Atdhe Geci – HESHTJA NË GUR

 
HESHTJA NË GUR
Të gjithë shqiptarët mes veti kanë ndjenjën e gjakut të përbashkët. Ndjenjën e të folurit dhe të shkruarit të njëjtë. Dhe, poaq, përgjegjësinë për t´i dalë zot atdheut të vet.
Qeliza e kombit, familja, shumë është dobësuar dhe zvogëluar. Popullit tonë i mungon heroi dhe heroizmi kombëtar. I mungon zoti i humbur i tre feve. I mungon elita kombëtare: e dijes dhe flijimit!. I mungon zgjimi i mirëfilltë kombëtar për ribashkimin e atdheut.
Shqiptarët nuk jemi komb pa vetëdije kombëtare. Ribashkimi i atdheut e kërkon me ngut që ta njohim e duam vëllez porërisht njëri tjetrin. Artan, mërgimi dhe shpërngulja shumë na kanë zvogëluar. Guri, jetojmë në një botë të trazuar luftërash. Shqiptarët e meritojnë një atdhe ndryshe. Një atdhe të bashkuar, të lirë e të mirëqenë që u jep të gjithëve të drejtën dhe shansin e barabartë të lumturisë. Pyes? Si është e mundur që liria ta ketë emrin mashtrim, hajni, korrupcion, prostitucion, poshtërim, e çka jo tjetër?!
Shqiptarë, është koha të konsolidohemi kombëtarisht. Është koha të punojmë për ribashkimin e pjesëve të pushtuara të atdheut. Është koha të angazhohemi më shumë në detyrimet që na presin. Populli pyet? Pyesin të gjithë! A kemi mendje e duar për lirinë e madhe, për atdheun në një bashkështet shqiptar.
Natyrisht se po!
Guri, ç´të bëjmë me Akademitë kombëtare që heshtin dhe mohojnë origjinën e të parëve tyre pellazgo-ilirë!…Gjykojeni vetë! Heshtja, është koha ta atdhesojmë dhe të marrim vendime identitare, e pra ekzistenciale për origjinën pellazgo-ilire të shqiptarëve. Guri, deshën apo nuk deshën Akademitë tona, ne shqiptarët e sotëm jemi pellazgo-ilirët lashtë, njerëzia dhe qytetnia e parë në Europë e tutje rreth saj.
Heshtja, ku je forcë e ndryshimit! Folni prindër, nxënës, studentë, mësues, profesorë univerzitetesh dhe krijues të të gjitha fushave. Njiheni vetveten! Dhe emërtoni emërvendet tuaja në shqipen e perëndishme!
Njerëz, jeta është e shkurtër për të heshtur kaq gjatë! Atdhe, ti e di udhën e duhur! Jepi dritën e gjelbër shkrimtarëve, studiuesve, artistëve, arkitektëve, piktorëve, kompozitorëve, si dhe publicistikës kryengritëse të punojnë ditë e natë në altarin e ribashkimit kombëtar.
Guri, Atdhe i dashur! Nuk jemi fëmijët e fundit të këtij Dhéu arbnor. Kjo tokë është gjaklindja jonë. Ikja nga Atdheu për një vend pune të rëndomtë ose për jetë tjetërfare është fyese për të sotmen dhe për të ardhmen e kombit tonë!
Populli im, ku e ke fshehur heroin? Pse nuk e nxjerr prijsin tënd në arenë! Është koha të flasim me patjetër.
Është koha ta shprangosim heshtjen në gur! Shqipëria dhe Kosova duhet ta njohin Republikën e Çamërisë, si pjesë të pandashme të kombit shqiptar.
Atdhe Geci – Heshtja në gur
Shperndaje ne
Updated: 4 Shkurt, 2023 — 09:27

The Author

Atdhe Geci

Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron. Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. “Demonstratat e luleve”, 2. “Antolologjia personale" 3. “Jeta në Letër”, 4. ”Mielli dhe uji”, 5. “Lirikë”, 6. “Dridhjet e barit”, 7. “Atdheu”, 8. ”Erdhëna”, 9. “Arbëreshët”, 10. “Shqipëria”, 11. “Trojet e mia” , 12. “Rogana”, 13. “Heroika”, 14. “Gacat e prushit”, 15. “Atdhetarët”, 16. “Pasha këtë tokë”, 17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.