Mjerimi i klasës politike shqiptare!

Gjon_BruçiNga Gjon BRUÇI 

 

Qysh nga 1990-ta kur “plasi” demokracia borgjeze, shqiptarët kanë parë e “shijuar” në skenën e jetës dhjetra drama, komedira e tragjikomedira të denja për skenat makbethiane e hamletiane të dramaturgut të famshëm Uilliam Shekspir. Por vodevili më i fundit, ai me titullin sinjifikativ “Kush do të vrasë Doshin”?, shënon një nga shfaqjet më interesante, e cila shënon finalen e mjerimit të klasës politike shqiptare. Dhe për fat të keq edhe mjerimin e qytetarëve shqiptarë të cilët janë të detyruar të ndjekin këtë karnaval aspak argëtues, që politikanët e pushtetarët tanë na e shfaqën fill pas karnavaleve të Shkodrës.

 

Kush janë aktorët dhe regjisorët e kësaj shfaqje që na ka “marrosur” të gjithëve? Dhe ajo që ka më shumë rëndësi: Subjekti i vodevilit në fjalë, është real apo stisje artistike e ndonjë autori të panjohur?

 

Pyetja e parë e ka krejtësisht të lehtë përgjigjen. Komeditë, tragjeditë dhe tragjikomeditë në këta njëzet e pesë vjet kanë patur e kanë për autorë e aktorë dy demat e zinj të politikës shqiptare, PD e PS, që së bashku me “viçin” tashmë plotësisht të lëpirë me inicialet LSI kanë dominuar e dominojnë me dredhi, me pasuri e me mashtrim gjithë jetën e shoqërisë sonë, e cila, porsi ajo pula pa kokë vërtitet për t’i shpëtuar baltovinës së demokracisë borgjeze. Ndërsa për të dytën, për subjektin real apo sureal të asaj që po luhet në skenën e politikës shqiptare, pikëpyetjet dhe pandehmat janë të shumta. Kaq të shumta e të vështira janë këto pikëpyetje e këto pandehma, saqë megjithë mobilizimin e medias së shkruar e vizive; megjithë angazhimin e analistëve, opinionistëve dhe politologëve të kryeqytetit; megjithë emisionet e shumta të tipit “opinion”, “top story”, “studio e hapur” e të tjera emisione “ta hapura” apo të “mbyllura”, nuk po i jepet dum nëse ngjarja që ka mbërthyer qytetarët para ekranit të televizorit është ngjarje e vërtetë, apo një trill i ndonjë politikani, që kërkon të luajë me publikun e indoktrinuar nga propaganda e ditës. Por duke e lënë këtë zgjidhje në dorën e prokurorisë e të gjykatës sonë super të (pa)varur, le të lëçisim ato që duken e ja bëjnë muuu në këtë mesele sa interesante aq dhe delirante; sa ekstravagante aq dhe intrigante; sa laramane, aq dhe mjerane për autorët, aktorët dhe regjisorët e saj.

 

Subjekti i tragjikomedisë është i thjeshtë. Ai zhvillohet qetësisht dhe njëtrajtshëm, me skena e prapaskena interesante të tipit makbethian për rreth gjashtë muaj. Personazhet e tragjikomedisë, ndonëse gjenden pothuaj çdo ditë në të njëjtat tavolina të Rognerit, të Bllokut, të Lalëzit etj., duke i buzëqeshur vesh me vesh njëri-tjetrit, nga prapa kurrizit përgatisin jataganët, në rastin modern tritolët apo vrasësit me pagesë për eliminimin fizik të shoshoqit. Tamam si tek Makbethi, me të vetmin ndryshim se kësaj radhe loja në skenë nuk u realizua në teren. Dhe kjo, për dy arsye të mundshme: Se ndoshta nuk kishte fare një plan të tillë, ose e dyta: Për faktin banal që njërit prej personazheve “i plasi pushka” para kohe.

 

I bashkëngjitem konkluzionit të kryeministrit aktual se ngjarja në fjalë nuk është “veçse një farsë që u afrohet shqiptarëve në këta 25 vjet…”! Që ngjarja në fjalë është një farsë, as që ka diskutim. Dhe jo vetëm ajo, por e gjithë historia njëzet e pesë vjeçare e demokracisë borgjeze në vendin tonë ka qenë e mbetet një farsë, e cila është luajtur e po luhet në kurriz të popullit. Por farsa që po përjetojmë aktualisht, sado e stisur qoftë, ka një të vërtetë: Lufta për pushtet dhe për dominimin e tregut dhe akaparimin e pasurisë midis politikanëve e pushtetarëve, ku futen dhe deputetët, në sistemin që po ndërtojmë ka qenë dhe është praktikisht një luftë e egër, e cila është zhvilluar e zhvillohet me propagandë, me shantazh, me grushta dhe kur nuk ia ka arritur qëllimit ka hyrë në lojë tritoli ose vrasësi me pagesë, duke eleminuar gjer më tani jo pak deputetë të parlamentit tonë pluralist! Rasti “Doshi” mund të mos jetë plotësisht “projekt-vrasjeje”, por “projekt-kërcënim” është pa diskutim. Arsyen e këtij “kërcënimi” analistët, politologët, politikanët, shtetarët dhe veçanërisht profesionistët e zbulimit të krimit mund ta përcaktojnë brenda ditës, mjafton që ata të dalin në teren ku ngërthehen interesat ekonomike të personazheve të tragjikomedisë. Por duke e lënë këtë “detyrë” në duart e “sigurta” të drejtësisë sonë të zhdrejtë, le të vijojmë me disa detaje të tjera interesante që na ofron zhvillimi i ngjarjeve, veçanërisht në gjysmëfinalen e saj, detaje të cilave je i detyruar t’u vësh nga një pikëçuditëse prapa:

