Prof. Zymer Mehani : Dëshmori i kombit, prof. Selim Berisha- ky vigan sypatrembur (Në përvjetorin e rënies (20 mars 1999)

Ty, o trim lirie….
1.
Sa të paska hije
Ty, o trim arbëror
Gjaku në kraharor!

Barrikadë
N’shtëpinë atërore
Nise luftën për fitore…

Janë bërë bashkë
Qyqe dhe korba
Granatojnë me gjyle, topa.

Por, ti trim,
Me këngë në gojë
Vatrës iu bëre mburojë.

Në UÇK
Në rresht i pari
Të pat thirrë Adem Jashari…
2.
Ti je lukëkuqe
Je dhe trëndafil
Mes yllësive ndrin
Yll i qiellit tim.

Në flakë lufte u fute
S’u stepe, s’u druajte
Pranë shkëmbit, burimit
Me peshë të betimit
Me flamur në gji
Ti re për liri…

(Poezi imja shkëputur nga përmbledhja poetike “Një krismë pushke për liri”, përg. M. Kadriu, Prishtinë, 2019)

I.
Selim Berisha u lind më 3 qershor të vitit 1950, në fshatin Dren (ish-Drenofc) të komunës së Prishtinës. Prindërit e tij i rritën fëmijët e tyre (Hajdinin, Rrahimin, Milazimin, Selimin, Qazimin dhe Hajrijen) në kushte të skamjes ekonomike dhe të trysnisë politike që pushteti serbosllav po ushtrinte ndaj shqiptarëve, por duke i brumosur me dashuri ndaj kombit e atdheut. Prandaj edhe vendosmëria e Selimit për të hecur drejt shtigjeve të lirisë ishte rezultat i kësaj brumosjeje të shpirtit të tij me atdhedashuri e kombëtarizëm nga prindërit dhe nga të parët e familjes Berisha të lagjes së Xhafollëve të fshatit Dren të Prishtinës. Shpirti i tij prej atdhetari të denjë sa vinte e po ushqehej me mësimet dhe me edukatën që e merrte nga prindërit e tij, babë Halili dhe nënë Hata, për t’u formësuar më tej edhe nga shkolla prej mësuesish atdhetarë shqiptarë.
Në ecejaket e fëmijërisë dhe të rinisë së tij, Selimi shfaqte interesim të pareshtur për dije e për shkollim. Shkollën fillore e mbaroi në Barilevë e në Breznicë, pastaj e regjistron Shkollën Normale në Prishtinë (ku i kryen tri vjet) dhe në Mitrovicë (ku e kryen normalen). Në Mitrovicë pritet mirë nga shokët e klasës dhe së shpejti formon rreth të gjerë shokësh. Ishte nxënës i mirë dhe i dalluar edhe në aktivitete të lira. Merrej me krijimtari letrare. Shkruante poezi me motive patriotike e shoqërore, prandaj anëtarësohet në Grupin Letrar “lbe Palikuqi” të Shkollës Normale të Mitrovicës. Si anëtar i atij grupi, do të ketë rast të njihet edhe me Hamëz Jasharin, nga i cili do ta marrë dhuratë një libër me poezi të Filip Shirokës e të Luigj Gurakuqit. Këtë libër kujtimi të nënshkruar nga Hamza, Selimi do t’ua tregojë vëllezërve dhe anëtarëve të tjerë të familjes e miqve, me rastin e marrjes së lajmit për rënien e Jasharëve, më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998, në Prekaz. Ai ishte prekur thellë nga barbaritë e pashembullta të hasmit shekullor ndaj Familjes Jashari të Prekazit, në atë mars të asaj pranvere të përgjakur.
Pas mbarimit të shkollës normale, në vitin 1973/74, Selimi merr ditarin në dorë dhe fillon misionin e edukatorit të brezave të rinj, në Shkollën fillore “Ali Kelmendi” të Barilevës. Ndërkohë, në Fakultetin Filozofik të Prishtinës ndjek studimet në degën e historisë, pa shkëputje nga puna, të cilat i përfundon në vitin 1983, ku vazhdon të punojë me zell me nxënësit, të cilëve ua shpjegon historinë kombëtare, duke u përqendruar te momentet më të rëndësishme të saj.
Dashuria e prof. Selimit për shkollën shqipe, për librin dhe për nxënësit ishte ngulitur në shpirtin e tij të trazuar dhe kryengritës dhe ishte gravuar në pllakë të zemrës së tij atdhetare, duke i përgatitur brezat e rinj për misionin e shenjtë dhe të shtrenjtë, siç ishte çlirimi i Kosovës.
II.
