Letërsi Kombëtare: GJAKUT TË DERDHUR ÇAM BRIGJEVE TË ÇAMËRISË

NË SHENJË PËRKUJTIMI TË GJENOCIDIT TË BËRË NGA SHTETI I GREQISË, MBI ÇAMËT DHE ÇAMËRINË

Sot po ju risjelli një poemë kushtuar çështjes çame të shkruar nga Kasam Shaqirvela

Poemë që më gjenë sygdhirë Mëngjeseve të Kuqërremtë, n’ pritje të Agut t’Bardhë për Çamërinë

RRUGËS VJETËR PËR ÇAMËRI

Jam nisur rrugës së vjetër për në Çamëri
E di e di, jam më se i bindur, se do t’arrij’
Të festojmë për Liri, së bashku Un’ dhe Ti!
Mo sot, nesër, o pasnesër, me siguri..!
Për atë që m’rrëfente gjyshi im jetim
Ndodhitë plot dhimje, mallëngjyeshëm
Luginave plot pellgje gjaku në ngjizje
Dhe përrenjëve me derdhje rrëmbyeshëm

Gjerdan shpirtrash të ndezur në dridhje
Dhe trupin mbushur përplot me plagë
Histori të dhimbshme që t’ndezin flakë
Kur babai m’i rrëfente tamam si sagë
Për sakrificën e atdheut tim t’madhërishëm
Për çdo shqiptar që është i vetëdijshëm
Se rruga e Lirisë shkelet veç lavdishëm
Liria nuk lypet, asnuk falet, por ajo fitohet
Nëse duhet, madje, merret edhe me dhunë
Pa e pyetur fare pushtuesin për procedurë
Ajo që është e jotja, nga i huaji nuk meritohet
As ajo që është e huaj, e jotja s’bëhet kurrë
***
Kam hedhur hapin rrugës për Çamëri
Për amanetin tënd, o e lashta Thesproti!
Me kujtimet e mendjes trastë në shpinë
Dhe vuajtjet e shpirtit që kërkon Liri
Ndër vargje të këngës nga plaga stisur
Me dëshirën e zjarrtë un’ botës degdisur
Çamëri, ti ëndrra ime e moçme,
Ti molla e Artë, e ndaluar për ne
Tani disa herë e vrarë dhe s’të kam qarë
Mall zemre prindërore e prerë n’damarë
Ti kopështi i trëndafilave të bardhë
Që t’i ngjyen xhelatët me bojë alle
Këtë ngjyrë gjaku e mbaj në flamur
Që kur di për veten dhe Shqiponjën e Artë
Simbol që e lidh zemrën me tokëdheun si urë
Shpirti dëshiron i flaktë për të të parë
Aromën e truallit në gji të ta marrë
Ta pushojë kokën aty përmbi varret
E t’parëve të mi, në lotdëshprim
Me ata të kuvendojë në përgjërim
Ah, dhe ky malli sa më ka pushtuar?
Ndjenjat dhe trupin m’i ka lënduar
Lëndinave dua t’ua ndjejë erën e barit
T’i prekë rrënjët e Lisit Plak
Jo pra, nuk bëhet ujë gjaku i shqiptarit!
Veç një herë shqiptarçe un’ për të qarë!
Ëndrrën time syhapur që e kam parë
Enigma që më bren dhe s’e kam zbuluar
Vallë, pse thonj e mish m’i patën ndarë?!
Dhe nga shtëpia ime me dhunë më patën dëbuar
Ç’hesape të vjetra po lajnë në mullrin e ri
Këta shtetet që i shkelin tokat si pa të zot
Hegjemonizëm ndër fqinjët e mi?!
Sikurse dikur moti por edhe sot
Qofshin të vjetër apo hajna të rinj
Ditën për ty digjen sikurse qirinj
Natën të vrasin me pleq e fëmijë
Madje pa turp dhe hiç pa mbare
Na fajësojnë neve përherë
Rrejshën ankohen botës ashiqare
Kanë fobi antishqiptare dimër e verë
Por, un nuk epem dhe me ta s’lirohem
As nuk largohem por as nuk afrohem
Dhe sinorin tim vetë e thur, vetë e mbroj
Ndër male e fusha mire përkujtohem
Dallëndyshe dhe lejlekë në një i tuboj
Zgërbonjave të shpirtit dua të çlirohem
Me Veri dhe Jug bashkë të marshojë
Aty, për Çamërinë shqipe, të betohem.
***
Rrugës për në Çamëri, ja, tani jam nisur!
Për një dasmë të madhe ftuar e grishur
Me krushq, bajraktarë dhe dasmorë
Nusen hypur në Kalë të Bardhë
Dhe vellon e bardhë si dëborë
Që nëpër dekada e mbaj në dorë
Jam Dhëndri që rri gati për kurorë
Dhe rendi e rendi rrugës Evro Atlantike
Gjithandej, n’bredhje t’botës demokratike?!
Lart e poshtë instituteve dhe kabineteve
Emrin tënd ndër harta e kërkoj për ta gjetur
Shfletoj dosjet e mbyllura në kanë mbetur
Por, politika, gjithëherë më del boshe?!
Ankesat e tua i ka flakur në një qoshe
Vetëm bibliotekave muze,madje të vjetra
Ndër libra t’moçëm, fletëgrisur, të gjeta
Më thanë se, ajo na qenka tjetra?!
Edhe pse t’kisha arnuar nga e imja jeta
Ty, ThESPROTI bashkë me ThESPROTË
O Ju, të lashtët e mi, o Ju Hyjnorë!
Po, u thashë! Por, kjo është Ajo!
Si motër e vëlla, të kapur dorë për dorë
Unë atë e dua edhe mua më don Ajo!
Ai që në këtë vend të shenjtë për ne
Këtu në të lashtin, tonin atdhe
Neve të njëjtët na ndau në disa fe?!
Nuk qe i mirë bile qe ziliqar!
Edhe nëse punoi në emër të zotit
Qëllimin e kishte për vete hileqar
Ishte me prapavijë, me sherr e kobzi
Për të na e copëtuar tonin Atdhe
Pastaj më lehtë në dorë për ta shti
Ai punoi me shekuj pandërprerë
Vetëm se të na fuste në flakë baroti
Për ta shkatëruar njëri-tjetrin kotë së koti
E ne jemi një, si arvanitë ashtu edhe çamë
Nga e njëjta nënë n’foshnjëri gjinin e pimë
Të njëjtën gjuhë bashkë e flasim me nam
Adete, zakone, ligje madje dhe Kanun
I patëm dhe vazhdojmë t’i kemi nga i joni Nun
Dhe ne, të gjithë, këtë gjë shumë mirë e dimë
T’mos e lëmë që punët na vetë t’i përziejmë