 

Plot gjashtë muaj më parë “viktima” e mundshme e atentatit vë në dijeni për rrezikun që i kanoset personat më të lartë të pushtetit ekzekutiv e gjyqësor, por asnjëri nga këta të fundit, ndonëse i thonë “shyqyr që të ka shpëtuar zoti”, nuk bëjnë asnjë veprim për zbulimin e vrasësit apo për mbrojtjen e viktimës! Madje edhe kur “viktima” ua sjell në takim “vrasësin e vrarë nga ndërgjegjja”, shtetarët tanë i fusin një të qeshur diagonale dhe nën pretekstin se “viktima” dhe “vrasësi” nuk kanë qejf të deponojnë zyrtarisht, e parakalojnë problemin si një shaka pa kripë… Ama, në momentin që njëri nga personazhet “shkrep” para kohe pushkën, pushtetarët, shtetarët, prokurorët e gjyqtarët vrapojnë të mbërthejnë “vrasësin” e projektuar, i cili po të mos ndodhej në vendin e rojes polici i radhës atje në doganë, do t’ju kishte lënë pendët në drejtim të paditur. 

 

Mjaft interesante është edhe mënyra e komunikimit të zyrtarëve tanë me personazhet në fjalë dhe hallin e tyre. Pothuaj të gjitha takimet, që janë disa, deputetët dhe pushtetarët tanë gjer në rang ministri e ndoshta edhe më përtej, i bëjnë jo në zyrat e shtetit, por në lokalet e qyteteve, në Rogner, në Klubet e Bllokut, në Lalëz e vende të tjera ekzotike, të cilat kanë zëvendësuar institucionet shtetërore të këtij vendi, duke realizuar sloganin mjaft kuptimplotë: “Edhe drekojmë, edhe punojmë”! Pushtetarët tanë borgjezë, nuk janë edhe aq shumë borgjezë. Ata “zgjidhen” nga populli dhe mbeten mjaft “popullorë” në zgjidhjen e halleve të këtij të fundit. Madje politikanët dhe shtetarët tanë, përfshi dhe prokurorët, janë kaq të shkrirë me masën sa drekojnë apo darkojnë shpesh herë edhe me persona që kanë precedentë penalë. Siç vërtetohet kjo në foton më të fundit të prokurorit të krimeve të rënda, i cili, i kapur gafil nga paparaci, pësoi “për nevoja të punës” një transferim nga kryeqyteti!

 

Por skena më e hatashme është ajo që zhvillohet në ”mes të fshatit”, domethënë në sallën e parlamentit. Kjo ndodhi kur ngjarja doli nga prapaskena në avansakenë duke kutërbuar me erën karakteristike të korrupsionit dhe të skandaleve sipërore. Në tentativë për t’ja faturuar shoshoqit farsën apo “historinë e shëmtuar” që u plasi në derë, tufa e parlamentarëve u kacagjelën me njëri-tjetrin duke ngrefosur lafshat e ndezur “kikiii-të”. Mbi të gjithë dominonte zëri i kryetarit që ndodhej lart në podium. Por edhe kryeopozitari, “ai prej vërteti”, nuk qëndronte më poshtë, ndonëse shpesh herë, kur kundërshtari e zinte ngushtë, zëri i dilte i zvargur e më gulshe. Çfarë nuk i thanë njëri-tjetrit kacagjelat tanë: I kujtuan shoshoqit të larat e të palarat e viteve të kaluara, sekretet që vijonin të ndanin ende, dorëheqjet që kishin bërë dhe arsyet e tyre, të cilat lidheshin herë me një të quajtur Shkëlzen e herë më një bllok Monike. Dhe kushedi se çdo të na kishin nxjerrë në shesh, sikur drejtuesi i seancës, në rastin tonë njëri nga “duelistët”, të cilit i kërkonin dorëheqjen, të mos i binte bilbilit për një pushim të shkurtër. Ky pushim i detyruar, i qetësoi disi parlamentarët, por jo ndërkombëtarët, të cilët, nga frika e ndonjë “breshëri” të llojit allashqiptarçe, me çadra përmbi krye vrapuan drejt ambasadave të tyre.

