Atdhe Geci: ÇAMËRIA, DIAMANT I KOMBIT SHQIPTAR ( Diamanti i Shqipërisë )

ÇAMËRIA, DIAMANT I KOMBIT SHQIPTAR
Kur viset e populluara zbrazen nga gjindja njerëzore, letërsia dhe arti janë të fundit që i braktisin. Mund të thyhen ushtritë, të tërhiqen rojet e fisit, të heshtë diplomacia, arti nuk bindet. Ai kthehet e rikthehet atje, te logu i vjetër. Atje ku ndodh shkulja, këputja mizore, krimi. Atje ku çamët i ndal shenja e kufirit të ri, shenja e vendimeve të traktateve dhe marrëveshjeve të konferencave të padrejta. Paqja e detyruar kurrë nuk është paqe. Çamëria ( diamanti i Shqipërisë ) bën pjesë në hartën më të dhimbshme të Evropës. Çamëria u godit rëndë nga ndjekjet dhe, gjenocidi i vazhdueshëm dhe shpërnguljet. Lexojmë në një shkrim të Abdyl Frashërit.
Abdyl Frashëri është personaliteti i parë shqiptar që e shtriu origjinën e shqiptarëve deri në Parahistorinë Pellazgjike. Ai nuk ishte as historian, as gjuhëtar, as etnolog. Ai ishte personalitet i shquar politik i lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në një varg korrespodencash, si pjesë të një traktati mbi të drejtat e kombit shqiptar, që ai botoi në frëngjisht në pragun e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në organin diplomatik austriak Messagier de Vienne, ai shprehej:
‘’Historia flet për një komb përrallor, për pellazgët hyjnorë, për këta heronjë të lashtësisë, të cilët pandehet se kanë vdekur dhe janë fshirë nga faqja e dheut, duke lënë pas vetëm disa gjurmë në gjuhët greke dhe latine. Është gabim: pellazgët rrojnë edhe sot e kësaj dite. Ata jetojnë tek shqiptarët. Shqiptarët e sotëm janë vetë pelllazgët e lashtësisë me gjuhën e tyre, me doket e tyre dhe me vetë zakonet e tyre.
Ati i historisë (Herodoti), thotë se pjesa më e madhe e emrave të perëndive të Olimpit grek i përkasin gjuhës pellasge. Mirë pra, ne i gjejmë sot ato emra në gjuhën shqipe. Janë disa fjalë që shqiptarët i përdorin edhe sot e kësaj dite. Ata nuk kanë fjalë tjetër për të quajtur detin, perveç fjalës Det, Thetis ishte perëndia e Detit. Afrodita, që ishte emir i Venusit, do të thot në shqip afrimi i ditës, pra kuptohet lidhja midis tyre. Unë mund të përmend një seri fjalësh shqip që dëshmojnë ngjashmërinë e shqiptarëve të sotëm me pellazgët e lashtë, por unë po i kursej kolonat e gazetës tuaj dhe nuk dua të përpiqem  të vërtetoj një gjë që tashmë është vërtetuar së tepërmi nga eruditët më të mdhenj të shekullit tone”.
Çamëria është një teritor shqiptar për të cilën flitet me kujdes, për të mos nxitur acarime të reja, në këtë botë të shqetësuar, shkruante para dy dekadave pinjolli i frashëllinjve, Kristo Frashëri. Ndërkaq, heshtjet gjithashtu mund të acarojnë, madje edhe më keq. Shumica e çamëve që u shpërngulen mizorisht nga vatrat e veta, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore janë ende të gjallë. Janë shuar dy ose tre breza, ata që mezi çapiteshin drejt Shqiperisë, por janë gjallë. Ata janë shumë djepa në Shqipëri, Evropë dhe SHBA. Të gjithë ata, në një mënyrë ose në një tjetër, mbajnë mend netët greke mbi Çamërinë. Asnjë ligj i botës, asnjë formim kulturor nuk mund t`i bëjnë njerëzit të mos kenë kujtesë, e aq më pak të mos kenë nostalgji. Shkruante Kristo Frashëri me rastin e botimit të librit të Sami Frashërit, „Gjeografia e Çamërisë“ e vitit 1989, Konstantinopoj.
Por, udhës së vështirë nëpër epoka, Epiri pellazgo-iliro-shqiptar, përjetoi lufta dhe gjenocide të rënda nga fqinjët tanë; një gjenocid nga Perandoria Romake, një gjenocid nga Perandoria Osmane dhe 3 gjenocide nga shteti grek e ai serb. Të gjitha këto gjenocide të bëra nga fqinjët kurrë të padënuara. Epiri i pellazgo-ilirisë, Çamëria, jo pa të drejtë quhet folea e gjithë qytetërimit Evropian e botëror. Çamëria pellazgo-shqiptare, njihet për figura të shquara shqiptarësh që i  dhanë vepra të çmuara vetes dhe kontribuan në qytetërimin gjithëbotëror. Për këtë diamant të kombit shqiptar, shqiptarët s´kemi nevojë ta qepim hartën e atdheut me Çamërinë, kur atë e ka qepur vet përëndia, – Shqipëria deri në Prevezë e më përtej!…
Fragment nga libri i Atdhe Gecit, „Çamëria, kthim në histori-mision“
Dortmund, 19, 03. 2022
Shperndaje ne
Updated: 25 Mars, 2022 — 04:47

The Author

Atdhe Geci

Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron. Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. “Demonstratat e luleve”, 2. “Antolologjia personale" 3. “Jeta në Letër”, 4. ”Mielli dhe uji”, 5. “Lirikë”, 6. “Dridhjet e barit”, 7. “Atdheu”, 8. ”Erdhëna”, 9. “Arbëreshët”, 10. “Shqipëria”, 11. “Trojet e mia” , 12. “Rogana”, 13. “Heroika”, 14. “Gacat e prushit”, 15. “Atdhetarët”, 16. “Pasha këtë tokë”, 17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.