Prof. Selim Berisha do të bëhet një nga protagonistët e rrjedhave politiko-ushtarake në dy dekadat e fundshekullit XX, sidomos gjatë periudhës së luftës (1997-1999) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte një karakter të fortë, me të cilin shquhej qysh si fëmijë. Në shpirtin e tij kishte pastërti e guxim. Urrente padrejtësinë që pushtuesi po e ushtronte ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe gjithnjë punoi e veproi me përkushtim për çështjen kombëtare. Energjinë, vrullin dhe dinamizmin e tij shpirtëror, i shfaq sa herë do të jetë e nevojshme të mbrohet e drejta, dinjiteti dhe liria kombëtare e popullit shqiptar. Si i tillë, asnjë ngjarje apo lëvizje me rëndësi kombëtare në Kosovë, Selimi nuk i lë anash. Demonstratat politike të vitit 1968, e gjejnë nxënës të vitit të dytë të shkollës normale. I entuziasmuar nga fuqia e masës demonstruese, edhe vetë merr pjesë në to, pa u hamendur. Merr pjesë edhe në demonstratat e 26 marsit dhe të 1 e 2 prillit të vitit 1981, kur rinia studentore aktualizoi kërkesën politike për barazi të Kosovës me pjesët e tjera të ish-federatës jugosllave. Më 27 mars të vitit 1989, në Kosovë ndodhi ndërhyrja e përgjakshme e policisë jugosllave kundër demonstruesve shqiptarë në shumë qendra të Kosovës, të cilën fuqishëm do ta kundërshtojë dhe dënojë edhe intelektuali e profesori Selim Berisha.
Demonstruesit protestonin kundër heqjes së autonomisë së deriatëhershme të Kosovës (sipas kushtetutës së vitit 1974) dhe vënies së saj në pozitën e kolonisë klasike. Selimi, sërish do të jetë pjesë e këtyre vlimeve popullore. Në këto demonstrata, u vra kushëriri i tij, i riu, Sevdat Berisha, rënia e të cilit Selimin e bën edhe më të vendosur për ta luftuar pushtuesin serb, prandaj momenti i luftimit të këtij pushtuesi arriti me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në korrik të vitit 1998, te Selimi arrijnë disa pjesëtarë të UÇK-së, të prirë nga Sokoli, miku i vëllait të tij, Qazimit. Ata diskutojnë lidhur me angazhimin e Profesorit në radhët e UÇK-së. Në atë rast, pas bisedës, Selimi thotë: “Që nga sonte më numëroni pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Në këtë takim merr detyra të caktuara për sigurimin e informatave dhe kontrollimin e lëvizjeve të armikut në trevën e fshatrave përreth vendlindjes së tij.
Në bashkëbisedat e tij me të tjerët, profesor Selimi gjithmonë thoshte se alternativë e vetme për shqiptarët kudo që jetojnë është Ribashkimi Kombëtar. Ai ishte betuar se do të luftonte gjer në ribashkim të kombit dhe të viseve të ndara padrejtësisht nga shteti amë i shqiptarëve- Shqipëria. Bisedat e tij ishin plot elan atdhesie për një të ardhme më të mirë për të gjithë bashkëkombësit. Ai shqetësohej tej mase nga mashtrimet dhe padrejtësitë që në vazhdimësi po u bëheshin shqiptarëve nga regjimi serbo-sllav. Qëndrimi i tij ishte se vetëm me unitet të shqiptarëve mund të ndryshohet rrjedha e historisë, duke e ndërprerë spiralen e dhunës ndaj kombit tonë përgjatë dekadave të tëra nga tiranët sllavë.
Prof. Selim Berisha ishte i përzemërt me shokët dhe mbi të gjitha ishte besnik. Kudo që ndodhej, i përmendte heroizmat e luftëtarëve shqiptarë përgjatë historisë, e sidomos heroizmin e Familjes Jashari, të mësues Shabanit me djemtë Ademin e Hamzanë dhe me tërë familjen e tyre, por edhe trimërinë e Zahir Pajazitit me shokë. Ishte e rrallë dhe frymëzuese përgatitja dhe gatishmëria e tij për sacrificë për liri dhe çlirim nga thundra serbo-çetnike.
Në rrugëtimin e tij për t’i sjellë popullit liri, dëshmori Selim Berisha nuk u ndal asnjëherë. Ai nuk ishte vetëm edukator i zellshëm, por edhe krijues i mirë. Në trashëgiminë e tij krijuese bëjnë pjesë disa skica në formë të eseve me temë sociale e politike. Në mesin e tyre janë shkrimet me titull “Popullit duhet t’i thuhet e vërteta”, “Djaloshi në rrugën e raprezalieve”, “Do të vijë koha kur Kosova do t’i shkëpusë prangat e robërisë” e të tjera. Ka lënë edhe një numër vjershash, po ashtu me motive politike e patriotike, siç janë: “Kosovë, ta falsha gjakun”, “Do të vijë një ditë”, “Nuk do të vdes” e të tjera.
III.