 

Detajet e vodevilit tonë me ngjyra tragjikomike janë të shumta, por ne nuk patëm shumë kohë në dispozicion t’i qëmtojmë të gjitha. Sepse ngjarjen në fjalë më në fund e mori në dorë drejtësia. Dhe kur çështjen e merr në dorë drejtësia, zëre se e ka marrë perëndia…! Sapo mbaroj kacagjelosja e së enjtes në parlament, me urdhër të ambasadorit amerikan që realizon rolin e guvernatorit, u mblodhën krye më krye kryeministri, kryeparlamentari e Kryeprokurori, të cilët morën përsipër zgjidhjen. Dhe zgjidhja do të jetë si për të gjitha krimet e pushtetarëve të djeshëm e të sotëm, të cilat vijojnë të “hetohen” duke rritur numrin e dosjeve të pluhurosura në bodrumet e prokurorisë e drejtësisë sonë të (pa)varur! Dhe kjo për dy qëllime bazë: Të ruhet medoemos stabiliteti, kaq shumë i nevojshëm për klasën tonë borgjeze dhe atë ndërkombëtare, dhe së dyti të mbahet e pastër faqja e zezë e sistemit borgjez, të cilin, siç predikonte Çurçilli, “nuk kemi me se ta zëvendësojmë”!

 

Qytetarë të vendit tim! Gjithçka radhita këtu më sipër është një pjesë e mllefit, që ashtu si edhe ju, kërkoj ta nxjerr në sipërfaqe, sepse ndryshe do të më pëlciste gjoksin. Prej njëzet e pesë vjetësh, mbi zverkun tonë janë kapardisur e po lozin kumar gangsterët e politikës borgjeze. Lozin kumar me mundin tonë, me djersën tonë, me gjakun tonë. Si socialistët dhe pëdeistët, përfshi këtu dhe ish të persekutuarit, të dënuarit e ish pronarët, që së bashku përbëjnë shumicën dërmuese të popullit, pavarësisht se kush e ka patur pushtetin në këta vite të mbrapshta, kanë mbajtur dhe mbajnë mbi kurriz të njëjtat gënjeshtra, të njëjtat mashtrime, të njëjtin shfrytëzim. Sipas rastit, disa nga këto shtresa kanë marrë ndonjë kacidhe dëmshpërblim, por ajo ka qenë e është qesharake përpara vjedhjes personale e kombëtare që na është bërë e po na bëhet nga kjo klasë aktuale politike, e pashoqe në zullumet e saj antishqiptare. Deri tani këta hajdutë me çizme kanë livadhisur e po livadhisin mbi pasuritë tona të krijuara e të akumuluara për gjysëm shekulli socializëm. Kjo pasuri tashmë është në sosje, ashtu siç janë në sosje edhe asetet e patundshme kombëtare, të cilat politikanët e shtetarët tanë ose i kanë shitur, ose po bëhen gati t’i shesin për llogari të tyre. Ndaj dhe kanë nisur prapaskenat makbethiane të eleminimit të njëri-tjetrit. Dhe kur këta politikanë e pushtetarë të molepsur nga mania e pushtetit dhe fitimit me çdo mjet e me çdo mënyrë, planifikojnë të eleminojnë shoshoqin, për popullin nuk do të mendohen dy herë për të ndezur “fitilin e tritolit”. 

 

Për rite liturgjike prelatët e fesë na quajnë “dele të perëndisë”. Unë nuk e besoj se këtë emërtim na e ka vënë perëndia. Perëndia apo natyra na krijoi që të jetojmë më dinjitet si njerëz e jo si dele, sado që kjo e fundit është ndër kafshët më të buta. Por edhe më budallaqe njëkohësisht. Një shembull nga jeta: Tufës time të deleve kur isha i vogël në fshat i kërcej përsipër një ujk, i cili përlau një qengj dhe iku drejt pyllit. E ëma e qengjit, delja ime rudë, iu vu pas me shpresën se ujku do t’i rikthente qengjin. Sigurisht ujku do ta kishte kollofitur ashtu si qengjin po të mos e ndalonim në vrullin e saj pas ujkut…

 

Janë të gjitha mundësitë që ujqit e politikës, të cilët ndryshojnë nga ata të pyllit vetëm nga “guna”, nëse nuk i vrasim dot, të paktën t’i përzëmë në pyll, atje ku kanë shokët e tyre të vërtetë. Më e pakta, të mos u shkojmë pas, si delja ime rudë… Ndryshe prelatët e besimeve fetare do të vijojnë të na quajnë “dele të perëndisë”!

 

Shperndaje ne
Updated: 4 Prill, 2015 — 18:29

The Author

Gjon Bruci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.