Kultura Kombëtare: Prof. Belgizare Kryeziu – Ese    

Ese nga Prof. Belgizare Kryeziu      

     Biografia e Atdhe Gecit                       

Autore: Prof. Belgizare Kryeziu  

Poeti kombëtar, Atdhe Geci u lind me 06. 01. 1950 në Roganë të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Gjimnazin në Gjilan dhe Dardanë. Atdhe Geci u kulturua në Universitetin e Prishtinës. Poeti dhe publicisti Atdhe Geci 15 vjet punoi gazetar, bashkëpunëtorë dhe redaktorë në disa redaksi të Televezionit të Prishtinës. Në Televizion, Geci  i takonte grupit atdhetar për Çlirimin e Kosovës. Pas desantit ushtarak të Ushtrisë serbe në vitin 1990 mbi Televizionin e Prishtinës, Atdhe Geci në vitin 1995 mërgohet në Dortmund të Gjermanisë ku edhe tani jeton dhe krijon. Veprimtaria letraro-artistike e patriotike e Atdhe Gecit është e gjerë. Ky libër shumëfaqësh bart me vete kohën e poetit. Atdhe Geci është shpallës i Republikës së Çamërisë me 30 tetor 2016, autor i „Himnit të Çamërisë“, bashkëautor dhe botues i „Kushtetutës të Republikës së Çamërisë“, autor i librit, „Dora e e Atdheut“, „Trokitje çame“, dhe të librit, „Çamëria, kthim në histori, mision“. Libri shumëfaqësh„Kanuni poetik“ i riu,  i Atdhe Geci është titull përmbledhës i krijimtarisë së tij në poezi. Ky libër është vlerësuar nga poeti, Llemadeo Lleshi, si libër kolos në letërsinë shqipe. Më shumë për vlerat e krijimtarisë së këtij autorit do të mësoni në leximin e librave në vazhdim; Për këtë përmbledhje veprash, Geci ka përzgjedhë këta libra;

1 . “Kanuni poetik” I.

. “Kanuni poetik” II.

3 .  “Poezia, një shok udhe”.

4 . “Një mollë lundron mbi varre” 22 poema.

5 . “Lulet e Humusit”.

6 .  dhe “Gacat e prushit”.

Në këtë përmbledhje librash janë përfshirë rreth 2 mijë poezi, 24 poema, me rreth 20 mijë vargje. Prandaj, shprehet autori, deri tek ardhja në dritë e përmbledhjes “Kanuni poetik“ i riu, poetit kombëtar, Atdhe Gecit, iu deshën 50 vjet krijimtari letrare të vazhdueshme për të ardhë në jetë ky libër. Motivet poetike të Atdhe Gecit janë bimë gjaku të Roganës dhe të Atdheut të tij!…Atdhe Geci u lind në Roganë. U rrit në bulevardin e pashtruar të Roganës; udhëve me bërraka, gropa, e anë rrugëve me kaça, thana, baltë, driza, baroja, shtog, kulumria, gurë të rrëzuar rrëpirash e lisa dalë rrënjësh e dhera të shembur me gurë. Belgizare, unë besoj në atë atë që unë e ndjej. Të jesh poet i vendlindjes-atdhe, i vendlindjes-komb, i çlirimit dhe i dhimbjes heroike të jetës, është dhunti e të qënit poet:

Dallgë e verbër memece

Zhurmën  tënde  e ndjej

Ta  ndali  nuk  mundem

Ta mbërthej s´e  bëj dot…

Poeti Atdhe Geci është poet me veçanti krijuese. Bota poetike e Atdhe Geci është ylberore e me ngjyrime gjaku. Epoka në të cilën jetojmë shprehet Geci, është përplotë tym, e flakë zjarresh. Në krijimet e tij, poeti Geci komunikon me kohën, me hyjnitë, me realitetin dhe botën që e rrethon. Ai shprehet; kjo jetë s´jam unë, kjo jetë është libri!…

Krejt brenda kraharorit

Zemërimi  i bie daullës

Trishtimi  i  bie  kitares

e liria një kënge me vaj…

Frymëzimi apo muza në poezinë e Gecit janë hyjnore. Poezia e Atdhe Gecit është zjarr në brendësinë e saj.  Vargu i tij i bardhë, i ëmbël, i figurshëm e himnor, frymëzon. Poezia e Atdhe Gecit në shpirtin dhe gjakun e tij janë epike, lirike dhe zemërim-mirë. Stuhitë e jetës shprehet poeti janë të pamëshirshme. Ato përveç që plagosin, edhe vrasin. Poezia, një shok udhe ka një gjithësi të padukshme në shpirtin e njeriut. Letërsia shqipe ka disa maja Himalajesh. Kalimi nëpër ato maja epiko-lirike sa është i mundimshëm aq edhe i bukur.

