Letërsia Kombëtare: Kasam ShAQIRVELA- ASHT QË MBIN

Cikël me poezi marrë prej librit: “Asht që mbin”, të autorit
Kasam ShAQIRVELA

AShT QË MBIN

Shum’ pseudo-patriotë e lajkatarë
sot, bërlyken nëpër portrete
gazetash e mediash elektronike.
Ato kanë gjak të ngjizur, që
mbledh miza dhe krimba, i ushqen
për dasmën e madhe që vjen.
Tjetër është ai që ka gjakun në vlim.
Gjaku i tij filtrohet e vetëpastrohet,
nuk ngjizet dot por kullohet.
I ushqen damarët deri në rrënjët
e Lisit të Madh dhe të Vjetër,
të vjetër, të moçëm, bile
të Lashtë e Stërlashtë.
Kjo është tokë e djegur përbrenda,
Por, përsëri në thellësinë e vet
mban mundimshëm një asht.
Dhe, asesi ta tretë këtë asht ,
ai Asht përsëri do të mbijë
edhe gjenin do ta ripërtërijë.
Tamam si një dritë në errësirë,
është një shpresë në të gdhirë
dhe që buron nga shpirti i lirë.
Jeton e gjallëron kjo shpresë
brez pas brezi në kujtesë
dhe kurrën e kurrës s’do vdesë.

A T Y
(tek një tru e zemër për ndjenjë)

Aty, dhe vetëm aty
mbase ka diçka !
Aty është gjithçka.
Aty është esenca
Aty pra, flen dhe shkenca
Aty qëndron fizika e kimia
Aty është e fshehur edhe dija
thënë e gjitha kjo, filozofia.
Aty i ndërrojnë rolet mes veti
jeta dhe vdekja, ritmikisht
dhe pa vonuar, njëra pas tjetrës.
Aty zbohet dhe pleqëria nga rinia
gjithmonë në cikël anasjelltas.

DALlGË E DALlDISUR

Akoma s’i ke shkelur as brigjet e tua,
të brishta mi ke puthjet vjeshtore,
n’kaltërim Detit të qetë valëzon,
atë brengë që ke në vete,
pse s’po ma thua?
Unë të afrohem me cicërimë zogu
në agim. Por Ti ik e s’më ndesh
e më bëhesh vesh në shesh,
porsi dallga dallgën kur ndjek.
Shkumë Deti apo fluskë sapuni
në mbarm?- njësoj tretesh mes
brezave të yberit tim vjeshtor.
Ti Dallgë shkumëbardhë që digjesh
nga malli për ta lagur bregun tënd,
por se ngiën dot së laguri, e s‘vdes.
Ti Dallgë e dalldisur Oqeanit
të lotëve sykaltër në vegim.
Mëkatin tënd ta lanë veç loti!
Ti je Dallgë e shastisur në trazim,
që rrah bregun tënd të lashtë që moti
Kot së koti rebelohesh, trazohesh
përplasesh, derdhesh e mblidhesh
dhe prapëseprapë s’të pushon loti
e nuk ngihesh as me puthjet bregore.
Qetësohesh vetëm me afsh zemre
Atëherë kur bëhesh Eurinom,
në kërkim t’Ofionit, por që
s’ngopesh, e s’të ndalin Ty as
përsëritjet e hirshme harmonike.
Ti mbetesh vazhdimësi, gjithnjë
në kalim, kohësh historike!

KALORËSI I KALTËR

Shtatë palë male
Dhe shtatë palë kodra
Kalëron kalorësi blu.

Ngjeshur shpatën në brez
Parzmoren mbi gjoks të rëndë
Në kokë përkrenaren ka vënë.

Betejë e përgjakshme, lemeri
Hata e vërtetë mbi tokë, krenari
Turfullima kuajsh të bardhë, athët
Përzier me klithma luftëtarësh, ……
………Thirrje për liri………….

Me frerë të këputur, mbetur në dorë
Prerje shpresash në pikë të drekës
I druhet fjalës së turpit e jo dekës
Kalorësi i kaltër, ylli n’kurorë.

