CIKËL POETIK: Kasam Shaqirvela- Gjuha e Kohës

Cikël me poezi nga libri, ”Gjuha e Kohës”, i Kasam Shaqirvelës

Nga: Redaksia e librit
**

NGROHJE SHPIRTI

Nëna Tereze
Së bashku
Me Skenderbenë
Janë qielli kaltër i Arbrit
Me të bardhën renë
Njëri me shpatën
Si rrufe Zeusi
Vran mbi tradhëtarë
Mbi këmbë zaptuesi
Tjetra me fjalën
Balsam për plagë
Qiellin e kthjell
Për shumë varfanjakë
Vajin e tyre
E shdërron në këngë
Dhe, së bashku të dy
Nga atje n’përjetësi,
Shndrijnë si dielli
Përmbi Arbëri..!
**

PRITMË SE VIJ

Eh moj e bukura,
ti shpresa ime,
ti rini…
sa më jep forcë
sa përpara m’ke shpie
të rrugëtojë qoftë dhe
i vetëm në këmbë
nga Presheva jonë
e hapura plagë?
e madhja gjëmë
deri në Korçën time
që ma dogjën në flakë
po dhe nga Treguri im
sa lirë i shitur?!
nga do të paditur
për tjerët përvetsim
deri në Prevezën tonë
si mos më keq të mbytur!
dhe mbetur sikur
kisha pa kambanë
e unë në maratonë
lodhje e dhembje
t’i kthejë në këngë,
apo t’i bëjë rapsodi
në këtë çast s’e di?
se malli për ty
moj nëna Shqiptari…
më shpon në brinjë!
ma merr frymën
dhe pranvera
m’bahet dimër
e s’mundem të eci
në vend po ngeci
zjarri përbrenda
m’i ka ndezë
prej brezit në brez
dej e damarë
m’i ngre kreshtë
andej Drinit e
këndej Drinit
historija nuk hesht
sogjimi im
sikur heshtat
e thyera
nëpër beteja
për Iliridën
për Çamërinë
nuset tona
të përbuzura
e presin rininë?!
a Thesprotia plakë
mbushur përplot
me plagë..!
që kullojnë gjak
e i bëhen sagë
në të shpirtit vragë
se vullkani
s’mba kapak
jak ore jak
i ri dhe plak
mos prit aspak!
ktheje në hulli!
për brezin tënd të ri
por me krenari
të bashkuar si një
dhe me dashuri
hiq pa interes
nga brezi në brez
tanimë festo
të madhen festë
si mali me kreshtë
kullat pa u prishur, se
nëna më ka grishur
e babai më ka ardhë
hipur në kalë të bardhë
mëngjesin ma ka gdhi
me një yll të ri
për ty Shqiptari..!
andej e këndej kufirit
andej e këndej Drinit
më ka ardhur në ëndërr
e do të bëhet zhgjëndër
se do të ndërpritet
dhe nuk përsëritet më
ky kalvari im
i kuq e i zi
që ka mbetur pa zë!?
dhe prap kërkon diell
britmat ngrihen në qiell
a veshët e zënë me dill
ose po na bëjnë trill?
por, në Ilirinë e Vjetër
ku këndohej me
lahutë e cetër
artefaktet kanë mbetur!
dhe kujtesa nuk ka tretur!
po të pret ty rini
në përqafim të ngrohtë
Nëna Shqiptari..!

