç tha ambasadorja amerikane në Prishtinë para disa mujosh. Po. Kundërmon dhe duhma po i bën gjithë të trishtohen nga ne.

Të neveritën. Përkundër kësaj gjendje dëshpëruese, ne s’duam ta pranojmë realitetin dhe sajojmë një realitet tjetër për ne, gjithnjë sipas parakoncepteve tona të retushuara e të fabrikuara: të tjerët i dinë punët tona. E në fakt, vërteta për ne dhe rreth nesh është shumë më e trisht sesa na prezantohet.

Dhe në këtë situatë, kur murtaja e gjuhës politike po përhapet shpejt, më ngjan sikur letra e Bogdanit dërgohet serish në adresën e secilit, me titullin e dallueshëm: Na shpëto, mbaruam!

Shperndaje ne
Updated: 8 Mars, 2015 — 16:45

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.