IKJA NGA VETVETJA
(K o n v e r t i m i)

Kalojnë vitet e motet shkojnë
Hendeku sa vjen e thellohet
Rriten ndasitë me brezat
Në një trung dy degë shartojnë

Të një rrënje që të dyja janë
Madje i njëjti trung i mban
Më lartë degët të dallueshme janë
Dhe fruta të ndryshme kan’

Nuk i iket jo këj realiteti
Historia vetë le ta shkruaj’
Sepse ishim të një amaneti
E tani sillemi si dy të huaj.

NË TIMEN I L I R I

Dua të jem i tëri aty
Me trup e shpirt gjithnjë aty
Ku më rahin damarët e gjakut
Aty ku dhe zemra e ime s’plaket
Aty ku bilbili këndon përherë
Dimrin më të ashpër ma bën pranverë
Aty ku bukës i thuan bukë e ujit uj’
Aty ku s’durohet të shkelë këmbë e huj
Aty ku dhe fjala në gjuhën amtare
Shëron plagë më të vjetra se male
Aty ku kam rrënjët thellë në dhe
Ku të parët m’kanë vdekur, a unë kam le
S’kërkoj vend tjetër, por, veçse aty
Lermëni të qetë, i lirë dua të jetojë
Veç ajrin e saj, mushkërive, tua dhurojë
Dhe kur t’vijë koha, këtë dhe ta përqafojë
Në puthje përjetësie të kthehem përsëri
Aty n’të moçmen, timen ILl -Y-RI ?!

STINË DAShURIE

Dashuria është….
një copëz jete, e
jeta ka mote, e
motet kanë vite, e
vitet madje kanë stina
kurse stinët e kanë
dashurinë e vet
që lindet e tretet
në ngjyrat ylberore:
të gjelbër, të verdhë
të kuqërremtë
të bardhë, të kuqe …
violete,… apo blu….!
si për ty e si për mu’
madje kuptohet
edhe dashuria
ka stinët e veta:
Pranverë dashurimi
Verë dashnorësh
Dashni Vjeshte, dhe
Dimër dashurie…!
të bardhë, e t’imët
si thinja pleqërie
u gëzohet vetëm ai
që arrinë t’i bashkojë dy.

TURFULlIMË

Kali, ec e ec, ec me trokëllimë
Troku i ndihet thellë nën dhe
I trazon varret me hingëllimë
Thirrje brezash këtu ndër ne
S’durohet më kjo turfullimë

Troku i kalit po dëgjohet
Kërkon kali të shalohet
Që nga lufta e tij në Trojë
Kali s’pranë të hingëllojë
Qielli i kaltër le të ushtojë
Se s’ushton nga bubullimë
Por nga e Atit turfullimë

Prijësi thirret e s’dëgjohet?
Ati nxirret e s’shalohet?
Prandaj Ati turfullon
Kërkon prijësi ta shalojë
Drjt betejës që ta çojë
Përfundimisht luftën ta fitojë
Katrahura të përfundojë
Kalit t’i pushojë Turfullima
Edhe qielli më mos t’ushtojë
Mos të pëlcasë nga bubullima
Hidhërim i Perëdnisë sot e përmot
N’varre Stërgjyshërit mos t’i trazojë
Ata që, për atdhe, derdhën gjak e jo lot!

LISAT PËRKUNDEN N’DJEPIN E KOHËS

Lisat përkunden n’djepin e kohës!
Ashtu siç përshkunden mendimet e rënda
A thua Nënat Çame mbërthyer para drojës?
Zemrat u janë mbushur nga dhembja e kënga

Djepat i bartin të gjyshëruara gjyshet
Ninullat i këndojnë me lotë lirie
Shpresa çanë malin atëherë kur grishet
Sonte n’Tetovë ka aromë Çamërie.

Shperndaje ne
Updated: 6 Shkurt, 2022 — 05:30

The Author

Kasam SHAQIRVELA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.