**

EDHE NË VDEKSHA, DO JEM DUKE KËNDUAR

Koha më rëndon mbi supe
A malin me borë
Mbi kokë e mbaj
Thasët me gurë në shpinë
Me shkaktojnë plagë..!
A kështu unë borxhin ta laj?
Busulla më është prishur
Vuajtjet po ma ndryjnë
S’më lënë të kthehem n’Itakë!
Edhe pengoret udhës
Kudo po më mbijnë?!
Ndërkëmbëzat hileqarçe
Nga rruga ime e drejt
Dhunshem më shtyjnë
Dhe, përplasem megjes
Në ferra
Epo s’mund t’i ikë vetë
Të keqes?!
Qe m’bën roje te dera
Edhe kur trokas
S’më hapet dera!
Po edhe në ma çel
Ndokush si rrallëherë
Unë mbetem aty në prag
Se më jam veç një plak
Që nata i shkon në gjunjë
A gjumi i ka bërë divorc
Nuk i duhem askujt me stres?!
Por ama, një, nuk më lë vetëm!
Ai e di se e pres
Më perqafon gjithnjë ngrohtë
Bile hiç pa interes
Bash kur ndalem ne prag!
Po, i imi, i Bardhi Ag!
Eh, unë prapë nuk epem!
Ndonse shpeshherë
Edhe stepem!
A shpresen?
Ia kam lënë peng
Ardhmërisë sime, atje
Tek nipi dhe mbesa
Druaj pa u them:
Keni kujdes në kthesa!
Dhe n’të zezat shkresa!
Ju, fortesat e mia,
Ma mbani fort fenerin!
Veç sa ta zboj
Këtë terr-ferrin
Që si perçe na ka mbuluar
E ne hiç pa e diktuar
Flemë gjumin e v…!
Rehat bile hequr mendjes!?

**

EDHE KUR GJUHA S’FLET

Edhe pse gjuha hesht
e nuk flet
ndonse nga malli për të folur
sa s’pëlcet
e nuk i thot të pathënat e tua
mbushur gjol
pajë nusërie po rri si ftua
unë ato i shoh në sytë e tu
ata nuk më gënjejnë por
ma tregojnë të vërtetëtn mbarë
e shpalosin shpirtin tënd të vrarë
ndjenjat ujvarë si ujë i kulluar
e hapin zemrën tënde të lënduar
dashurish të këputura në nismë
idila të mbetura përgjysmë
tehut të ndjenjës në pritje
malli për mall në rritje!
sado që ti e fsheh këtë prej meje
e ke kot, sepse
malli del vrullshëm prej teje
unë e shoh zemrën time
në sytë e tu,
e njoh qiellin në shkëlqim
mbështjellur gëzimesh
n’përjetime
peng i një dashurimi në kujtim
drita e syve të tu më ngrohë
si në hapësirë edhe në kohë
ajo s’ka gojë që të flet
por kuptohet,
ajo s’ka zë që të bërtet
por dëgjohet, madje
përjetohet e shprehet
dhe brenda në shpirt
veç tek zemra prehet
kjo pra është
mrekullia e dashurisë
që ti s’ma thua dot,
por, unë e kuptoj
e marr vesh, e ndjej
brenda në mua
tek rrjedh ky krua
i pashtershëm
nëpër dej!

**

IKIN VITET SI GJETHET NË VJESHTËN E VONË

Edhe vitet ndërrohen nga kalendari
Sikurse gjethet në vjeshtën e vonë
Arnimi i jetës bëhet i vështirë
Kujtimet si letër e grisur
Copëzat i mbledh sa mundem
Përpiqem ta formojë
Mozaikun e humbur
Rrugët më priten
Në sheshin e vjetër
Grisur e shkyer
Nga dhëmbi i kohës shtatzënë
Të një jetese të stresuar
Me sprova të rënda në pritë
Ilirida kjo zënë mali
Po krihet pasqyrave
Nëpër Bjeshkët e Nemura
Lahet syve të Sharrit Plak
Si shikim shqiponje shkon rrufe
Bie në liqenin e bukur në Lynkesti
Noton si mjellma e bardhë
E pyet Akeronin me lundërtar
Se, sa shpirtna të vrarë?
Ka mbartur për në Akerozi!
**
Për miqtë e mi te nderuar shumë urime
për vitin e ri 2018.

**

GËZUAR !

Sonte do jemi bashkë
Në ndërrimin e moteve
Dhe zemrat për tu dashtë
Dëshira të zë vendin e lotëve
Me ca në tavolinë
Do cakrojmë gotat
E me tjerët në largësi
Do shkëmbejmë notat
Do ngremë edhe dolli
Dhe puthje do tu dhurojmë
Atyre që i dashurojmë
Dhe aty në mesnatë
Të gjithëve ju urojmë
Paçi shëndet, begati
Dhe jetë të gjatë!
G Ë Z U A R !