Është  po  s´ dëgjohet

Është  dhe s´i e ndjen

Zhurma e saj hyjnore

përmes muzës m´vjen…

Në luftërat e jetës shkruan Geci, shkrimtari s´guxon ta shtrembëroj qëllimin dhe as drejtimin e tij. Udhët e poetit Geci përherë kalojnë nëpër njeri, nëpër vuajtje e dhimbje njerëzish. Në atdheun tonë të ndarë e të copëtuar shumë dashuri janë djegur udhëve e nëpër mërgime!

Bukurinë  e  atdheut  tim

se ka asnjë vend në botë

përveç një zogu me pika

që atdheun e ka në pemë…

Krijimtaria artistik e shkrimtarit dhe publicistit Atdhe Gecit, është e gjerë. Në vetmi ( në punishten e poezisë ku poeti krijon), ai mëton revoltën e popullit dhe të individit kundër shtypjes dhe regjimeve antipopullore. Geci shkruan; unë gërmoj dritën në thëllimën e kohërave të mia, aty unë ngrehi dolli me poezinë. Bege, ky është vizioni im prej shkrimtari. Fati i shkrimtarit është i parathënë nga muza dhe hyjnitë. Shkrimtarët në përgjithësi s´mund t´i shmangen çasteve as ëndjeve që është e parathënë e krijuesit;

Nga të gjitha gjësendet në botë

vetëm libri  flet  dhe  bën  dritë,

vetëm libri mbushë  të vërtetën,

e shtatëzënë lë lirinë  e  shkelur…

Belgizare, kjo sot e përkohshme do të jetë edhe nesër edhe pas miliarda vjetësh, më thotë poeti Atdhe Geci. Fryma e kohës dhe mendja e mendimeve janë lëng poetik që i pjekë drithërat, i lulëzon pemët, e zambakët i bënë me lule dhe gurin e shndërron në bukë të trëndafiltë. Realja dhe imagjinarja në art, rrallë puqen me njëra-tjetrën. Por, tek poeti Atdhe Geci, kjo bën përjashtim.

Digjet e piqet kjo botë n ́zjarrmi

Në Prishtinë ngulmon gjak i ri

arti  i  çlirimit  nuk  njeh   kufij,

në të gjitha kohërat ka emrin, liri…

Geci e di që retë e mendimit dhe ujërat e mendimit mund të sjellin më shumë ardhje librash dhe krijim. Por, poezia varet nga muza dhe talenti i poetit! Në jetë nuk vret arma, por mendja! Këto dhe mija vargje të tjera tregojnë për fuqinë dhe mrekullinë poetike që mund të na japë vargu poetik i Atdhe Gecit. Belgizare, unë s ́kam nevojë  t ́i  shtoj lëvore portokalli rrezes së diellit apo gjethe një peme, poezia në tërësi është krijim intelegjent i mendjes, i shpirtit, i zemrës, dhe i dashurisë së frymëzuar.

Historinë që unë  e kam në shpinë

është  histori  krejt  pak  e  njohur,

histori  me  shtrembërime emrash

dhe histori  me  dhimbje  të  kokës…

Bege, natyra, kjo mbretëreshë e tokës vazhdon të goditet vazhdimisht nga stuhitë e kohës. Jemi në tokën ku lindi jeta. Andaj, çfarë t ́i japim të tashmes, shkruan Geci; pos dashurinë dhe përkushtimin për këtë tokë, dhe për këtë dhé, atdhé.  Belgizare, edhe historisë, njëjtë sikurse individit i shkyhen këpucët, i vjetërohen rrobat dhe e kaplojnë mërzi dhe dhimbje nga më të ndërlikuarat. Historia ka plotë huqe. Mirëpo, mendja dhe dora e njeriut kujdesen për natyrën. Të jesh poet duhet ta kesh bekimin e perëndisë. Unë nuk „çlirohem“ nga të qënit poet, shprehet Geci.

Në  poezi  është  gjaku  im,

fryma e të gjitha kohërave

sa herë qan a ngec historia,

veton dhe bubullon poezia…

Jeta dhe muza në poezinë e Atdhe Gecit pluskojnë njëjtshëm. Atdheu në poezinë e Gecit fillon tek njeriu, tek gjuha dhe flamuri, lexoj në poemën, „Një mollë lundron mbi varre“.

Tëra eposet njëherësh janë zgjuar

fushës së gjelbër  të  Dardanisë,

brenda është muza e shqiptarëve,

brenda është Shqipëria etnike.

