Shkruan: Dr. Esilda Luku
Shtypi periodik shqiptar, në mënyrë të veçantë gazetat e përditshme të pavarura “Shekulli” dhe “Koha Jonë”, kanë pasqyruar me përpikmëri dhe konsekuencë veprimtarinë liridashëse të UÇK-së, qysh nga dalja publike e kësaj organizate deri në çlirimin e Kosovës prej okupatorit serb. Arsyeja kryesore pёr marrjen nё shqyrtim tё kёtyre dy gazetave, sipas hulumtimeve tona, ёshtё tirazhi i lartё i shitjes gjatё periudhёs qё trajtojmё.
Në kushtet e intensifikimit të dhunës dhe shtypjes së policisë serbe ndaj civilëve të pafajshëm, politikës së brendshme pacifiste dhe indiferencës së faktorit ndërkombëtar, në Kosovë i erdhi fundi durimit dhe statuskuosë. Grupimi ilegal i rezistencës, UÇK-ja, në vitin 1997, shpeshtoi dhe kordinoi aksionet e ndërmarra kundër stacioneve dhe patrullave të policisë serbe në qytete të ndryshme të Kosovës. Përpos atentateve të vazhdueshme të kësaj organizate për t’u këputur prej zinxhirëve të robërisë dhe për t’i shpëtuar kolonializmit serb, më 28 nëntor 1997, në fshatin Llaushë të Drenicës, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halit Geci të vrarë nga forcat serbe, në prani të 20 000 pjesëmarrësve u shfaqën për herë të parë në publik tre nga luftëtarët e UÇK-së: Mujë Krasniqi ,i njohur me nofkën e luftës si komandant“Kapuqi”, Daut Haradinaj,komandant “Davidi” dhe Rexhep Selimi,komandant “Dhjetëshi”. Dy të parët ishin pa maska, ndërsa Rexhep Selimi, me maskë në kokë, mbajti një fjalim, ku përcolli mesazhin mobilizues të çlirimit prej pushtuesit serb, i cili u mirëprit me duartrokitje dhe ovacione “UÇK”, “UÇK”. Këto ngjarje me rëndësi historike diktuan vlerësimin e 1997 si “viti i UÇK-së”.
Fillimisht qëndresa e armatosur e kësaj organizate u prit me skepticizëm në gjirin e opinionit publik dhe në disa qarqet të politikës kombëtare e ndërkombëtare Ajo u vlerësua si krijesë serbe: 1. për shkak të ekzekutimit të disa shqiptarëve etnikë të etiketuar “tradhëtarë të atdheut”, që dyshoheshin për bashkëpunim me policinë serbe. 2. Dalja në skenë e UÇK-së i shërbeu qarqeve serbe si preteks para kancelarive perëndimore për mbajtjen e Kosovës nën një observacion policor. Kreu i Beogradit, Sllobodan Millosheviç, mbante një qëndrim të palëkundur, duke përsëritur se “Kosova është çështje e brendshme e Serbisë dhe se do të shkatërrojë vatrat e terrorizmit në këtë krahinë”.
Ndërkohë shumica e qarqeve shqiptare në Kosovë fajësuan si shkaktar, për masakrën e kryer nga policia serbe ndaj familjes Jashari në Drenicë, të dërguarin special të presidentit Klinton në ish-Jugosllavi, Robert Gelbard, i cili në takimin me Millosheviçin e kishte cilësuar UÇK-në “një organizatë terroriste”. Ky qëndrim, i analizuar fillimisht si një mbështetje e kasapit të Ballkanit për të qëruar hesapet me shqiptarët, rezultoi të ishte një politikë strategjike e amerikanëve, një kurth për liderin serb, që pas operacionit ndëshkimor në Drenicë, SHBA të orkestronte fushatën e bashkësisë ndërkombëtare mbi Beogradin. Në vizitën në Tiranë, më 19 mars 1998, ambasadori R.S. Gelbard deklaroi se: “Presidenti Milosheviç ka bërë një punë jashtëzakonisht cilësore, duke u bërë aleati më i mirë i UÇK-së. Ai mori një grup njerëzish që deri para pak kohe ishin të panjohur dhe i bërë të jenë nga termët më të lakuar dhe më të përdorur në shtypin botëror. SHBA kanë pasur dijeni të plotë për veprimet e tyre, për aq sa kanë qenë, por shumica dërrmuese e akteve terroriste bile edhe atyre që sot quhen terrorizëm shtetëror janë kryer në mënyrë të qartë nga qeveria e Beogradit”.
