Letërsia Kombëtare: Kasam Shaqirvela- PËR EMRIN ATDHE

KALENDARIT TE ATDHEUT

(Tregim i shkurtë i dalun nga rr’fimi i ngjarjes së perjetueme)

Gjatë kohë andrroja, sikurse nj thmi, për “Kalendarin e Atdheut”, qe ma pati lanë trashgim Gjyshi jem, ndjesë pastë, t’mshelun me dry aty ne arkën e vet, aj at arkë e kishte sjellun nga gurbeti, te cilin e kishte ba me shumë mundime, nji kohë mjaft te gjatë q’e kishte kalue atje n’Vllajagë. Dhe une tash, pareshtun, po e kerkoj çelsin e arkës se vjetër!
Edhe Lokja m’pati thanë se gjyshi sa ishte gjallë, vetë ai, çelsin e varte, bashkë me pushkën grykhollë, te bedeni kryesor i Kullës se Vjetër… Sa mbaj mend une, nga rr’fimi i gjyshes, ajo m’tregonte se n’at kalendar gjyshi i shenonte datat me ngjyrë te kuqe si gjaku ndonse dinte shkrim e kendim, aj e vinte pikën me gishtin e tij t’premë “çup”, që ja kishte pre “naçallniki”[1] i udbes-UDB(Uprava Državne Bezbednosti=Drejtoria e Sigurise Shtetnore)..!
Kur e kishte pyetun aj far kryeshefi i njesitit ndeshkues, gjyshin tem, me rastin e bastisjes se Kullës Vjetër për punën e armve(akcjonit për mbledhjen e armeve), i kishte pas thanë: “-I kahit je or ti malok ardhacak(odakle si ti seljačino novajlija)”! Gjyshi nuk kishte desht me fol serbisht(edhe pse klasën e parë dhe të dytë qysh n’kohën e kralit e kishte mbarue te daskali, po ne serbisht) dhe e dinte shum mirë ate gjuhë bastardhësh por nuk e folte… dhe për ate shkak e kishte zgjatun krahin e tij.. e me gishtin tregues q’e kishte drejtue kah Mali Sharr, tue e tundun kryet n’shejë pohimi e tue u thanë n’heshtje se, -une jam i vjetër ktu sa vetë Mons Skardusi… Nga ky akt i papritun i gjyshit por dhe fort i guximshëm, “naçallniki” i xhindosun si nji hijenë e uritun për gjak, aty për aty, i kishte urdhnue milicët ta lidhnin malsorin e pabindun e masandej, me kmesën(kumbesën)e tij t’ja shkurtonin gishtin dhe, me goj’n e vet kishte pasë thënë: “-prisnja se e paska si shumë të gjatë gishtin(skratite mu taj prst jer mu je predugačak)!”
Gjyshi, që e kishte kuptue gjuhën e bastardhëve, njashtu i paepur që kishte pasë kanë, i kishte shtrëngue dham’t, sikurse luftetari thikën kur e kalon lumin n’kamë, i futun napër uj, tue e kafshue “sherveten” qe e mbante rreth qafës, e cila i shërbente për m’i fshi djersët e ballit kur punonte ne arë, apo kositte “Livadhin e Madh” i cili ndodhej afër “Prrojt t’Thatë”, mu aty nen malin te “Gjuri Shipes”, vetëm e vetëm për t’mos piskatun nga dhimta…e qe mos t’i bahej qefi naçallnikit..!
Dhe ai, pra gjyshi, u vinte shejë t’kuqe datave te shenueme n’ditët e zeza, nga Motet e Mdhaja, n’fletët e Kalendarit te Atdheut me ngyrë qjelli qe ngjante me nji natë te kthjell’t me illzi plot shkelqim…
Nanuçja, siç i thojsha une gjyshes teme, pra Lokja m’pati thanë se, gjyshi em, atbotë, çelsin e kishte lanë amanet, qysh më athere kur, me nji ton urdhnues, kishte pas thënë: ”-ket çels ne ta marre nipi jem i cili, ma i pari prej tjerve, ka me pvet për gjyshin e vet dhe ka me e shqyptue emnin Atdhe”….
Andrra vazhdon,… sot e mot…!

© K. Sh.

[1] Kryeshef xhandarmerie, milicie e ma vonë policie[fjalën dzandari,serbet e kishin huazue nga frengjishtja: jandarme(zhondarmë)]

Shperndaje ne
Updated: 19 Tetor, 2022 — 03:47

The Author

Kasam SHAQIRVELA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.