Belgizare, atdheu i të gjithë neve është ky dhé. Unë Atdheun e dua, edhe kur  ai s ́ më don, edhe  kur  ai më ndjek e burgos, edhe kur demonë të çmendur më kërcënojnë. Në Luftërat e jetës shkruan Geci, nuk dilet aq lehtë nga qelitë e murosura të kohës. Atdheun unë e dua si gjënë më të shenjtë. Për mua, atdheu është, më e ylberta llavë e vullkanit. Belgizare, në krijimet e mia, unë të veçantë e kam dashurinë për Çamërinë, Kahinën e Mollës së Gjakut, Iliriadën, Ulqinin e Tivarin dhe kryeqytetin e Teutës Ilire, Kotorin. Jeta është e çmuar vetëm në këtë botë shprehet Geci. Poeti kurrë nuk ka nevojë për falje. Libri është fytyrë publike e poetit. Vetmia në sytë e të tjerëve mund të mos jetë e pranuar. Por, në çastet më me dashuri, ndodh që dashurisë fjalët s´i merren vesh, as kur zemra shok përqafon, as kur zemra shpirt ledhaton.

Kam pakënaqësi në kraharor,

do duhej të isha më i lumtur;

jam popull me vaj të moçëm,

kam histori të pasur të fillimit…

Poezia e Atdhe Gecit mëton të gjitha trojet tona në një bashkështet Shqiptar. Të tëra poezitë e Atdhe Gecit në brendësi kanë një jetë poetike autonome. Retë sot shpejt do ta  mbushin qiellin e kthjellët / Ato pandalshëm do të grumbullohen / Atdheu jo rrallë i shkruan vetes!… 

Zemrën   e  kam  të  fortë,

por trupin  në  pesë pjesë;

më shumë se  një shekull

jam  nën  degë të rrufesë!…

Belgizare, nuk ka liri që shtypjen nuk e njeh, as s´ka bashkim të vendit pa një të rënë të bukur për liri. Lexues, libri i Atdhe Gecit, „Kanuni poetik“ filigranon  më së miri dimenzionin poetik të shkrimtarit dhe të atdhetarit. Belgizare, unë përpiqem të shkruaj një lloj poezie të pa moshë, të pa stinë, të gjerë sa vet jeta. Dielli që bie mbi atdheun tonë zbret me të tëra ngjyrat e tij;

Jam fije bari  i  bimur  n ́këto  troje,

jam  gjuha  shqipe  e  dheut  amtar,

në zemër kam të dashurën Kosovë,

në shpirt  e  kam të lashtën Çamëri.

Me rastin e promovimit të librit të Atdhe Gecit në Vlorë, “Trokitje Çame”, Prof. dr. Bardhosh Gaçe, poet, studiues dhe kritik arti, po edhe poetë dhe studiues të tjerë si Idajet Jahaj, Albert Habazaj, Laureta Petoshati, Xhemil Lato e të tjerë, librin “Trokitje çame” të shkrimtarit Atdhe Geci e vlerësuan njëzëri, vepër të mirëfilltë kombëtare. Atdhe Geci, bashkë me Heroin Kombëtar të Çamërisë, Festim Laton, janë organizatorët dhe shpallësit e Republikës së Çamërisë në Hagë të Hollandës.

Tre Drina rrjedhin tokës së Shqipërisë

tre Drina bartin flamuj të ndryshëm

tre Drina flasin me pasaportë mes veti

tre Drina i thërrasin ndërgjegjjes sonë

Lexues, në portretin e kohës së poetit, gjejmë njëjtësimin poetik të kohës së tij me kohën e shkuar dhe kohën në vijim. Askush nga ne në këtë botën tonë, shkruan Geci, nuk do ta gjej lumturinë e duhur pa bashkimin e të gjitha trojeve të atdheut. Vetëm të bashkuar e në një bashkështet shqiptar, shqiptarët mund të jenë të gëzuar dhe të lumtur! Jo  rastësisht populli e thotë, guri i rëndë peshon në vendin e vetë. Belgizare,

Unë  dyshoj  që  Greqia  është Greqi

Por, unë s´ dyshoj që Çamëria është

Shqipëri!.

Lexues, Çamëria, e bukura e Shqipërisë dhe e tërë atdheut, s ́është vetëm mesazh i poetit, por edhe mision. Libri “Kanuni poetik”, i plotëson të gjitha vlerësimet që janë thënë për veprën e poetit dhe publicistit, Atdhe Geci.

Të  punosh  tokën  me  duart  tua

dhe farën ta hedhësh në arë vetë,

t ́i korrësh të korrat kur ato piqen,

nuk ka liri  më  sublime  në  jetë!