Intensifikimi dhe acarimi i konflikteve në Kosovë ringjalli ndjenjat nacionaliste në mbarë popullin shqiptar, pasi “kombet janë si individi, që gjymtyrët mund t’ia presësh, por shpirtin nuk mund t’ja u ndash”. Në shenjë solidariteti me vëllezërit kosovarë, shqiptarët në Shqipëri dhe në Maqedoni organizuan demostrata kundër represionit serb, me parrullat “Ndal vrasjeve barbare”, “Kosovë gjaku im t’u bëftë dritë”, “Poshtë Sllobodani”, “Drenica zemra e Shqipërisë”, “Jetën e japim, Kosovën s’e japim”, me thirrjet “Duam armë, duam armë”, “UÇK, UÇK” dhe me moton “Një komb, një qëndrim”.
Krahas mbështetjes shpirtërore për popullin e Kosovës në mitingjet masive, ku anatemohej barbaria e makinës serbe, një e përditshme e pavarur në Shqipëri publikoi faktin e ekzistencës së një formacioni paraushtarak të ngjashëm me UÇK-në, në territorin shqiptar, i quajtur “Shqiponja e Zezë”, i cili kishte si qëllim kryesor kryerjen e akteve terroriste në Kosovë. Kjo skuadër, e krijuar në Europë para dy vjetësh nga emigrantët kosovarë, qysh prej marsit 1998 vepronte në Kukës, ku krerët e saj lëviznin dhe bënin inspektimin e kufirit në mënyrë të fshehtë. Këtë informacion e përgënjeshtroi Gjeneral Brigade, Kudusi Lama, i cili deklaroi: “Nuk ka asnjë organizëm që stërvitet jashtë hallkave të strukturës së divizionit të Kukësit, madje në këtë territor nuk ka as forca të ushtrisë shqiptare”. Por autoritet qeveritare shqiptare nuk mohuan faktin se, pas largimit me dhunë nga vatrat e tyre, në veri të Shqipërisë ishin strehuar shqiptarë të Kosovës.
Politikës serbe të spastrimit etnik iu kundërpërgjigj rezistenca e armatosur e UÇK-së, e cila fitoi simpatinë dhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Ky i fundit kërkonte bashkërendimin e qëndrimeve politike dhe ushtarake në Kosovë në mbrojtje të kauzës së përbashkët. Nё favor tё shkrirjes sё dy strukturave komplementare tё njёra-tjetrёs nё njё tё vetme “amerikanёt janё tё detyruar ta zyrtarizojnё UÇK-nё dhe ta afrojnё atё me Rugovёn, jo vetёm pёr faktin se UÇK-ja ёshtё njё realitet qё tashmё nuk mund tё mohohet, por kjo ёshtё e vetmja mёnyrё qё mund tё bёjё tё efektshme bisedimet shqiptaro-serbe tё iniciuara dhe tё zhvilluara po nёn hijen amerikane dhe nё tё njёjtёn kohё, dhe mёnyra mё e mirё qё amerikanёt nёpёrmjet liderit politik, “djalit” tё tyre tё pёrkёdhelur, tё kenё qoftё edhe njё kontroll tё zbehtё mbi njёsitet e UÇK-sё”. Nё konferencёn pёr shtyp me pёrfaqёsuesit mё tё lartё tё politikёs shqiptare, mё 2 korrik 1998, Sekretari i Pёrgjithshёm i NATO-s, Havier Solana deklaroi: “Ne duam qё Komuniteti i Kosovёs tё flasё me tё njёjtёn gjuhё pёr tё dhёnё njё mesazh tё qartё e konstruktiv pёr zgjidhjen e problemit”.
Këtë frymë negocimi përcolli në mënyrë eksplicite edhe politika e Tiranës zyrtare, sipas së cilës: “UÇK-ja përfaqëson një faktor që ndihmon në krijimin dhe zhvillimin e një ekuilibri të domosdoshëm të mjeteve dhe rezultateve politike, institucionale, brenda Kosovës dhe jashtë saj në Ballkan. …“UÇK, LDK, LPK, LKCK janë faktorë të ndryshëm politik që shprehin aspiratat pluraliste të një populli të qytetëruar. Pra nuk shoh (F. Nano) në qëndrimin e tyre divergjenca apo sterilitet polemikash për mbrojtjen e interesave kombëtare të orientuara nga përkatësia e tyre për integrimin në Evropë. …Këta janë partnerë që të gjithë së bashku mund të përfaqësojnë denjësisht çështjen shqiptare të Kosovës”.
