“Kur të lirohet Kosova, më thirrni vetëm njëherë te varri dhe unë do të ngrihem ta shoh Kosovën e lirë!”
Rexhep Sadiku (Veseli), nga Shipkovica e Tetovës, mësues në Drenicë, i helmuar nga shërbimi sekret jugosllav, në Prizren, më 1946, për shkak të bindjeve nacionaliste dhe për pjesëmarrje në Kryengritjen e Drenicës, nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës.
Pas disa vitesh që kishte ndërruar jetë u dënua me burg të rëndë nga ish-regjimi komunist jugosllav në Maqedoni, si ideolog i Oganiziatës politike atdhetare LIRIA.* Organet e pushtetit të atëhershëm aktgjykimin ia lexuan mbi varrin e tij, në Shipkovicë të Tetovës, 6 vjet pas vdekjes, me rastin e dënimit të udhëheqësve të tjerë të kësaj organizate, në krye me atdhetarin, dijetarin dhe poetin Sadudin Gjura.
Për personalitetin dhe veprën e këtij atdhetari kanë shkruar, studiusi Shaban Braha, shkrimtari Ibrahim Kadriu, bashkëveprimtari i tij Lazim Kurtishi dhe të tjerë.
Nga fondi i librave të bibliotekës së tij, të ruajtura nga familja, shihet horizonti i gjerë i dijes së asaj gjenerate të përgatitur në shkollat normale shqipe të kohës. Përveç librave të rilindasve shqiptarë kanë lexuar dhe shpërndarë edhe libra të autorëve botërorë, si Shekspiri, Ibseni dhe të tjerë.
Nga askush deri më sot nuk ka marrë mirënjohje si dëshmor lirie. Le t’i mjaftojë ky përkujtim nga nipi i tij.
Lavdi e përjetshme!
*Dëshmi nga libri në dorëshkrim i Lazim Rexhepit ,,Romani i ditëve të mia”, Konstancë, Rumani.
(17 shkurt 2021)