Zhvillimet e fundit 1997-1999 ishin sa tragjike, po aq edhe krenare, ngase do të lindte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, lindjen e së cilës shqiptarët e pritën tepër gjatë gati 2000 vjet… E Prof. Selim Berisha me shpirtin si uragan s’do të qëndrojë i qetë për asnjë çast duke u ndihmuar të gjithëve në format nga më të ndryshmet. Ai i këshillonte sidomos të rinjtë për veprime luftarake.
Prof. Selimi ishte trim me fletë, që s’e kurseu as jetën e tij për lirinë e atdheut. Shquhej për edukatën në frymë kombëtare, duke e trashëguar atdhedashurinë nga familja. Ai shtëpinë e kishte vënë në dispozicion të UÇK-së, duke u shërbyer luftëtarëve të lirisë me të gjitha të mirat: me bukë, kripë e zemër, si thotë populli ynë.
Në agun e ditës së 20 marsit të vitit 1999, forcat fashisto-çetnike militariste serbe do të ndërmarrin një ofensivë gjer në shkallë të gjenocidit për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta, me qëllim të spastrimit etnik. Paramilitarë e militarë, kriminelë e mercenarë sllavo-karpatjanë me makineri të rëndë ushtarako-policore do ta rrethojnë fshatin Dren të Prishtinës për ta futur në unazë të çeliktë. Ato urdhërojnë popullsinë shqiptare të largohet nga shtëpitë e veta. Trimi sypatrembur, Selim Berisha kishte vetëm një orë prejse kishte rënë në gjumë, pas mbarimit të orarit të rojës gjatë asaj nate. Ai ishte betuar se në asnjë mënyrë nuk do ta braktis truallin, as shtëpinë, por do të rezistojë me pushkë e me bomba për ta mbrojtur pragun e shtëpisë dhe nderin e familjes ku u rrit dhe u burrnua.
Ende pa bërë një sy gjumë, atë e zgjon lajmi për rrethimin e fshatit. Brof në këmbë dhe sheh situatën e krijuar. Popullsia e fshatit ishte trazuar. Situata impononte vetëm një aiternativë: t’i bindeshe urdhrit të kriminelëve serbë për largim kokulur, i nënçmuar e i torturuar nga shtëpia jote, ose të rezistoje burrërisht me armë në dorë, deri në minutën e fundit të jetës, duke u treguar kriminelëve serbë se jeta dhe atdheu i shqiptarit kanë kuptim të barasvlefshëm. Selimi kishte zgjedhur pjesën e dytë të alternativës: të çonte në vend betimin, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se me pushtuesin do të shkëmbente vetëm zjarrin e armëve. Pasi urdhron vëllezërit, Hajdinin, Rrahimin, Milazimin e Qazimin, si dhe bashkëshorten, Xheziden, me fëmijët: Agronin, Antigonën, Liridonin e Fidanin, të largohen nga shtëpia e nga vija e zjarrit, vendos të qëndrojë në shtëpi, e t’i japë asaj përmasat e kalasë, nga frengjitë e së cilës do të zbrazë municionin që kishte mbi forcat e pushtuesit. Barrikadohet në një pozicion të përshtatshëm të katit të dytë dhe pret të afrohen këto forca. Rreth orës 11:30, qindra këmbësorë serbë i afrohen shtëpisë së Selimit. Në atë çast, mbi ta shkrep automatiku i tij. Shkëmbimi i zjarrit vazhdon derisa pushojnë krismat e automatikut të Selimit. Shtëpinë e tij e godasin edhe grantat e topave. Pushtuesi dëshmoi ligësinë e tij kriminale, duke angazhuar formacione të tëra ushtarake në luftimet kundër një luftëtari shqiptar, por prof. Selimi u përjetësua në atë fillimpranverë në altarin e atdheut, duke u shndërruar në lulëkuqe të përjetshme të Pranverës së Madhe të vitit 1999.
Më 22 mars të vitit 1999, trupi i dëshmorit Selim Berisha u varros në varrezat e fshatit Drenofc. Edhe pse ky fshat dhe fshatrat përreth ishin të boshatisura, në varrim shkuan shumë pjesëmarrës, nga të gjitha anët e kësaj treve.
Me vendimin e Komisionit të Zonës V Mbrojtëse të TMK-së, i nënshkrur nga komandanti, gjeneralmjori Rrahman Rama, më 19.3.2001, në bazë të dëshmive të prezentuara nga komanduesit e njësiteve, komandantët e brigadave dhe pjesëtarët e UÇK-së, Selim Berishës i është njohur statusi i dëshmorit të kombit.
Lavdi dëshmorit të kombit. Prof. Selim Berisha!

Shperndaje ne
Updated: 19 Mars, 2022 — 03:50

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.