Letërsi Shqiptare: Kasam SHAQIRVELA – KUR DIELLI T’NA PERENDOJE

Një poezi paksa më tjetërfare,
nga Kasam SHAQIRVELA
*

KUR TË NDODHË KOHA E IKJES
(…epitaf për veten…)

Për hir të dashurisë dhe të vërtetës
Nuk dua të lodheni më me mua
Unë epitafet i pata gjatë jetës
Si nxë guri varrit ku me i shkrua’.
*
Nga një karafil t’zi në dorë mbane
Dhe të ma vëni aty përmbi krye
T’i merrni erë të diele a të hëne
Se shpirti im iku për mos me u kthye.
*
Thoni se ishte njëfarë bohemi…
Herë si Homer e herë si Khajam…
Dhe kurrë s’iu ndal së shkruari kalemi
Se Naim e Fishtë i mbante në xhan.

Edhe pse kalemxhinjtë i vunë pengesa
Herë në dysheme e herë në tavan
Vertikalja e tij zhbëri një mori sajesa
Theu tabutë dhe shkriu akujt kallkan.
*
Në etje buzësh pinte ujë zotash
Dhe e shijonte nektarin tamam
Mbushur përplot shtamba botash
Nga verë e kuqe me gjithë takam.
*
Njëri prej jush le të flet përmbi varr
Se ata që më deshën ndjenja nuk i lë
Veç ta thotë, me art dhe me dar
Se libra e laps ku i kam var…
Që i pata shkallë jete
Dhe do t’i kem roje për varr,
Atje, në një vend të shenjtë
Ku mund çdonëri për t’i parë
Në Lisin e Madh aty te Dodona
Prej gjeni hyjnish kjo farë e jona
Që s’e lë gjithsecilin për t’i marrë
Po të mos jetë ngjizur nga e jona farë.
*
Thuani, shkrimin e pati balsam për vena
Për plagët e shpirtit alla Kasam Vela
Mushtin prej rrushi zemra ia kërkonte
Sa herë që këngës donte t’ia thonte
Dhe kur e prekte Muza në cep te buza
I ndizeshin dejt, gjaku i vlonte
Timbri i zërit qiellin e shponte
I nguroste sojet sikurse Meduza.
*
Dhe ju që edhët për me më përcjellë
Për të ma dhënë lamtumirën e fundit
Një lutje e kam pasha këtë Diell
Si dëshirë fëmijërie që prej katundit
Atij që do t’i bie hise fjalimi…
Ta bëjë pa marifete dhe pa dekor…
Veç zgjedhne Homer edhe me qenë qorr
Se vetëm fjala rron edhe kur s’është njeriu
Ashtu si e pati thënë qysh nga “filimi”
Fort hyjnueshëm…dhe vetë Hyu..!

© K. Sh.

Shperndaje ne
Updated: 3 Maj, 2022 — 15:50

The Author

Kasam SHAQIRVELA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.