Belgizare, nuk ka art pa atdhe. Pema e lirisë sonë ende ka pak kokërra në degët e saj. I kam mëri poetët që shkruajnë pa frymëzim dhe pa një përqafim të muzës.  Poeti Atdhe Geci deri tash është përfaqësuar në 12 antologji dhe është vlerësuar me dy çmime ndërkombëtare për poezi. 

Jetojmë  në të njëtën kohë,

nën të njëjtin qiell  me yje

ku e bukura dhe  i  bukuri

dihatin me të njëjtën frymë.

Lexues të nderuar: Poezia e Atdhe Gecit është një festë krenarie për letërsinë tonë. Libri „Kanuni poetik“ I dhe II ka një sipërfaqe poetike 1650 faqe dhe rreth 20 mijë vargje. Atdhe Geci me këtë libër lexuesit shqiptar i sjellë një dhuratë nga më të bukurat. Jo rrallë në poezinë e Gecit nata flë thellë me yjet e saj dhe hënat e qiejve. Një lundrim nëpër vuajtjet dhe dhimbjen njerëzore,

Pashmangshëm përgjak edhe shpirtin e trazuar të poetit. Hyrja në vetminë poetike, në zemërimet e së bukurës, në labirinthet e realitetit të kohës e të kohërave i jep gjak të fortë vargut në poezinë e Gecit. Bege, rinia jonë është shumica e popullit tonë. Poeti i Roganës dhe i gjithë kombit shqiptar vazhdon të jetë në luftë me kohërat e pabarabarta. Me këtë libër, Atdhe Geci bën „puç poetik“ në temën e atdheut e veçmas, në poezinë dhe esetë e tij me Çamëri e për Çamërinë.

Liri, mos lejo ty të marrin  në

pyetje, as të shkelen të drejtat

tua, ata që ngrejnë  dorë në ty

janë  armiqtë  e  tu, janë lufta!..

Në Kuvendin gjithëpërfshirës çam dhe arvanit, më datë 30.10.2016, në Hotelin “Asmbasador”, në Hagë të Hollandës, Atdhe Geci, kryetar i Këshillit Nismëtar të Kuvendit  Gjithëpërfshirës  Çam dhe Arbanit iu besua Shpallja e Pavarësisë së Çamërisë;

Geci; Zonja dhe Zotrinj!

Të nderuar delegatë të Kuvendit gjithëpërpshirës çam dhe arvanit! Të nderuar përfaqësues të misioneve konsullore dhe diplomatike në Hollandë; të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, të nderuar përfaqësues të Parlamentit Evropian, dhe të Këshillit të Evropës; të nderuar miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe të ftuar të tjerë, përshëndetje!

Ne, përfaqësuesit e popullit shqiptar çamë dhe arvanitë të trevave shqiptare të aneksuara nga Greqia, pasi analizuam gjendjen në të cilën ndodhemi mbi një shekull, të përndjekur nga vendi ynë, përkatësisht të asimiluar dhe të diskriminuar në aspektin human, gjuhësor, kulturor, politik e kombëtar, vendosëm që të mblidhemi në Kuvendin Gjithëpërfshirës Çamë, dhe Arvanitë, me qëllim të vetëm të organizimit të institucioneve, parlamentit, qeverisë dhe ministrive përkatëse për udhëheqjen e procesit politik dhe ushtarak për realizimin e Pavarësisë së Çamërisë, dhe krijimin e Shtetit të Çamërisë.

Të nderuar delegatë të Kuvendit Gjithpërfshirës Çamë dhe Arvanitë, me propozimin tim dhe miratimin tuaj, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Çamërisë zgjidhet çami, z. Ahmet Xhani.

Atdhe Geci, Kryetar i Këshillit Nismëtar të Kuvendit Gjithëpërshirës çam dhe arvanit,

Hoteli Ambasador, Hagë, 30 tetor, 2016, ora 14-të,

Prof. Belgizare Kryeziu

 
Shperndaje ne
Updated: 28 Maj, 2022 — 09:45

The Author

Belqizare Kyeziu

2 Comments

Add a Comment
  1. www.mentealternativa1.blogspot.com dhe www.whale.to

    Shqiperia ka vuajtur shume nga elita boterore.

    Por i lutem shume autoreve dhe publikut te informohet te faqet mentealternativa1.blogspot.com dhe whale.to sepse ashtu do kuptojne me shume perse bota eshte ashtu sic eshte.

  2. www.mentealternativa1.blogspot.com dhe www.whale.to

    Autoret te konsiderojne informatat e ketyre dy faqeve ne shkrimet e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.