***
Rrugën e Çamërisë unë zbathur e shkeli
Dhiareve nëpër male lart u ngjitem
E vërteta ime është athëtimë
Vret si rrufe e djeg si vetëtimë
Lugjeve të Verdha që me natë
Për timin vend, për Mëmë dhe Tatë
Cep më cep të sinorit përnatë
Ngjitem bjeshkëve Përroit të Thatë
Atij Përronit të Selanit
Gjëmën që panë Yjet dhe Hëna
Atë natë të kobshme n’Pramithi
Plojën mbi pleq, gra e fëmijë
Dhe kujën që lëshënte Çame Nëna
Ia dëgjojë rënkimet dhe mallkimet
Lindjet dhe vdekjet, përjetimet
I ngjitem dhe qiellit tek kati i shtatë
Yjet i pyes, përse retë para u dalin?
Dhe rrugëtimit shqip hovin ia ndalin?!
Po le ta dinë se nuk do t’ia dalin!
Sepse flaka ma çanë errësirën e territ
Nga tehu i penës së Bilal Xhaferit
Dhe vargjet e poetit Muhamet Çami
Si atëbotë edhe sot u del nami
E unë, për ty qaj, për ty lotoj
N’djersë e n’gjak, ballit me shami
Vitet praptas gjithnjë i numëroj
Eci hullive t’vargut që kushtron për Liri..!
Çështjen time deri në fund do ta çojë!
Të dojë dikush apo le t’mos dojë
Nuk pyes për çmimin sa do t’kushtojë?!
Kjo lavë shpirtin që ma ka përvëluar
Edhe Lugjeve t’Verdha do t’ua shkrij’ borën
Mbi shpinë e supe të Motit Madh
Porsi fllad vere do të vijë kalëruar
Ta gjelbroj barin aty në livadh
Po ti Çamëri veç jepma dorën!
Me kushtrim malesh të ta vë kuroron.
***
Rrugën e vjetër për në ÇAMËRI
Unë për vete shumë e dashta
Ta ndi, veç një herë, t’urtën fatthënë
Në Tempullin e Dodonës Pellazge
Që vjen Agut nga kohët e lashta
Ditëve me Diell e netëve me Hënë
Trashëgimi e imja nga Babë e Nënë
Por lakmi e tjerve, e njekur prej jarge,
Për Igumenicë, Sul, Prevezë e Artë…
Deri tek ajo që thirret bukuri prej Parge
Përsëri udhën rrëpirë, un’ e rrah pa hak
Rreth Lisit të Madh, gjethet kurorë
Edhe pse dhimbja rënduar n’malcim
Plagët e vjetra në m’kullojnë gjak
Peshën e kanë si bjeshkët me borë
Mbase shpirti ushqet në këndim
Për Tokatdhe, për Farëgjen të sojit tim.
***
Sa herë që unë shkoj rrugës së vjetër
Për tek tokat e gjyshit, atje, n’Çamëri
Takoj heronjtë e një epoke tjetër
Me nam e zulm që bënë kët’ histori
Ata m’përqafin, m’urojnë mirëseardhje
Ma shpalosin gjoksim mbushur me nishane
Ma rrëfejnë historinë me keqardhje
Sikur të kishin një mallkim prej nëne?!
Unë këndellem dhe s’përmbahem dot
U them: s’ankohem më dhe s’derdhi lot!
Edhe n’u thafshin krojet për gjat’ mot
Un’, do mprehë lapsin,me librin në dorë
Do t’i shkrijë bjeshkët me dëborë
Do ta dridhë token aty mu në zemër
Për emrin Çam, për timin Emër!
Do ta ngre zërin deri në kushtrim
Për lirinë e Çamërisë…
Për Lirinë e Atdheut tim..!
***
Rrugës së vjetër për Çamëri po shkoj
Unë poeti dhe asketi i Fjalës së Lirë
Në marshin e gjatë të Lirisë defiloj
Mendja për penë, shpirti për Harfë a Lirë
Ky vrull i ri Pranverën do të ma zgjojë
Kënga e bilbilit n’Çamëri do të jehojë
Unë, me zë tenori, vetë do ta këndojë
Plori, ndër ato ara, qëkurrë s’mba mend
Do të lëvrojë sërish, bashkë me parmendë
Ti tokë e djegur, e bërë shkrumb e hi
E ngjyer me gjak të kuq shqiptari
Si nga i vjetri ashtu dhe nga i riu,
Që e pësove gjenocidin e paparë,
Këtu në kërthizën e Evropës,
Dëbime dhe shkatërrime nga barbari
Bashkë me përmbysje të sofrës
Herë nga Jugu e herë nga Veriu
Djegie e tortura makabre
Nëpër tokën hyjnore time
Që ishte dhe mbeti trime
Përballë reprezaljeve moderne
Dhe etnocide primitive,
Spastrime sheshazi të dala
Nga hordhi mulate masive
Amorale dhe të përdala
Për të cilët s’ka asnjë kuptim
Fjala Hyjnore, e jona Fjala..!
Liri..! Liri..! Liri..!
Për ty moj Nëna Çamëri…!
Edhe nëse ty të kanë bërë fli
Ti do të ngrihesh përsëri
Unë atë gjë mirë e di
Nga hiri yt, i plak e i ri
Sikurse Feniksi dikur n’lashtësi
Bashkë me tënden djalërinë
Si n’të Lashtën Thesprotinë