**

Viti Skënderbegian, në përkujtim të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-SKËNDERBEU

N’BELVEDERE

Atje n’Belvedere,
Në të bukurin Muze!
Qëndron e nuk flet
Shpata e Gjergj Kastriotit
Dhe Përkrenarja e
Trimit Skënderbe
Që mbanjë famën
Edhe lavdinë
Për Shqiptarinë
Janë jeta dhe historia
E t’madhit Skënderbe
T’kësaj figure legjendare!
T’kësaj embleme shqiptare
Si në Belvedere
Dhe n’shum’ qendra bote
Shdriti ky yll epoke.
Ky hero kombëtar
Po ky i joni bir
Me shpirt e gjak
Arbri nga Arbëria
Ky stërnip Ilir!
Që e njohu Perandoria
Për të bëmat dhe trimëritë
Kur i frenoi hordhitë
Kur i asgjësoi ushtritë
Ai bëri madje shumë
Jo vetëm për ne
Duke derdhur gjakun lumë
Por edhe pët të tjerët
Duke u bërë mal
I pakapërcyeshëm
Për ushtritë nga Azia
I lidhur fort, i nyjshëm
U bë tmer e lemeri
Si në ëndërr
Si në zhgjëndërr
Për çdo pushtues
Satrap zaptues
Që Evropën kishte mësy
Nën zgjedhë të vet
Për ta shtijë.
Aty,përpara Vjenës
U ndalën edhe osmanët
U falën edhe sulltanët
Para portës së madhe
Që ishte e mbyllur
Për çdo pushtues
Kurse çelësin e saj
E mbante Gjergji i jonë
Që hedhte valle
Maleve të Arbërisë
Me trimat e Shqiptarisë
Valvitej flamuri i Skënderbeut
Në tokë të Mëmëdheut
Ky “Gjeneral i Madh
I ushtrisë së vogël”
Kështu pati thënë
Napoleoni i famshëm
Për Skënderbeun!
Atje n’Belvedere
Në zemër të Evropës
Është e tëra një histori
Që i bie era Arbëri
Aty qëndron shpata
Që ia ndryshoi
Rrjedhën e historisë
Që mbrojti jetën
E tërë njerëzimit,
Dhe ruajti vlerat
E qytetërimit
Perëndimor,
Ky yll vezullor!
I gjenit Arbëror!

**

PRITJE GRI…

Nga vuajtjet si netë dimri
N’lavatriçen e mëkateve
Shpërlahet ndërgjegjja…
Një trëndafil shikon dritaren
Mbase e pret rrezen e diellit
Ta puthë mëngjesçe!
**

PIKTURA

Arti figurativ, që
Ngjyrat i derdh në pëlhurë
Është poezi por pa fjalë
Dhe zërin e kapin ata veshë
Që veç sytë e tyre e njohin
Detin e trazuar ndër valë!
**

Me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës
një urim tjetërfare!

DILEMA IME

Pavarësinë e Kosovës
Sot e mot
Ne me shpirt e urojmë
E bëjmë këtë gjë
Edhe e kemi bërë
Tjetër është ajo që ne
Me zemër e dëshirojmë
Tjera janë punët që jemi duke i bërë?!
Po e pyes veten time edhe juve
Përse në këtë gjendje tani,
Duhet ta shohim Kosovën Martire?
Ku duhet ta kërkojmë fajtorin kujdestar,
Brenda neve apo jashtë,mbase në komshi?
Qëllimin tonë kombëtar duhet ta realizojmë,
Apo nasihatet e huaja t’i dëgjojmë?!
Ne vetë e ngrejmë flamurin!
Dhe prapë atë vetë e rrëzojmë?
Kush duhet mëkatet tona të na i lajë
Që pastaj neve, si “engjuj”,
“me gra Zajazi të na qajë”?

***
***
Ky material u muarr nga libri në fjalë si dhe
u përgatit për këtë prezentim të shkurtër nga:
Departamenti i Botimit “VELA”
Redaksia e librit

***

Shperndaje ne
Updated: 14 Prill, 2022 — 16:57

The Author

Kasam SHAQIRVELA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.