Për më tepër, diplomacia ndërkombëtare pohoi unanimisht shndërrimin e UÇK-së në kryefaktorin ushtarak dhe politik të realitetit kosovar dhe peshën e tij në bisedimet për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës në kështjellën e Rambujesë. Përballë nacionalizmit të verbër pansllavist, bota e civilizuar zgjodhi, pas dilemave të stërzgjatura, argumentin e forcës, sepse kishte marrë fund forca e argumentave për një paqe në Kosovë “made in Rambuje”. “Bingo” e shqiptarëve të Kosovës me nënshkrimin e marrëveshjes historike diktoi fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi objektivat e makinës vrastare serbe, mё 24 mars 1999. Sulmeve ajrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, iu bashkangjitën aktivitetet luftarake tokësore, gjithnjë e më dominuese të forcave të UÇK-së, të cilat falë rezistencës së organizuar kontribuan në realizimin e goditjeve të suksesshme kundër terrorit militar shtetëror serb.
Arritjet ishin rezultat: së pari, i përgatitjes ushtarake, edhe pse në kushte të vështira të luftëtarëve të UÇK-së, të cilët shfrytëzuan “vakumin e sigurisë” për të shndërruar në baza stërvitore territoret veriore të Shqipërisë, kryesisht rrethin e Tropojës dhe Malësinë e Hasit. Fillimisht “luftёtarёt shqiptarё etnikё nё Kosovё nuk pёrfaqёsonin njё ushtri efektive, prandaj atyre u nevojitej kohё dhe stёrvitje, pёr t’ua bёrё jetёn tё vёshtirё forcave tё sigurimit serb”. Nё kёto kushte njё nga ushtarakёt mё tё njohur tё Shqipёrisё, Gjeneral Brigade Muharrem Kuçana apeloi pranё shtetit shqiptar dhe strukturave tё UÇK-së qё mes tyre tё institucionalizohej menjёherё bashkёpunimi ushtarak. “Civilёt duhet tё stёrviten nga ushtria shqiptare, nё kazermat dhe nga oficerёt e saj. Atyre u duhet mёsuar se si bёhet minimi dhe çminimi, veprimet mbrojtёse nga sulmet e artilerisё dhe tё aviacionit, veprimet komando etj. Pёrgatitja e tyre duhet tё jetё e gjithanshme, nё tё njёjtin nivel me ato tё forcave speciale shqiptare. Vetёm nё kёtё mёnyrё ne do tё shmangim çuarjen e djemve tanё nё “thertoren” e Milosheviçit, do tё kursejmё gjakun tonё dhe do tё arrijmё fitoren mbi makinёn barbare serbe. Pёr tё realizuar kёtё, nё Ministrinё shqiptare tё Mbrojtjes duhet tё krijohet njё drejtori e bashkёpunimit ushtarak me UÇK-në, nё nivel zёvendёsministri, qё tё merret vetёm me furnizimin dhe stёrvitjen e luftёtarёve.” Gradualisht UÇK-ja konsolidoi strukturën e saj komanduese dhe përsosi sistemin e komunikimit me mjete të sofistikuara, që siguronin ndërlidhjen mes njësive të specializuara në të gjithë territorin e Kosovës. Shefi i ndёrlidhjes, Gani Krasniqi pohoi domosdoshmёrinё e rritjes sё efektshmёrisё sё bashkёpunimit mes forcave ajrore tё NATO-s dhe veprimeve tokёsore tё UÇK-së. Sipas tij, komunikimi modern e i pёrqendruar kushtёzon operacionet e suksesshme dhe fitoren mbi armikun.
