Ca njerëz, që kishin lëftuar gjeri die, sot janë të lodhur dhe i hothnë armët.

faik-konica_yne_paqja

(Në 140 vjetorin e lindjes)

 

Pjeter_jaka_01Shkruan: Pjeter Jaku

 

Kur zemërohej Konica, zbrisnin “Rrufete e Zeusit” mbi cilindo që t’i dilte perpara. A ishin zemërime te menduara a të rastësishme? A i kërkonte Konica gërr-mërrët e grindavecëve si Gasper Jakova, apo ishin të pashmangshme? Si u përballej Konica dhe pse i nxiste polemikat me personalitete të të njëjtit nivel, si rasti me Mustafa Krujën? Pse zemërimi i Konices arrinte deri aty sa shkoi me Nolin? (12 vjet pa folur me njëri-tjetrin, 1925-1937! Pse të shkonte deri në kërkesen e autoriteteve amerikane te emigracionit, që të mos e lejonin të hynte më në Amerikë. E kë? Mikun me të cilin kishte bërë shumë punë të mira)? Pse Konica e mbylli Gazetën “Albania” dhe erdhi në Amerikë? A e njihte ai Nolin dhe si e njihte? Kush e priti dhe ku e mbështeti veprimtarinë e tij në Amerikë? Pse ai s’u shkëput asnjëherë nga “Vatra” dhe “Dielli”, edhe pse për disa vite jetoi e  punoi  jashtë Amerikës?

Ku dhe si jetoi ai tri vitet e fundit të jetës së tij? Kujt i kishte borxhe dhe pse i mori Vatra detyrimet e tij? A ishte Konica një personalitet i dyzuar, ku brenda tij kishte një Konicë normal dhe jashtë, një Konicë përherë të kollarisur, me një sqimë prej fisniku snob? Pse ai nuk e pranonte ndryshimin kur vinte prej te tjerëve e nuk pranonte të ulej, qoftë edhe për një rast të vetëm në nivele të tjera, si njohes profesionist i karaktereve?! Cila ishte diplomacia e tij në jetën private? Nëse Noli iu drejtua Kishës, për të bërë diçka në të mirë të vetes dhe të vendit të tij, ç’bëri Konica në këtë aspekt? Pse e ndryshoi mendimin për  Zogun dhe në çfarë rrethanash? A e nxiti ai Nolin, ose e përkrahu, të kthehej në Evropë dhe Atdhe, me një qëllim të qartë? Ç’përfitim do të kishte Konica, nëse Qeveria e Nolit do të jetonte më gjatë se 6 muaj? A i kishte menduar Konica këto dhe a punonte për të arritur diku?

A kishte ambicie politike Konica, falë njohjeve me disa personalitete evropiane dhe  amerikane? etj.etj pyetje si këto, që kërkojnë domosdoshmërisht analizen e studiuesve profesionist të personaliteteve. Konica kishte disa dhunti natyrore brenda tij, por si i drejtoi ai ato? Në cilën prirje shkëlqeu?Ai ishte prozator dhe poet, publicist klasi dhe eseist, estet dhe kritik letrar, ishte përkthyes dhe njohës i shkëlqyer i letërsisë botërorë dhe asaj shqiptare. Po cila qe vepra e plotë e tij?! Pse Konica kishte ato mendime për Luigj Gurakuqin? A kishin ato të bënin me Nolin? Ku bazohej Konica që të publikonte në Gazeten “Dielli” të datës 12 nentor 1925, pikërisht këtë tekst, të thënë fjalë për fjalë: “Luigj Gurakuqi ishte njeri pa patriotizëm dhe pa ndërgjegje, armik i bashkimit kombëtar dhe i kuptimit modern të shtetit, intrigant, prapanik dhe i errët”.

Pas një shkëputje afro dhjetë vjeçare, Noli mbërrin në Amerikë me 4 Maj 1930, i zhgënjyer nga Revolucioni i Qershorit 1924 dhe i rraskapitur nga “bredhjet’ nëpër Europë, përherë me mllefin ndaj Ahmet Zogut dhe me deshirën për ta shpëtuar Shqipërinë. Pas mbërritjes në Boston, me 9 Maj të po këtij viti, i drejtohet jetës kishtare në Kishën e Shën Gjergjit, ku më 11 Maj mbajti Meshën e pare. Zemërimi i Konices u egërsua, kur në fillim të vitit 1931, Gazeta Amerikane “Boston Post”, ne te cilen Noli botoi një shkrim që përulte ndjeshëm personalitetin e njohur të Konicës, sikur Faiku ishte gjetur i dehur. Gazeta “Republika” e Nolit, pasi “Dielli” e kishte “përjashtuar” nga faqet e saj, publikoi shkrimin me titullin degjenerues “Njeriu i natës dhe i turpit” të përkthyer në shqip, pikërisht për të ulur figuren, tashmë të një diplomati të njohur dhe të vlerësuar në qarqet diplomatike të vendeve më të mëdha të botës. Kjo ishte një goditje, jo vetëm për Konicën, por edhe për Legaten Shqiptare. Pas kësaj, Faiku shkoi në Depertamentin e Shtetit dhe e akuzoi atë si komunist. Natyra dhe temperamenti i Faik Konices, nuk mund të lejonte askënd ta nëpërkëmbte dhe diskreditonte emrin e tij.

