Publicistika e Dashamir Alliut si revoltë ndaj anomalive në shoqërinë mbarëshqiptare

Zymer Mehani

Publicistika e Dashamir Alliut si revoltë ndaj anomalive në shoqërinë mbarëshqiptare

1.
Emrin e Dashamir Alliut tanimë lexuesi shqiptar e njeh fare mirë në saje të librave të tij letraro-autobiografikë dhe monografikë. Një autor tolerant me gjithkënd e për çfarëdo, por qëndrestar, si edhe paqësor në mbrojtjen e bindjeve të veta intelektuale e kulturore. Ky autor i shquar asnjëherë nuk i është shmangur përgjegjësisë së fjalës së shkruar dhe të thënë për çështjet themelore rreth të cilave shoqëria shqiptare ka patur dyshime, zhgënjime e shpresa, keqkuptime e trazime, dhimbje e hare.
“Dijetari i vërtetë është, prore në opozitë. Është armik racor i së keqes. Veçanërisht kur ajo vjen, jo nga Hyu, po nga bijtë e njerëzve mbi tokë. Në viset e Arbërit, ndërkaq, ka ende shumë për të mësuar mbi refuzimin e pakëmbyeshëm intelektual. Largina ndaj princit dhe konzistenca e munguar, janë pikëdobëta, squllosja dhe raporti problematik me ndërgjegjen krijuese. E, gjithsesi, dhe me ftomat udhëkryqëse kolektive. Piketat e shenjëzimet dhe referencat e animet – ndërrojnë ritmikisht me lëvizjen diellore në kupën e kaltër. Luledjellësa të kulluar, ata pohojnë e mohojnë, shejtnojnë e profanojnë milje, procese e titaj fuqie në orët e përbaltura a zenitore e tyre. E bardha nxiroset, teksa e zeza zbardhet e borëton argjendërisht në lavjerrësin nuhatës të konjukturës.”-do të thoshte publicisti i njohur Endrit Dukagjini. Ky mendim do t’i përshtatet më së miri karakterit të Dashamir Alliut si krijues dhe atdhetar i dëshmuar. Prore, luftëtar i së drejtës, si në monizëm, ashtu edhe në pseudodemokraci, luftërar i orëve të para në radhët e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Llapit, dhe sot luftëtar i së vërtetës me penë e letër.
Në librin ”Publicistikë atdhetare”(opinione-analiza-reagime-komente), Dashamir Alliu po i paraqet lexuesit analizat, opinionet, qëndrimet dhe betejat e tij kryesore për të gjitha problemet kyçe të tranzicionit; nga ato të së përditshmes, të publikuara në rrjete sociale dhe faqe interneti, portale e gazeta të ndryshme, ku paraqitet denjësisht me një sërë shkrimesh që rrahin çështje të ndryshme ekonomike, politike e shoqërore në raport me të kaluarën dhe me aktualitetin, me kujtesën nga koha e pakohë e monizmit dhe e pseudodemokracisë, me krimet dhe plagët nga më të ndryshmet, duke rrahur fort në kudhrën e katarsisit moral e kulturor për t’u vetëdijësuar kombëtarisht si shoqëri e rrethuar nga shovinistët më të pështirë të mundshëm, siç janë sllavët dhe grekët.
Për ta kuptuar shpirtin atdhetar dhe liridashës të publicistit Dashamir Alliu, duhet lexuar ky libër, ngase tek atëherë do t’i njohim edhe përpjekjet dhe mëdyshjet që shenjojnë fizionominë e tij intelektuale, që betejën e tij e bën çdo ditë, duke tejkaluar paragjykimet, anomalitë dhe zhgënjimet që ekzistojnë tek ne.
Vepra ” Publicistikë atdhetare” (Opinione-analiza-reagime-komente) e autorit Dashamir Alliu është një kontribut tjetër tejet i rëndësishëm i mendimit intelektual dhe vështrimit, pikëpamjes e qëndrimit të shkrimtarit dhe publicistit, Alliu. Kësofare ai na del para lexuesit edhe me këtë vepër publicistike atdhetare, si çdoherë me veprat e tij, i arrirë, përmbledhës, guximtar, korrekt, i veçuar dhe i shenjuar.
