ALBUM PLAGËSH
Dardani ti kënga ime e moçme
Përmendësh e mësuar
Me nota zemre e shkruar
Me zë shpirti e kënduar
Dhe e vajtuar në log burrërish
E përcjellur brez pas brezi
Trashëgim të lënur prej hyjnish
Për të gjallëruar emri i Dardanisë
Ky album plagësh…
Që vjen prej lashtësie
Bardh e zi që i duket njerëzisë.
Ti je dashuria ime hyjnore
Nga Dardani i Zeusit perëndi
Unë rinohem mendimesh prore
E ti plakesh për fillin njerzor në lashtësi.
Ti je korja e bukës për mua
Toka që më ushqen etshëm
Ti je gëzimi e hidhërimi që i dua
Dhe vendi i shenjtë i varrit tim
Ku do të më flejë trupi përjetshëm
Ku brezat e mi do të më kujtojnë
dem baba dem…
Pa e humbur udhën e yllit tim!