Së dyti, furnizimi me pajimet e nevojshme luftarake të “fenikësve të lirisë”, të financuara nga komuniteti i emigrantëve kosovarë në Europën Perëndimore. Luftëtarët e UÇK-së u pajisën me armë e municione kryesisht nëpërmjet trafikut të paligjshëm të armatimeve nga Shqipëria në drejtim të Kosovës. Këtë fakt e pohojnë civilë, por edhe ushtarakë që kanë inspektuar kufirin, të cilët tregojnë me detaje mënyrën e organizimit të këtij trafiku: “Në Cahan, fshat pranë kufirit të Qafës së Prushit, dikur ka qenë një repart artilerie, më pas i vjedhur nga banorët e zonës. Tani atje nuk ka më repart, as ushtarë, por armët nuk mungojnë në shtëpitë e fshatarëve, të cilët për natë ngarkojnë mushkat, regjistrojnë emrin te “magazinieri”, kalojnë kufirin dhe vetëm kur kthehen, marrin 7 mijë lekë të reja për çdo ngarkesë. …Në Krumë, policët roje të postoblloqeve tregonin se IFAT me përforcime për Divizionin e Kukësit, shkonin në kufi. Ngarkesat që kontrollonin ishin armatime dhe dokumentat mbanin firmën e Ministrisë së Brendshme. Sipas tyre, këto IFA shkarkoheshin në Cahan. …Megjithëse mbeten në kuadrin e hipotezave të pavërtetuara, justifikimi për trafikun e armëve ishte: “Në mos na pasuroftë shitja e armëve, të paktën çdo kosovar do të ketë një mjet për t’u mbrojtur e për të luftuar. Mjaft janë keqtrajtuar dhe vrarë nga serbët. Kosova të jetë e kosovarëve.”
Së treti, disiplina e rreptë, morali i lartë, devotshmëria dhe sakrifica deri në vetëflijim për lirinë e munguar. Me devizën “Fëmijët rriten duke ëndërruar, por një popull që fle vdes” , UÇK-ja u shndërrua në vatrën rreth së cilës u grumbullua gjithë entuziazmi patriotik dhe etja e një populli martir për liri. Në gjirin e saj u bashkuan a. ish-oficerë të ushtrisë jugosllave, të cilët disa syresh shërbyen në luftërat për pavarësi të Bosnjes dhe Kroacisë. Ndër ta përmendim gjeneralin Agim Çeku, i cili kreu dy vite të akademisë ushtarake në Beograd dhe dy të tjera në Zarë të Kroacisë, ku iu bashkangjit Armatës Popullore të Jugosllavisë. Në mesin e viteve ’90, Çeku vendosi kontakte me UÇK-në, ndërsa gjatë muajve të fundit të luftës u dallua për kontribut të vyer në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në intervistën e dhënë për gazetën “Shekulli”, ai veçoi disa nga operacionet e suksesshme të UÇK-së, si “përballimi i sulmit të egër me armatime e teknikë të sofistikuar në Junik e Kosharë; qëndresa heroike ndaj goditjeve të përgjithshme në Drenicë e Dukagjin; evitimi i manovrave të okupatorit në Shalë, në Podujevë etj.
Gati në të gjithë territorin e Kosovës, strukturat e UÇK-së kanë përballuar me dinjitet sulmet barbare të reparteve ushtarake dhe paraushtarake serbe. …Besnikëria e luftëtarëve të lirisë ndaj betimit ushtarak përpara flamurit kombëtar ka gjeneruar qëndrueshmëri, shpirt të lartë ushtarak, guxim dhe sakrificë deri në kufijtë e vetëflijimit”. b. shumica dërrmuese e anëtarëve të UÇK-së ishin civilë, të cilët pasi strehuan të moshuarit, gratë e fëmijët në Shqipëri e Maqedoni iu rikthyen frontit të luftës në Kosovë. “Hysamedini nga Prizreni: Familjet do t’i lëmë këtu të grumbulluara dhe të gjithë do të largohemi për në luftë. Më shumë se ne askush nuk duhet të mendojë për Kosovën, e cila po digjet nga serbët. Dëbimi me dhunë nga shtëpitë bëri që mundësia jonë për të qëndruar të mos ekzistonte, madje as kthimi pas nuk ishte i mundur. Serbët ishin të gjithë të armatosur, ndërsa ne kishim përballë vetëm grykën e automatikut të tyre. Këtu kemi ardhur vetëm për të strehuar familjen. …Bekimi nga Prizreni: Sapo të na krijohet mundësia, do të nisemi menjëherë drejt kufirit të organizuar në grupe të mëdha. Shpresa e vetme e Kosovës është që ne të flijohemi për lirinë e saj.