Pas veprës paraprake, “Nga sfida në sfidë / Persekutim-përndjekje-Autobiografia”, që tek lexuesi shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, pati jehonë të madhe, tash Dashamir Alliu vjen para lexuesit tonë me një tjetër vepër, në dukje si vazhdimësi e librave të tjerë paraprakë, por kjo na del disi më e veçuar përnga sasia dhe cilësia, përnga përzgjedhja dhe vizioni konceptual, poashtu dhe përnga tematika dhe përnga strukturimi i lëndës që e përbën këtë libër tematik.
Dashamir Alliu me penën e tij majeprehtë në librin “Publicistikë atdhetare” (Opinione-analiza-reagime –kpmente) ka ditur mrekullisht të veçojë tema dhe polemika të nivelit intelektual, shkencor e atdhetar nga e djeshmja dhe e sotmja jonë shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë. Me sajimin e librit në fjalë autori arrin pikën kulmore të asaj lënde që përfshin brenda librit dhe, pikërisht këtë lëndë synon t’ia ofrojë lexuesit, ngase e tërë lënda, kuptohet se është lëndë e përzgjedhur nga kritere të mirëfillta publicistike, që përbëhet nga opinione, analiza, komente, reagime dhe polemika të ndryshme, duke u nisur nga polemika për çështje ekonomike, politike, kulturore, atdhetare etj,. etj., analiza dhe veçime sipas përzgjedhjes së autorit, që në një formë a në një tjetë kanë shënuar pika kulmore në jetën dhe dijen tonë.
Edhe me këtë vepër diktohet mëtimi i autorit Dashamir Alliu që të shenjojë nivele të arrira në botën e publicistikës shqiptare, dhe këtë ai arrin ta bëjë me sukses, me sensin e tij prej intelektuali të kujdesshëm. Ai pothuajse i vë shenjën pikante mendimit të analizës, opinionit, komentit, reagimit dhe shtjellimeve tematike, që ngrit brenda këtyre shkrimeve, që së pari i ka paraqitur në rrjete sociale.
Ne autorit të zellshëm Dashamir Alliu i urojmë punë të mbarë dhe gëzime në jetë, ndërsa librit të tij të radhës, “Publicistikë atdhetare” (Opinione-analiza-reagime –kpmente) – jetëgjatësi nëpër bibliotekat dhe auditoriumet e atdheut!
2.
Dashamir Alliu është lindur në fshatin Hotolisht të Librazhdit – Shqipëri, më 06 gusht 1974. Arsimimin e tij, deri në mbarimin e Shkollës së Mesme Bujqësor (Agronomi), e ka kryer në Komunën e Hotolishtit dhe qytetin e Librazhdit.
Pasi kreu shërbimin ushtarak të detyrueshëm, në vitin 1995 emigroi në Greqi (Selanik), deri në tetor të vitit 1998, kur lë kurbetin dhe vjen e rreshtohet vullnetarisht në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Llapit.
Pas mbarimit të luftës në Kosovë, krahas aktivitetit ekonomik, është marrë dhe vazhdon të merret edhe me shkrime publicistike, opinione, analiza, kryesisht me tematikë kombëtare dhe atdhetare.
Dashamir Alliu ka botuar një monografi për komunën e Hotolishtit dhe kryetarin e saj të parë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, në fillesat e shtetit shqiptar.
Gjithashtu, ka botuar përë lexuesit edhe një libër të dytë monografik për Betejën e Tabeve të Llapashticës, Besianë, zhvilluar në datat 24-27 dhjetor 1998.
Por ka botuar, në muajin dhjetor 2018 edhe një përmbledhje publicistike të shkrimeve, opinioneve, analizave, reagimeve, komenteve, të titulluar: ‘’Shqipëria me bija: Kosova-Ilirida-Çamëria’’. Pastaj librin autobiografik, të titulluar: ”Persekutim-Përndjekje Nga sfida në sfidë”(2019).
Tani (më 2021) para lexuesve ky shkrimtar i talentuar po del me librin publicistik „Publicistikë atdhetare“ (Opinione-analiza-reagime-komente)

Aktualisht banon në Prishtinë.

Shperndaje ne
Updated: 19 Gusht, 2021 — 18:27

The Author

Prof. Zymer Mehani

1 Comment

Add a Comment
  1. Duhet te kuptoni me shume duke u informuar nga ky sajt:

    http://www.whale.to

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.