A duhet kërkuar një nga shkaqet e armiqësisë së tyre, mbështetja ose jo e Ahmet Zogut në krye të Qeverisë Shqiptare? Sigurisht që po! Noli luftonte kundër Zogut me disa argumente të publikuar, ndërsa Konica bënte thirrje për ta mbështetur, si të vetmin njeri që mund ta bënte Shqipërinë, siç edhe e bëri të njohur në qarqet ndërkombetare. Përmbysja e Ahmet Zogut, sipas Konices mund të vinte vetëm si rezultat i ndonjë komploti kundër jetës së tij, por, – thekson ai: “Unë në kompllote s’bëhem shok i askujt”. Konica kishte bindjen e padiskutueshme, se edhe komplloti ishte në dëm të Shqipërisë, ai do të sillte shkatërrimin e shtetit. Noli, edhe pas kësaj, boton një artikull kundër Vatrës, në gazetën “Liria Kombëtare” nr.8, duke arritur në përfundimin, se në luftën kundër tij (nënkupto Konicen), e marrë fjalë për fjalë: “…ca njerëz, që kishin lëftuar gjeri die, sot janë të lodhur dhe i hothnë armët. Mundet. Po ka edhe ca të tjerë, truri i të cilëve është ntrashur dhe s’janë të zotë të kuptojnë kur një lodrë merr funt”.

Polemika tashmë kishte degjeneruar në sharje, sidomos në vitet e njohura 1931-1932. “Diellit” nuk i doli inati për shumë kohë me krijuesin e tij, dhe tashmë gjysma ishte kundër gjysmës, por sido që të ishte, të dyja gjysmat sillnin zhvillim. Në numrin e saj të datës 16 maj 1930, “Dielli” ironizonte Nolin e kthyer në Amerikë si një rreckaman të lodhur e drobitur nga ecejakët e shumta në kërkim të vetes, për t’u rikthyer te shkopi i Peshkopit, siç e vinte në lojë Lazer Shantoja, i cili ironizonte pikërisht kështu: “Qesh o pagan! Zhivo, o mjekroç i pamjekër, o pop i pabishtalec, o peshkop i pashkop, o fetar i pafe, o imzot i pazot, o nacionalist internacionalist, o toskë gegofob, o shqiptar (grek-bullgar-levantin)… O faqe me nder, o Fan Nol!” (NJ, Jeta e Fan S. Nolit, f. 71)

Për veprimtarinë e tij në Evropë, Noli pati shumë komente negative, në të cilat u mbështet Konica, për ta akuzuar si komunist bolshevik, si ajo e shtatorit të vitit 1927, që pranoi ftesën për të marrë pjesë në festimet e dhjetë vjetorit të Revolucionit Socialist e disa raste të tjera, ku Noli kishte qenë i pranishëm.

Sa i takon polemikës më Mustafa Krujen dhe pyetjeve që Konica i kishte bërë atij publikisht, në Gazetën “Dielli” Nr. 2963 (506) te datës 19 janar 1926, nuk ia vlen të flitet, pasi ato ishin, pothuajse krejtësisht në planin personal. A ishte Konica një personalitet që mund të gdhendej siç e donin shqiptarët në imagjinatën e tyre? Kurrsesi jo! A do ta donin ata lexuesin e madh, me mbi 90 përqind të shqiptarëve analfabet? A do ta donin ata publicistin Konica, ndërkohë që për të lexuar gazetën, kërkohej një i shkolluar! A do ta donin ata enciklopedistin dhe albanalogun që njihte  botën, kur ata nuk dinin kufijtë e vendit të tyre?!

Për shumë nga këto Konica u mundua ta çlirojë Nolin nga barra e humbjes se Revolucionit të Qershorit.

Nje polemikë dhe një rfefleksion i Konicës dhe Nolit:

FAIK KONICA: Fan Noli, si fshatarak i pagdhëndur i Ballkanit që është, me gjith’ llustrën e jashtme intelektuale të tij, kujton se njeriu as munt as ka të drejtën të zhvillohet; dhe ajo që ish dhjetë vjet më parë duhet të jetë medoemos edhe sot. (1931)

FAN NOLI: Faik Beu, kur godit, s’ka turp nga çpifja më e poshtër, kur përkëdhel, s’ka turp as nga lëvdata më groteske. Kur e goditte Ahmedin (Zogun), na e quante analfabet. Sot që e përkëdhel, na e lëvdon si mbretin më të kulturuar të botës (1931)

FAIK KONICA: Fan Nolit, njeriut që ka lojtur një rol aq të madh në lëvizjen tonë dhe është aq i njohur, mund t’i përmendet emri pa ndonjë titull si një figurë historike, pa hyrë nonjë pakësim nderimi në këtë mungesë titulli. Me Fan Nolin merrem kurdoherë vesh më lehtë, se flasim një gjuhë (1938)

-FAN NOLI: Faik Konica ishte një nga mbrojtësit më të mëdhenj të pavarësisë së Shqipërisë. Ishte sigurisht mjeshtri më i madh i prozës shqipe.Për më tepër ishte njeriu që rizbuloi flamurin e vjetër shqiptar të Skënderbeut. Këta janë tre tituj që edhe kundërshtarët e tij më të hidhur nuk do të ëndërronin t’ia mohonin (1942)

Shperndaje ne
Updated: 16 Mars, 2015 — 13:26

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.