Rrugës për Çamëri që i jam ngjitur
Jo i vetëm por veti dytë
Qe një shekull e kam pritur
Nuk jam Muji që pret malin me shpatë
As nuk i kam plagët e Gjergj Elez Alisë
Por i kam grishur dasmorët krushq të shqipes
Nga të tana trojet e ShQIPTARISË
Me ba dasmën në tokat e Çamërisë.

Se unë më rrugën për tek ty
E kam marrë me vrrull të ri
Bashkë me burrat dhe rininë
Ta thurim kurorën për Çamërinë
Se nusja pa krushqi nuk shkon
Edhe dasma njerëz kërkon
Logun e Burrave ta hijeshon
Ata që frymëmarrjen shqip e bëjnë
Borxhin e vet, tjetrit nuk ia lënë
Dhe amanetin do ta çojnë në vend
Ashtu siç e do puna rend e me rend
Ta zbresim një herë nusen nga i Trojës Kali
T’i ndërpresë lotët dhe Baba Tomor-Mali
Sepse, nusja jonë, e kuqja Çamëri
Si gjat kohë ka qëndruar në dremi
Mbi gjysmë shekulli ajo nusëron
Dhe praptas vitet n’gërsheta i numëron
E end fatin e vet, ndër shekuj vekon
Por dhëndrin e shqipes kurrë s’e tradhëton
Se atë, ashtu dhe vendi i vet e don!
Pra, ti më prit mu kësaj here
Jepma dorën nëpër shteg ferre!
Ta çelim bashkë këtë stinë pranvere!
Ta festojmë ne bashkë Lirinë,
Lirinë e shumëpritur për njerëzinë
Lirinë për time motër Çamërinë!

 Kasam ShAQIRVELA

Shperndaje ne
Updated: 8 Korrik, 2022 — 18:26

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.